Luçije Kuqani, ndër arsimtaret e para në Shkodër

0
659

Luçije Kraja Kuqani lindi në Shkodër, më 15 maj 1898, nga prindërit Lazër Kraja dhe Liza Bjanku. E rritur në gjirin e një familjeje të kamur e me tradida të hershme, Luçije Kraja kreu mësimet fillore në shkollën e motrave Saleziane në qytetin e lindjes. Më pas vijoi studimet për gjuhë të huaja e pedagogji në institutin pedagogjik femëror në Napoli (Itali). Në këtë qytet ajo kaloi një pjesë të mirë të adoleshencës e të rinisë.

Mbasi kreu me sukses studimet, Luçije Kraja kthehet në vendlindje dhe u emërua mësuese e shkollës femërore, në lagjen Ajasëm pranë kalasë Rozafa, e cila u hap në vitin 1920. Në këtë mënyrë fillon karriera e saj si arsimtare, punë që e bëri me pasion për 40 vite. Gjatë kësaj kohe ajo njihet dhe martohet me një djalë të ri, Tefë Kuqani, i cili po ashtu ushtronte profesionin e mësuesit.

Luçije Kuqani radhitet ndër ato arsimtare të cilat, me vullnet dhe sakrifica të mëdha, kanë kryer një punë të dobishme në përhapjen e dijes dhe të kulturës në vendin tonë. Përveç Shkodrës, qyteti ku ajo hodhi hapat e parë në fushën e arsimit, ajo ka punuar në disa krahina e qytete të Shqipërisë si për shembull; në Lezhë, Kukës, Korçë, Sarandë, etj.

Për këto merita në fushën e arsimit, një fotografi e saj ka qenë e ekspozuar në muzeun e Shkodrës (“Muzeu Popullor”).

Luçije Kuqani vdiq më 2 shtator 1978. Ende sot, ish-nxënësit e saj, e kujtojnë me nostalgji, mirënjohje e respekt.