Ilustrimi nga Dea Halimi
Dea Halimi
Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën Ll
Nuk më kujtohet cila qe ajo ditë? Kisha hipur nëpër shkallë të drunjta në tavanin e shtëpisë, të mbushur merimanga. Kërkoja një rrobë të vjetër që t`i bëja kukullës sime një fustan. Në tavan hipnim shumë rrallë, vetëm për të mënjanuar nga e përditshmja ndonjë gjë. Futa duart në rraqet e shumta dhe hasa në llambën e vjetër. Këtë llambë ndriçimi të shtëpisë, me vajguri e me fitil, të mbuluar me një poç të gjatë prej qelqi e përdornim vetëm në ndonjë çast të ndaljes së dritës elektrike. E shikoja me habi dhe mall. Ma kujtonte ditëlindjen time të tretë; pikërisht nga po e preja tortën rryma iku dhe gjyshja me një murmurimë ndër dhëmbë doli e pa vonuar u kthye me këtë llambë të ndezur. Kjo bëri që të mos humbte asgjë nga shkëlqimi i kremtimit të ditëlindjes sime…
– Llamba, ky mjet që ndrit me vajguri, – psherëtiva, – fillon me shkronjën Ll, të cilën vetëm dy ditë më parë e mësuam në shkollë… E mbaja llambën e vjetër të shtëpisë në dorë e prisja symbyllur që ajo të bëhej magjike dhe të më qepte një fustan për kukullën.
– E dëgjon çfarë flas dhe pres, – e shikova kukullën time, të cilës doja t`i bëja fustan. – Pres diçka që nuk bëhet, moj!
– Ndoshta e gjen llambën magjike, – m`u bë sikur më tha kukulla. – Ajo mund të shfaqet, ashtu papritur, siç e ke dhe në librin me ilustrime, Dea.
– Ah, kjo gjë e pamundshme, – eca të kërkoja rrobën në anën tjetër të tavanit e ta qepja një fustan për kukullën.
– Zbrit nga atje më, – më trembi zëri i mamasë. – Nuk qepen fustane me gjëra të vjetra. Eja, unë kam një pëlhurë të bukur pikërisht siç të pëlqen ty.
– Prit mami. Do të mbetem dhe pak këtu, ndoshta e gjej llapushin tim…
– Kush është llapushi, – tha mami.
– Lepuri, të cilin për ditëlindjen e parë ma dhuroi gjyshja. E thërrisja Llapush, si nuk të kujtohet kjo?!
Zbrita nga tavani. Mami më priste me pëlhurën me flutura e yje të shkruar në të. Më pëlqeu mjaft. E mora dhe ika në dhomën time. I qepa kukullës me atë pëlhurë një fustan të bukur, i cili llamburiste.
– Llamburit, llamburit… – ia bëja kukullës herë-herë, ndërsa shkronjën Ll, të madhe dhe ll të vogël të dorës e shkruaja në një faqe të tërë të fletores.