LVV-ja laramane në qeveri, në protesta kuq e zi!

0
397
Albin Kurti - Vetëvendosje

Shkruan: Florim Zeqa, 14.06.2020

Tubimi paqesor i LVV-së në ditën e çlirimit, e cila koinçidoj edhe me 15 vjetorin e themelimit te kësaj organizate, në shikim të parë të krijon përshtypjen e një shteti nacional me flamuj të shumtë kombëtar. Por mungesa e flamujve shtetëror në ditën e çlirimit përseri të krijon përshtypjen e mohimit të shtetit në të cilin jetojnë.

Florim Zeqa
Florim Zeqa

Rakiqi i mirë në koalicion me LVV-në, i keq kur është me të tjerët

Përderisa i shikoja të përformonin kuq e zi drejtuesit e LVV-së në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, jo më largë se para dyjavësh të njëjtin në qeveri ishin të rrethuar me flamujt dhe simbolet e shtetit të Kosovës apo siq e quajnë “lara-lara” flamurin e Kosovës kur nuk nuk janë në qeveri.

Kjo po i bie se, kur janë komod e mirë në qeveri, u shkon për shtati edhe flamuri lara-lara, ndërsa me të humbur pushtetin pëseri i kthehen flamurit kuq e zi për të promovuar patriotizmin e skajshëm folklorik, thuaja sikur nuk ka shqiptarë të tjerë përpos tyre në këtë Kosovë.

Të njëjtit që tani shajnë e kritikojnë të tjerët për koalicion me “Lista Srpska”, deri dje ishin bashkë me rakiqat e listës serbe në qeveri!

Duhet me qenë tepër naiv për të mos e kuptuar lojën e dyfisht të LVV-së. Si ka mundësi që partia e Rakiqit të bëhet e mirë kur është në koalicion me LVV-në, ndërsa e keqe dhe fashiste kur është në koalicion me të tjerët në qeveri.

Vallë çfarë po ndryshuoka “Lista Srpska” kur është në bashkëqeverisje me LVV-në!?
Përgjigja është, aspak dhe asgjë.

Organizata politike “Lista Srpska” sikurse që nuk bëhet më pak armiqësore ndaj shtetit të Kosovës kur është në koalicion me LVV-në, ashtu nuk bëhet as më armiqëore kur është me subjektet tjera në qeveri.

Pra, “Lista Srpska” është e njëjta sa herë që është në Qeverinë e Kosovës, pra, ishte, është dhe mbetet subjekt politik armiqësor i cili nuk e njeh Republikën e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur, por vetëm si pjesë integrale e Serbisë që në zhargonin armiqësorë kundër shqiptarëve e përdor si “Kosovo e Metohija”.

Sikur LVV-ja të mos e kishte në koalicion “Lista Srpska”, gjegjësisht, sikur të mos i kishte, jo një, por dy ministra të Rakiqit në qeverinë prej vetëm 15 ministrive, do t’i pranohej çdo gjë që e thot për listën serbe dhe Rakiqin në veçanti.

Sikur LVV-ja gjatë qeverisjes së shkurtër të mos kishte pasur asnjë lloj bashkëpunimi me Serbinë dhe “Lista Srpska” në veçanti, do t’i besonim akoma më shumë në reciprocitetin e vënë në ditën e fundit të qeverisjes së saj…

Diaspora nuk bëhet “mish për top” i subjekteve aktuale

Çështje tjetër të cilën LVV-ja e ka ngritur dhe relativizuar gjatë tubimit të 12 qershorit dhe jo vetëm, ishte Diaspora.

Është e qëlluar dhe e domosdoshme iniciativa ligjore e LVV-së para Kuvendit të Kosovës, për ta lehtësuar pjesëmarrjen në politikë dhe mundësuar votimin në zgjedhje për Diasporën kosovare, mirëpo kjo është vetëm njëra anë e medaljes që LVV-ja po e trajton Diasporen për konsum elektoral.

Sikur LVV-ja ta kishte me gjithë mendje dhe qëllim mirë çështjen e Diasporës, paraprakisht ndihmave materiale që i kërkoi nga ajo në kohë pandemie, do të kujdesej për nxjerrjen e një projektligji që i liron bashkatdhetarët nga tatimi mbi pronë për shtëpitë e banimit të ndërtuara pas lufte, e të cilat i gëzojnë (shfrytëzojnë) një herë në vit gjatë pushimeve verore, heqjen e procedurave byrokratike dhe heqjen e haraqit (të legalizuar) për përshpejtimin e nxjerrjes së dokumenteve administrative (letërnjoftimeve dhe pasaportave), e pse jo edhe të heqjes së policave të sigurimeve të automjeteve, mjete këto që nuk përfundojnë në arkën e shtetit, por në xhepat e thellë të politikanëve të inkriminuar.

Duhet të rregullohen dhe garantohen me ligj pronat e mërgimtarëve në shtetin e Kosovës, të lirohen nga tarifat doganore të gjitha dërgesat dhe investimet e Diaspores, e jo t’iu vihen barriera doganore dhe haraç sikurse deri më tani.

Ndryshe, çasja ndaj Diaspores duhet të jetë serioze dhe e vazhdueshme, e jo vetëm për konsum elektoral apo përfitim material në kohë krizash nga cilido subjekt politik qoftë ai, në pushtet apo opozitë.

Edhe pse e qëlluar, është e vonuar iniciativa ligjore e LVV-së para Kuvendit të Kosovës, për ta lehtësuar pjesëmarrjen në politikë dhe për të mundësuar votimin në zgjedhje për Diasporën Kosovare.

Si e tillë, kjo duket më shumë si kërkesë për qëllime elektorale për rikthim në pushtet sesa kërkesë serioze për ta ndihmuar Diasporën, për faktin se, LVV-ja nuk është nga dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por që nga viti 2010, dhe asnjëherë deri më tani nuk e ka ngritur zërin për pjesëmarrjen e mërgates në politikë.

Shihet qartë, se kjo nismë e LVV-së për Diasporën, nuk ka të bëj fare me respektin për mërgatën dhe përfshirjen e saj në vendimarrje, por konsiston në qëllimin dhe shpresën e votës së mërgimtarëve për rritje dhe fuqizim të LVV-së në zgjedhjet e radhës, për shkak se Lëvizja Vetëvendosje e ka të qartë, se kuotat aktuale nuk mund të shënojnë rritje më të madhe se kaq nga elektorati kosovar.

Diaspora nuk bëhet “mish për top” i subjekteve aktuale politike, por do të bëhet zë i fuqishëm i ndryshimeve të vërteta dhe substanciale në Republikën e Kosovës.