LUFTA KUNDËR KATOLIKËVE

0
819

Prof. Xhemal Ahmeti: Rishfaqja e Abdi Baletës1 nëntor 2017EuroEmigrant

Tendenca për të riaktivizuar sërish pseudodiskursin mbi “dominimin katolik të kombit shqiptar” (katolikocentrizmi) vjen jo rastësisht nga veterani i linjës dhe ish ambasadori i Enver Hoxhës Abdi Baleta.

Teksti u shpërnda dje nga shumica e portaleve që financohen nga i njëjti burim si ai i Shtëpisë Botuese “Logos A” që deri më tani ka botuar 500 tituj me 3 milion ekzemplarë në gjuhën shqipe dhe që propagandon po këto teza që autori i shpërndanë edhe nëpërmjet të këtij teksti. Mesazhi është i qartë: katolikët dhe krishterimi shqiptar ka qenë gjithmonë në shërbim të serbëve dhe malazezëve, antimysliman, antishqiptar dhe i njëjti sot udhëheq me kombin shqiptar, atë politik si dhe atë kulturor. Tashti për ta bërë në mënyrë sa më objektive verifikueshmërinë e këtyre hipotezave mund t’i parashtrojmë pyetjet sa vijojnë:

HIPOTEZAT

1. Historikisht a është e vërtetë se ka pasur një qendër katolike antimyslimane dhe antishqiptare?
2. Aktualisht a është e vërtetë se kombi shqiptar vepron sipas ndonjë programi të sajuar në Vatikan?
3. Kush qëndron pas këtij diskursi – myslimanët, elitat e këtij religjioni?
4. Sa e vërtetë është që kisha katolike historikisht e aktualisht ka kultivuar vëllazërinë me popujt e krishterë sllavë në disfavor të çështjes shqiptare?

TEZAT/FAKTET

1.
Që nga Meshari i Gjon Buzukut, Pjetër Bogdani e deri tek Fishta mund të themi se ka pasur një “abuzim” të fesë në favor të shqipes. Dhe jo e kundërta. Është botërisht e faktëzuar maksimal se kultura shqiptare është më areligjiozja e mundshme pikërisht për shkak të kësaj tradite. Kleri katolik historikisht ka favorizuar gjuhën dhe kulturën shqiptare, prandaj asnjëherë nuk dominoi vulgata latine kishave shqiptare. Pasojë e kësaj tradite ishte që gjuha shqipe u ruajt brenda kishave edhe gjatë sulmit më brutal kundër saj që iu bë 5 shekuj nga osmanët.
Kësaj tradite do t’i bashkëngjiten edhe Sami Frashëri, Naim Frashëri, Faik Konica dhe gjithë të tjerët e Rilindjes.

Babai i kujtesës së materializuar shqiptare kundër sllavëve të krishterë si pushtues barbarë nuk janë Haxhi Qamili, Naim Frashëri apo Abdi Baleta dhe Hysamedin Ferraj, por Gjergj Fishta dhe klerikët katolikë të kohës.
Asnjë fakt të vetëm historik nuk mund ta gjejmë që do të na bindte se kleri katolik ishte antimysliman. Të gjitha faktet flasin se ishin në aksion kundër antishqiptarizmave, duke ruajtur gjuhën dhe kulturën e një populli.

Të vetmen fazë kur katolikët shuhen brenda kësaj lufte shqiptare ishte koha e ish Jugosllavisë. Pas LDB u ekzekutua pjesa më e madhe e klerit intelektual katolik. Kishat u bënë destruktive. Mirëpo xhamitë – shumica absolute e tyre – ishin filale të UDB-ës dhe KOS ku mblidheshin informatat bazike mbi disponimin e njerëzve. Si kishat ashtu edhe xhamitë, respektivisht bashkësitë duhet të rehabilitohen nga ky “gjynah” i madh gjatë asaj kohe.

2.
Cili është ndikimi i Vatikanit tek kombi shqiptar? Ka hapur shkolla në çdo fshat ku fëmijët duhet të vishen si Papa, Jezu Krishti apo Maria? Kërkon që në emër të atyre përqindjepakët katolikë resorët më të rëndësishme të ekonomive shqiptare? Ka ndaluar salepin nëpër aeroplanë se qenka pije jo e krishterë? Saboton shtetet shqiptare duke ia inkriminuar organet e drejtësisë për luftën e saj të brendshme ndërmjet kardinalëve? Le të bëjnë listë faktike autorët e katolikocentrizmit që së paku të dimë çka të kundërshtojmë apo luftojmë. Në shtetet shqiptare nuk ekziston as ndikimi minimal i kishës katolike. E si kur “90%” qenkan myslimanë?

3.
Ky diskurs nuk është i myslimanëve shqiptarë. Ky që daton që nga viti 1991 nga të njëjtët njerëz është autopolemikë me synime të nxitjes kundër – jo katolikocentrizmit inekzistent – sekularizmit. Është ofensivë kundër kulturës shqiptare, kështu siç është- areligjioze. Mosdepërtimi i versionit të neo-osmanëve i bën nervoz, i çmend këta njerëz. Nuk iu ndihmojnë as mediat më të mëdha. Agjendat e tyre nuk kanë dhe nuk do të kenë shans ndër shqiptarët. Dhe siç është në mentalitetin e populistëve frymërënë pafuqinë e tyre duan ta zbrazin tek pakicat, duke krijuar armiq të paqenë.

4.
Kjo është edhe më keq se skizofreni: ta quash antishqiptar atë që ta shpëtoi gjuhën dhe kulturën për shekuj dhe ta quash vëlla me sllavin atë që ta ndërtojë homeriadën e dytë pikërisht duke portretuar aq zi e rëndë “vllain e tij”. Jo. Vëllezërit e armiqve të kauzave dhe lirive shqiptare nuk janë katolikët, por ata që duan ta tjetërsojnë edhe historinë e aktualitetin në favor të një gjuhe, kulture, mentaliteti e mendësie tjetër – jo shqiptare. E ndër këta Abdi Baleta është njëri nga veteranët – i atij grupi racist ndaj gjithçkaje shqiptare e sidomos sekulare.

PS. Dikush do të thotë po pse merremi me këto tema të mërzitshme dhe banale? Duhet të merremi qoftë për ta shpëtuar edhe një njeri në ditë, nga ky helm paranojak i gënjeshtrës, e cila ka përlarë media, njerëz ngase reagojnë vetëm njësha dhe askush tjetër.