Lutje lirimi

0
1071

(shenja e kryqit bëhet në heshtje)

Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Amen!

Lutja shën Mikaelit Kryeengjëll
Princ i lavdishëm i ushtrive qiellore, shën Mikael Kryeengjëll! Na ruaj në betejat kundër fuqive të errësirës dhe nga e keqja e tyre shpirtërore! Ndihmoju njerëzve, të cilët Hyji i krijoi në përngjasimin dhe shëmbëlltyrën e vet dhe i shëlboi nga tirania e djallit me çmim tepër të madh! Ty të nderon Kisha si mbrojtës dhe pajtor të vetin, ty Hyji t’i besoi shpirtrat, që një ditë do të ulen në fronet qiellore. Lute, pra, Hyjin e paqes, që ta mbajë djallin nën këmbët tona, që të mos ketë më mundësi t’i skllavërojë njerëzit e t’i shkaktojë dëme Kishës!

Së bashku me lutjet e tua, paraqiti para Hyjit të Tejetlartë edhe lutjet tona, që të zbresë mbi ne mëshira e Tij dhe ti të kesh mundësi ta vësh në pranga dragoin, gjarprin e vjetër, Djallin, dhe të lidhur në pranga ta hedhësh në skëterrë, që nga atje të mos ketë më mundësi t’i ngashënjejë shpirtrat! Amen!

Ekzorcizmi (lutja për dëbimin e djallit)
Në emër të Jezu Krishtit, le të shpërndahen dhe le të zhduken përpara tij armiqtë e tij dhe ata që e urrejnë! Si zhduket tymi, ashtu le të shpërndahen ata; si shkrihet dylli përballë zjarrit, ashtu të zhbihen bakëqijtë përpara Hyjit!

Ps. 68
U ngrittë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, u zhdukshin prej syve të tij ata që e urrejnë! Si zhduket tymi, ashtu ti i shpërndan, si shkrihet dylli përballë zjarrit, ashtu të zhbihen bakëqijtë përpara Hyjit!

Ja kryqi i Krishtit, fuqi kundërshtare ikni përpara tij!
Korri fitore Luani i fisit të Judës, pasardhësi i Davidit.

Po të urdhërojmë që të ikësh, shpirt i ndyrë, fuqi djallëzore, pushtues i ferrit, armik, me të gjitha ushtritë e tua, me mbledhjet dhe ndarjet djallëzore, në emrin dhe në fuqinë e Zotit tonë Jezu † Krishtit: ji i çrrënjosur nga Kisha e Hyjit, larg nga shpirtrat e krijuar në përngjasimin dhe shëmbëlltyrën e Hyjit, të cilët i ka shpërblyer Gjaku tejet i çmueshëm i Qengjit të Hyjit †! Që nga ky çast e në të ardhmen të mos guxosh, gjarpër i fshehtë, të gënjesh gjininë njerëzore, të përndjekësh Kishën e Hyjit, të pjekësh dhe të bluash, si farën, të zgjedhurit e Hyjit †!

Po të urdhëron Hyji i Tejetlartë, me të cilin, në mendjemadhësinë tënde të madhe, mendon se je i njëjtë!

Po të urdhëron Hyji Atë † po të urdhëron Hyji Bir † po të urdhëron Hyji Shpirt Shenjt †!
Po të urdhëron Krishti, Fjala e përjetshme e Hyjit që u bë njeri † i cili për të na liruar nga robëria jote, në të cilën ramë për shkak të xhelozisë sate u përvujtërua dhe u bë i dëgjueshëm deri në vdekje; i cili përftoi Kishën në shkëmbin e paluhatshëm (Shën Pjetrin), duke i premtuar se fuqitë e ferrit nuk do të ngadhënjejnë mbi të dhe se do të mbetet deri në të sosur të shekujve!

