Lutja për të mundur ankthin dhe depresionin dhe PËRGJËRIM DREJTUAR ZOJËS SË POMPEI-t

0
853
Përgjërim zonjës Pompei

Lutja për të mundur ankthin dhe depresionin, dy sëmundjet më të mëdha të shekullit

Ngushëlloje shpirtin tënd me këtë lutje, që ka lindur nga devocioni që, Shenjtja Terezë e Jezusit Fëmijë, ka pasur për Virgjërën e Buzëqeshjes!

Shenjtja Terezë e Jezusit Fëmijë, ka treguar se është shëruar, kur ishte vogëlushe, nga ajo që sot me gjasë do të diagnostikohej si një sindromë e sulmeve të panikut. Qe kuruar nga buzëqeshja e Virgjërës. Shenjtja shkroi:

“13 maj 1883, festa e Rrëshajëve (Pentekostit). Nga shtrati, kam kthyer vështrimin drejt imazhit të Zojës Sonë dhe… Papritmas, Virgjëra Tejet e Shenjtë, më është dukur e bukur, kaq e bukur, saqë nuk kisha parë kurrë një gjë të ngjashme, fytyra e saj përhapte një mirësi dhe një butësi të pashprehshme, por ajo që ka zbritur thellësisht në shpirtin tim, ka qenë ‘buzëqeshja e magjishme e Virgjërës Tejet të Shenjtë’.

Në atë moment, të gjitha mundimet e mia janë zhdukur, dy lotë të mëdhenj kanë buruar nga qepallat e mia dhe më kanë rrëshqitur mbi fytyrë. Ishin lotë të një gëzimi të vërtetë…

Ah, kam menduar, Virgjëra Tejet e Shenjtë më ka buzëqeshur, jam e lumtur… (…) … kam marrë hirin e buzëqeshjes së Mbretëreshës së Qiellit…”.

E quajti këtë imazh “Virgjëra e Buzëqeshjes”, dhe filloi ta thërriste me familjarët e saj.
Shumë vetë janë shëruar nga depresioni dhe nga sëmundje të tjera të shpirtit, si Tereza e vogël, nëpërmjet këtij devocioni.

Ja lutja drejtuar Virgjërës së Buzëqeshjes:

O Mari, Nënë e Jezusit dhe Nëna jonë, që me një buzëqeshje të kthjellët jeni denjuar të ngushëlloni dhe të kuroni bijën tuaj Shenjten Terezë të Jezusit Fëmijë nga depresioni, duke i kthyer gëzimin për të jetuar dhe kuptimin e jetës së saj, në Krishtin e Ringjallur, shikoni me përzemërsi amënore shumë bij dhe bija që vuajnë nga depresioni, shqetësimet dhe sindromat psikiatrike e të këqijat psikosomatike!

Jezu Krishti kuroftë dhe i dhashtë kuptim jetës së shumë personave, ekzistenca e të cilëve është prishur!

O Mari, buzëqeshja juaj e bukur, mos lejoftë që vështirësitë e jetës të errësojnë shpirtin tonë! E dimë se vetëm biri juaj Jezusi mund të mbushë ankthet më të thella të zemrës sonë.

O Mari, nëpërmjet dritës që shpërthen nga fytyra juaj, shfaqet mëshira e Hyjit. Shikimi juaj na përkëdheltë e na dhashtë bindjen se Hyji na do e nuk na braktis kurrë, dhe butësia juaj ripërtëriftë në ne vetëvlerësimin, besimin në aftësitë tona, interesin për të ardhmen dhe dëshirën për të jetuar të lumtur!

Familjarët e gjithë atyre që vuajnë nga depresioni le të ndihmojnë në proçesin e shërimit, duke mos i konsideruar kurrë aktorë të sëmundjes për interesa rehatie, por t’i vlerësojnë, t’i dëgjojnë, t’i kuptojnë dhe t’u japin zemër!

O Virgjër e Buzëqeshjes, nxirrni për ne nga Jezusi, kurën e vërtetë dhe na lironi nga lehtësimet e përkohshme dhe të rreme!
Të kuruar, angazhohemi për t’i shërbyer me gëzim, gatishmëri dhe entuziazëm Jezusit si dishepuj misionarë, me dëshminë tonë të jetës së ripërtërirë. Amen!

(Të thuhen 2 Të Falemi Mari në nder të dy lotëve të gëzimit, që kanë rrëshqitur mbi fytyrën e Shenjtes Terezë të Jezusit Fëmijë kur qe prekur nga Buzëqeshja e Virgjërës).

Përktheu:
Nikolin Sh. Lëmezhi, Shkodër, Prill 2016


PËRGJËRIM DREJTUAR ZOJËS SË POMPEI˗t1

Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Amen!

O Mbretëreshë e madhërishme e fitoreve, o Mbretëreshë e qiellit dhe e tokës, para emrit të së cilës gëzojnë qiejt dhe dridhen humnerat! O Mbretëreshë e lavdishme e Rruzares! Ne të devotshmit bijtë e tu, të mbledhur shpirtërisht në Tempullin tënd të Pompei˗t (në këtë ditë të kremte), shprehim ndjenjat e dashurisë së zemrës sonë e, me besim të plotë prej bijsh, të shprehim mjerimet tona.

