Lotët e Hidrës, në ishullin e shqiptarëve të Greqisë

0
669

Dita, 6 maj 2018

Prof. Nasho Jorgaqi

Përmasat e tokës helene, të kësaj bote nga më të moçmet e më magjepset e universit njerëzor, bëhen të plota, kur i kundron dhe nga deti. Deti i jep Greqisë atë konfiguracion origjinal, të cilën e ndjen në tokë, kurse nga largësia e ujërave, të duket sikur e sheh me sy.

Nuk e di si më lindi ky mendim fillimisht, por mbaj mend se tek sillesha tërë ato ditë i trullosur udhëve të Athinës, nisa të kuptoja se diçka e rëndësishme i mungonte përfytyrimit tim për këtë vend. Vetëm kur, pas disa ditësh, u gjenda në mes të detit, mendimi m’u ftillua. Tani po, thashë me vete, bota helene gjendet brenda kufijve të saj të mirëfilltë.

Udhëtonim me anijen turistike “Poros” nëpër gjirin e Saronikut. Miqtë tanë grekë të Universitetit Kombëtar të Athinës kishin organizuar një shëtitje nëpër ujërat dhe ishujt e Egjeut. Një rast i bukur që zor se mund të përsëritej. Prapa kishte kohë që kishim lënë portin e zhurmshëm të Pireut dhe kishim dalë në det të hapur. Vetëm konturet e ishujve të vegjël, aq të shpeshtë të këtyre anëve, dukeshin e zhdukeshin në rrafshin e kaltër të horizontit. Anija gumëzhinte nga qindra turistë, që flisnin në gjuhë të ndryshme. Ishte një ditë tepër e kthjellët, nga ato ditë maji, kur kaltërsia e detit dhe e qiellit të bëhet se e ka shndërruar hapësirën përqark në një gjysmësferë të qelqtë, brenda së cilës vërtitej anija jonë e bardhë. Në këto çaste mund të shquaje kaltërsinë e veçantë të botës helene, një kaltërsi e thellë, farfuritëse, transparente, një dritë që ngrihej nga ujërat dhe zbriste nga qielli.

Udhëtimi nëpër arqipelagun e Saronikut është më shumë se një shëtitje zbavitëse. Nuk janë vetëm pamjet piktoreske të peizashit, ngjyrat e forta, ajo begati drite e pafundësi hapësirash, ai shoqërim ledhatar pulëbardhash, plot pirueta e zhytje fantastike nëpër kreshtat e dallgëve që tërheqin e hutojnë udhëtarët. Shumë lidhje asociative të natyrave nga më të ndryshmet përftohen e krijohen te njeriu në këto anë. Vijnë këto nga mitologjia dhe historia, nga kohë të lashta e të reja. Janë perëndi e njerëz, mite e ngjarje të vërteta, të përcjella nga një brez në tjetrin dhe që kanë hyrë aq natyrshëm në qytetërimin e çdo kohe.

Bota helene dhe në det ka se ç’t’u kujtojë e t’u mësojë njerëzve nga madhështia e urtësia e lashtësisë së saj. Sa e sa legjenda e figura të zgjohen në ujërat e Egjeut në çaste të një meditimi të thellë. Të zgjohen me nje forcë sugjestive, të ngacmojnë mendimet, të gjallërojnë përfytyrimet, të trondisin lehtazi e të marrin me vete. Ndoshta askund, sa këndej, nëpër këto hapësira ujore nuk të faniten, tërë ato qënie mitologjike që i takojnë deteve helene. Ngul sytë në kreshtat e dallgëve dhe i pari që të bëhet se del prej tyre është Poseidoni, perëndia e deteve, me sfurkun tridhëmbësh në dorë, hipur mbi një qerre, që e tërheqin kuaj veshur me leshterikë. Ishte Poseidoni, ai që ngrinte dallgët e stuhitë, që u jepte ngjyra valëve dhe drejtonte lëvizjet e tyre. Nëpër këto ujëra, zemërimi i tij nuk iu nda për asnjë çast Odiseut dhe me dallgët e veta i shkatërroi anijet e mbretit të Itakës. A thua të kenë lindur këndej nereidat, nimfat e deteve helene, këto zana të lashtësisë, që legjenda na i tregon si vajza të bukura, flokëlëshuara, të zbukuruara plot stoli, tek shëtisin hipur mbi kuaj të artë e delfinë? Pas nereidave të faniten qenie të tjera. Gjithë ç’ke mësuar nga mitologjia për detin, ta ndjellin tani ujërat e pafundme të Saronikut, të krijojnë mirazhe nga më të çuditshmet dhe padashur të shkon mendja te një mendim i njohur. Tërë këtë univers të mrekullueshëm qëniesh, idesh e veprimesh, njerëzimi e krijoi në fëmijërinë e tij. Një fëmijëri që Marksi e quan gjeniale!

