“LULË VJOSA, ÇKA ËSHTË DONIKA!”

0
352
Vjosa Osmani - Donika Gërrvalla

Donika Gërvalla-Schwarz dhe Vjosa Osmani

Idriz Zeqiraj NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Populli ynë, përgjatë historisë, ka krijuar shprehje-sintezë, me pak fjalë, ka thënë shumë. Shprehje të tilla, si “lulë x, çka është y!” Në rastin konkret “Lulë Vjosa, çka është Donika”, “Mirë se i lindi (Zoti), por, qysh i bashkoi”, – shprehje-sintezë, kur një dyshe, si Vjosa dhe Donika, ose, Donika e Vjosa, duke respektuar edhe moshën, tashmë, të bashkuara, për qëllime bazike të Kosovës, fort të përtokur, nga bijtë e saj bastardë.

Ndodhë rrallë, që dy veprimtare të dëshmuara, në parimet politike, të bashkohen për një qëllim madhor, siç është çkapja e shtetit, nga ngulfatja që i ka bërë LPK-ja, me “komandantët” e saj, tashmë, e konvertuar dhe e bashkuar në aleancën PAN-iste. Si dhe çkapjen e LDK-së, nga kapja, ingranazhi shantazhues i bandave të bashkuara në PAN.

BE-ja bën sehir, Vjosë Osmani denoncon, paligjshmërinë e krerëve partiakë

Vjosë Osmani, në kulmin e veprimtarisë, në LDK-në e saj, brenda së cilës u rritë dhe u madhua, deri në pozitën e Nënkryetarës të LDK-së. Frika e konkurrencës të saj, e tmerroi lidershipin partiak, i cili provokoi anëtarësinë, me koalicionin me PAN-in, të cilin populli e refuzoi. Tashmë, “pilafi nuk mbante ujë”. Vjosa u rebelua dhe goditja, hiç e merituar, pasoi!

Përgjatë afro dy dekadave veprimtari, Vjosë Osmani ishte dinjitare, në të gjitha detyrat zyrtare e partiake. Në 10-vjeçarin e fundit, reagoi dhe kundërshtoi, me fjalë e votë, kundër lidershipit të LDK-së. Ky lidership, i shantazhuar, i tmerruar, i frikësuar nga PDK-ja dhe SHIK-u i saj, anashkaloi, qëllimshëm e shpengueshëm, frymën e rugoviane, shpërfilli anëtarësinë dhe strukturat e partisë.

Vjosa ishte konsistente, qendresëtare në mbrojtjen e parimeve. Ajo mbrojti të gjitha vendimet e strukturave të LDK-së, të marrura legalisht. Por, kurrë të atyre vendimeve që lidershipi-klan, i mori ilegalisht dhe në mënyrë banditeske. Akuza supër-cinike, për Vjosën, se, gjoja, i shkeli vendimet e partisë, është rrenë e kulluar.

Ky cinizëm ngjason, si dy pika uji, me akuzën montazhë, për zgjedhjet e Kuvendit të 8-të të Degës të LDK-së, në Gjermani dhe Zvicër, maj 2015, se, gjoja, nuk kanë qenë të rregullta, duke ua mbyllur derën e Kuvendit të 8 (tetë) delegatëve të ligjshëm. Ndërkohë që ishte e kundërta. Sepse ne kishim zbatuar të gjitha kriteret, përfshirë debatin parazgjedhor, konkurrencën e ndershme dhe votimin e fshehtë demokratik.

Ndërsa, në Kosovë u shpërfillën të gjitha këto kritere!!! Për të gjitha këto pisllëqe, të lidershipit të LDK-së, heshtën të gjitha strukturat e partisë, anëtarësia. BE-ja, OSBE e saj, bënte sikur vëzhgonte e kontrollonte zgjedhjet në Kosovë, votimin e qytetarëve. Por, nuk interesohej se si shpërdorohej vota e qytetarëve, në zgjedhjën e strukturave të partive politike dhe sidomos emërimin aklamativ të lidershipit klanor partiak.