Nga froni i mëshirës, ku je e ulur si Mbretëreshë, hidhe, o Mari, shikimin tënd të dhembshur mbi ne, mbi familjet tona, mbi Italinë, mbi Europën, mbi botën! Ki dhembshuri për ankthet e travajet që hidhërojnë jetën tonë! Shiko, o Nënë, sa rreziqe në shpirt e në trup, sa fatkeqësi dhe pikëllime na shtrëngojnë!

O Nënë, kërko për ne mëshirë nga Biri yt hyjnor dhe fitoji me butësi zemrat e mëkatarëve! Janë vëllezërit tanë dhe bijtë e tu që i kushtojnë gjak Jezusit të ëmbël dhe trishtojnë Zemrën tënde tejet të ndjeshme. Tregohu për të gjithë ajo që je, Mbretëreshë e paqes dhe e faljes!
Të Falemi, Mari…!

Është e vërtetë se ne, të parët, megjithëse jemi bijtë e tu, me mëkate kryqëzojmë përsëri në zemrën tonë Jezusin dhe shporojmë akoma zemrën tënde.

E rrëfejmë: meritojmë dënimet më të ashpra, por ti kujtohu se, mbi Golgotë, mblodhe bashkë me Gjakun hyjnor, testamentin e Shpëtimtarit ndërsa po vdiste, që të shpallte si Nënën tonë, Nënë të mëkatarëve. Ti, pra, si Nënë e jona, je Mbrotësja jonë, shpresa jonë. Dhe ne, ndërsa rënkojmë, shtrijmë drejt teje duart përgjëruese, duke thirrur: Mëshirë!

O Nënë e mirë, ki mëshirë për ne, për shpirtrat tanë, për familjet tona, për të afërmit tanë, për të vdekurit tanë, mbi të gjitha për armiqtë tanë dhe për shumë që e quajnë veten të krishterë, e megjithatë e fyejnë Zemrën e dashur të Birit tënd! Mëshirë sot kërkojmë me përgjërim për kombet e shthurura, për gjithë Europën, për gjithë botën, që e penduar të kthehet tek Zemra jote! Ki mëshirë për të gjithë, o Nënë e Mëshirës!
Të Falemi, Mari…!

Denjohu, o Mari, të na dëgjosh me dashamirësi! Jezusi ka vendosur në duart e tua të gjitha thesaret e hireve të tij dhe të mëshirave të tij. Ti rri, e kurorëzuar Mbretëreshë, në të djathtën e Birit tënd, e shkëlqyeshme me lavdi të pavdekshme mbi të gjitha koret e Engjëjve. Ti e shtrin pushtetin tënd aq sa janë të shtrirë qiejt, dhe ty toka dhe krijesat të nënshtrohen. Ti je e gjithëpushtetshme për nga hiri, ti, pra, mund të na ndihmosh, sepse si bij mosmirënjohës dhe të padenjë për mbrojtjen tënde, nuk dimë kujt t’i drejtohemi.

Zemra jote prej Nëne nuk do të lejojë të na shohësh neve, bijtë e tu, të humbur! Foshnja që shohim në prehrin tënd dhe Kurora mistike që shohim në dorën tënde, na frymëzojnë besim se do të na dëgjohet lutja. Dhe ne besojmë plotësisht në ty, lëshohemi si bij të dobët në krahët e më të butës mbi të gjitha nënat, dhe, që sot, prej teje presim hiret e shumëdëshiruara.

Të Falemi, Mari…!

Të kërkojmë bekimin e Marisë!

Një hir të fundit ne të kërkojmë, o Mbretëreshë, që nuk mund të na e mohosh (në këtë ditë tejet solemne). Na jep të gjithë neve dashurinë tënde të vazhdueshme dhe në mënyrë të veçantë bekimin amënor!

Nuk do të shkëputemi prej teje pa na bekuar. Beko, o Mari, në këtë moment Papën. Shkëlqimeve të lashta të Kurorës sate, triumfeve të Rruzares sate, prej të cilave ti thirresh Mbretëresha e fitoreve, shtoje edhe këtë, o Nënë: jepi triumfin Fesë dhe Paqen shoqërisë njerëzore! Beko Ipeshkvijtë tanë, Meshtarët dhe në mënyrë të veçantë të gjithë ata që kanë zell për nderin e Shenjtërores sate! Beko, më në fund, të gjithë anëtarët e Tempullit tënd të Pompei˗t e të gjithë ata që përhapin devocionin për shenjten Rruzare!

O Rruzare e bekuar e Marisë, zinxhir i ëmbël që na lidh me Hyjin, lidhje dashurie që na njëson me Engjëjt, kullë shpëtimi në sulmet e ferrit, port i sigurtë në anijembytjen tonë, ne nuk do të të lëmë më kurrë!

Ti do të jesh për ne ngushëllim kur të jemi në grahmat e vdekjes, ty puthjen e fundit në çastin e vdekjes. Dhe fjala e fundit e buzëve tona do të jetë emri yt i këndshëm, o Mbretëreshë e Rruzares së Pompei˗t, o Nëna jonë e shtrenjtë, o strehë e mëkatarëve, o ngushëlluesja më e madhe e të trishtuarve! Qofsh kudo e bekuar, sot e përgjithmonë, në tokë e në qiell! Amen!

Të Falemi, Mbretëreshë…!

Përktheu:
Nikolin Sh. Lëmezhi

Sqarim: Fjalët mes kllapave në këtë ditë kremtore dhe në këtë ditë tejet kremtore thuhen vetëm më 8 maj dhe të dielën e parë të tetorit.