Kritikë letrare:
LIRIKAT E TREMBURA
Nerxhivane Sejdiu – Ferati, ”PËRSE JETOJ“, poezi, botoi Shtëpia e librit “OMBRA GVG“,
Tiranë 2005, faqe 66. ISBN: 99943-850-8-8
Poezia e Nerxhivane Feratit, është një poezi e shkruar me kujdes të shtuar, motivet e saj janë të përjetuara deri në thellësi shpirti. Andaj, janë të rralla ato autore, të cilat qysh në librin e parë e kanë latuar kaq mirë vargun estetik, ku del në pah një shprehje elokuente nëpër lirika, në aspektin estetik të realizuara mirë.
Kjo vlerë letrare, bënë për ta veçuar autoren, e pse jo edhe për t’ia pasur edhe zilinë. Kjo poezi më duket se ngjason me letrën e lakmuesit, në proceset kimike, letër e cila duhet të ndryshoj ngjyrën nga tretja në tretje, ndërsa këtu përjetimet transformohen nga poezia në poezi, nga motivi në motiv, duke e kthyer lexuesin nëpër ngjarje dhe bëma që i ka kaluar jo vetëm poetesha, por i tërë brezi i saj.
Megjithatë një poezi kaq e çiltër dhe e realizuar me këtë kujdes do komplimente, të paktën, siç thamë, për shprehjen elokuente, për ndjenjën aq të stërholluar, për beftësinë e rrëfimit dhe sidomos për larushinë e vargut tematik. Natyrisht mënyra e rrëfimit poetik, mbetet një shprehje e veçantë e poezisë së Nerxhivane Feratit, andaj vargu, përkatësisht poezia e saj duhet të ndikoj edhe në emancipimin e shoqërisë.
Ajo, nëpër poezi shpërthen me një ndjenjë të përjetuar thellë, pastaj kjo poezi posedon një lirizëm të hollë, ka elemente të beftësisë mahnitëse, ndërsa lexuesve të saj ua bënë të qartë, se sa thellë ajo i ka përjetuar ngjarjet, dhe me sa mjeshtëri ka arritur ta bëjë transplantimin e ndjenjës me mënyrën e shprehjes, për tu dukur motivi i atij përjetimi, edhe para lexuesit i virgjër. Ndërsa në këtë përpjekje, poetesha mbetet një katalizator, ose me shprehje letrare, një vëzhguese e sinqertë e këtyre proceseve.
Vargu i saj ka një mesazh të qartë, ka një ritmikë e muzikalitet përjetues dhe shumë të veçantë sepse “Malli për të/ shkrin dëborën”, e kur atë mall e zbrazi mbi letër “Letra s’e mbajti dot/ e shtrydha, pikoi lot”, ndërsa “Te fshati i Kosovës sime të fluturoj,/ Dhe në kanxhën e tij të vjetër e të ndryshkur/ Vazhdimin e jetës të ankoroj”, poezia “Malli për vendlindjen”, faqe 33.
Nga kjo na duket se autorja nuk vargon kot së koti, ajo e ka një qëllim të cilin ose e vë qysh në fillim të poezisë, ndërsa shpjegimet vijnë në fund, ose të sjell vërdallë për të kuptuar esencën dhe qëllimin e motivit tek në strofat dhe vargjet e fundit të poezisë, por se ka një logjikë të rrjedhshme këtë nuk mund ta mohoj askush, bile të rralla janë poeteshat me këtë gamë prurëse, e cila duket si një katarakt i kreshpëruar, ku nga ngjarja në ngjarje, nga bëma në bëme, nga përjetimi në përjetim, poezia si në shuplakë të dorës, pasqyron qëllimin e motivit. Për të kuptuar pse ajo shkruan dhe ku qëndron esenca e shkrimit poetik, do të ishte mirë një rilexim i serishëm dhe më i përkushtuar i kësaj poezie. Të kësaj natyre janë poezitë: “Ditë mërgimi”; “Abstrakte”; “Mos”; “Hija jote”; “Gjuetari i zemrës sime”; “Shqip”; “Para pasqyrës”; “Kapela”, e ndonjë tjetër vargjet e të cilave janë cituar e theksuar edhe brenda këtij shënimi kritik.
