LIRIKA E DASHURISË E SEREMBES

0
11367

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Motivi i dashurisë
Motivi i dashurisë zë një vend të gjerë në poezinë e Serembes.

Në thelb poeti e sheh dashurinë si forcë jetësore, si burim lumturie. “Motivi i dashurisë … është një nga motivet qendrore të poezisë së Zef Serembes”. Një mendim i tillë pasqyrohet në vjershat që i këndojnë lindjes së dashurisë (“Kënga e dashurisë së parë”, “Këngë e gëzueshme”, “Fytyra e saj”). Pra, dashuria intime përbën boshtin më vital të kësaj bote shpirtërore dhe intelektuale. Dashuria në veprën poetike të Jeronim De Radës, të Gavril Darës dhe të Zef Serembes rrezaton spektër të gjerë kuptimor dhe e shtrin funksionin nxitës dhe zbutës në gjerësinë e jetës së përditshme; përpos që shpreh, kap dhe fikson artistikisht çaste të zjarrit më të fuqishëm dhe më magjik emocional, përpos që monumentalizon lumturinë më hyjnore, përkatësisht vuajtjen më dramatike, ajo frymëzon dhe vë në lëvizje aktive botën morale, intelektuale, patriotike, luftarake, ideore etj. të qenies arbëreshe.

Zef Serembe është liriku i parë i madh në letërsinë shqipe. Ai është një poet që poezinë e identifikon me lirikën, madje me atë të dashurisë, si këngë të mallit, e në këtë vështrim nëpërmjet të subjektivizmit e përforcon teorinë për lirikën si gjini personale dhe universale njëkohësisht. Aq sa largohet nga tipi i romantikut shqiptar, si De Rada, po aq Serembe afrohet me lirikët e mëdhenj të Evropës Perëndimore.

Poeti Zef Serembe pati tri dashuri të mëdha: Atdheun, Vashën, Natyrën. Mbi bazën e këtyre tri temave të mëdha ngrihet dhe klasifikimi i ligjërimit lirik të Serembes. Siç na është njohur, Serembe ra në dashuri në moshë të re me një bashkëfshatare të tij, e cila më vonë u shpërngul familjarisht në Brazil dhe vdiq pak kohë mbas arritjes atje. Për këtë vashë ai nuk do të prajë së shkruari gjatë gjithë jetës. Kështu, ai mediton për jetën e për fatin, për femrën e për mallin e parë, për dashurinë e për vdekjen. Në këtë nivel të të ndjerit e të të menduarit vasha e tij duket sa e afërt, aq edhe një figurë abstrakte e dashurisë, që nuk lidhet as me kohën e as me vendin, por bie përgjithnjë në shtratin e përjetësisë e të paskajësisë. Ajo nganjëherë kap misteriet e Mona Lizës e herë – herë kadencat e këndimit të Laurës së Petrarkës. I zhytur në këto dilema të thella të mendimit, Serembe do t‟i këndojë “Zonjës Lule”:

O vashëzë mes-hollë, koha shkon
Dhe, posi lulet, zhduket dalngadalë
Hiri që si pranverë të zbukuron.

Ku, poti, menjëherë ngre figurën e vet paralele, tashmë si
dëshmi:

Jeta më vrau fort mua të zinë.

Te tingëllima “Fytyra e asaj” bashkohen në mënyrë imagjinative dashuria dhe bukuria, dy mitet e mëdha të poetit. Vargu i parë dhe vargu i fundit japin gjithë thelbin e tingëllimës “Fytyra e
asaj”:

Si vajza ime e bukur s’ka asnjë

Dhe:

Edhe kur qesh, sikur të ngre në qiell

Këto vargje japin portretin dashuror, lidhjen fantastike me vashën, e cila e shpie poetin nga një gjendje tokësore në një gjendje të re të ngritur shpirtërore, që do të thotë ikje nga gjendja e rëndomtë.

