LUMNOHET EDHE BIRI I KOMANIT DOM EJËLL DEDA

0
1380
Ndoc Selimi

Ndoc Selimi

(Paçim bekimin dhe mbrojtjen e tij)

Dom Ejëll Deda rrjedh prej fisit të Dedndrekajve që zën fill te stërgjyshi i përbashkët Ndrek Deda. Ndrekë Deda kishtë tre djem; Dedën, Selimin (që kishte emrin e pagëzimit Prendush) dhe Mir Ndrekën. Prej Mirit vjen Çuni, prej Çunit vjen Sokoli dhe prej Sokolit rrjedhin dy vëllezër; Ejëlli dhe Nushi.

Dega e Sokol Çun Dedes është shpërngulur në Shkodër qysh herët dhe Dom Ejëlli është lindur në këtë qytet më 22 shkurt të vitit 1917.

Studimet e para i kreu te françeskanët, pastaj kaloi në Seminarin Papnor të Shkodrës, ku studioi edhe teologjinë dhe pastaj Kolegjin Urban te Romes.

Me t’u kthyer ne Shqiperi u shugurua meshtar më 24 shkurt 1943 në kishën e jezuitëve (Shkodër), ku kremtoi edhe Meshën e Parë të nesërmën, më 25 shkurt, në moshën 26 vjeçare.

Në këtë meshë morën pjesë shumë komanas si kushërinjt e tij Hil Marku, Llesh Gjergji, Zek Nik Selimi, Ded Prend Deda etj. Pas kësaj date caktohet famulltar i kishës së Bushatit.

Dom Ejëll Deda arrestohet nga regjimi komunist më 12 nëntor 1947 dhe u dënua me dhjetë vjet heqje lirie. Në qelitë e errëta të burgut pësoi torturat më çnjerzore nga kriminelët e regjimit. Akuzohej për lidhje me kryengritjen antikomuniste të Postribës zhvilluar më 9 shtator 1946.

“Në këtë kryengritje – thotë Uran Butka – u burgosën shumë intelektualë shkodranë, shumë simpatizant e mbështetës, por edhe shumë të tjerë që s’kishin lidhje fare me kryengritjen, por që donin t’i eliminonin me këtë rast” (Uran Butka, “Ringjallja”, fq 142)

“Kur ktheu në Shqipni, e emnuen famullitar në Bushat. Si me e pasë shenjue Zoti për atë vend. Bushati, 15 km larg Shkodrës, asht fshati ma i randësishëm, me aktivitet të gjithanshëm. Banorët e Bushatit janë kandidatët e parë për qytetarinë shkodrane. Me karakterin e tij gazmor e miqsor, dom Ejëlli u ba menjëherë boshti i gjithë jetës së atij fshati, ku kishte katolikë e myslimanë. U ba vëlla i vërtetë i të mirëve e i të këqijve, i të pasunve e i të vorfënve. Nuk pat në jetë kurrnjë keqdashës.

Asnji anmik. Vetëm për ketë e mbyllën në burg: për shkak të popullaritetit të tij. Njeriu që nuk kishte asnjë anmik, ishte tepër i rrezikshëm për pushtetin, prandej duhej zhdukë. Kur e shtinë në burg Dom Ejëllin, dyerve të Sigurimit të Shetit, që njerëzit u rrijshin larg, si gërbulës, iu prish fare qetësia. U sulmuen prej katundarëve, që pritshin në radhë ngarkue me ushqime për Priftin e tyne. Nganjëherë vijshin deri 30 familje në ditë.

E dënuen 10 vjet burg, në një gjyq me dyer të mbylluna. Pa e kalue nëpër torturat e zakonshme. E e mbyllen në odën n. 5, që deri atëherë ishte përdorë si depo. Dom Ejëllin e kishim përgjegjës dhome. Aty kah gjysa e shkurtit filloi me ndie dhimbje dhambadhe. Me që dhimbjet nuk i pushuen ditë me radhë, kërkoi dentistin. Ia prunë vetëm mbas dy-tri javësh, që ai i kaloi tue bërtitë ditë-natë prej dhimbjesh. Kur ia hoqi dhamballën, i shpërthei shumë gjak e nuk iu ndal. E dërguen në spital! Na nuk e pamë ma kurr.”
(At Zef Pllumi, “Rrno vetëm për me tregue”, pj. I, Tiranë, 1995, fq 214)

Dom Ejëll Deda vdes në spitalin e burgut, më 12 maj 1948 në moshën 31 vjeç “In odium fidei”, ( lat.”I urrejtur për besimin” shën. i aut.). Njerëzit edhe sot e kujtojnë si një meshtar shembullor, i përshpirtshëm, i çmuar dhe i nderuar nga populli i zonës.

Mëri Nik Selimi kujton: “Kushëriri ynë ishte një shenjt i vërtetë. Dom Ejëlli nuk kërkonte rehati as komoditet. Ai flinte e ushqehej njëlloj si të gjithë fshatarët. Dhoma ku u gjet i vdekur kishte marrë një dritë hyjnore atë mëngjes kur vdiq, sa u shtangën edhe policët e personeli mjekesor para kësaj pamje jo të zakontë”. (Tregim gojor 1973).

Komàni dhe komanàsit do te kene edhe bekimin e birit te tije I lumnueshmi dom Ejell Deda.