Riciklimi neveritës, i kryetarëve të subjekteve politike dhe i klaneve të tyre, vazhdon për dy dekada radhazi! Ngulfatja e demokracisë është afrikane. Por, nuk heshti, nxënësja e shkollës amerikane, rugovistja Vjosë Osmani. Dhe mirë bëri. Denoncoi paligjshmërinë e lidershipit të LDK-së dhe të strukturave të saj, duke kundërshtuar, fuqishëm, marrëveshjet e pista e konspirative, të dëmshme për partinë dhe Kosovën.

Donikë Gërvalla – veprimtarja më e shquar për çështjen e Kosovës

Donikë Gërvalla, edhe pse, që nga mosha 10-vjeçare, u rritë pa baba, por, nën përkujdesjen e një nëne të përkushtuar, trashëgoi shumë nga ati, Jusuf Gërvalla, Hero i Kosovës. U shkollua në Tiranë dhe Hamburg, mbaroi dy fakultete. Studentja e dhjetorit 1990, në Universitetin e Tiranës, hyri në grevën e urisë anti-komunste, së bashku, me studentët shqiptarë. Fitorja e demokracisë, ia lehtësoi, në një masë, plagën e përjetshme shpirtërore, për të Atin, me ngushëllimin se për liri dhe demokraci, ia vlen edhe sakrifica deri në flijim.

Në vitin 1992, studente në Universitetin e Hamburgut, vazhdon aktivitetin në LDK-e, Dega në Gjermani. Pastaj, zgjidhet nënkryetare e partisë. Tashmë, familjare, me djalin Redonin, të rehatuar në një krojshe, për bartje të fëmijës, përshkonte qytetët e Evropës, në takimet e shpeshta të mërgimtarëve, gjithnjë, në shërbim të Atdheut të pushtuar.

Përgjatë luftës të Kosovës, Donika u bë yll politik i televizioneve të Evropës, në përballje me ministra, kryeministra, gjeneralë serbo-sllavë, ballkanas dhe evropianë, të cilët, ende vazhdonin me iluzionet e Jugosllavisë së Titos. Në të gjitha përballjet politike, falë trashëgimisë të gojëtarisë të gjyshës Ajshe, të babait Jusuf Gërvalla dhe përgaditjes supreme intelektuale, që ka Donikë Gërvalla, dilte fitimtare, gjithnjë, logjikshëm e faktueshëm.

Në maj të vitit 2015, në një Kuvend Zgjedhor të Degës të LDK-së, në Gjermani, me debat, konkurrencë dhe votim të fshehtë demokratik, u zgjodhë kryetare e Degës. Kuvendi zgjodhi edhe 9 (nëntë) delegatë, për në Kuvendin e 8-të të LDK-së në Prishtinë. Në udhëtim e sipër për Atdhe, sekretari i LDK-së, kërkoi dokumente shtesë, nga zgjedhjet në Gjermani. Falë komunikimit digjital, kërkesat u plotësuan.

Për dorëzimin e dokumentacionit plotësues, caktuam datën dhe orën, në selinë e LDK-së, në Prishtinë. Ne, delegatët e shoqëruam kryetaren Donikë, por, nuk na priti as sekretari dhe askush nga Kryesia. Sipas tyre, “jemi të zënë!” Atëherë, kryetarja Gërvalla e kopjoi dokumentacionin, në 23 kopje dhe ua dërgoi, në zarfa të mëdhenj, të 23 anëtarëve të Kryesisë, veç e veç! Edhe pse kishim bërë 2.000 km. udhëtim, askush nuk na “rrasi!” Mujëshia dhe rrugaçëria nuk kanë brirë!

