LLALLA. SHTYRJE APO VIJIM MANDATI?!

0
2585

Avokat XHABIR ZEJNUNI

Përmbajtja. 1. Në vend të hyrjes. 2. Pretendimet e Llallës për zgjatjen e mandatit të tij. 3. Trajtim kushtetues i “çështjes” Llalla. 4. Mandati i Ina Ramës. 5. Investimi i Gjykatës Kushtetuese. 6. Përfundim.

1. Në vend të hyrjes
Adriatik Llalla, është zgjedhur Inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) me datën 09.10.2008 nga Kuvendi i Shqipërisë me KONSENSUSIN e të gjitha forcave politike.
Më pas, Adriatik Llalla është emëruar Kryeprokuror me dekretin e Presidentit të Republikës nr. 7840 të datës 03.12.2012 dhe është votuar në Kuvendin e Shqipërisë me datën 07.12.2012 me 75 vota (plus votën e Dules dhe Islamit). Opozita abstenoi. Kurse deputetja Jozefina Topalli, ishte e vetmja nga deputetët e pranishëm, që nuk mori pjesë në votim!

2. Pretendimet e Llallës për zgjatjen e mandatit të tij
Llalla pretendon të rrijë në detyrë 7 vite dhe jo 5 vite, duke nxjerrë argumentet në vijim.
1. Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 dhe me “Ligjin për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” (në kuadër të reformës në drejtësi), u vendos që mandati i Kryeprokurorit të bëhej “7 vjeçar” dhe “pa të drejtë riemërimi”. Llalla pretendon se ndryshimet përfshijnë dhe mandatin e tij, i cili nga 5 vite duhet të bëhet 7 vite.
2. Llalla pretendon të përdorë precedentin Ina Rama për zgjatjen e mandatit te tij.
3. Aktivizimi eventual i Gjykatës Kushtetuese!

3. Trajtim kushtetues i “çështjes” Llalla
Pretendimi i Lllallës që të qëndrojë edhe për dy vite në detyrë, në bazë të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, bie poshtë për arsyet që vijojnë.
Më parë, duhen krahasuar dy normat kushtetuese (e vitit 2008 dhe ajo e ndryshuar e vitit 2016) dhe “Ligji për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”.
– Kushtetuta. Neni 149 (I ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.04.2008).

“1. Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit për një mandat PESË-vjeçar, me të drejtë RIEMËRIMI”.
– Kushtetuta. Neni 148/a. (I ndryshuar me Ligjin nr. 76, datë 22.7.2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”).

“1. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me TRE të PESTAT e anëtarëve të Kuvendit, mes TRE kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat SHTATË-vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi”.

“2. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në një thirrje publike dhe procedurë transparente, përzgjedh dhe rendit TRE kandidatët më të kualifikuar dhe ja përcjell Kuvendit, sipas ligjit”.

“3. Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve (…) që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës ose kanë një gradë shkencore në drejtësi (…..)”.

Duke qenë se Kushtetuta nuk ka fuqi prapavepruese, Llalla nuk mund të pretendojë që mandati i tij të jetë 7 vjeçar. Por, edhe nëse do pranohej varianti i emërimit të tij për një afat 7 vjeçar, duhet të plotësohen si rrjedhojë edhe kushtet që parashikohen tek ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, të cilët janë:
a. “zgjedhja me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit”;
b. “paraqitja e TRE kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë”;
c. “përfundimi i Shkollës së Magjistraturës” ose
d. “grada shkencore në drejtësi”.

Llalla, është emëruar Kryeprokuror pa poseduar asnjërin prej kushteve më lart.
– Është zgjedhur me votat e 75 deputetëve dhe jo të 3/5 të deputetëve (84 vota).
– Ka qenë kandidat i vetëm dhe jo një ndër tre kandidatët.
– Nuk ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës.
– Nuk ka Gradë Shkencore në Drejtësi.

Ngërci në lidhje me mos krijimin akoma të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili “paraqet tre kandidatura”, kapërcehet me anë të nenit 109 (Dispozitë kalimtare për kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë) të Ligjit nr. 97, datë 06.10.2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë”, i cili disponon në paragrafin 2 se: “Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji”.

Duke qenë se Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është krijuar akoma(!), atëherë gjen zbatim norma më lart.

4. Mandati i Ina Ramës
Referimi që i bëhet mandatit të Ina Ramës, është i gabuar.
Kur Ina Rama mori mandatin e Kryeprokurores në vitin 2007, ishte në fuqi Kushtetuta e vitit 1998, e cila përcaktonte në nenin 149, par. 1 se “Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit” dhe vazhdonte me par. 2 se “Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit”. Mjafton të kujtohet ish Kryeprokurori Arben Rakipi, i cili u shkarkua nga Kuvendi me 18 mars 2002 pas më shumë se katër viteve në detyrë (por jo 5 vite). Por, ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, vendosën që mandati i Kryeprokurorit të bëhej “5 vite” dhe “me të drejtë riemërimi”.

Ina Rama pretendoi të rrijë në detyrë deri në vitin 2013 (ose 6 vite) duke qenë se ndryshimet kushtetuese që u bënë në vitin 2008 parashikonin mandatin 5 vjeçar. Si rrjedhojë, sipas Ina Ramës afati 5 vjeçar duhej të llogaritej nga viti 2008 kur u ndryshua Kushtetuta dhe jo nga viti 2007 kur ajo u emërua. Ina Rama nuk arriti të zgjasë mandatin e saj dhe qëndroi në detyrë 5 vite (nga nëntori 2007 deri në nëntor 2012) mbështetur në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Në pamje të parë, u duk se ndryshimet kushtetuese të vititi 2008, kishin fuqi prapavepruese. Por, nuk ishte ashtu, pasi nëse mandati i Ina Ramës do bëhej 6 vite, atëherë do dhunohej afati 5 vjeçar kushtetues.

Por, edhe nëse do merrej si precedent rasti i Ina Ramës, atëherë mandati 7 vjeçar i Llallës do llogaritej si i filluar në vitin 2016 kur u bënë ndryshimet kushtetuese, dhe do mbaronte në vitin 2023. Gjë e pamundur dhe jashtë logjikës kushtetuese-juridike.

5. Investimi i Gjykatës Kushtetuese
Llalla nuk mund të aktivizojë as Gjykatën Kushtetuese për rastin e tij, pasi neni 134 i Kushtetutës ja përjashton këtë mundësi atij. Por, ka mundësi që më shumë se një e pesta e deputetëve në zbatim të germës c) të nenit 134 të Kushtetutës, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 148/a të Kushtetutës. Kështu fitohet akoma më shumë kohë edhe për të mundësuar shtyrjen e vettingut!

6. Përfundim
Nuk mund të besohet se Edi Rama do jetë aq i ndjeshëm me Llallën për t’i shtyrë mandatin atij, siç bëri pak ditë më parë me Visho Ajazi Likën, të cilin nuk e la në rrugë të madhe, por e propozoi për ambasador pranë NATO-s. Për një fakt shumë të thjeshtë: Ajazi vlen më shumë se sa Llalla!
Nga ana tjetër, duke qenë se ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 disponojnë mandatin 7 vjeçar për Kryeprokurorin, por “pa të drejtë riemërimi”, është për të ardhur shumë keq që Llalla nuk mund të riemërohet për një mandat tjetër, pasi me shumë siguri e gjithë klasa politike do e votonte atë me 100% të votave(!).