Lulzim Basha, “vajza me pretendime”, që do të mbesë pa martuar

0
705

Nga Altin Ketro, gazeta TemA

Kur David McAllister mori përsipër të luajë rolin e ndërmjetësuesit në politikën shqiptare, besoj që e kishte ndonjë fije shprese se palët do ta gjenin një të mesme të artë me qëllim, që edhe misioni i tij të kishte sukses. Po të ishte e kundërta, besoj fort se ai as që do e kish marrë mundimin të fluturonte deri këtu, për të shtuar në CV e tij një rast dështimi si ndërmjetësues. Ne që jetojmë nga këto anë dhe e njohim me vite politikën dhe politikanët shqiptarë, e dinim qysh në fillim se ai do kthehej duarbosh, por seç kishim një si fije shprese naive, se duke qenë një emër me shumë peshë brenda të djathtës evropiane, do kishte aq autoritet ndikues tek kampi i vet ideologjik. Sa për kampin qeveritar unë kisha besim të patundur se do ishin më bashkëpunues dhe luajal me ndërmjetësin, sepse e kanë treguar më se një herë se janë të tillë. Dhe nuk u gabuam në pritshmërinë tonë.

Tashmë misioni i Z. McAllister është një kapitull i mbyllur, por që unë do ia konsideroja prerje në besë prej të tijve d.m.th. PD, edhe sikur ata të mos ia kishin dhënë fjalën paraprakisht. Vetëm fakti se kryeministri Rama pranoi përtej atyre që kish deklaruar fillimisht se nuk tërhiqej, tregon respektin e tij të madh për mikun e djathtë. Kampi opozitar ia mori për dobësi këtë qëndrim Ramës dhe filloi avazin e vjetër: meqë u tërhoq nga këto, pse të mos tërhiqet edhe nga detyra?! Demek vetëm Rama dhe PS duhet historikisht të lëshojnë pe, kurse e djathta veç t’u plotësohen dëshirat qofshin këto marrëzira.

Kam vëmë re shpesh këto vite, se e djathta ka një kompleks shumë të madh inferioriteti karshi PS. Sa herë kjo parti dhe kryetari i saj bien dakord për një çështje, menjëherë PD dhe lideri i saj bëhen keq, sepse fillojnë e fantazojnë se pas këtij pranimi ka një hile a konspiracion, demek kundërshtari po na e fut. Se, meqë pranon kaq kollaj e ka një shkak, sipas tyre. E tillë ishte edhe situata me paketën e z. McAllister, ku kryeministri ra dakord pothuajse me të gjitha pikat e tij, kurse për një pjesë të vogël tha se janë të negociueshme. Pikërisht këtu ka “gabuar” Rama, sepse duhet të kish bërë pak të vështirin si fillim, t’i kundërshtonte, të nxirrte pretekste, për t’i dhënë të kuptojë Bashës dhe të tijve, se ai ka frikë.

Dhe, në momentin që Basha binte dakord, të bënte edhe ky tërheqjen e tij, duke pranuar nënshkrimin në emër të kompromisit. Kjo që thashë është pak djallëzore, por nuk ke ç’i bën, nuk marrin vesh ndryshe këta, sepse dyshojnë në çdo gjë, që PS pranon pa ekuivok qysh në fillim, edhe kur këto zgjidhje ofrohen nga partnerë ndërkombëtarë shumë të besuar për të dyja palët.

Këto ditë të nxehta negociatash politike, Lulzim Basha shpesh më është dukur si ajo vajza e re me plot pretendime. Kur i gjetën burrë, tha: është i shkurtër; kur ia gjetën më të gjatë, tha: është i shëndoshë; kur ia gjetën më elegant, tha: nuk është i bukur; kur ia gjetën më të pashëm, tha: s’ka shkollë të lartë; kur ia gjetën me shkollë, tha: është i papunë; kur ia gjetën me punë, tha: s’ka shtëpi, e kështu, pretendim pas pretendimi, i çoi vitet dëm duke u gdhirë e ngrysur në vetmi e si e tillë vdiq. E keqja e Bashës në këtë rast nuk është se po ia bën vetës këtë gjëmë shuarje, por gjithë familjes, dmth. partisë, më e madhja e opozitës dhe sfidantja kryesore për të ardhur në pushtet.