Pra, fytyra e asaj, e vashës, krijohet duke i lidhur bashkë cilësitë fizike e shpirtërore, prandaj këtu nuk ka vetëm përshkrim, por dhe elemente emocionale – dashurore – pëlqyese që hyjnë në cilësim. Ajo e hollë dhe e drejtë, shkon si zogë, ka zë plot harmoni; gërsheti i zi i shkëlqen, balli i shkëlqen dritë, sytë e zez janë të përmallshëm e i shkëlqejnë si hënë, ka hundë të drejtë, ka buzët si merxhan, dhe ajo që është më e thellë, dhe përfundimtarja: kur qesh të shpie në qiell.

Në këtë paraqitje psikofizike të fytyrës së vashës së tij, mund të vërejmë se përshkrimi i Zef Serembes shpie më tepër kah bukuria ideale, që do të ishte qerthull i dashurisë së zjarrtë.

Kjo zjarrmi poetike do të krijojë variantet e këngëve të dashurisë si këngë të mallit, madje të mallit të parë, duke kaluar në llahtari, për të krijuar këngën e mallit si tip paralasgushian të letërsisë shqipe.
Stratikoi thotë bukur se Serembe ”ka qenë si zogu që këndon duke fluturuar, dhe që, duke kënaqur udhëtarin, i cili e dëgjon, nuk le pas vehtes veçse jehonën e ëmbël të melodive të tij të këndëshme”.

“Motivi i dashurisë zë një vend të gjerë në poezinë e Serembes. Në thelb, poeti e sheh dashurinë si forcë jetësore, si burim lumturie”. Motivi i dashurisë për atdhe mplekset shpesh ose shkrihet me motivin e dashurisë për vashën. Nota zotëruese e kësaj poezie është lektisja. Më se gjysma e vjershave i kushtohen dashurisë së tij të pafat. Një mendim i tillë pasqyrohet në vjershat që i këndojnë lindjes së dashurisë, si: Kënga e mallit të parë, Kënga e gëzueshme, Fytyra e asaj, kur, në këngët e para të dashurisë, Serembe është plot gëzim e optimizëm. Ai gjen vashën e zemrës, e dashuron dhe ajo i përgjigjet kësaj dashurie:

Dëgjo vashë, kangjelën e parë,
Që ta thotë një djalë bujar.
Dëgjo vashë këtë kangjele,
që është e butë porsi dele.

apo:

Po kjo zemër u gëzua,
kur një vashëz u tregua.
Kur te sheshi ajo po shkonte
tërë sheshi dritë lëshonte. (…)
(Kangjela e mallit të parë).

Lirika erotike në poezinë e Zef Serembes zë vend të rëndësishëm në mos kryesor. Krahas asaj refleksive dhe patriotike, tema e dashurisë edhe artistikisht është më e frymëzuara dhe, mbase më e realizuara (…) “Poezia në përgjithësi, e vargjet e zhanrit erotik në veçanti, qenë, mbase, i vetmi ngushëllim për shpirtin e pasur dhe tejet të ndjeshëm të poetit.”, thotë studiuesi i letërsisë Ali Aliu, për të vazhduar “ Ndër shumë poezi të realizuara me cilësi të lartë artistike, si “Kënga e mallit të parë”, “Elegji”, “Më të bukurës që është në Strigari”, “Malli”, etj.

Për këtë rast veçuam vargjet e vjershës “Fytyra e asana”, që është një portret i fuqishëm
poetik: “E bardha vashëza ime e bukur është/ e prerë, e hollë si kumbull shtuara rri/ kur ecën vetë si zogë e them se më/ ngre zërin plot me jonësi (harmoni) (…). Poeti arbëresh shpreh, nëpërmjet të formës së sonetit, me vija të zëshme botën komplete të vashës që e adhuron”. Lirikat e tij të dashurisë, disa kushtuar vajzës që kishte dashur, përbëjnë një ditar të vërtetë të zemrës së tij, për shembull “Kënthimë tharosi”, e njohur si Kënkë malli:

Më rri e zemëruar, s‟di seç ke,
O e të bjerrës Parajsë molla më e mirë.
Më thuaj ç‟të kam bërë e pse më le,
Se jetën shtyj me zor pa asnjë dëshirë.
Sa e trishtuar që më shkonte dita,
Kur ninëzat me gas nuk pash ndër sy,

Ma mbushnin shpirtit, rrezëllinte drita, Dhe dallgë malli më zgjonin në gji.

