Lugina e Preshevës dje!

0
494

Skender Jashari

Lugina e Preshevës, edhe sot ballafaqohet me luftën për ekzistencë, si rajoni i vetëm në Europë, që është më i diskriminuari, si dhe ndër pak vendet Europiane që është ende i kolonizuar!

Lugina e Preshevës( komunat e Preshevës dhe Bujanovcit, në të njejtën kohë është okupuar edhe Kosova madje edhe Ilirida-Shkupi), janë pushtuar nga Serbia në datët 16-18 tetor 1912, e që deri më sot, Shqipëtarët e këtyre Trevave nuk janë ndalur së kërkuari Lirinë! Por për të qenë të sinqertë me veten dhe Historinë-Kombin tonë, si ne( ish-luftëtarët) ashtu edhe luftëtarët Shqipëtar të kësaj ane të luftërave të mëparshme, kishim shumë mangësi, gabime madje edhe jogatishmëri të plotë për sakrificë e sidomos padijeni në rrugën për të arritur Lirinë, e që për më keq disa nga to i trashëguam dhe gabuam sërish!

Gjatë Luftës së II Botërore, Lugina ishte zonë e okupuar nga Bullgaria, pas kapitullimit të saj më 8 shtator 1944, ky territor është Çliruar dhe Mbrojtur nga Shqipëtarët! Madje ende në Luginë, dëgjohet shpesh që Shqipëtarët edhe me sopata e vegla pune, kishin dalur tek hekudha dhe në kodrat e Boshtranit duke ndjek e luftu kundër Bullgarëve dhe Serbëve! Kufiri i Shqipërisë, përfshinte edhe 12 vendbanime Shqipëtare, matan hekurudhës Beograd-Shkup, siç ishin: Somolica, Negoca, Bilaçi, Boshtrani, Lerani, Zhunica, Bukuroca, Çukarka, Golimidolli, Bugarina, Strezoca etj!

Kufiri mes Luginës së Preshevës dhe Kosovës nga 1912 deri sot, ndryshoi disa herë, edhe atë:
1. Me rastin e okupimit nga partizanët jugosllav, Lugina e Preshevës bie sërish nën sundimin serb, e që pastaj këto komuna shkëputen nga territori i Kosovës, gjatë vitit 1945 e më pas përligjen edhe me ligje konkrete! Me këtë ndarje, Serbia synonte ndryshimin demografik të Kosovës dhe Luginës së Preshevës! Ndarja e tillë, e Luginës së Preshevës nga Kosova, pas Luftës së II Botërore, nuk është kundërshtuar edhe aq( nënkupto komunistët nuk e kundërshtuan aspak, madje e përkrahën, nën parullën e bashkim vllazërimit)!

2. Me Kushtetutën e Serbisë të 17 janarit 1947 dhe pasuar me ligjet e aktet e tjera juridike, ku fshatrat e Karadakut: Staneci, Seferët, Caravajka, Peçenët, Maxhera, Depca dhe Ranatoci, që ishin pjesë e komunës së Gjilanit, iu bashkuan komunës së Preshevës( siç edhe sot janë). Kurse fshatrat Konçul dhe Dobrosin (sot gjendet në kuadër të komunës së Bujanocit) në vitet 1946-1948 ishin në kuadër të Ranillugut( pra me Kosovë), po ashtu edhe fshatra Zarbincë dhe Pribovc (sot në kuadër të komunës së Bujanocit) në vitet 1947-1949 ishin pjesë e Kosovës.

Mos të harrojmë që edhe në Luginë të Preshevës gjatë Luftës së II Botërore, kishte dy ushtri Shqipëtare( ajo balliste dhe ajo komuniste, pra nuk ishim të Bashkuar!), njëra bashkëpunëtore e nazizmit e tjetra bashkëpunëtore e komunizmit sllav, kjo shkaktoi dëm të rëndë për Ardhmërinë tonë! Por po ashtu edhe ballistët, identifikoheshin apo edhe vetidentifikoheshin si aleatë të Nazizmit, madje kjo bëhej edhe nga injoranca dhe miopia! Derisa komunizmi jugosllav gjegjësisht shovenizmi serbë, edhe pas vitit 1945 e deri në shembjen e tij, vazhdoi me të njejtat praktika gjenocidale kundër përkatësisë Kombëtare Shqipëtare të kësaj Treve e më gjerë!

Edhepse Organizatat Ndërkombëtare, duke filluar nga OKB, por edhe organizatat e specializuara të saj, organizatat rajonale etj, promovojnë Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, si bazë-themel i Ardhmërisë dhe Shoqërive moderne! Të gjitha shtetet që kanë ende koloni, paraqesin pengesa dhe forma të ndryshme për të arritur që edhe më tej t’i zotërojnë territoret e tilla nën pushtimin e tyre! Kujto p.sh: Rusinë, Serbinë, Spanjën, Greqinë, Turqinë etj!

Kur ishte themelu OKB, në vitin 1945, kishte rreth 750 milion njerëz apo një e treta e popullatës së botës, që jetonin në territore që s’kishin vetëqeverisje, pavarësi ose që ishin koloni! Ndërsa sot mund të llogariten pak miliona njerëz që ende jetojnë nën koloni, pa vetëqeverisje, pa pavarësi! Me terma tjerë, që nga formimi i OKB-së, u formuan u çliruan më shumë sesa 80 ish koloni, mes tyre edhe të gjitha 11 “territoret e besuara” ( nën kujdestari), ndërsa sot mbeten ende edhe 17 territore që s’kanë vetëqeverisje!