Po të urdhëron shenja e shenjtë e Kryqit † dhe fuqia e të gjitha mistereve të fesë sonë të krishterë!
Po të urdhëron e gjithëshenjtja Nëna e Hyjit, Virgjëra Mari † e cila, që nga çasti i parë i ngjizjes së saj të papërlyer, për shkak të përvujtërisë së saj, ta shkeli kryet krenar!

Po të urdhëron feja e Apostujve, Pjetrit dhe Palit dhe feja e të gjithë Apostujve †!
Po të urdhëron gjaku i derdhur i Martirëve dhe ndërmjetësimi i fuqishëm i të gjithë shenjtërve dhe shenjtëreshave †!

Pra, Dragua i mallkuar dhe çdo fuqi djallëzore! Ne të përbejmë në emër të Hyjit † të gjallë, të Hyjit † të vërtetë, të Hyjit † të shenjtë; të Hyjit që aq shumë e ka dashur botën saqë flijoi për të Birin e vet një të vetmin, që secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur; pusho të gënjesh krijesat njerëzore dhe t’u japësh helmin e ndëshkimit të përjetshëm: mos e sulmo më Kishën e shenjtë, duke i vënë pengesa lirisë së saj!

Largohu, djall, imagjinues dhe mësues i çdo mashtrimi, armik i shëlbimit të njeriut!
Lëshoja vendin Krishtit, mbi të cilin asnjë fuqi nuk doli fitimtare; lëshoja vendin Kishës së vetme, të shenjtë, katolike dhe apostolike, të cilën Krishti e përftoi duke derdhur Gjakun për të! Përvujtërohu nën dorën e fuqishme të Hyjit, dridhu dhe ik përpara thirrjes që ne po ta bëjmë në emër të Jezusit, i cili bëri që të dridhet ferri, të cilit Virtytet e qiellit, Pushtetet dhe Zotërimet i nënshtrohen, të cilin Kerubinët dhe Serafinët e lavdërojnë papushuar, duke thënë: «Shenjt, shenjt, shenjt është Zoti, Hyji i ushtrive».

SHENJT, SHENJT, SHENJT ËSHTË ZOTI, HYJI I GJITHËSISË!
O Zot, dëgjoje lutjen time!
E BRITMA IME LE TË ARRIJË TE TI!

Lutja kundër të keqes

O Shpirt i Hyjit, Atë Bir dhe Shpirt Shenjt, e Shenjtërueshmja Trini, Virgjër e Papërlyer, Engjëj, Kryeengjëj dhe Shenjtër të Parajsës, zbritni mbi mua!

Më shkrij, o Zot, më përfto, më mbush me ty, më përdor!
Dëboji prej meje të gjitha forcat e të keqit, zhduki, shkatërroji, që të mund të jem mirë dhe të veproj mirë!

Dëboji prej meje të gjitha shtrigëritë, shortitë, magjinë e zezë, meshët e zeza, të bërat, të gjitha keqbërjet, lidhjet, mallkimet, syrin e keq; çdo ndërhyrje djallëzore; çdo gjë që është e keqe, çdo mëkat, zili, xhelozi, pabesi; sëmundjen fizike, psikike, morale, shpirtërore, djallëzore! Digji në ferr të gjitha këto të këqija, që të mos më prekin mua dhe asnjë krijesë tjetër në botë!

Me forcën e Hyjit të gjithëpushtetshëm, në emër të Jezu Krishtit Shpëtimtar, me ndërmjetësimin e Virgjërës së Papërlyer, ju urdhëroj të gjithë shpirtrave të ndytë, të gjitha pranive të cilat më mundojnë, që të largohen prej meje menjëherë, që të më lënë të lirë përgjithmonë dhe të shkojnë në ferr të përjetshëm! Thembra e Virgjërës së Shenjtë dhe të Papërlyer le t’i shtypë! O Shën Mikael, Shën Gabriel dhe Shën Rafael Kryeengjëj dhe ju, o Engjëjt tanë rojtarë, vërini në pranga! Ati ynë… Lavdi Atit… Të Falemi, Mari… Puna e pendimit…

