LULKUQET E ROGANËS

0
404
Atdhe Geci

LULKUQET E ROGANËS

Kjo pushkë e bukur si vajzë
Ka sytë më kaltërt nën qiell
Kjo pushkë e bukur si vajzë
E ka emrin, Kosovë e lirë!…

Asgjë s’ia shton fuqinë këngëve lirike
sa zëri i shiut të bimëve dhe të vashave
sa zëri erës dhe frymës që thyhet maleve
sa e puthura në buzë midis përqafimesh
Roganë, fëmijëlindëse e madhe e kombit
mendja s’më lë vetëm, jam i dashuruar
më duhet shumë kohë që t’i them të tëra
jam i përmalluar për gjithçka që rritët e
gjelbëron në Roganë. Kam mall për të
korrat tua të grurit, të misrit dhe fasules…
Shpirt, asnjë natë e zezë s’mund ta ndotë
ditën tënde, as dashurinë që e kam për ty
Roganë, nuk di kur kthehem sërish tek ti
tek fryma jote me aromë buke e kopshti
te argjila jote e kuqe, tek gurët e shenjtë
tek të mbjellat tua të gjuhës së hershme
Roganë, paç bekimin e dritës së qiellit
bekimin të mos e harrosh hyrjen te vetja
je e shndërruashme në tërë qenien time
që nga pellazgjia, iliria, dardania, e epiri,
je gjuha e shkronjve, AND-ë e epokave
Roganë, ende më kujtohen thanat tua të
shpatit, pranvera kur i gjuanim peshqit
vrapimi të përpjetave Kodrës së Brijës
dhe lojërat me topa me qime kafshësh
i kam të ruajtura në librin e kujtimeve
Roganë, pjesëmarrëse e gjitha luftërave
ushtare e rregullt në betejat e ardhshme
dijëse e madhe e artit dhe e shkencës
Roganë, trimëreshë e luftës së Kosovës
Ti ke mjaft rini në lufën për Iliridën
Ti ke mjaft rini në luftën për Çamërinë
Ti ke mjaft rini t’i japësh dorë Tivarit
ti ke veshjen e dashurisë për bashkimin
Roganë, jam i burgosur vet me poezinë
Kodrën e Brijës unë sot e kam në vizitë
dhe një të dashur nga yjësia e kreshtave
Roganë, paç bekimin e Kodrës së Brijës!

Atdhe Geci