LIRIKA PATRIOTIKE E SEREMBES

0
3937
Zef Serembe

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Motivi patriotik

Ky motiv zë një vend të rendësishem në poezinë e Serembes. Dheu i humbur i të parëve ishte bërë obsesion për shkrimtarët arbëreshë. Një temë e tillë ishte trajtuar edhe nga i madhi De Radë, Santori etj.

Vjershat që trajtojnë motivin patriotik, janë pothuaj të pakta, por të pasura në problematikë dhe në vlera artistike.
Në lirikën patriotike Serembe flet për ndjenjat patriotike, dashurinë ndaj atdheut të të parëve, për të ardhmen e arbëreshëve etj. Këtu bëjnë pjesë vjershat: “Rrotullupë” (vrull), “Detari”, “Zonjës Elena Gjikë”, “Për lirinë e Venetisë”.

Vjersha e parë me motiv patriotik e Serembes, titullohet “Për lirinë e Venetisë”, e shkruar në moshën 16- vjeçare. Pastaj vend të rendësishëm zënë edhe poezitë e motivit të njëjtë: vjersha “Vrull”, vjersha kushtuar “Zonjës Elena Gjika”, poezia, “Ali Tepelenasit” etj.

Serembe pasqyroi revoltën e intelektualëve arbëreshë pas bashkimit të Italisë dhe njëkohësisht pjekurinë më të madhe të lëvizjes çlirimtare të Rilindjes.

Ai ka meritën se jep kushtrimin për luftë kundër turkut jo më në mënyrë të tërthortë si De Rada, po hapur. Që në vjershën „‟Rrotullupë‟‟ (Vrull), e shkruar para vitit 1860, duket shqetësimi e padurimi me të cilët Serembe vështron fatin e atdheut. Në katër strofat e kësaj vjershe që është nga më të realizuarat për antitezat tronditëse, vrullin luftarak, koncizitetin e thjeshtësinë, shkrihen malli për atdheun e të parëve, dëshira për ta parë atë të lirë, urrejtja për pushtuesin, besimi në të ardhmen. Idetë e shprehura në këtë krijim të hershëm do të përshkojnë gjithë poezinë patriotike të Serembes.

Te vjersha „‟Rrutullupë‟‟ ndërthuren tri drama: drama e dobësisë së lëvizjes kombëtare në Shqipëri, drama e arbëreshëve si njerëz të lindur në dheun e huaj, që mendojnë me mall e nostalgji për atdheun e të parëve dhe drama e vetë poetit si njeri aktiv që nuk gjen fushë veprimi. Këtu kemi një tablo të natyrës e të gjendjes shpirtërore të poetit. Për ta dhënë këtë gjendje shpirtërore përsëritet në tri strofa fjala „‟zemër‟‟ me një rritje që jep dallgëzimet e ndjenjave të poetit deri në shpërthim:

Zemra do më plasë mua në gji….
Zemra m‟u shqerr nga tmerri…
Zemra nuk harron…

Poeti e identifikon veten me të parët e vet që ishin larguar nga atdheu, madje mund të thuhet, me tërë brezat e arbëreshëve që patën kaluar mbi atë dhe:

Arbëria matanë detit na kujton
Se ne të huaj jemi te ky dhe!
Shumë vjet shkuan! E zemra nuk harron
Që ne turku na la pa mëmëdhe.

Me një forcë të rrallë kontrasti Serembe vë ballë për ballë të kaluarën dhe të sotmen. Shqetësimi i tij rritet nga vargu në varg gjersa shpërthen në shigjeta ironie që duan të prekin sedrën
kombëtare:

Se ç‟ka qenë Arbëreshi po harron:
De s‟i vjen turp aspak, po rri e fle.

Në vjershën „‟Rrutullupë‟‟ pra këndohet vetmia në dimensionet e veta romantike: si vetmi personale dhe vetmi e kolektivitetit. E para e afron Seremben me romantikët evropianë, kurse e dyta mundohet ta bëjë të ngjashëm me vëllezërit
shqiptarë:

Arbëria matanë detit, na kujton
Se ne të huaj jemi te ky dhe!

Këlthet Serembe në shumës, duke pasur për bazë idenë dhe emocionin e kolektivitetit arbëresh.
Serembe si lirik i kulluar nuk predikon asgjë, por vetëm shpreh dhe rikthehet në vetvete.
Vjersha „‟Rrutullupë‟‟ nis me vargjet:

Zogj të bukur këndojnë me hare
Po zemra dome plasë mua në gji.

Duke treguar një konflikt të së brendshmes me të jashtmen ai thekson një gjendje ekstreme emocionale. Dhe dy vargjet në vijim, të lidhura në katrenë portretizojnë vetminë individuale, si pamje shpirtërore e romantikut:

I helmuar shkoj jetën te ky dhe:
Mërzitem në katund, në vetmi.

Zemra e plasur, vetmia, mërzia, është një rend figurash kaq të ngjashme apo të njëjta me ato të poezisë franceze të fundit të shekullit XIX. Serembe do të kërkojë ndërrime kolektive për t‟u vetëdijësuar për humbjen:

Hakmarrja na jep shpresë e na ndriçon,
Po fryn era dhe akulli më zë.