Duke i lexuar këto vargje të cilat herë herë shushurijnë si pikla uji, herë si rrebeshe shiu, e herë herë na shfaqen si ortekë bore, por gjithkund e gjithkah duket një latim, një stërhollim i vargut poetik me të cilët mund ta krijojmë një tekst të fuqishëm metaforik: “Aty ku më puthe, plagë dashurie u bë, dora ku ti preke, filiz të trupit thau. Pse të desha, s’pata faj, pse më deshe nuk ke humbur, kaloje ylberin e heshtjes, më bëjë prapë të lumtur. Tundimit s’i bëj ballë, nuk më flihet po s’të pata pranë, nuk zgjohem, po s’më puthe ti”, ose “ke frikë nga dashuria me shikim, apo të pranosh, se dashurinë je në kërkim, të jem unë ajo që do të të lumturoja, nëse s’do të ndodhte kështu, edhe pse e kam kuptuar, se s’jam njeriu i duhur për ty”.
Prandaj ajo shkruan: “Në qoftë se më ke dashur/ Dhe kur më ke pritur,/ E unë nuk të kam ardhur,/ Të lutem mos më kujto”, poezia “Mos më kujto”, faqe 40, e diku më tutje ajo shkruan “Si imazh i lagur ti erdhe/ të më ngrohje përsëri,/ Ndonëse me duar të hapura,/ Pse s’të prita s’e di”, poezia “Shiu i asaj nate”, faqe 47. Të cilat si tërësi kanë përjetime lirike të pranueshme ndonëse jo pak edhe me vendime ekzekutuese, që ndërtojnë një mesazh tragjik(?!), sa lirik po aq metaforik.
Sipas kësaj game, mund të konstatojmë se Nerxhivane Ferati, di pse shkruan, dhe për më shumë din pse jeton, andaj ajo paska ditur t’iu shpëtojë rrebesheve të jetës, sigurisht për t’i lënë këto mesazhe të pastërta, dhe për të na dhuruar një poezi artistike, të cilat jo që e bëjnë atë për tu dalluar, por mesazhi dhe motivi poetik gjatë për t’u kujtuar.
Kjo poezi me këtë çiltërsi, me këto hove e valë krijimi, është dashur që moti të zgjojë interesimin e kritikës dhe të kritikëve letrar, se mbase kjo poezi jo pak duket si valë deti të cilat herë ngrihen në përplasje e herë shtrihen me drithërima të akorduara aq mirë sa në aspektin përjetues dhe shpirtëror krijojnë një lloj rezonance që kujtohet gjatë, ndërsa poeteshën duhet për ta rreshtuar ndër ato zëra femëror që me kujdes të shtuar iu kanë qasur shkrimit të poezisë.
Vëllimi poetik “Përse jetoj”, është një dramë jetësore e kthyer në vargje poetike, një përpjekje për të mbijetuar dhe sigurisht ajo ka sfiduar bëma të jetës, por në poezi ia paska arrit qëllimit. E kjo poetesh për arkipelagun letrar e artistik ka dhënë dhe ka thënë të veten. Kjo poezi mund të përkthehet, sepse në përkthime eventuale mund të përfaqësojë një dramë të përjetuar nga një popull i tërë, dhe padyshim me dinjitet mund të përfaqësojë mendimin e latuar poetik, dhe karakterin e fortë, si dhe natyrën e poeteshës shqiptare, e cila si grua, përjetimet i ka melankolike, varg poetik të sforcuar, me të cilat ajo ka sfiduar ngjarjet e jetuara dhe të përjetuara edhe personalisht. Andaj Nerxhivane Ferati, si poete, si grua dhe si nënë duhet të ndjehet krenare për jetën e saj, veçmas për krijimin e poezisë, ashtu siç duhet të ndjehet krenare edhe si nënë për fëmijën e saj. Sepse fëmija dhe poezia janë krijesa të të njëjtit individ, veçse pjesa artistike, sidomos ky nivel i poezisë mund të ketë një jetëgjatësi tejdimensionale, shumë e sigurt edhe më afatgjate.
Jo pak lot e gjëma kemi në poezinë e Nerxhivanes, jo pak mallkime e ofshama, sepse si nxënëse ajo ka përjetuar helmimin serb, kur ishte nxënëse në shkollat e Kosovës, pastaj ajo ka përjetuar: Plagosjen e bashkëshortit, shtatzënësinë në kohë okupimi, luftën në Kosovë, dhe marshin e refugjates drejt një ferri ku nuk i dihej fundi. Po ashtu si femër, si autore do të ketë pasur dashuritë e saj, që bashkë me elementet e braktisjes në këtë poezi, vjen herë si përjetim real e herë emocional, kurse përmes fantazmës krijuese ajo jep mesazhin e qartë, me porosinë për të qëndruar dhe për të mos u dorëzuar, për të mos u thyer, e vetëdijshme se fitimtar do të bëhet vetëm ajo, përkatësisht ai, që nuk i ndërprenë përpjekjet për të fituar.
