LIVADHISJA E HORRAKËVE

0
501

IDRIZ ZEQIRAJ

Fjala – livadhisje -, e cila përdoret, jo pak, në Shqipëri, është e baras kuptimshme me fjalën -sallamadi- në Kosovë. Ajo vjen nga livadh, që njeriu ecën shpengueshëm, pa pengesa. Më dendur është përdorur nga hetuesit e lëndëve politike. P.sh. ne, shqiptarëve të Kosovës na thonin: “Jeni mësuar me livadhisur ke Titua. Ne ju vëjmë fre. Kemi hekura dhe burgje!”

Sigurimsat, hetuesit, nuk kishte rëndësi çfarë arsimi kanë. I kishin mësuar 4 – 5 nene të dënimeve politike dhe kaq! Rëndësi kishte të jenë të zellshëm për dajak, kundër “armiqëve të brendshëm”, “armiqëve të klasës!” Partiakët shqiptarë ishin shumë xhelozë, për lëvizjen e lirë të shqiptarëve të Kosovës, qysh në fund-vitet `60-a e këtej, në Evropë dhe botë. Akuza e gjithmonshme për regjimin jugosllav, ka qenë tradhtia ndaj rrugës staliniste.

Livadhisja e horrakëve në Facebok, portale e medie tjera, është bërë shqetësuese. Në të shumtën e rasteve shkrimet e horrakëve heshtën, qofshin ato edhe gjuhë-gjarpër, shantazhuese, kërcënuese, shpifëse e moralizuese, edhe pse janë larg të qenit të moralshëm.

1) Është kërcënimi i dytë i radhës që Gani Koci bënë për akademik Jusuf Buxhovin, për intervistat e tij, lidhur me Luftën e Kosovës dhe “komandantët” e saj. Në emisionin “Reprizë”, Profesor Buxhovi ishte i drejtëpërdrejtë se disa komandantë vranë në emër të UÇK-së, burrat dhe djemtë luftëtarë të përzgjedhur, pëfshirë edhe ministrin e luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin. Dhe, tani, për krimet e tyre makabre, akuzojnë Gjykatën Speciale, se “po dënon UÇK-në!” Broçkulla e pisllëqe!

Gazetarja e pyet Profesor Buxhovin të japë opinion për veprimet e Hashim Thaçit, si president i vendit? Dhe, Buxhovi është i prerë, pa ekuivoke, se “Presidenti Thaçi vuri në mëdyshje pavarësinë, shtetësinë e Kosovës, me gadishmërinë e tij për korrigjimin e kufinjëve. Këto janë pazare të dyshimta, duke qenë edhe nën frikën e Gjykatës Speciale”. Dhe, pyetjes se me cilën figurë historike shqiptare e krahason? Profesori, me bindjen e plotë, thotë “me Esat Pashë Toptanin, veçse shkon përtej tij, për rrethanat e sotme”.

Deputetët e LDK-së, me aleatë, të viteve 90-a, por, edhe dëshmitarë të tjerë okularë, thonë se Gani Koci, me skuadrën e tij kriminale, i dajakosi ata, duke qenë durlidhur. Dhe, vetëm rastësia, ndërhyrja e shpejtë e ndërkombëtarëve, i shpëtoi nga ekzekutimi. Kjo shënon sabotimin faktik të luftës, si metodë parësore e pushtuesit serbo-sllav, për ta përçarë faktorin politik dhe ushtarak të Kosovës.

Kërcënime të ngjashme, si të Gani Kocit, kanë bërë edhe “komandantët”, para se t`i ekzekutonin kuadrot e LDK-së dhe ushtarakët e FARK-ut të Ibrahim Rugovës.

2) Humbja e skuadrës përfaqësuese të Kosovës, me përfaqësuesen angleze, u kompensua nga loja korrekte dhe pritja fort miqësore, e bërë për ekipin dhe fansat britanikë në Prishtinë. Mediet shkrimore dhe vizive në botë, e pasqyruan mikpritjen shqiptare, si krejt të veçantë në hapësirat ballkanike dhe evropiane.

Këtë mikpritje, sa të natyrshme, aq edhe të veçantë, provoi ta njollosë çika llapjane, mbesë e një familje emërmirë të Drenicës, përkatësisht, Radishevës historike, Vlorë Çitaku, tani, ambasadore e Republikës të Kosovës, në SHBA. Namuzlesha Vlorë e quan “pritje të turpshme”, atë rrjesht vajzash engjëllore, me lule në duar, për t`ua dhuruar djemëve sportistë të Anglisë mike. Ka mjaftuar reagimi i vrazhdët i ambasadorës Çitaku, për të shpërthyer horrakët në Facebook-ët e tyre, si: “sportistët, bashkë me lulet, t`i marrin edhe vajzat në motel, ndoshta ua japin nga 50 euro” dhe rrugaçërira të tjera të ngjashme.

Reagimi i diplomatës ishte më së paku diplomatik. Sepse, me nguti dhe papjekuri qumështore, shkel mbi një traditë të hershme dardane, të trashëguar dhe të ruajtur, madje, me fanatizëm, deri sot dhe kësaj dite.

Ajo që e rëndon më shumë ambasadorën Çitaku, është fenomeni i harresës historike! Vetëm 21 vjet më parë kryeministri Tony Blear, në emër të Mbretërisë së Bashkuar, ishte dora e djathtë e presedentit amerikan, Bill Clinton, në vendimin për të ndërhyrë ushtarakisht me forcat e NATO-s. Në vitin 1999, kur Clinton dhe disa shtete evropiane, po hamendëshin, nëse duhej vazhduar apo ndërprerë sulmet ajrore, mbi caqet vitale në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, përfshirë edhe logjistikën serbe, në Ambasadën kineze në Beograd, ishte Tony Blear, ai që “hodhi bombën”: “Jam gadi të marshoj në Kosovë me 300 mijë ushtarë këmbësorë të Mbretërisë Britanike. Për vazhdimin e bombardimeve ngulmonte edhe gjenerali Wesli Clark.