Në këtë mënyrë në poezinë e lirikut të madh humb peshë klithja kolektive përballë thellësisë së dhembjes personale për të krijuar portretin e vetmisë së thellë, që nuk do të gjejë ngushëllim.

Kështu njëlloj si jeta e tij, poezia e Serembes është një elegji, një këngë e dhimbjes dhe e pësimit. Idetë e shprehura në këtë krijim të hershëm do të përshkojnë tërë lirikën patriotike të Serembes duke marrë gjithmonë një tingëllim të ri e një hapësirë më të gjerë.
Në vjershën „‟Detari‟‟ gjejmë heroin luftëtar për çlirimin e atdheut jo më si figurë historike, por si luftëtar të ditës, si hero qytetar dhe në këtë kuptim mund ta quajmë këtë vjershë ndër më të përparuarat e Serembes dhe të asaj kohe.

Megjithëse shtjellohet brenda një kornize konvencionale, të cilën mund ta ketë përcaktuar ndikimi nga folklori (një detar lë vashën dhe shkon të luftojë për lirinë e atdheut nuk kuptohet ku dhe si), vjersha është aktuale për problemet që ngre. Atë e përshkon ideja e lartë e vënies së inetersave të atdheut mbi ato vetjake.

Ti vash‟ tani e di
Se I yti më nuk jam:
E vërejta një yll u‟I zi
Për t‟I shërbyer kam.
Kur dita zbardhon qiellin
Detari ëndrrat harron,
E ka për nuse flamurin,
Detit për dashuri i këndon.

Konflikti midis të veçantës dhe shoqërores zhvillohet në plan lirik dhe zgjidhet në përputhje me karakterin ndikues të letërsisë arbëreshe, ku heroi është, para se gjithash, qytetar.

Në vjershën kushtuar Dora d‟Istrias, „‟Zonjës Elena Gjika‟‟ ndihet një notë e re në letërsinë tonë, hedhja e parullës së bashkimit të të gjithë popullit shqiptar në luftë të armatosur kundër turkut dhe parashikimi i ditës së lirisë.

Dëshira për liri kombëtare në shpirtin e poetit është e pashkëputur nga dëshira për lirinë e të gjithë popujve. Prandaj ai u këndon me entuziazëm lëvizjeve çlirimtare të popujve të tjerë, duke ndier krenari të ligjshme për rolin që kanë luajtur shqiptarët në këto lëvizje („‟Për lirinë e Venetisë‟‟, „‟Koroneu‟‟).

Poezia e Serembes me tematikë patriotike shquhet për optimizëm, për frymë luftarake dhe për besim të patundur në të ardhmen e lëvizjes kombëtare.

Poezinë „‟Për lirinë e Venetisë‟‟ poeti e kishte shkruar në moshën 17-vjeçare. Kjo është nga poezitë më të bukura të Serembes për vlerën artistike, për vrullin dhe ndiesitë që shpreh poeti në të. Në këtë vjershë ai hedh kushtrimin për luftë kundër tiranisë. Me një shprehje të fuqishme lirike shfaqen idealet dhe optimizmi i poetit për ngadhnjimin e lirisë. Entuziast për bashkimin e Italisë, ai këtu i fton arbëreshët në luftë për çlirimin e Venetisë dhe Lombardisë nga austriakët.

Po duke menduar për çlirimin e Italisë, Serembe s‟harron për asnjë çast atdheun e të parëve, Shqipërinë dhe kryetrimin legjendar Skënderbeun. Luftën për liri e bashkim kombëtar të Italisë ai e lidh me luftën për çlirimin e Shqipërisë. Arbëreshët që luftojnë nën udhëheqjen e Garibaldit janë shpresë edhe për atdheun e stërgjyshërve të poetit. Në vjershë shquhet marshimi triumfal i çetës së luftëtarëve të lirisë prej nisjes për në luftë e gjer te kthimi ngadhnjimtar në fshat.

Vjersha „‟Për lirinë e Venetisë‟‟ është ndër më të bukurat e lirikave të Serembes. Aty poeti shfaq gëzimin se për bashkimin e Italisë në luftën për çlirim bashkë me italianët marrin pjesë edhe arbëreshët, që kështu, nën udhëheqjen e Garibaldit, me heroizëm e nderojnë emrin e Skënderbeut dhe historinë e atdheut stërgjyshor:

Marmi udhën! Fjuturomi
Te bejleku të gjëmomi!
Skanderbeku edhe gëzon
Te parraisi ku pushon.
Shef se shpresa jemi e qemë
T‟Arbërisë ku s‟u ljemë…
Udhën bëmi ndë pak mot
Se na ndihën Yn Zot

Mahnitëse për bukurinë e saj të ashpër dhe rrënqethëse për forcën e madhe të kontrastit është soneti „‟Ali Tepelenasit‟‟ në të cilën na jepet aq preraz dhe me mjeshtri portreti i luftëtarit të patundur dhe despotit të madh, Ali pashë Tepelena. Lind pyetja se si ka mundur poeti të shpreh gjithë atë pasuri ndjenjash të fuqishme e mendimesh të mëdha brenda kufijve të ngushtë të një soneti. Është e çuditshme se si ka mundur ai të zbërthejë vetëm në 14 vargje atë kontradiktë historike në personalitetin e Ali Pashait dhe të krijojë kontraste aq të rrepta artistike. Kjo është mrekulli.