Dhe ballin e qëndisur rrezesh dielli
Nëpër dritaren tënde më s‟e pash,
Dhe as të hijshmen buzë, lule qielli,
Sikur më humbe fare, mori vashë!
(…) (Përkthyer nga Perikli JORGONI)

“Poezia e Serembes çeli një udhë të palëruar në letërsinë arbëreshe, edhe në trajtimin e temës së dashurisë. Është e vërtetë se në poemat e De Radës gjejmë edhe këngë dashurie – xhevahirë lirikë – si “vjershat” e Rinës në “:Këngët e Milosaos”, apo kënga e Bozdarit për Serafinën te “Një pasqyrë e jetës njerëzore” ose te kënga që Miloshini i drejton Agatës në “Skanderbekun e pafan”, por këto janë në funksione të karaktereve të personazheve (…).

Lirika dashurore e Serembes solli diçka krejt të re në letërsinë arbëreshe: analizën e hollësishme psikologjike të ndjenjës së dashurisë (…) Serembe përkundrazi zbulon pasurinë e ndjenjës së dashurisë, e pasqyron atë në aspektin e shqetësimit mundonjës, të mallit, të gëzimit, të ekstazës së kujtimeve; e sheh në aspektin e adhurimit të ndrojtur dhe pasionit të zjarrtë; Duke qenë poezi e dashurisë fatkeqe, poezia erotike e Serembes bazohet mbi kontraste të vazhdueshme që kanë edhe ato larminë e vet; k o n t r a s t m i d i s d a s h u r i s ë s ë p o e t i t dhe mospërfilljes së vajzës, kontrast midis brengës së dikurshme dhe gëzimit të sotëm, apo midis l u m t u r i s ë së d i k u r s h m e dh e t r i sh t i m i t të s o t ë m.”

Vjershat e Serembes me përmbajtje erotike që i kemi të përkthyera e të njohura deri më tash janë: Kënga e mallit të parë, Malli, Vashës së largët, Më të bukurës në Strigari, Elegji, Këngëtari dhe bilbili, Fytyra e asaj, Këngë gazmore, Zonjës Lule, Serenatë, Këngë malli, Kujtim, Këngëtari i dashuruar, sikundër edhe vjershat: Një vajze të panjohur refugjate, Fantazi, Dashuria ime e parë, Asaj që dikur më deshte, Këngë lumturie, këngë dashurie, e ndonjë tjetër, të cilat mund të jenë si variante të poezive të tjera, të këtij motivi, me tituj të tjerë .
“Kujtim” dhe “Elegji” janë dy kryeveprat e lirikës dashurore të poetit që qëndrojnë si të tilla në fondin e artë të erotikës shqiptare. Kujtimi është një nga vjershat më tipike romantike të poetit, ku motivi i vetmisë, aq i dashur për romantikët si dhe nostalgjia e joshja nga bota e kujtimeve, kanë gjetur një shprehje origjinale. Vjersha zbulon një kontradiktë që karakterizon gjendjen shpirtëtore të Serembes. Në të gërshetohen momentet e fatalizmit me tablotë plot dritë e gjallëri të dashurisë, që jepen nëpërmjet kujtimeve të poetit. Kontrastet e forta mbi bazën e të cilave është ndërtuar poezia, shprehin në mënyrë të gjallë dhimbjen e thellë të poetit, iluzionin e tij të përkohshëm se po i kthehet lumturia e shkuar dhe dëshpërimi i dyfishtë, kur zëri i arsyes i thotë se vasha e tij nuk do të ngrihet më nga varri.