Rrugët e kaltërta nga po kalojmë në mes Atikës dhe Peleponezit janë nga më të rrahurat e më të moçmet e botës. Mendoj këtë dhe kujtoj se këto janë jo vetëm hapësira të mitologjisë, po dhe arena të historisë së këtij vendi të lashtë. Nga larg, pas vellos së përhimtë të mjegullës, duken brigjet e ishullit të Salaminës. Të vjen padashur ndër mend beteja e famshme detare e lashtësisë. Grekët në këtë ngushticë i mundën persët, që kishin ardhur t’i pushtonin. Legjenda rrëfen se orakulli i Delfit tha se vetëm “Muri prej dërrase do ta shpëtojë Athinën” dhe Themistokliu e kuptoi se ç’kuptim kishin këto fjalë dhe e zmadhoi me të shpejtë flotën. Kjo i siguroi fitoren. Në këtë betejë, tregon kronika e kohës, mori pjesë si ushtar i thjeshtë dhe Eskili, ku iu vra edhe vëllai.

Mjafton ta dish sadopak historinë e shqiptarëve të Greqisë dhe të kujtohesh se ky ishull nuk qe i huaj për ta. Përkundrazi, ai është i banuar prej tyre dhe quhet me emrin Kulluri. Kulluri njihet mirë në jetën e shqiptarëve këndej. Ky ishull është vendlindja e Anastas Kulluriotit, figurës ndoshta më të shquar të lëvizjes së arbëreshëve të Greqisë. Askush si ai nuk e ngriti zërin në këto anë, shekullin e kaluar, për kauzën e Shqipërisë dhe të drejtat e vëllezërve të tij Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, që nxori në Athinë, u bë tribunë e atdhetarizmit të arbëreshëve. Ky bir i lavdishëm i Kullurit shkroi sa e sa artikuj, zhvilloi polemika, botoi një abetare të shqipes, i dha emër vendlindjes së tij aq sa të kujtohet dhe në ditët tona.

Salamina është ishulli i parë i ishujve të Egjeut që u bënë djepi i Revolucionit. Grek të 1821-shit. A nuk qenë këto ato që ndihmuan në përgatitjen Rilindjen Kombëtare të këtij vendi, që u kthyen në skena të historisë, të një historie heroike që tronditën botën e atëhershme.

Të zgjohen vetvetiu emocione, kur zhduken brigjet e Salaminës dhe anija zbret më tutje për një jug. Sa më poshtë zbret, aq më shumë i afrohesh teatrit detar e tokësor të ngjarjeve të revolucionit. Dhe në këtë çast, ti që ke ardhur nga Shqipëria dhe nuk të është e panjohur jeta e vëllezërve të tu në këtë vend mik, domosdo do të sjellësh nëpër mend ngjarjet e kaluara të këtyre viseve dhe historia do të marrë atëherë kuptim konkret, të gjallë e të afërt.

Qëndroj në një cep të anijes dhe rri e shoh i përqëndruar. Mendoj për rrugën që po bëjmë e për vendet nga do të kalojmë, për ishuj ku do të zbresim. Pra, kemi lënë Salaminën dhe shkojmë drejt Eginës. Pas Eginës vjen Porosi dhe më tutje Hidra. Caku ynë i fundit. Nuk do të shohim Specien, që ngrihet fill pas Hidrës, aq më tepër Psarën, që gjendet shumë larg prej tyre, në pellgun lindor të Egjeut. Të gjithë këta ishuj janë të banuar nga arbëreshë dhe tek kujtoj këtë gjë, humbas përherë e më shumë në mendime.