Vargu i Nerxhivane Feratit të sjell tek një fitore, qoftë kjo e përjetuar nëpër kohëra, apo qofshin vetëm fiksione filozofike ose mesazh poetike, për ta ndihmuar veten dhe për t’iu shërbyer lexuesve të kësaj poezie. Gjithsesi Nerxhivane Ferati, edhe në këto poezi ka derdhur lot, por edhe ka ditur t’i fsheh lotët e saj, aty dhe atëherë kur nuk duhej parë. Veçmas shihet përpjekja për t’i fshirë ata lot metaforik, ato dhembje të përjetuara, vetëm e vetëm sa për ta kthjelluar bebëzën e poezisë, për të parë udhën, për të vazhduar shtegun e suksesit, i cili edhe përmes këtyre vargjeve duket shteg artistik mirë i realizuar.
Pavarësisht nga lotët e derdhur, pavarësisht nga dhembjet e përjetuara, pavarësisht nga dënesjet e dukshme, ajo tash duhet t’i gëzohet jetës dhe suksesit të saj, edhe pse ka lënë një amanet poetik të përjetuar thellë: “Amanet nëse vdes një natë,/ Mos më varrosni, më lini mbi dhe/ Nëse djemtë ndonjëherë vijnë,/ U thoni se i prita aq gjatë”, poezia “Mos më quani të marrë”, faqe, 30-31.
Por a ka të bëjë poezia diçka me realitetin jetësor?! Sigurisht po?! Vlerat humane dhe njerëzore që duken në këtë poezi, jo pak i kemi gjetur tek autorja si vlera humane të materializuara në praktikë. Nerxhivane Ferati, mbetet një soj, brenda sojit krijues, për tu dalluar dhe veçuar. Ajo është një poete, një grua dhe një nënë që ka sakrifikuar në jetë ashtu siç ka bërë sakrifica të përkushtueshme për të latuar vargun poetik. Ajo ka dëshmuar se ka kulturë shprehëse mjaftë dalluese, sidomos ato poezi që kanë të bëjnë me jetën e saj reale, si element lirik ose ato poezi që janë pjellë e mendjes si strukturë fiziologjike që kanë sjellë përjetime emocionale, pastaj kanë të bëjnë me pulsin e zemrës, me timbrin e zërit, që tashmë duken vetëm si relikte artistike.
”Përse jetoj“ është titulli i librit, një pyetje sinjifikative e cila në brendësin e saj shtjellon filozofinë e mbijetimit, përpjekjen e autores për të pas sukses. Përmbledhja poetike “Përse jetoj” vë në pah përpjekjen e vazhdueshme për të krijuar esencën e të jetuarit. Një krijuese artistike që duhet inkurajuar, për të ditur edhe ajo se ia ka qëlluar, për t’ia shtuar vullnetin për të vazhduar në udhën e artit të shkruar, për t’u bërë tamam poete, siç është edhe me vetëm këtë libër.
Libri hapet me poezinë “Nënës“, një përkushtim i rrallë artistik, qoftë për ndjesinë që ka në raport me nënën: “Kur jam larg teje,/ Malli më bren për ty,/ Kur të kam pranë,/ Loti më mbulon synë”, e qoftë në raportin e saj artistik me poezinë që krijon. Ky konstatim, ky sekret artistik, ky përkushtim specifik, zbulohet në vargjet: “Ti e para ishe,/ që poezinë e ndrojtur ta besova,/ nga zemra jote e madhe/ frymëzimin e mora”, faqe 13.
Dashurinë e saj e përcillte edhe nata e errët që atë kohë kishte rënë mbi Kosovë: “Ti u ktheve në shtëpi/ nga pabesia plaguar/ duke kërcyer me një këmbë/ si nga vallëzimi sërish i shoqëruar”. Ky figuracion artistik është i pazëvendësueshëm, sepse i plagosuri mbahet për krih dhe shoqërohej nga duart tjera për të mos u rrëzuar, ndërsa poetesha këtë dhembje e transformon në valle, aty kur valltari kërcen sup me sup. Po nga kjo poezi kuptohet se ajo ishte duke pritur beben e saj të parë, ndërsa “Këmbën e vogël në cep barkut/ Nis ta përkëdhel me këngë/ Sa u dëgjua një daulle/ Ti, babai i të voglit,/ Kërceve me dy këmbë”.