Duke parë këtë situatë në kampin opozitar, vetë kryeministri Rama i ka ofruar PD-së aq shumë garanci për procesin zgjedhor sa socialistët as në ëndrrat më të bukura nuk e imagjinonin jo t’ua jepte dikur Berisha, por as që t’i kërkonin nuk e çonin nëpër mend. Dhe e dëgjoja Berishën në emisionin e Ilva Tares ku me paturpësinë më të madhe, me fyerjen më ashiqare që i bënte iteligjencës më normale, pranonte se po të ish ai në pozitat e Ramës sot, do ishte larguar vullnetarisht për t’ia lënë vendin një qeverie teknike. O Zot, thosha me vete, pse nuk ia dhe këtë arsyetim në vitin 1997 për ia more mendjen atëherë dhe për atë karrige ai shkaktoi mbi tremijë të vrarë, shkatërrimin total të shtetit, me ushtri, polici, financa, gjithçka.

Pse o Zot, thashë, nuk ia dhe këtë arsyetim më 21 janar 2011 e të mos shkaktonte atë dramë për 4 familje shqiptare që çuditërisht përfaqësonin veriun dhe jugun. E dëgjoja Saliun dhe vija duart në kokë kur ai i kërkon Ramës të mos përdorë armë sot kundër opozitës, pasi ajo të nisë revolucionin në gjithë Shqipërinë. Ky njeri është i çmendur, sepse i sheh veprimet kriminale si pozitive kur i kryen vete, dhe po për të njëjtin shkak i konsideron negative po t’i kryejë kundërshtari. Dhe duke dëgjuar Berishën ishte më se e qartë se kush fshihet pas gjithë kësaj situate, se Lulzim Basha është thjesht një qendër zëri që përcjell vetëm mesazhet e Berishës, i cili ka shtypur butonin dhe “kaseta Basha” shpërndan në eter gjithë llumin që akumulon shpirti djallëzor i Berishës.

Nuk po i shkruaj këto rreshta për t’i bërë moral të pamoralshmëve Berisha e Basha, sepse ata ç’thonë sot, nuk e thonë nesër, sepse për ata ajo që sot është e bardhë, po e njëjta është e zezë nëse nuk është e tyrja. E kam fjalën qoftë edhe për një grusht njerëzish që besojnë tek këta keqbërës që fshihen pas fjalëve të mëdha që artikulojnë në media, ku marrin flamurin e kauzave që historikisht i kanë shkatërruar, siç janë p.sh zgjedhjet e lira e të ndershme.

Ktheni kokën pas o miq dhe shikoni historinë se cilët kanë qenë këta. Ata nuk erdhën sot e ranë nga qielli, këtu midis nesh i kemi patuar këto 27 vjet, u keni dhënë votën e mundësinë për të na qeverisur, u keni dhënë provën të na tregojnë se sa të zotë janë, por kanë dështuar. Nuk më vjen keq për dështimin e tyre politik, bile jam i lumtur për këtë, por kanë dështuar një Shqipëri të tërë, ku jetojmë unë e ti, dhe ku do e trashëgojnë fëmijët tanë. Nuk mundet më që të mbetemi peng i këtyre sharlatanëve politikë, që luajnë me ndjenjat e njerëzve, edhe me naivitetin e ndokujt që beson tek ata, sepse ata nuk kanë e as kanë për të pat ndonjëherë ndjenjën e përgjegjësisë për ta zhvilluar këtë vend. Për ta destabilizuar e shkatërruar PO. Këtë meritë fatzezë për këtë komb duhet t’ua njohim. Për të keqen, por dhe për të mirë tonë njëkohësisht, me qëllim që të mos përsëritet më!