Një natë më parë, në Athinë tok me Aristidh Koljen ishim ngjitur deri në kodrën e Likavitosë. Kishim zënë vend në një nga kafenetë që vështronte poshtë panoramën e qytetit. Sapo kishte rënë mbrëmja dhe drita e artë e hënës binte mbi shtyllat e Akropolit. Diku përtej tij dukeshin shtëpitë e lagjes së njohur arbëreshë “Plaka”. Aristidhin e kisha takuar për herë të parë në një kongres ndërkombëtar të pakicave etnike të Italisë, në Palermo. Por e njihja nga emri, nga veprat dhe punët e çmuara, si një nga drejtuesit e lëvizjes kulturore të shqiptarëve të Greqisë. Ai është kryetar i Lidhjes së tyre, kryeredaktor i revistës “Besa”, që ata nxjerrin, autor i librit aq të njohur “Arvanitasit”. Prandaj isha aq i gëzuar që e kisha takuar, bile i dëshiruar. Shtatshkurtër e pak i imët, me një gaz të përhershëm në buzë dhe me ca sy që i shkëndijonin nga një përzemërsi e çiltër, ai më kishte bërë menjëherë për vete. Te Aristidhi gjeje shqiptarin e devotshëm, krenar për prejardhjen e tij, studiuesin e zellshëm e të palodhur, njeriun me besim në vetvete, modest e fjalëpak. Tek qëndronim përballë njëri-tjetrit në Likavito, ai më fliste i menduar, me atë zërin e qetë për vëllezërit e tij të një gjaku, për historinë e virtytet e tyre, për studimet që kishte kryer e do të kryente.

Në heshtjen e asaj nate të ngrohtë athinjote, fjalët e Aristidhit bartnin një besim mbresëlënës. Për të s’kishte gjë më të shenjtë se historia e fisit të tij, një histori e lashtë, e ndershme, trimërore. Ai e njihte mirë, që nga shtegtimet e para shqiptare të kohës së Bizantit e pastaj dyndjet osmane, kur arbëreshët zbritën në viset e jugut të gadishullit, në Peleponez e Atikë dhe në ishujt e Egjeut, në pellgun e Saranikut e më tej. Kjo ishte e para shpërngulje masive e shqiptarëve nga shekujt XIII-XIV, ndoshta më e madhja. Toka dhe detet helene u bënë për to strehë mikpritëse dhe zunë vendin e atdheut të dytë. Me kohë, ata hodhën rrënjë, jo vetëm se ishte e njëjta tokë, e njëjta klimë, ajo e Ballkanit, e gadishullit të përbashkët, po dhe ngaqë kishin fate të përbashkëta historike. Rrugët për në këto vise ata i dinin. Aristidhi që i kishte studiuar te burimet, i njihte me themel. Prandaj kur unë i fola për udhëtimin që do të bëja të nesërmen për në ishujt e Egjeut, ai ngriti zërin dhe tha:-Këta ishuj janë nderi ynë. Pa lavdinë e tyre, ne s’do e kishim atë emër të mirë që gëzojmë sot në vëllazërinë greke.

