Lufta me Satanin

0
132
Ilir Muharremi

Ilir Muharremi

Mirëmëngjes dhembje e gjykuar. Si ti asnjë ende nuk ka lindur. Mirëmëngjes diell i dashur i kamufluar pas reve dhe ajër shfrytëzues. Mirëmengjes milet i zgjuar, punëtor i hershëm, dembel i thelluar në gjumë. Mirëmengjes mantel bardh që në duar ja u dhurojmë jeten. Mirëmëngjes i dëshpëruar, edhe ju shokë, dua të gjithëve shpirtin tim të ju hapë, t’i dëgjoni meloditë e një violine të dëshpëruar që thurrë tinguj ankthi, frike, loti dhe pesimizmi. Kjo dhembje sikur kurrë nuk do të kalon, është sikur netët e gjata e stërgjata që nuk kalojnë. Në shpirtim tim endet fantazma e një vampiri që nga lindja ma pin gjakun. Nuk jam fajtor unë për këtë, jo. Është satani që bën tatuazh portretin e tij në lëkurën time. Si mund t’i jap botës buzëqeshje dhe aromë të mirë, kur vuaj nga ky djall?

E tërë bota pushon fatëkeqësisht mbi kafkën time dhe regji bën vampiri. Jam komplet i rrënuar dhe asgjë nuk mund t’i jap botës. Po vdes ngadalë duke ja drejtuar sytë gotës së mbushur me verë, është kjo verë e përzier me gjakun e Satanit. Fatëkeqësisht e keqja ka dhëmbët më të gjata dhe e ka arritur qëllimin ndaj luftës shpirtërore time. Tash edhe parfumi im ka aromë gjaku të prishur. Më nuk jam unë, por kur kam qenë unë, isha vetëm një fëmijë, jam fëmijë, do vdesë fëmijë duke kërkuar përgjigje nga të gjithë ju. E di që nuk do ta kem përgjigjen e duhur, jo.

Je ti ajo, ajo bukuri dhe fatëkeqësi apokaliptike që vërtitesh mbi magmën e shpirtit tim. Ai trup i mbushur, ato kofshe, ai fustan i puthitur për mishin tënd dhe lëkurën e pastër. Ato flokë të zeza, katran, e fytyra jote rrumbullake nostalgji e shpirtit tim që ka vlerë më shumë se antika greke. Je ti me atë zë të veçantë që kapërcen nëpër telat e kësaj violine dhembje groteske që edhe shtaza e vuan. Je ti ajo që mi jep puthjet e përhumbjes, pastaj shmangë kokën. Je ti ajo që përkëdheljen dhe shtrengimin e ke fallso. Je ti ajo që shpirtin tim fëmijë nuk e njeh dhe kurrë nuk ke për ta njohur. Edhe pse në shpirtin tim dallgët gjigante ngritën dhe pluskojnë shirat aziatik, unë prapë ta kam fal sinqeriten dhe shpirtin.

Para se të provoheshim mendoja se e kemi kimin, jo qetësia e relaksimit nuk u shfaq ose u shkri si fluska e parë e borës që u rehatua në qerpikun tim e ma mjegulloi të pamurit. Je ti ajo qe e ngriti lehtë flamurin e bardh të dorëzimit, e unë ende luftoja me vampirin që më qëndronte ombrellë sipër kokës dhe ende qëndron si Meduza greke me gjarprinjë në kokë. Oh! Zemër të fajësoj, por sot u binda që nuk kam forcë ta jap atë dashurinë e vërtetë. Jam një skllav dhe po i dorëzohem jetës , ajrit dhe këtij Satani që çdo ditë mi humb shpresat dhe ngritë në kulm dëshpërimin. Kam besuar që koha më përmirëson, po jo prapë kam mbetur ky fëmijë qysh isha gjithmonë në luftë më djallin.

Provova stërvitjen e kaluar, përmes puthjeve të lehta, ritmit të ngadaltë të zemrës, dhe dorëzimit të lehtë sikur një i vetvrarë që hidhet nga ndërtesa, dhe vdes rrugës para se të ateron në tokën e përjetësisë së panjohur. Nuk kishte sukses, vampiri erdhi me mua, ishte vëlla binak, mirëpo unë nuk kam lindur me të. Ty të dua, të dua, asgjë nuk ka vlerë më shumë se ti. Nganëjherë mendoj se kemi lindur me gjithë atë parandjenjë dhe ndjenjë, dhe fat. E vërejta çalimin e buzëve të hareshme të tua, kur vampiri u fut te unë, e ti ndalove, nuk buzëqeshe më, tu formuan ca rrudha të thella anash syve të bukur, dhe buzët thithnin pështypmen me mllef. Nuk jam unë fajtor e dashur, kafka ime prodhon imazhe brenda një rregulli të vjetër kohor, që shpesh edhe unë ndjehem i huaj ndaj saj.

Nuk e realizuam premtimin egoist, andaj mendoj se dështuam dhe unë vazhdova me telat e kësaj sonete të violinës sime shpirtërore, kurse ti me paragjikimin tim, mbjelle inat në zemër, sepse gjykoj rëndomë, e ndoshta gaboj, por mendimet e mija kanë këtë arsye përbrenda.
Unë dështova sepse luftoj me Satanin brenda, vet unë jam i rrënuar brenda vetes sime. I shkatërruar nga kjo dhembje që kurrë nuk kalon.