Lutja për shërimin e brendshëm
O Zot Jezus! Ti erdhe për të shëruar zemrat e plagosura dhe të munduara. Po të lutem shëroji traumat që provokojnë shqetësimet e zemrës sime; në mënyrë të veçantë po të lutem, për të shëruar ato që janë për shkak të mëkatit! Po të kërkoj që të hysh në jetën time, për të më shëruar prej traumave psikike që më goditën në moshë të njomë dhe nga ato plagë të cilat i pësova gjatë gjithë jetës sime! Zot, Jezus!

Ti i njeh problemet e mia: po i vendos të gjitha në Zemrën Tënde, në Zemrën e Bariut të Mirë. Po të lutem, që falë asaj plage të madhe, e cila qe hapur në Zemrën Tënde, që t’i shërosh plagët e vogla që janë në zemrën time! Shëroji plagët e kujtimeve të mia, në mënyrë që asgjë që ka ndodhur, të mos më bëjë të mbetem në dhimbje, në trishtim dhe në brengosje! Shëroji, o Zot, të gjitha ato plagë që i pësova në jetën time dhe që në thelb e kanë mëkatin! Dëshiroj t’i fal të gjithë njerëzit që më kanë fyer: shikoji ato plagë të brendshme që më bëjnë të paaftë për të falur! Ti që erdhe për të shëruar zemrat e copëtuara, shëroje zemrën time!

Shëroji, o Zot Jezus, ato plagë të mia të brendshme që m’i shkaktuan sëmundjet e mia fizike! Unë po ta ofroj zemrën time. Pranoje, o Zot, ma pastro dhe m’i jep ndjenjat e Zemrës Hyjnore! Më ndihmo që të jem i përvuajtur dhe i butë!

Ma jep, o Zot, shërimin nga dhimbja, e cila më shtyp për shkak të vdekjes së njerëzve të dashur! Bëj që ta fitoj përsëri paqen dhe gëzimin, për shkak të sigurisë, se Ti je Ringjallja dhe Jeta! Më bëj dëshmitar të vërtetë të Ringjalljes, të fitores sate mbi mëkatin dhe vdekjen, të pranisë sate të gjallë në mesin tonë!

Lutja e çlirimit
O Zot! Ti je i madh, ti je Hyj, ti je Atë. Ne po të lutemi me ndërmjetësinë dhe ndihmën e Kryeengjëjve Mikaelit, Rafaelit dhe Gabrielit, që vëllezërit dhe motrat tona të lirohen nga i keqi i cili i bëri skllav! O Shenjtërit e Hyjit, na ejani në ndihmë!

Nga frika, nga trishtimi, nga zotërimi, ne po të lutemi: Lirona ne, o Zot!
Nga urrejtja, nga fëlligështia dhe zilia, ne po të lutemi: Lirona ne, o Zot!
Nga mendimet e xhelozisë, të hidhërimit dhe të vdekjes, ne po të lutemi: Lirona ne, o Zot!
Nga çdo mendim për vetëvrasje dhe abortim, ne po të lutemi: Lirona ne, o Zot!
Nga çdo formë e seksualitetit të keq, ne po te lutemi: Lirona ne, o Zot!

Nga ndarja e familjes, nga çdo miqësi e keqe, ne po të lutemi: Lirona ne, o Zot!
Nga çdo formë e të bërit keq dhe e të bërave, nga shtrigëria dhe nga çdo lloj i të keqes së fshehur, ne po të lutemi: Lirona ne, o Zot!
O Zot, që the: “Po ju lë paqen, po ju jap paqen time”, nëpër ndërmjetësimin e Virgjërës Mari, bëj që të lirohemi nga çdo mallkim që ta shijojmë gjithmonë paqen tënde! Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi
Vëllazëria Jeruzalemi i Ri – Shkodër 2014