Ndalesën e parë “Pulëbardha” jonë gjigande e bën në brigjet e Eginës. Ajo hedh spirancën në limanin e saj të vogël dhe ne zbresim në stere. Një tokë shkëmbore, e rrahur nga dielli përvëlues i Mesdheut. Është ishulli i parë që shkelim, por unë nuk di asgjë për të veç një fakti të rëndësishëm historik. Egina ka qenë i pari kryeqytet i Greqisë së lirë. Mendoj për këtë, por më shumë mendoj për Eginën, si një nga ngulimet e hershme të arbëreshëve në Egje. Kështu e thërrasin ata Eginën. Shëtisim nëpër rrugën bregdetare të qendrës së ishullit. Padashur më vjen ndërmend që këtu N. Kazanxaqisi, në vitet e luftës së fundit shkroi romanin “Aleks Zorba”. Gjithë qyteti i vogël është kthyer në një treg turistik. Ardhja e anijes sonë i ka bërë vendësit të gjallërohen. Eginën e mban turizmi, prandaj ajo i thërret. Përpiqem t’u vë veshin fjalëve. I dëgjoj ato në çdo gjuhë, veç shqip jo. Ndiej një trazim që ma prish qetësinë e brendshme. Është një trishtim i lehtë, po që as unë nuk di si erdhi. Më mbetën sytë te shtëpitë e bardha, te muret e vjetër, te rrugicat që degëzohen gjithandej. Egina, ndoshta, s’ekziston më dhe nga kjo dilemë më shpëton sirena e anijes. Kishte ardhur koha të largoheshim. Po mendimet për shtegtimet e ngulimet e arbëreshëve në këto anë nuk më ndaheshin. Tani s’më tërheqin më si më parë pamjet që ndronte deti, çukat e bardha që ngrinin dallgët, vijat gjeometrike të pulëbardhave, shpinat e ishujve të vegjël, që u ngjanin kuajve e gamileve gjysmë të fundosura nën ujëra.

Ndjeja se isha nën pushtetin e një joshjeje tjetër, e një magjepsjeje që më zgjonte thirrja e të parëve të mi. Ishte kjo thirrje që më sillte përpara historinë e më ndizte përfytyrimet e fantazinë. Deri këtu, nëpër këto hapësira të botës helene, kishin shtegtuar arbëreshët dikur, të shtyrë sa nga baticat e zbaticat e kohërave, aq dhe nga nevoja për të jetuar, por për të jetuar të lirë brenda identitetit të tyre. Dhe kishte ndodhur ashtu siç thotë diku Cabej për karakterin e shqiptarit tek i cili bashkohen “në mënyrë të çuditshme dëshira për shtegtim dhe malli i tokës”. Historia e pohon këtë dhe për arbëreshët e Greqisë, sepse ata vërtet kishin zbritur deri këtu, por emrin e vet nëpër shekuj e kishin mbajtur lidhur me mallin e tokës amtare. Këndej nga po kalonim ne, janë hapësirat gjeografike të shtegtimeve dhe ngulimeve të tyre, të cilat nuk është zor t’i përcaktosh qoftë dhe me hartë, mjafton të heqësh kordinatat e të shikosh se ku gjendesh momentalisht.

Por zor, për të mos thënë e pamundur, është të vihesh në kërkim të dimensionit shpirtëror të arbëreshëve, të gjithë atij trashëgimi që ata përcollën nga brezi në brez. Këtë nuk e gjen në asnjë manual të sotëm, s’ta thotë asnjë ciceron, s’ta përmend ndoshta asnjë historian. Duket si gjë e tepërt, jashtë kohe, një realitet i kapërcyer. Është fati tragjik, ngaherë i pashmangshëm i çdo diaspore që rrahën egërsisht dallgët e historisë dhe që kohërat vijnë dalëngadalë dhe e rroposin. E, megjithatë, diaspora shqiptare në botën helen është një realitet që ekziston jo vetëm në gadishuj afër qendrave të mëdha, por dhe në periferi nëpër tokat dhe ujërat e Egjeut. E ç’mund të ishin tjetër, këta ishuj njëherë e një kohë, veç vise të largëta e të vetmuara! Por ndodhi ajo që s’kishte ndodhur gjëkundi, që kjo diasporë bëri histori, një histori të dyfishtë, të bashkësisë së vet dhe të vendit që e mirëpriti dhe i dha strehë të përhershme.