25 maj 2015. Në orën e caktuar, ne, delegatët nga Gjermania dhe Zvicra u ndodhëm ke hyrja e Hotel “Emerald”, ku do të mbahej Kuvendi. Por, na ndaluan hyrjen. Justifikimi: Dy SMS telefonike, të bëra nga një kandidat për kryetar, humbës, dhe një “anëtar” i LDK-së, i cili për 4 vjet nuk kishte marrë pjesë në asnjë aktivitet të LDK-së, madje, as atë ditë nuk ishte i pranishëm, se “në Gjermani nuk janë bërë zgjedhje të rregullta!” Kjo shpifje monstrume mjaftoi, të na mbyllnin derën 9 delegatëve, 6 prej tyre kishin prindër, vëllezër, nipa të vrarë nga dora e zezë e LPK-së, alias PAN-i i sotëm, me SHIK-un e tyre. Lind dyshimi i bazuar, se mos këto dy SMS, ishin porosi nga Prishtina!

Një vit më vonë, kryetarës Donikë Gërvallës i dorëzohet një material pune, për Konventën e LDK-së. Por, largohet nga salla, duke e tërhequr zvarrë, në hollin e sallës të Konventës. Lidershipi-klan i LDK-së, nuk mund ta duronte praninë e Donikë Gërvallës në sallë, sepse ajo nuk ishte gadi t`i duronte mëtej përrallat e Isa Mustafës, me klanin e tij. Ajo edhe dy vetë me qenë, i futë në votën e fshehtë demokratike dhe këtu Isa “bie në kokërr shpine!”

Donika dhe Vjosa – luftëtare reformatore

Donikë Gërvalla dhe Vjosë Osmani, është binomi më unik, më i veçantë, jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Shqiptarinë. Bijat krenare të Kosovës, Donika dhe Vjosa, janë vetja e tyre, me integritetin dhe personalitetin suprem, që e kanë fituar me punë e dije, në mbrojtje të parimeve demokratike, universale.

Në përballjen me lidershipin dhe strukturat e kompromentuara të LDK-së, ato, së bashku, Vjosa dhe Donika, i lakuriqësuan, madje, deri në brekë, tlina të shkurtëra, kundërshtarët e tyre. Denoncuan dhe dëshmuan se lidershipi-klan, Kryesia, Këshilli i Përgjithshëm dhe shumica e Kuvendit, janë të paligjshëm. Ata janë vetemëruar dhe emëruar, duke u votuar me aklamacion, pa u provuar me votën e fshehtë demokratike.

Rrjedhimisht, Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla, denoncuan falsitetin e lidershipit të subjekteve politike, të cilët janë, tërësisht, të paligjshëm dhe buroke boshe.

Po të ishin zbatuar tri parimet bazë të demokracisë:
1) Debati i shpenguar demokratik brenda-partiak;
2) Konkurrenca zgjedhore e ndershme, me më shumë se një kandidat në garë;
3) Votimi i fshehtë demokratik, për të gjitha strukturat e partisë,
asnjëri nga kryetarët fodullë e kriminelë, përfshi edhe ata në Hagë, nuk kishin mundur të mbijetonin më shumë se sa një mandat në krye të subjekteve politike në Kosovë. Dhe, lëre më në dekada.

Denoncimi i paligjshmërisë të lidershipit klanor dhe të strukturave të LDK-së, është mesazh i qartë, edhe për horrakët tjerë, në partitë politike të Kosovës, të cilët, në mënyrën më cinike, tallin koçët me anëtarësinë, elektoratin dhe popullin e Kosovës. “Daullja bie për ata që kanë veshë!” Mos prisni të bëheni “përrallë me tupan”, siç u bë LDK-ja e Isa Mustafës.

Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla, realizuan njërin nga qëllimet e tyre: Çkapjen e LDK-së nga shantazhi kriminal i PAN-it. Klani i stazhionuar i ish-kryetarit Isa Mustafa, me familjet e tyre, duhet ta festojnë çkapjen nga ingranazhi shantazhues, kthetrat e PAN-it dhe SHIK-ut të tij supër-kriminal.