OKB dhe gjitha vendet anëtare të saj, obligohen sipas Kartës së OKB-së, që të përshpejtojnë dhënijen fund të çfarëdo forme të kolonizimit, mohimit të vetëqeverisjes, mohimit të vetëvendosjes së popujve etj! Legjitimimi, pranimi në heshtje, negociimi a pranimi edhe me akt ndërkombëtar qoftë edhe me miratimin e neve Shqipëtareve, që pushtimit të Territorit të Luginës së Preshevës, do jenë nje precedent, që do referohen çdo rast tjetër i mëpasëm! Pushtimi, agresioni, lufta sulmuese, kolonizimi, mohimi i të drejtës për vetëqeverisje, pavarësi, vetëvendosje etj, askurrë, askund s’do duhej pranuar-ajo është kundër çdo të Drejte Themelore të Njeriut!

Andaj synimet e Deklaratës për dhënijen e pavarësisë vendeve dhe popujve të kolonizuar, numër 1514(XV), të 14 dhjetor 1960, deklaron synimet:”

1. Nënshtrimi i popujve ndaj një robërie, dominimi dhe shfrytëzimi të huaj përbën mohim të të drejtave themelore të njeriut, e kjo është në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe komprometon kauzën e paqes e të bashkëpunimit në shkallë botërore.
2. Të gjithë popujt kanë të drejtën të vendosin lirisht fatin e tyre; në bazë të kësaj të drejte, ata përcaktojnë lirisht statusin e tyre politik dhe ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, shoqëror e kulturor.

3. Mungesa e përgatitjes së fushat politike, ekonomike, shoqërore, apo në atë të arsimit kurrë nuk duhet të merret si pretekst për të vonuar pavarësinë.
4. Do t’i jepet fund çdo veprimi të armatosur dhe çdo mase shtypëse, e çfarëdo natyre qoftë ajo, drejtuar kundër popujve të varur, me qëllim që t’u lejohet këtyre popujve të ushtrojnë në mënyrë paqësore e lirisht të drejtën që kanë për pavarësi të plotë, dhe do të respektohet integriteti i territorit të tyre kombëtar.

5. Në territoret nën kujdestari, në territoret jo autonome dhe në të gjitha territoret e tjera që ende nuk e kanë arritur pavarësinë e tyre duhet të ndërmerren masa të menjëhershme për t’ua bartur popujve të këtyre territoreve të gjitha pushtetet, pa asnjë kush e rezervë, në përputhje me vullnetin e dëshirat e tyre të shprehura lirisht, pa asnjë dallim race, besimi apo ngjyre, me qëllim që të mund të gëzojnë pavarësi të plotë.
6. Çdo përpjekje që synon të shkatërrojë pjesërisht apo tërësisht bashkimin kombëtar dhe integritetin territorial të një vendi është e papajtueshme me qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara.

7. Të gjitha shtetet duhet të respektojnë me besnikëri e përpikëri dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara, të Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe të kësaj Deklarate mbi bazën e barazisë, të mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve e të respektimit të të drejtave sovrane dhe të integritetit territorial të të gjithë popujve.”

Pa përfshirë këtu edhe qindra Konventa dhe akte të tjera juridike ndërkombëtare, që ndalojnë Luftën( brenda të cilave trajtohen edhe ndalimi i okupimit, ndalimi i agresionit, lufta dhe propaganda për luftë, lufta e ashpër dhe pamëshira në luftë, shkeljet e Ligjeve Humanitare të Luftës, përdorimin e mjeteve dhe metodave të ndaluara të luftës, mbrojtja e civilëve dhe robërve të luftës etj), po ashtu edhe aktet tjera juridike ndërkombëtare që trajtojnë çështjet e ndarjes së territoreve, cedimit të tyre, shkëmbimit, ndryshimit të kufijëve etj. Pos akteve juridike ndërkombëtare, përfshirë edhe proklamimet aparente që shprehin aktet juridike serbe( ku trajtojnë të drejtat dhe liritë e njeriut), Shqipëtarët e Luginës së Preshevës, ende nuk gjejmë Bijë e Bija të duhur, që Rrugën e Lirisë ta bëjmë siç meriton Kombi dhe Atdheu ynë!

Në krye të Luginës, kishim dhe kemi politikan që më shumë ishin dhe janë në shërbim të Serbisë sesa në Interes të Shqipëtarëve të kësaj ane. Në çdo aspekt tjetër kishim dhe kemi ende njerëz që më shumë janë në interes të Serbisë sesa në Interes të Kombit tonë, si në arsim, shëndetësi, fe, kulturë, ekonomi! Lugina nuk mund të përparojë e as të avansojë të Drejtat dhe Liritë e qytetarëve të saj, me njerëz që nuk janë të përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm!

Më: 26 korrik 2018

Skender Jashari i burgosur politik nga EULEX, për rastet e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë së Serbisë në Dobrosin komuna e Bujanocit. Ky shkrim është pjesë e marrur nga punimi i bërë gjatë qëndrimit në burgimin politik!
Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.