Meditoj për këto dhe sytë më terratisen nëpër det dhe deti më krijon kohë pas kohe mirazhe që më shfaqen përmes zhurmës së potershme të dallgëve. Më krijohet rishtaz ajo gjendje shpirtërore, kur realiteti i çastit e humbet peshën e vet dhe peshën e marrin mendimet dhe përfytyrimet. Në rrafshin e dallgëzuar të detit, shoh barkat dhe anijet arbërore tek vozisin lart e poshtë, fytyrat e detarëve të djegur nga dielli i Egjeut, dëgjoj thirrjet e tyre shqip. Pse a nuk është e vërtetë, që nën këtë qiell helen ushtuan britma në gjuhën shqipe? Ishin britma ngadhënjyese për të mbijetuar, për të hedhur rrënjë në tokë e në det. Ishin prapë britma lufte për lirinë e këtij vendi, kundër pushtuesve osmanë, që i bënë ata heronj! Për këta heronj, grekët ngritën këngën aq popullore, të njohur edhe sot, “Kapitanos arvanitos”. Nga cili pellg i deteve helene doli kjo këngë?

Kjo pyetje mbeti pa përgjigje dhe pa përgjigje do të mbeteshin sa e sa pyetje të tjera. Ishim përballë ishullit Poros dhe anija jonë afrohej ngadalë, me një zhurmë nanuritëse. Vështrimi im qëndronte mbi qytetin e bardhë ishullor. E njëjta pamje pothuaj me atë të Eginës. Gati po ato shtëpi të gurta, po ajo shpërndarje, po ato udhë që zgjateshin nga rruga bregdetare në thellësi. Porosi i është përshtatur dhe u shërben kohëve të reja. Edhe relievi i tij, edhe reliktet e historisë, edhe lokalet publike, edhe kishat janë për ata që vijnë nga përtej detit! Ishulli me këto jeton. Mendimi se mund të ndesh këtu me diçka nga etnia arbëreshe në kalim e sipër, më tingëllon naiv, por nuk dua të mbetem në rolin e turistit. Mjafton fakti që Porosi është ngulim i njohur arbëresh, më bën ta shoh me një sy tjetër. Kështu e shoh bustin e ngritur në këndin e një rruge, lapidarin e mermertë në sheshin kryesor, ku janë gdhendur një varg emra luftëtarësh të rënë në luftë. Me siguri ka në mes tyre dhe arbëreshë. Janë gjurmë të historisë, që u dëshmon ishulli të ardhurve. Por historia arbëreshe këtu fle. Atë mund ta gjesh vetëm nëpër libra. Mund ta gjesh librin “Netë pellazgjike” të K. Rainholdit me këngë arvanitase. Një pjesë të tyre, ai i pat mbledhur pikërisht në Poros. E thotë vetë, madje shton se pat shërbyer këtu si mjek i flotës detare. Nuk më harrohen sidomos dy vargje të një kënge për Shkodrën, që albanologu e dëgjoi në Poros:

Shkodrë, Shkodrë, trima ke
që dyfeqi nuk i ze!

Në Poros kjo këngë për Shkodrën këndohej shekullin e kaluar. Ku Shkodra e ku Porosi dhe prapë këndohej. Kurse tani ka shumë të ngjarë të jetë harruar. Dikur Porosi ishte nga portet e njohura të Egjeut ku, ankoroheshin anije që vinin nga Evropa, Azia dhe Afrika. Ishulli kishte kantiere, që i ndërtonin vetë anijet. Asnjë nga ciceronët nuk di të tregojë për këto, por dhe ti vetë s’je në gjendje t’i biesh pas gjurmëve të së kaluarës.

Me një ndjenjë pakënaqësie ngjita shkallët e anijes, që si për inat mbante emrin e Porosit, por nuk kishte asgjë prej tij dhe kalova në kuvertën e sipërme. Anija më doli nga porti për në det të hapur dhe mori drejtimin për nga jugu. Tani luftonte paralel me brigjet e Peleponezit, përballë të cilëve qëndronte Porosi dhe pak më poshtë Hidra. Të them të drejtën, tek kjo e fundit më rrinte mendja dhe kisha varur të gjitha shpresat e këtij udhëtimi. Në qoftë se për ishujt e tjerë të Saronikut dija vetëm se disa prej tyre qenë ngulime arbëreshe, për Hidrën kisha mësuar aq shumë gjëra dhe kisha aq mbresa nga sa kisha lexuar e dëgjuar, sa më ngjante që e njihja prej kohësh. Mbetej vetëm të shihja nga afër, të shkelja në tokën e saj.