Ky aspekt, i tragjedisë, i dhembjes dhe anës shpirtërore ngërthen një forcë, një stoicizëm që rrëqeth edhe tani mishrat, veçmas kur kuptohet se i plagosuri ishte valltar i ansamblit të vallëzimi, ndërsa ajo ishte e mbarësuar me një fëmijë që priste lindjen e tij, e në anën tjetër dhembja si fenomen shpirtëror nga plagosja e burrit dhe dhembja fizike që i vinte në bark nga fëmija, asaj i therë njëkohësisht zemra dhe barku, por ajo nuk e thotë dot, nga dhembja për plumbat në këmben e valltarit, as nga dhembja që i shkakton një këmbë e vogël, që ia shkaktonte shkelmimi nga i vogli në cep të barkut.
Po me këtë ndjenjë dhe përkushtim poetik, ajo arrin të përshkruaj halucinacionet e saj, atëherë kur ishte helmuar sa ishte nxënëse e shkollës: “Helmi më përpëlit në shtrat/ Të ngrihem, të eci s’më lejon/ Por që të thërras nënë, atdhe, liri/ dhe të ëndërrojë s’më pengon”. Poezia “Helmi serb s’m’i mbyt dot ëndrrat”, faqe 15.
Struktura e ndërtimit të librit ruan deri diku kronologjinë e krijimeve poetike si një lloj ekuilibri për ta nxjerr librin si tërësi të realizuar me shumë kujdes. Ndërsa metafora, si kompilim artistik, ndihmon në strukturën e vargut, për t’i dhënë kuptim më të qartë poezisë dhe për ta qartësuar më mirë mesazhin e poezisë: “Dritare e madhe/ e rrahur nga koha dhe shiu,/ apo ndoshta njeriu hallexhi/ nuk tregoi kujdes për të/ që aq shumë u vjetrua…”, poezia “Dritare e madhe”, faqe, 16. Këto vargje nuk paraqesin vetëm një kompilim artistik, as nuk prezantojnë vetëm imagjinatën e fantazisë, por qartë shihet se “prapa perdes prej tyli të vjetruar,/ një fëmijë pa fëmijëri, që i kishte rastisur/ të ishte fqinjë me perandorinë”, sodiste jetën aty afër, e si duket ashtu i uritur lëpinte “gishtat nga një shije e paprovuar”, që zbulojnë krejt atë dramën përjetuese të raporteve në mes klasave të shoqërisë njerëzore, vetëm se janë të shprehura në mënyrë artistike.
Elemente të shumta artistike ndeshen kudo por për konkretizim po shkëpusim vargjet: “Kam grumbulluar/ para perëndisë mallkimet/ më të tmerrshme që ekzistojnë,/ për shpirtin”, pastaj ajo shkruan “ndarja është si vdekja, / gjurmët kërkoj në kujtime,/ që ngjajnë si letra të zverdhura”, të cilat duhet të ikin nga kujtimet e hidhura që mbesin, prandaj si poete që është, këlthet: “Të lutem lufto dhe ti për mua”, poezia “Lufto dhe ti për mua”, faqe 18.
Këto elemente kaq artistike e bëjnë Nerxhivane Feratin, poete që në mënyrë artistike i paska regjistruar mallkimet dhe ofshamat të cilat janë pjesë e jetës: “Nuk dua më të zgjohem/ me kthimin tënd sërish,/ S’dua të jem e dënuar/ nga verbëria e dashurisë”, faqe 20, sepse ajo nuk pranon “që lumturia jonë,/ të ndërtohet mbi fatkeqësinë/ e të tjerëve”, faqe 21.
E, njëra nga poezitë më të mira, e cila është një baladë e përjetuar thellë, dhe që meriton të cilësohet poezi antologjike, është ajo me titull “Lumi”, faqe 22-24, e cila si poezi përkushtuese nuk ka të bëjë fare me fluiditetin, përkatësisht rrjedhshmërinë e lumit. Poezia ka të bëjë me elementin tragjik që përjetoi populli i poetes në prillin e vitit 1999, ndërsa ajo shkruan. “Mëngjes i hershëm prilli,/ Rreshta-rreshta, turma, tollovi,/ Tym flake e erë baroti gjithkah,/ Nuk mund të kuptohej,/ Vinin apo shkonin gjithë ata njerëz”…, e diku në atë mes duket edhe prezenca e vet poeteshës e cila shkruan: “Në këtë karvan biblik,/ U nis edhe nusja shqiptare,/ Me dy fëmijë u nis/ Në rrugën për të mos u kthyer më”.
