ESE
Kudo që janë qytetarët kanë krenarinë e tyre personale e shoqërore, duke dëshmuar respektimin e ligjshmërisë përkatësisht lojalitetin qytetar, por nga ana tjetër edhe shteti duhet të dëshmojë lojalitetin ndaj qytetarëve, sepse shteti është në shërbim të tyre duke treguar në praktikë përgjegjshmëri funkcionale, e jo qasje të dyfishta, përkatësisht imponim për interesa të individëve dhe klanëve të ndryshme, me pasoja për të tashmën dhe të ardhmën.
Nail Draga
Në jetën e përditshme apo diskutimet e ndryshme kemi pasur rast të degjojmë shprehjen e lojalitetit, por të pakët janë ata që analizojnë anën semantike, duke dhënë përfundime të pranueshme. Por, varësisht prej rasteve kemi pasur mundësi të dëgjojmë togfjalëshin “qytetar lojal”, për një komunitet në një vend apo mjedis të caktuar.Një konstatim i tillë nuk është i kohës se re por ka trashëgiminë shoqërore deri në ditët tona, që dëshmon qendrimin, përkatësisht deklarimin e individëve apo qytetarëve ndaj çështjeve të ndryshme shoqërore. Por, më të drejt bëhët pyetja se cili individ, apo grup i qytetarëve mund të emërtohet me një epitet të tillë.
Epiteti ndaj popujve të ndarë
Nga përvoja e deritashme del se ky epitet iu mveshët kryesisht mjediseve multinacionale e multikulturore që ka të bëjë me pjesëtarët e popujve të ndarë, që në fjalorin politik njihen me epitetin e pakicave kombëtare. Janë pikërisht pjesëtarët e kësaj kategorie të qytetarëve të cilët dallohen nga qytetarët tjerë si nga përbërja nacionale, gjuhësore e kulturore, përgjithësisht me identitet të veçantë në krahasim më qytetarët e tjerë.
Pra kemi të bëjmë me këtë kategori të qytetarëve ndaj të cilëve vazhdimisht ekziston animoziteti, duke mbetur sindrom për shumicën e qytetarëve të tjerë. Dhe një qasje e tillë nuk është dukuri e panjohur, sepse ajo ka një vazhdimësi si në monizëm edhe tash në pluralizëm. Ndërsa prania e vazhdueshme e distancës etnike në Mal të Zi, e njohur si dukuri e publikuar kohë pas kohe në sajë të hulumtimit të opinionit dëshmon katërçipërisht një konstatim të tillë.
Pushteti autoritar dhe kërkesat qytetare
Në shtetët demokratike kërkesat e qytetarëve nuk vlerësohen sipas shijes së shumicës parlamentare, por në sajë të argumentëve, që janë në favor të avancimit të çështjeve përkatëse. Çështjet e tilla ndonëse të rralla janë prezantuar nga subjektet politike e ato kryesisht opozitare apo nga shoqëria civile. Janë pikërisht subjektet nga shoqëria civile të cilët i trajtojnë çështjet përkatëse pa paragjykime dhe interesa të ndryshme, duke mbetur model i demokratizimit të shoqërisë. Kërkesat e tilla dëshmojnë qendrimin dhe prezantimin e qasjeve të ndryshme të cilat nuk sipas dëshirës së shumicës parlamentare, përkatësisht të pushtetit, duke dalë në sipërfaqe “devijimi” i lojalizmit të kësaj kategorie të qytetarëve, sepse kërkesat e tyre nuk janë sipas “shijës” së pushtetit, madje edhe të pa pranueshme, sepse iu prishën gjoja objektivat zhvillimore për të ardhmën.
Qendrimet e tilla autoritare nga ana e pushtetit janë të njohura për lojalitetin e qytetarëve është në kundërshtim me parimet demokratike të pluralizmit politik, në një mjedis multinacional. Sepse të qenit lojal nuk do të thot se duhesh të heshtesh çdo herë, por nevojitet një reagim i guximshëm me argumente për çështjet kontestuese që janë në favor të interesit të përgjithshëm. Ndërsa pranimi në heshtje përkatësisht mos reagimi ndaj veprimeve që janë të dëmshëm për mjedisin apo vendin përkatës, dëshmon qasjen konformiste dhe mungesën e guximit qytetar e ati intelektual.