Dhe tani që shkonim drejt Hidrës më kujtohej se ç’më kishte thënë një natë më parë Aristidhi për këtë ishull:

-Hidra është ajo që përfaqëson dhe personifikon, mbase më mirë se çdo ngulim tjetër arbëresh, gjithë sa dha bashkësia jonë në Revolucionin Grek. Vërtet, flamurin e kryengritjes e ngriti në krye fare ishulli i Species. Vërtet që ishulli i Psarës kreu një akt të madh heroizmi, duke asgjësuar të gjithë garnizonin turk dhe e tregoi këtë me një vetëflijim të rrallë, saqë poeti kombëtar grek Dionis Sollomosi i kushtoi një vjershë, të cilën e ngriti lart dhe Gëtja, po prapë Hidra zë një vend të veçantë. E zë këtë vend, jo aq si ishulli më i rëndësishëm i pellgut perëndimor të Egjeut, se sa nga vepra dhe emri famëmadh që mori në histori. Është ashtu, siç thuhet e shkruhet, se Rilindja e Greqisë së pavarur u krye nën mbrojtjen e Hidrës. Bukur thotë Anastas Kullurioti se këtë ishull të thatë “asnjë nga perënditë e Olimpit nuk e kishte zgjedhur për strehë të tij pasi nuk kishte jo vetëm lumë e përrua, po as dhe një burim. Prandaj asnjë poet nuk arriti të zgjojë në Hidër muzat”.

Historia e Hidrës që kur e kisha dëgjuar së pari më kishte magjepsur. Mjaft fakte e hollësi më ngjanin të çuditshme, për të mos thënë të pabesueshme. Në qoftë se në fillim fare ajo u njoh si strehë piratësh e të arrestuarish e si vend i vetmuar peshkatarësh, historia e vërtetë nis me zbritjen në brigjet e saj të arbëreshëve. Ata erdhën nga ana e përtejme e Peleponezit dhe Atikës, por erdhën dhe drejt nga Shqipëria. Këta të fundit qenë nga vise bregdetare si Vlora e Himara, po dhe nga Suli dhe Arta. Shtegtimi i tyre ka ngjarë aty nga shekulli XV dhe ka vazhduar gjatë tërë shekujve të mëpastajmë. Gojëdhëna thotë se disa prej banorëve të hershëm kishin qenë bashkëluftëtarë të Skënderbeut. Prej këtyre përmenden vëllezërit Llazar dhe Zerva, nga të cilët zë fill familja e njohur e Kunduriotëve, që më vonë luajtën role të dorës së parë në jetën e Hidrës dhe të Greqisë. Në këtë kohë a diçka më vonë hodhën rrënjë këtu dhe familje të fiseve më në zë si Vullgarët e Vokët, prej të cilëve dolën Miaulët, Tombusët, Ikonomët, Gumajt, Gjinajt, Lazarajt etj. Hidra do t’u jepte arbëreshëve strehë, jo aq për të jetuar (se për të jetuar kishte plot vise më të mira), sesa për të qenë krejt të lirë dhe larg zgjedhës e dhunës osmane.

Në qoftë se pozicioni i ishullit u siguronte lirinë, toka e tij s’u premtonte asgjë, veç gurishte e shkëmbinj. Megjithatë, këta njerëz krenarë nuk u dhanë, vendosën të qëndrojnë e të mbijetojnë në Hidër, falë shpirtit të paepur dhe natyrës liridashëse. Me punë titanike e me vullnet të papërkulur me kohë këtu ngjallën jetën mbi shkëmb dhe i dhanë frymë njerëzore ishullit. Zeja e parë e tyre do të ishte blegtoria dhe këtë do ta përballonin me përpjekje tepër të mundimshme për t’i kthyer vendet e thata në kullota për gjënë e gjallë. Por sido që iu përkushtuan për një kohë blegtorisë dhe bënë të mugullojë bari në mes gurishteve, ajo nuk qe në gjendje t’i mbajë dhe atëhere ata u dhanë u pas detarisë. Arbëreshët e Hidrës e lidhën jetën e fatin e tyre me detarinë dhe historia tregon se ata u njohën nga detarët më të mirë të të gjithë Mesdheut. Detaria pastaj i bëri hidriotët dhe tregtarë dhe si detarë e tregtarë morën nam nëpër botë. Me barkat e anijet e tyre, ata jo vetëm do t’u binin kryq e tërthor ujërave Mesdhetare, por do të hidhnin spirancat në Aleksandri e Venecie, Odesë e Triste e deri në brigjet e Ballkanit e të Amerikës së largët.