Kjo baladë dramatike shtjellohet deri në detaje, e cila për shumë kë është e përjetuar në realitet, ndërsa rreshtat me njerëz e vargonjtë e gjatë, ”Në stacionin e trenit ndalonin,/ Si para një prite shpëtimi, / Linin pas shtëpitë, kujtimet/ E s’dinin ku do të vinin”, e diku mbi një binar treni një nënë, “Me qumështin e trembur/ Foshnjën e porsalindur/ Përpiqej ta vinte në gjumë”, kurse foshnja përpëlitej sa herë sirenat uturinin nga bombardimet e NATO-s, jo larg saj.
Në këto rrethana të trishtëta, padyshim “loti piku mbi fytyrën e foshnjës,/ E mjera, ia fshiu me dorën e ftohtë”, ndërsa si nënë ajo i belbëzoi flejë, duke përmendur emrin e djalit të vogël “LUMI, që vetë e kishte pagëzuar”, oh “Perëndi! – tha me vete/ Emri i djalit tim/ Me emrin e fatit të parashikuar?”, sepse jo pa qëllim poetesha ka theksuar se “Djali me emrin Lum,/ Lumenjtë e të dëbuarve s’do t’i harronte”, tashmë nëse gjërat i shohim në retrospektivë, kjo poezi do të duhej të emërohej “Karvani biblik”, pasi të gjitha vuajtjet, jo vetëm në këtë baladë, por përgjithësisht në realitet na janë trembur.
Elementin urban e gjejmë sidomos te poezitë “Mbretërit e së keqes” dhe ajo “Droga”; derisa në poezinë e parë sheh “Përmbysje, ngritje/ Ngritje, përmbysje/ Mbretëresha ime,/ Unë robi yt”…, për të vazhduar dramën e përjetimit të cilën e përmbyll me një ndjesi të rrallë: “Mbretëri, më vjen keq ta them,/ Se edhe qenin që mban lidhur te porta,/ Sikur e paska dënuar perëndia/ Të jetë qeni (përkatësisht robi) yt”. Po ashtu poeteshës zemra i dhemb kur “Sheh, trotuare dergjur/ Të rinj të droguar”, të cilët sipas saj ose janë “të gjallë, të pa jetuar”, ose janë “Të vdekur, të vdekur të pavarrosur”, ose janë “Të braktisur nga njerëzorja”, sepse “Kur (ajo) i sheh, e bëjnë të brengosur”, prandaj ata kanë mbetur ashtu si kanë mbetur, pasi: “Për çka u mungon dhe s’e arrijnë”, ose të paktën ata kanë frikë: “Për të ardhmen e cila i tremb”, poezia “Droga”, faqe 27.
Përfundim: Motivet e poezive janë të lidhura ngushtësisht me sfidat e jetës, me jetën në mërgim dhe me përpjekjen e pareshtur për të shpjeguar se “Vdekur/ Sa për të mos thënë,/ Edhe Zoti e harroi këtë”, poezia “Arsyeja e ekzistimit”, faqe 59. Por siç thotë edhe vet autorja se njeriu qenka një tren i tillë ku “Krijohet përshtypja se/ Njeriu qenka i përulur shumë, Po ta hipësh dikund, / Do të shkojë gjithkund”, poezia “Treni”, faqe 60. Kjo poezi duket si një epitaf lirik, i cili në mënyrë metaforike përmblidhet: Dashuria dhe poezia, tashmë janë kujtime publike, gjithçka nga kjo tani i përket lexuesit dhe letërsisë. E, në saje të kësaj metafore poetike është sqaruar edhe kuptimi real pse ajo shkruan, përkatësisht arsyeja e vërtetë e ekzistimit të saj!
St. Gallen, 10.01.2017.
SHËNIME PËR AUTOREN:
Nerxhivane Sejdiu- Ferati, (14.09.1072). U lind në Gaçkë të Ferizajt. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje kurse të mesmen, drejtimi matematikor programues në Ferizaj. Ka studiuar me korrespondencë Gjuhën dhe Letërsinë shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Me poezinë është marrë që në fëmijëri, duke shkruar dhe recituar. Jeton në Gjenevë me familjen e saj që nga viti 1999 ku edhe punon si mësuese e gjuhës shqipe për të huajt.
VEPRA E BOTUAR:
– “Përse jetoj“, poezi, Tiranë 2005.