Lojaliteti si përulësi
Fjala lojalist vjen nga gjuha frengë(loyal) që ka kuptimin besnikëri, përkushtim, sinqeritet, ndërshmëri, drejtësi e ligjshmëri, nga del së kemi të bëjmë me mundësi të ndryshme përshtatjeje që varën nga qasjet e individëve gjatë komunikimit.
Në vendet multinacionale të cilët kanë dëshirë të quhen demokratike deklarimi për lojalitet kërkon përulësi apo thënë më së miri besnikëri ndaj shumicës, përkatësisht të pushtetit nga del se shumica dyshon në qendrimin e tyre në jetën shoqërore. Pra, kemi të bëjmë me kategorinë e qytetarëve të cilët janë pjesë e një shteti të cilët në të kaluarën në rrethana të ndryshme shoqërore dhe historike jo me dëshirën e tyre janë aneksuar, duke u bërë pjesë e popullatës së ati shteti.
Pikërisht duke marrë parasysh një konstatim të tillë koncepti i lojalizmit mund të trajtohet si nënshtrim, që duhet pranuar çdo gjë pa refuzim, përkatësisht pa kundërshtim, që ka të bëjë me individët pa qendrim personal. Në raste të tilla mungon guximi qytetar për të mos heshtur ndaj dukurive të papranueshme që ka të bëjë me pjesëtarët e komunitetit, i cili ka mungesë të organizimit të qytetarisë aktive, për të kundërshtuar devijimet shoqërore.
Mungon qytetaria aktive
Në vendet demokratike koncepti i qytetarisë aktive është dukuri e njohur dhe e respektuar, sepse kemi të bëjmë me organizime që nuk janë për interesa private apo të klanëve të ndryshme, por me karakter të përgjithshëm shoqëror. Në këtë aspekt ka shumë raste që kanë rezultuar me sukses në vende të ndryshme në regjion, ku nuk duhet përjashtuar as Malin e Zi. Kujtojmë me këtë rast protestat për mbrojtjën e lumit Tara vite më parë, por së fundit kemi të bëjmë me ndalimin e ndërtimit të hidrocentralëve te vegjel që patën sukses për të ndaluar devastimin e mjediseve të tilla natyrore. Në këtë aspekt ndonëse ka pasur iniciativa në Ulqin, nuk mund të mburremi, se mungon ndërgjegjësimi i qytetarisë aktive, sepse ende është i pranishëm sindromi i frigës ndaj pushtetit. Kemi të bëjmë pikërisht me konceptin e lojalizmit i cili te pjesëtarët e popujve të ndarë(pakicë) ka dimension psikologjik të veçantë me pasoja shoqërore si në të kaluarën e deri në ditët tona.
Servilizmi si virus politik
Edhe të subjektet politike dukuria e lojalizmit është e pranishme ku përjashtim nuk bëjnë as subjektet politike të shqiptarëve në Mal të Zi. Madje do të ishte befasi të ishte ndryshe, sepse individë të ndryshëm në sajë të interesave të tyre pranojnë të jenë të tillë. Në këtë aspekt duhet thënë se lojalizmi barazohet me servilizmin, sepse të tillët nuk zgjedhin mjete për të arritur qellimet e veta në kohën e duhur. Një veprim i tillë dëshmon qartë se nuk kemi të bëjmë me çështje parimore por me interes që i mundësohet nga politika ditore. Andaj një kategori e tillë nuk është për t’u nënçmuar sepse ajo stimulon formimin e klanëve të subjektët politike, me përfitime të ndryshme, madje duke rrezikuar subjektin politik në të ardhmën. Por, servilët nuk mendojnë fare për çështje të tilla, sepse e ardhmja nuk është në ndërgjegjën e tyre, por përfitimet e rastit sot për nesër.
Nuk ka dilemë se e ardhmja iu mbetët vetëm individëve parimorë, me integritet shoqëror e vlera profesionale të cilët në këtë kohë të krizës morale fatkeqësisht nuk kanë përkujdesjën e duhur shoqërore, çështje kjo e cila ka marrë përmasa të virusit politik në aspektin lokal e regjional, me pasoja për të tashmën dhe të ardhmën.
(Nëntor 2019)