(Nexhat Halimi “Shtatë poetë e një balerinë”, botoi Fad, Prishtinë 2O21)
Shkruan Fatmire Duraku
Me botimin e librit “Shtatë poetë e një balerinë”, Nexhat Halimi, për të tretën herë ndërlidhet me ciklin e poezisë, të botuar në fillim të viteve të shtatëdhjeta, kushtuar në mënyrë imagjinative shatë krijuesve dhe një balerine. Të parën herë, në vitin 1971, autori këtë cikël të poezisë së shkëlqyer e botoi në faqet e gazetës Rilindja. Më vonë, të ripunuar e botoi këtë poezi në librin “Iluzioni i fluturimit” dhe këtë herë e shkroi variantin e ri me të cilin e emëroi libri e sapo botuar.
Secilën herë me poetë të veçantë, të zgjedhur, poezia e të cilëve i krijon mbretërinë poetike, përrallën për shkuarjen dhe kthimin e kalorësit të një planeti tjetër, të njëmendtë. Kështu ndërlidhet me të bukurën, me abstrakten dhe pashmangshëm me zjarrin artistik të një balerine, e cila fluturon hapësirat e kohës dhe bëhet motiv shpirtëror i ëndrrës së lëvizjes artistike dhe të gjithësisë së përjetshme të së bukurës dhe të tragjikes, të dhembjes dhe të vetmisë.
Libri e ka imagjinatën dhe atë pjesën e prekshme të ëndrrës, e cila gjë i jep vetvetiu hapësirë të pa kufijshme të përjetimit.
II
Poezia “Shtatë poetë e një balerinë”, ngërthen në vete një tufë të larmishme çastesh të përafërta me dhembjen dhe muzikën e degëzuar të intimitetit, në të cilat ka ngjarje të ndryshme, ka ankthe, ka plagë, ka dashuri, verë dhe dimër. Kështu, duke rrjedhë aty-aty gjërat përmes ritmit lirik e herë tjetër dhe epik lexuesi vjen te poezitë e para, me të cilat hapet libri “Shaj me nënë” dhe “Ky ulli”, që janë tekste ballore, për të vazhduar me ciklin e parë, ku është radhitur kurorë e parë e bukur me tingëllima. Cikli i dytë përbëhet me një tufë të poezive të lira, për të kaluar te cikli i tretë ku prapë kemi kurorë tingëllimash, e cila është e realizuar në mënyrë brilantet.
Në ciklin e katërt kemi tetë poezi. Autori në mënyrë mjeshtërore i paraqet në shtatë pamje, shtatë poetë, të cilët, nga perspektiva e përjetimeve, secili në mënyrën e vet e shpërfaqin “Balerinën”, në dy pjesë, që është përgjigja bërthamë e esencës së përjetimit lirik e gjithë përmbledhjes poetike me katër kurora tingëllimash. Këto vargje klasike Halimi, i realizon në mënyrë precize duke i respektuar rimat dhe format e tyre, të cilat duan mund dhe mjeshtëri shkrimi.
Përvoja e gjatë e shkrimit e ka arritur dhe mjeshtërinë e përkryerjes së vet, të cilën gjë do ta përjetojë lexuesi përmes vargjesh të librit, të shtrirë në një tërësi të librit, mjaft voluminoz.
Është e tepërt të cekim se ky libër ka një stili mjaft joshës, me emocione të forta. Dhe, secili lexues e gjen vetën pothuajse në secilën varg, në secilën faqe, në secilin poezi.
III
“Shtatë poetë e një balerinë”, paraqet të arriturat më karakteristike të poezisë që e cilësojnë autorin e mirë njohur. Brenda faqesh, 128- fq., shtrihen me një qasje specifike poezi mjaft të veçanta. Bëhet fjalë për “Shtatë poetë e një balerinë”, temë kjo e vjetër kaq sa e re e autorit. Përveç temës mjaft të prekur në këtë libër, në të cilin jepen karakteristikat poetike të shtatë autorëve e të një balerine, në radhë zënë vend mjaft të rëndësishëm temat të lidhura me trojet shqiptare të mbetura jashtë shtetit amë, të cilit autori i këndon me përkushtim.
“ik në kohë prek Tre Gurtë e Zinj në Prevezë
mbi pullaz guri ja seç krekoset një këndes
e unë ngjitem lart te Molla e Kuqe në Toplicë
apo arrij te Guri i Kuq i Malësisë së Madhe
oh kaq prerë kaq copëtuar e gjysmë i fjetur
apo vetëm ndiej diçka m`i fut gishtat në gji
e shaj me nënë e pështyj e vjell e vjell e vjell
Ranës përplaset uji perlën guace e nxjerr
në Ulqin tre mijë vjet bie shi në degë me ulli…”
Nexhat Halimi është i sprovuar në shkrimin e sonetit, ngase që në librin e parë është paraqitur me sonete dhe kjo gjë ka bërë që të jetë mjaft i matur, mjaft i kursyer dhe i disiplinuar dhe në secilin libër ta cekë bërthamën që e merr në trajtim. Është mjaft interesant shkrimi në këto sonete për Ulqinin, për kalanë afër tre mijëvjeçare, për detin dhe ullirin e vjetër…
Ja, siç e thotë poeti,-
“ik flakë hapësirës nga ulqini e n`bunë
veç flakë e përhershme bie veç furtunë
ëndrra e degëzime vetëtime pikin gjak”…
“udha shkuarje ardhjes s` ka vdekur
dhembja etjes gjithnjë prek vetminë
apo trup e shpirt lidhen me jutbinë
e zjarri yt përplaset kaq vjet i fjetur
zemra megjithatë s` ka mbet` pa ty
e etja përplaset me vrull në bimë
zoti shfaqet gjithherë me vetëtimë
ëndrra vjen nga frëngjia dhe bie shi
etja ndizet e s` preket veç e zjarrtë
zogu i afrohet yllit e iluzioni vritet
ajo që shihet s`është gjithnjë e artë
llullën e tymos plaku thatë kollitet
iliria humbur ndër kaq këputje zot
tjetër letër i nis ullirit nën sy me lot”
… kthehemi prapë te poezitë “ Shtatë poetë e një balerinë”, dhe të shohim si i këndojnë ata balerinës, – poeti i parë
ky gjakshkrim endet tash e kaq vjet në mua/
e i njëjti ujë i gurit pikon gjithnjë në krua/
e njëjta vetëtimë degëzohet qiellit të llapit
poeti i dytë
e gjilani rizgjohet me ty në vetull qartë /
e drita ndërmjet bozhuresh pikë e zjarrtë
poeti i tretë
e ndërmjet lirikë me shi e pak vetëtimë aty /
në letër të rëndë për ëndrrën për gurtë e zogjtë
poeti i katërt
s`pranoj asgjë asnjë gënjeshtër kurrë /
e pranoj veç dashurinë për liqenin dhe olën
poeti i pestë
lulja në kokë të gjarprit s`ka bukuri/
e pylli i ëndrrës çilet mes dy stacionesh
poeti i gjashtë
kaq vjet më vonë i rizgjoj gjurmët e shkrimit /
ende gjak pikë libri kërkoj dënim me vdekje
poeti i shtatë
kanjushë e verdhë në fluturim mbi dubovik/
t`i takojë hija e gjethit rrethit të ujit të liqenit /
liria të çel aromë barit të fjetur të likenit
Nexhat Halimi deri më tash ka botuar mbi shtatëdhjetë libra të zhanreve të ndryshme si: poezi, prozë, dramë dhe publicistikë, është përkthyer në disa gjuhë të huaja, dhe është fitues i një mori shpërblimesh.