Javën e shkuar Ambadsada e Britanisë dhe Institucionet e Kosovës, përkujtuan ushtarët britanikë, të rënë në Kosovë. Nëse hyrja e trupave britanike do të bëhej tokësore, vetëkuptohet se numri i ushtarëve të vrarë, do të ishte i shumtë. A thua ambasadorja, Vlorë Çitaku, nuk ishte në dijeni të këtij përkushtimi sublim të Qeverisë dhe Ushtrisë angleze?!? Atëherë, mos vallë, pritja e sportistëve ishte e tepërt, madje, “e turpshme”, qysh e cilëson, fatalisht e marrëzisht, ambasadorja jonë – par ekselance – në shtetin e parë botëror?!

Opinioni gjithëshqiptar është shokuar nga deklarata skandaloze e ambasadorës Vlorë Çitaku. Prandaj, është logjike dhe në kulturën diplomatike, që ambasadorja të bëjë një kërkim-falje publike. Kjo do të na lehtësonte, jo vetëm si Kosovë, por edhe si komb, që të mos e marrim damkën e bukëshkalit. Përkundrazi, duhet të jemi mirënjohës, karshi miqëve tanë çlirimtarë faktik. “Bukëshkalët i urrej po aq sa edhe armiqtë”,- thoshte gjenerali freng Napoleon.

3) Thonë se inati është ves, kryesisht, i njerëzve të pa shkolluar, të pa emancipuar. Por, ta kenë këtë ves aq të fortë intelektualët, deri edhe akademikët, nuk e kam besuar. Këto ditë ishte në një emision Profesor Agim Vinca, bashkë-student me Ibrahim Rugovën. Gazetari, jo rastësidht, i bëri pyetjen se si ishin marrëdhëniet e tij me Ibrahim Rugovën? Profesor Vinca u përgjigj “normale”.

Realisht, si shok klase me Rugovën dhe si mik i rinisë, e di mirëfilli se marrëdhëniet Vinca-Rugova, nuk kanë qenë fare të mira, madje, deri në polemika publike, në shtypin e kohës. Ibrahim Rugova, duke qenë në drejtim të shtypit studentor, afroi si bashkëpunëtorë: Eqrem Bashën nga Dibra, Rexhep Ismajlin nga Presheva, Hajrullah Kololiqin nga Kraja (Ulqin), Sabri Hamitin nga Llapi dhe të tjerë, por, jo edhe Agim Vincën.

Dhe, në rrjedhë të emisionit, njësoj si kipsi i tij akademik, shfryu inatin, pezmin kundë Presidentit Ibrahim Rugova. Përjashto dy-tri vitet e para të viteve `90-a, gjithëçka tjetër e nxiu. “E poshtëroi Kosovën, bëri zgjedhjet në prag të luftës, nuk shkoi në Qirez, Likoshan, Prekaz, e quajti UÇK-në dorë e zgjatur të Serbisë!” Të gjitha këto akuza, të halabakëve të LPK-së, disa nga krerët e së cilës kanë qenë dhe mbetën dorë e zgjatur të Serbisë, janë demantuar bindshëm dhe me fakte të bollshme.

Ishin këta “kumandarë”, që sot akuzohen për vrasjen e luftëbërësve shqiptarë, qofshin ata kundërshtarë politikë, qoftë edhe brenda llojit, për rivalitet në karrierë, të cilët imponuan zgjedhjet në atë kohë, sepse e kontestonin Presidentin Rugova, për skadim të afatit presidencial. Dhe, me zgjedhje plebishitare, me votim nga populli, u provua ligjshmëria e tij e mëtejme. Për viktimat masive në Drenicë, Presidenti Rugova shpalli zinë kombëtare. Vizita ishte krejtësisht e pamundur, për shkaqe sigurie. Janë “komandantët” e LPK-së, tani, të PAN-it kriminal, që donin kokën e Rugovës, duke e shenjëstruar, madje, me armë të rënda, në Rezidencën e tij, në rrugët e Prishtinës. Gani Koci me komandantët e tij, e paralajmëronte Presidentin Rugova se “po kalojë “Kronin e Mbetit”, do ta gjuajmë me top, sepse vizita e tij në Prekaz, është rivrasje e Adem Jasharit!”

Hafijet e hershëm dhe të vonshëm të UDB-së, pasi kishin siguruar vetën dhe familjet e tyre, në Evropë, kërkonin ta fusnin Kosovën në luftë, kur ajo ishte ende e papërgaditur dhe pa mbështetjen e duhur ndërkombëtare, gjë që do të ishte fatale për Kosovën dhe popullin e saj. Edhe personalitete të njohura, si Dr. Sali Berisha, Dritëro Agolli, Ismail Kadare e ndoca të tjerë, kanë pasur vërejtje për “rezistencën paqërore të Rugovës, për shkollimin e fëmijëve të Kosovës në podrume” e tjera. Por, ata, të gjithë, patën burrërinë dhe intelektualitetin, ta pranojnë se “gabuam që kritikuam Rugovën, sepse e drejta ishte në anën e Tij” dhe kërkuan falje publike. Për më shumë, shkrimtari socialist, Dritero Agolli, deklaronte se Unë me Sadijen time kemi hapur – Të pame -, për shuarjen fizike të mikut tonë, të madhit Rugovë dhe po presim njerëzit për ngushëllime.

Merrni mësim nga mendjendriturit, o qyqarë e zuzarë profanë e provincialë, inatçinj të papërmirësueshëm të shekullit digjital!