Po të shfletosh enciklopedinë greke “Pyrsos” mëson se Hidra deri në fund të shekullit të XVII qëndronte krejt e mënjanuar nga bota. Turqit as e kishin shkelur, as i kishin vënë taksa.

Hidriotët kishin krijuar vetvetiu autonominë e ishulit të tyre. Kjo dhe sot tingëllon e çuditshme. Atëherë ndodhi që atë të cilën s’e arriti dot Porta e Lartë, e bëri Patriarkana. Të dërguarit e saj erdhën në ishull dhe vunë dorë mbi këta ortodoksë me kokë më vete. Nuk vonoi dhe ajo ngriti mitropolinë dhe dalëngadalë i futi hidriotët në vathën e saj.

Ngado që t’i afrohesh jetës dhe historisë së Hidrës e kupton menjëherë se ato janë të lidhura e të pleksura me detin e detarinë. Këta arbëreshë në këtë cep të Egjeut fituan emër si zotër të deteve, lundërtarë të guximshëm dhe peshkatarë të talentuar, po dhe si mjeshtër të ndërtimit të anijeve dhe tregtarë të zgjuar. Jo më kot analet e kohës shkruajnë se Hidra e varfër dhe e zhveshur, falë njerëzve të saj, arriti të bëhet një qendër e lulëzuar. Bukën ishulli e gatuante me grurin që sillte nga Egjipti, direkët e anijeve i ndërtonte me pishat e Parmasit, kurse krahët e tyre me bredhat e Olimpit e ndërsa velat e bardha i thurnin me pambukun e Peleponezit. Në sofrën e hidriotëve shtrohej verë nga Tira dhe Mesina.

Edhe pse Hidra do të shikonte punët e veta, ajo nuk do të rrinte larg ngjarjeve dhe situatave politike të botës. Detarët dhe tregtarët e saj do të trazoheshin në një mënyrë a në një tjetër me to. Ata dhanë e morën, madje u sollën shqetësime kancelerive të Stambollit e të Petërburgut, të Parisit e të Londrës. Sado e çuditshme të duket kjo, hidriotët në raste të caktuara, u gjendën në vorbullën e ngjarjeve dhe të situatave më të rrezikshme të kohës. Një gjë e tillë s’ka si të mos ketë tërhequr vëmendjen e studiuesve. Të gjithë janë përpjekur t’i japin përgjigje pyetjes se si është e mundur që ky ishull i vogël të ketë një histori të madhe. Ata që kanë lexuar veprat e historianit të Revolucionit greke Dhimitër Fotiadhit, që shkruan me aq simpati për arbëreshët e ishujve të Egjeut, do të kuptojnë si u ngrit e u lartësua fuqia e nderi i Hidrës. Kjo u arrit përmes detit, të cilit hidriotët iu përkushtuan me shpirt dhe falë kësaj, mori një zhvillim të jashtëzakonshëm detaria, mjeshtëria detare dhe ndërtimi i mjeteve të lundrimit. Përvoja vendëse në këtë zeje ishte e pamjaftueshme dhe atyre iu desh të pasurojnë dhe ta forcojnë me përvojën e sjellë nga brigjet e Afrikës. Qenë detarët hidriotë të zënë rob nga berberët e Afrikës Veriore, që pasi punuan nëpër kantieret e tyre navale, prunë në ishull teknikën e përparuar të ndërtimit dhe të armatosjes së anijeve. Me këtë teknikë ata arritën, që me mjete rrethanore, të ndërtojnë anijen e parë qysh në mesin e shekullit XVII për të arritur te anijet e mëdha nga fillimi i shekullit të XVIII. Kështu, nga punishtet e thjeshta, u ngritën kantiere të vërteta.

