Nue Oroshi
Këtë analizë të shkurtër po e filloj me thënien e shenjtit të shqiptarizmës at Gjergj Fishta, ku në vargjet e shumta të tij, kur e kishte vërejtur depërtimin e ideologjisë së kuqe pansllaviste, ndër të tjera kishte shkruarë: “Çka të lanë kta katër ujq/që i turrën shoqi shojt/thonë do të dalë një djall i kuq/që për t’gjallë do t’ja vënë thojt/atdhetarët do t’i çon drejt çengelit/ e ata që i shpëtojnë çengelit/merr e i çon në shkollë t’gabelit“. Një profeti që ka mundur ta paramendojë dhe ta parashikojë vetëm i madhi i kombit tonë at Gjergj Fishta. Fatkeqësia ndodhi që kjo ideologji ka lënë gjurmët të pashlyera në trojet shqiptare.
Kjo ideologji tek ne shqiptarët u nda në dy pjesë, në Titista dhe Enverista. Me një fjalë dy degë të së njëjtës rrënjë. Njëra degë kalonte në relacionin Tiranë-Beograd-Moskë, kurse dega tjetër në relacionin Prishtinë-Beograd-Moskë. Por nuk ishte rastësi se këto dy degë të së njëjtës pemë arritën që ta ndihmojnë njëra-tjetrën duke i dërguar ndihmë, siç ishte rasti i dërgimit të tri Brigadave të komunistëve nga Shqipëria, për ta zhdukur nacionalizmin dhe atdhetarizmin shqiptar, që kishte marrë hov dhe flakë për një Shqipëri Etnike dhe demokratike, apo themelimi i Partisë Komuniste të Shqipërisë, që u themelua nga Milladin Popoviqi, Svetozar Vukmanoviq Tempo dhe Dushan Mugosha. Edhe pse këto dy degë të së njëjtës Ideologji shpeshherë u ngatërronin me njëra-tjetrën, por kur ishte rasti për ta luftuar atdhetarizmin e nacionalizmin shqiptar dhe drejtimin pro evropian të shqiptarëve, gjithmonë bëheshin bashkë dhe e ndihmonin njëri-tjetrin.
Edhe sot pasardhësit e kësaj ideologjie të së njëjtit trup, por e ndarë në dy degë, janë duke i udhëhequr trojet shqiptare. Për këtë, shtetët shqiptare janë në prag të kolapsit, sepse politikanët tanë e kanë plot gojën Evropë e Amerikë, kurse në anën tjetër bashkëpunojnë ngushtë me Rusi-Turqi e Serbi.
Dhe derisa shkruaj këtë shkrim të shkurtër, para vetës kam shumë dokumente të vrasjes dhe burgosjes së nacionalistëve dhe atdhetarëve shqiptarë. Pikërisht sot më 15 korrik bëhen plotë 73 vjet, kur gjykata e ideologjisë komuniste në Prizren, me akt-gjykimin Pnr. 21/46 të datës 15 korrik 1946, mori vendimin për dënimin me pushkatim të Heroines Marie Shllaku dhe atdhetarëve At Bernard Llupi, Gjergj Martini dhe Kolë Parubi. Derisa heroina Marie Shllaku në gjykatë deklaroj: “Nuk do t’i mungojnë kurrë lulet Kosovës t’i sjellë mbi vorrin tim“. Është fatkeqësi, që përkundër dëshirës, për t’i derguar Lule tek varri i Marie Shllakut, komunistat titistë, në bashkëpunim me komunistat enveristë, na e pushkatuan heroinën Marie Shllaku dhe tash e 73 vjet, na e fshehën varrin. Dhe si duket, këtë sekrët e bartën deri në vdekje.
Kështu që i bëj thirrje publike të gjithë atyre që dinë se ku është pushkatuar Marie Shllaku dhe tre martiret Shkodranë, le të na njoftojnë, që të kemi mundësi t’i rivarrosim me nderime shqiptare. E në veçanti, i bëj thirrje familjeve të pjesëmarrësve në këtë pushkatim, familjes te ish shefit të seksioneve të puneve të brendshme Njazi Maloku, si dhe familjes se anëtarit të seksionit të punëve të brendshme Sadri Doçi. Të dy këta ishin prezentë më 24 nëntor 1946, kur u bë pushkatimi i katër heronjve Shkodranë, si dhe familjeve të togut të pushkatimit, që këto familje të gjejnë rrugën qoftë edhe të tërthortë, që të na tregojnë, se ku u gjuajtën trupat e këtyre katër heronjve shqiptarë.
Derisa dhashë vetëm një detaj të shkurtër të një akti makabër, që bënë komunistat kundër atdhetarëve dhe nacionalistëve shqiptarë, në mendje më sillet rrëfimi i një atdhetari dhe nacionalisti shqiptar nga Kaçaniku, i cili kishte takuar dy të rinjë, të cilët po ziheshin me njëri-tjetrin, se cila ideologji ishte me e mirë, ajo titiste apo enveriste. Plaku nacionalist ndërhyri duke i thënë se janë dy degë të njëtit plep. Titizmi ka relacionin Prishtinë-Beograd-Moskë, kurse në anën tjetër, Enverizmi ka rrugëtimin në relacionin Tiranë-Beograd Moskë.
Është fatkeqësi që edhe sot e kësaj dite këto dy rrugë, çë qojnë në Moskë, janë duke u ruajtur me fanatizmin më të madh nga pasardhësit e udhëheqësve komunistë në trojet shqiptare, që fatkeqësisht në 90 % të rasteve edhe sot janë duke qeverisur në trojet shqiptare. Edhe sot kur është ndezur një luftë mbrenda llojit të dy këtyre degeve të së njëjtës ideologji është mirë që ne atdhetarët nacionalistë, të mos biem pré e kësaj ideologjie me dy degë, por të vazhdojmë rrugën e atdhetarizmit, siç na mësuan atdhetarët tanë, duke e parë lindjen e diellit në perëndim, e jo në lindje.