Nga Luan Rama, Integrimi.al – 07 Mars 2019
Nuk e di ku është e do të doja me shpirt të jetë gjallë. Kam shumë vite që e kërkoj, po nuk ia kam dalë ta gjej, nuk ia kam dalë të mësoj ndonjë detaj për të a rreth tij, përveç faktit që jeton diku në Kosovë, siç më ka thënë gati një vit më parë mësues Rexhep Ahmeti.
Por sot, në festën e mësuesit, në ditën e shenjtë që shënjon një festë, që duhet të jetë nga më të bukurat e më të rëndësishmet që një komb duhet të ketë, dua t’i dedikoj një lavdërim të veçantë, siç shprehet Profesor Rexhep Qosja në një shkrim të botuar dy vjet më parë me titullin “Lavdërim mësuesit”, dua t’i bëj një urim dhe mirënjohje zemre mësues Ymer Llugaliut prej Kosove.
E kam patur mësues kujdestar për disa muaj, në klasën e pestë në Kurbnesh të Mirditës. E kam patur edhe mësues të gjuhës shqipe dhe të leximit letrar, siç quhej në atë kohë lënda e letërsisë. E kam patur edukator, e kam patur shembull e model, por vetëm për disa muaj…
Sepse më vonë e arrestuan. Ishte viti 1977.
E arrestuan, e poshtëruan, e dënuan!
Mësuesi në pranga!
Për asgjë!
Vetëm ngaqë teksa ishim në ekskursion në bjeshkët e Valmorit, e ne po luanim të kënaqur mes bukurisë së livadheve të mbushura me lulezonja, ai “guxoi” e tha, pasi e pyeti njëri nga “kolegët” e tij se a nuk të duket e bukur kjo pllaja e Valmorit, se po, shumë e bukur është, por më e bukur është Fushë – Kosova!
E ndërsa sytë iu çelën prej një drite malli, një rrëke loti i ndriti mbi faqe mësuesit tim, i cili nuk mund t’a dinte se prej aty, ai lot shpirti, lot malli e dashurie bashkë për Kosovën, do t’i bëhej lot dhimbjeje e vuajtjeje prej padrejtësisë!
Kaq duhej dhe agjitacion e propagandë! Më pas në burg, në Spaç!
Nuk e di ku është, por urimet me shpirt e zemër nuk kanë nevojë për adresë që të mbërrijnë atje ku duhet.
Ndaj unë sot dua t’a lavdëroj, dua t’a uroj, dua t’i them: faleminderit!
Dua t’i them: mësuesi im i dashur, gëzuar 7 marsin!
Sepse e di që mësues Ymer Llugaliu e pret këtë urim, e di që do t’i mbërrijë, kudo që të jetë.
Dërgoi për publikim, Arif Ejupi, gazetar