Për këtë morën deri dhe mjete mekanike moderne nga Triestja, dërguan të rinj të mësonin mjeshtërinë në shkollat e Evropës, siç sollën dhe specialistë të shquar nga jashtë po për këtë qëllim. Erdhi një kohë që anijet e ndërtuara në Hidra, u bënë të njohura jo vetëm për tonazhet e mëdha, por dhe si mjete lundrimi të forta e të sigurta, të hijshme e të shpejta. Thonë se ato qenë më të shpejtat në të gjithë Mesdheun. Hidra arriti krijojë fllotën e vet të një niveli bashkëkohor, që do ta përdorte për nevojat e saj, por dhe për ato të botës. Po të shikosh gravurat dhe litografitë e piktorëve të shquar të kohës të Dypresë e të Hesit, do të vësh re si madhështinë e anijeve të mëdha, adhtu dhe hijeshinë e kaikeve të vogla vendëse me vela, që i ngjanin triremit të lashtësisë, me tri radhë lopatash. Me këtë fllotë, Hidra u bë një forcë navale e vërtetë, e përfillshme në mbarë Mesdheun. Duke qenë kështu, ky ishull i vogël krijoi lidhje dhe hyri në marrëdhënie me fuqitë e mëdha detare të kohës. Hidriotët trima e krenarë zunë të bëjnë politikë, një politikë të zgjuar e të shkathët. Historianët përmendin vitin 1770, kur plasi kryengritja e Orllovit dhe Hidra refuzoi të bashkëpunojë me rusët kundër turqve. Një qëndrim i tillë realist bëri që ajo të fitojë përkrahjen e Portës së Lartë, kurse vite më vonë, më 1807, në luftën me turqit, kur rusët i braktisën dhe i lanë në mëshirën e sulltanit, hidriotët, siç thonë kronikat, u treguan të pjekur e të shkathët dhe sado që u dëmtuan rëndë, ditën ta marrin veten dhe t’i kundërvihen edhe pabesisë ruse.

Por faqen e saj më të ndritur si fuqi detare Hidra e shkroi gjatë luftrave napolonike, në kohën kur Anglia vendosi bllokadën në mbarë Evropën. Hidriotët e sfiduan “mbretëreshën e deteve”, duke u kthyer në tregtarë e transportues kryesorë të grurit për kontinentin e kërcënuar nga uria. Njohës dhe zotërues të rrallë të rrugëve detare, ata me zgjuarësi e shkathtësi sillnin grurë nga Rusia në brigjet e Marsejës dhe ushqenin Evropën. Guximi i tyre çante bllokadën dhe habiste opinionin. Anglezët kjo i shqetësoi pa masë, jo vetëm për dëmet ekonomike e strategjike që sillte, por edhe për faktin se prekte nderin e perandorisë para botës. Forcat e tyre u vunë në ndjekje e ç’nuk bënë për t’i penguar dhe dënuar këta “rebelë” deti! Atëherë ndodhi që njerëzit e admiralit Nelson, komandantët e flotës angleze kapën Andrea Miaulin, një nga kapedanët e famshëm hidriotë dhe e dënuan me vdekje. Para ekzekutimit Nelsoni urdhëroi t’ia sillnin ta shikonte dhe ai u habit pa masë kur ky njeri u paraqit para tij me një pamje burrërore, me njëri sy të lidhur dhe krejt mospërfillës. Admirali e pyeti:

– Pse e shkele udhrin tim? A e di se do të humbasësh kokën?

Kapedani trim, qetë-qetë, duke e vështruar serbes, ngriti njërën dorë, lëvizi dy gishtat dhe me këtë gjest i dha të kuptojë se e ka bërë për të fituar dhe jo për shkaqe politike.

Mjaftoi kjo përgjigje e zgjuar e këtij “shqiptari flokëverdhë e sy blu”, siç do ta kujtojë më vonë Nelsoni, që ai t’ia falë jetën!

(Vijon nesër)