Sepse shantazhi dhe haraçi janë dy krimet më të rënda, të partive-banda të PAN-it, që kanë maltretuar popullin e Kosovës, për dy dekada radhazi. Ata me familje, pra, lidershipi-klan, por, edhe anëtarësia e LDK-së, duhet të jenë shumë mirënjohës, Vjosë Osmanit dhe Donikë Gërvallës, për luftën e tyre, në liberalizimin, emancipimin dhe demokracinë e brendshme partiake.

Përmasa e fitores të LDK më 14 shkurt, lë në hije humbjen e saj

LDK-ja, me humbjen spektakolare, më të madhen, në tej tri dekadave të saj, megjithatë, në zgjedhjet e 14 shkurtit, 2021, rezulton fitimtare. Përkundrazi, po të fitonte, me vota, në kutira, do të himbiste. Sepse, ata që mbajnë peng LDK-në, klani i stazhionuar, për 17 vjet radhazi, që nga shuarja fizike e kryezotit Rugovë, do të vazhdonte edhe mëtej, dhunimin dhe ngulfatjen e popullit, elektoratit, anëtarësisë, të strukturave të partisë, përfshirë edhe Kryesinë e LDK-së.

Prandaj, kjo humbje, është, absolutisht, fitore, nëse do të menaxhohet, siç është duke e kërkuar anëtarësia dhe strukturat e LDK-së. Dhe, kërkesa është e qartë: Kuvendi i 14 marsit i LDK-së, të mos jetë zgjedhor, por, vetëm përgaditor, për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme, nga poshtë-lart, pra, duke filluar nga Aktivat, Nëndegët, Degët, deri në qendër.

Ndërkohë, lidershipi-klan, kërkon zgjedhje nga lart, me stukrtura të paligjshme, të zgjedhë kryetar dhe kryesi të paligjshme! Çfarëdo zgjedhje, të bëra me një palo-statut, për t`i shërbyer kryetarit dhe klanit rreth tij, do të ishin të papranueshme dhe irrituese, për anëtarësinë dhe kuadrot e saj. Puna e parë, që duhet të bëjë ekipi përgaditor, për zgjedhjet e ardhshme, duhet të krijohet Komisioni për ndryshimin tërësor të Statutit, bazuar në atë të LDK-së rugoviane. Është, pikërisht, statuti anti-Rugovë, që rrënoi LDK-në, si mburojë e klanit fatal, brenda Kryesisë Qendrore.

LDK-ja dhe subjektet politike të Kosovës, duhet të japin të gjithë mbështetjen, Vjosë Osmanit, Donikë Gërvallës, pra, Listës “GUXO” dhe Albin Kurtit, LVV, me slloganin, paksa të frikshëm, “KREJT DHE DREJT”, për realizimin e qëllimit të dytë, – Çkapjen e Shtetit -. Këtë ia keni borxh popullit të Kosovës dhe Shqiptarisë mbarë. Prova e parë është: Votimi pa kushte i Presidentës Vjosë Osmani – meritore e denjë, për ta përfaqësuar Shtetin e Kosovës, me tej 300 mijë votat e fituara!

E kam thënë edhe më parë, në Kuvendin e 8-të “Zgjedhor” të LDK-së, kur ka filluar përballja artificiale, e klanit Mustafa, me Donikën dhe Vjosën, për arsye, thjeshtë, të konkurrencës. Njëjtë, siç i filloi LPK-ja, vrasjet politike të ushtarakëve të Ibrahim Rugovës dhe të veprimtarëve të LDK-së, për ta marrë pushtetin me dhunë. E përsëris edhe tani, se më të rënda u peshojnë …Donikë Gërvallës dhe Vjosë Osmanit, se sa të tërë lidershipit klanor, brenda Kryesisë të LDK-së, të marrë së bashku!

Kijau inat, por jepjau hakun“,- siç thotë populli, dy princeshave reformatore të Kosovës, Donikë Gërvalla dhe Vjosë Osmanit!