NJË UDHËTIM PËRMES TROJEVE TONA…
Arben Çokaj
Nga Logu i Bjeshkëve, në Vermosh – rruga e asfaltuar nuk shkonte deri në doganë, kishte nevojë edhe për dy ura betoni, se ishin me dërrasa.
Pastaj në Plavë e Guci, qyteza të bukura e të mbajtura shqiptare, që të dhemb shpirti, që mbetën nën Malin e Zi. Pastaj në Pejë, një qytet dinamik, me pluhur e pak rrëmujë, por që më mbushi me optimizëm, se Kosova kështu po bëhet!
U nisëm për në Istog, e thashë po ha një troftë aty, e po lajmëroj edhe Xheki Rexhaj, mos vjen sa për t’u përshëndetë, por ishim vonë e ndërruam mendje.
Pastaj për ato rrugët dytësore shkuam në Gjakovë, rrugët gjithë arna, duket se kumandirat nuk i kishin dhënë fonde Mimozës dhe qyteti nuk dukej edhe aq në zhvillim sa Peja… Gjakova dukej më e heshtur, e me karroca jevgjish nëpër rrugë..
Shkuam e pamë edhe Junikun, Kosharen e Deçanin, që i mbajmë mend për pushkën e ngritur për Shqipni!
U nisëm më pas drejt Prizrenit, por u err natë, e nuk mund e pamë. Kosova ka ndryshuar në këto vite, por do investime të mëdha e shumë punë… 🙂
Shënim: Në Kosovë, çmimet më të larta se në Shqipëri! :p
MESHË APO JO NGA PRIFTI?
Logu i Bjeshkëve e ka inicimin nga një traditë malësore, kur djem e vajza janë takuar në logun e kishës, ose më herët në logun e objektit të tyre të adhurimit, ose te burimi i ujit, se shqiptarët kanë pasë besimin e tyre, para krishtërimit.
Prifti i kishës së Qafës së Predelecit, i kërkoi kryetarit Marinaj, të mbante një meshë para se të fillonte aktiviteti, por Tonin Marinaj nuk pranoi, duke menduar se tradita është më e vjetër se kisha, dhe se shteti është laik e akriviteti i organizuar nga Bashkia duhet të ruajë laicitetin, për të mos ngjallur reagime negative me përmbajtje fetare.
Si mendoni ju, a ka vepruar mirë kryetari i Bashkisë Marinaj, apo duhej ta kishte lejuar një meshë të vogël?