Në fillim poeti kërkon ta shuajë brengën me ëndrra, po këto zhduken si fluska përballë realitetit të ashpër. Ai atëherë kërkon një strehë në kujtimet që i shfaqen si vegim, me ngjyrat më të bukura:

E ja nga buza vasha ime nxjerr
Fjalë të ëmbla e puthje pa mbarim
Gjithçka për rreth mbushet me gëzim
Kumbon bota, e mbushet me hare
Se vasha m‟u kthye nga i huaji dhe.

Mirëpo, poeti shpejt zgjohet edhe nga ky ëndërrim. Ai i sheh me sy më tepër kritik iluzionet e veta, por, megjithatë, nuk e mohon jetën. Përkundrazi ai kërkon që fytyra e vashës së vdekur të jetë për të jo burim brenge, po burim ndjenjash fisnike dhe frymëzuese për një lartësim moral të tij:

Çdo gjë mbaroi! E moj vashëz sot
Ndrroma këtë shpirt në gji
Thellë e më thellë
Dërgomë baltën prej nga s‟shqitemi dot
dhe për mua prind të jetëky diell.

Siç shihet edhe nga këto vargje, poeti di ta shprehë me forcë kontrastin midis iluzionit dhe realitetit. Këtë kontrast e nxjerrin në dritë më qartë mbylljet me intonacion të njëjtë të dy strofave të poezisë, që jepin gjendje shpirtërore të kundërta.

Ndikimi i veprës së Petrarkës dhe Leopardit në krijimin poetik të Serembes është i dukshëm. Kështu vjershat e tij të shkruara pas vdekjes së vashës të kujtojnë lirikat e shkruara nga Petrarka pas vdekjes së Laurës në elementet që i bëjnë: evokimi i së dashurës, shkrirja e natyrës me ndjenjën etj. Në lirikën dashurore të Serembes, ndihen jo vetëm gjurmët e ndikimit të Petrarkës e Leopardit, por edhe Dantes, kryesisht lidhur me konceptin e gruas dhe të dashurisë, që poeti e përpunon sipas mënyrës romantike.

Mendimi i dashurisë e ndjek poetin në çdo çast, kudo: në gjueti, në mal kur shkon për dru, natën vonë duke ndenjur pa gjumë, kur niset për udhëtim e kur është larg nga vasha. Shpesh ai shpreh me nostalgji brengat e “mallit” të tij. Po vasha i vdes, ëndrrat e lumturisë zhduken dhe poeti, mbi varrin e saj vajton fatin e tij të mjerë, duke kujtuar plot nostalgji çastet e dashurisë fatkeqe:

Vashë e gëzuar, ku je, ku rri ku bredh?
Ç‟ëndërron, ç‟pandeh, ç‟kërkon?
Zemrën ti nga e sjell.Ti nga e dredh?
Dhe bukuria jote ku gëzon?

Dhe ja se po fryn puhia nga deti i gjerë E nuk më sjell përgjigjë asnjëherë.

… Dhe vajtën si sot nëntë vjet,
Nëntë herë pranvera lulëzoi.

E nëntë plagë unë kam tek zemra e shkretë, dhe keq vuajtja jetën ma shkurtoi:

i lodhur jam si ajo thëllëzës mali,
që detin duke kënduar gjithnë perfali.
(Nga: Elegji)

Po poeti që kishte kënduar aq bukur harenë e lumturinë e
dashurisë:

Një ditë për ty m‟u tregua ky dhe
plot ëndje dhe gjithë hare,

sedashuria jote, vashë, më lëshoi një dritë që shpërndau gjithë termin që më prit, që dashuri të dy ishim fort të gëzuar, (Po aty) Edhe Serembeja, si Çajupi më vonë në elegjitë e tij të mallëngjyera, “Vajet”, kthehet në revoltë:

O vashë me ata sy …
thuajmë nani ku je …
Ku prehe te këjo here
e qetë dhe plot trishtim?
E pse ju nuk ndriçoni,
o mure, çë mua të bukurën
më fshihni dhe vetëm hëna
brënda mund të hedhë një si?
O vashëz, o! të mundësha
të bëhesha ajo dritë
Që të vdes ty çdo mëngjes. (Po aty)

Dashuria si ndjenjë, e cila përjetohet deri në skajet më të thella të qenies, si ndjenjë e cila trumbeton një fuqi të magjishme që s‟mund të zhbëhet nga asgjë, si ndjenjë që të dhuron të pamundurën e pastaj përnjëherësh e zbraz shpirtin deri në mohim të vetvetes, dashuria që paraqitet përmes përsiatjeve intime, dëshmive personale, rimarrjeve tradicionale, të cilat kryqëzohen natyrshëm me idealizmat romantike, dashuria, një nga motivet më të rrahura nga pena e një autori, ndjenjë kjo që ai e pa si shpresën, si shqetësimin, si fatkeqësinë e tij, të cilën e ktheu në një nga motivet më të dashura, të cilat nxorën në dritë talentin e një autori si Zef Serembe.

“Të dua si agimin e praruar Kur rrezon Jonin e mua m‟përshëndet. Do t‟jetosh n‟zemrën time si dashnorja Fëmijërore, o shpresë, tashmë e humbur” “Pjesën më të madhe, kur e kur, edhe artistikisht më të vlefshme të vjershave të tij Zef Serembe i shkruan mbi temën e dashurisë ndaj gruas. I dashuruar që herët në një vajzë të vendlindjes e cila, bashkë me prindërit do të mërgojë në Amerikën Latine, në Brazil, ku, së shpejti do të vdesë, Zef Serembe, tërë jetën, mandej, do ta ndiejë veten të privuar gëzimesh e lumturie që, si çdokujt tjetër do të duhej t‟i takonin. Kujtimet e pashuara për këtë vajzë, një ditë, do ta shtyjnë të shkojë pas saj në Brazil, që t‟ia shohë varrin.

Pjesa më e madhe që shkruan mbi temën e dashurisë janë pothuaj shprehje e ndjenjave të patejkaluara dhe kujtimeve të pashuara për këtë vajzë: janë kënga e durimit të tij. Dashuria e humbur do t‟i shkaktojë Zef Serembes dhembje të vazhdueshme dhe do ta bëjë njeri të pikëlluar në jetë, i cili pikëllimet nuk do të jetë në gjendje t‟i përmbajë deri në vdekje”.16 Serembe do ta manifestojë gjendjen e vështirë shpirtërore edhe në poezitë e tij, në të cilat, në të shumtën e rasteve, do të dominojnë ngjyra të errëta si malli, dëshpërimi, trishtimi, zhgënjimi, vetmia etj., të cilat pasohen nga ankimet e një pasnjëshme, një nuancë proteste e si përfundim kontrasti i fortë që paraqitet me vdekjen si shpëtimin e tij të vetëm. Krijimi i poezisë erotike pavarësisht se niset nga një përjetim konkret dhe autori e vendos veten në rolin e heroit lirik, megjithatë shkallë shkallë ndërton një ideal në qendër të të cilit vendoset vasha e dashur dhe e dëshiruar. Natyrisht që ky ideal barazohet edhe me identitetin arbëresh.

Vajza së pari identifikohet si arbëreshe dhe këtë identifikim poeti e bën pikërisht përmes shenjave identifikuese të cilat i gjejmë te arbëreshët. Bie fjala, dallimi mes vajzës dhe gruas arbëreshe qëndron në faktin se vajzat e pamartuara arbëreshe e kanë pasur zakon ta thurin gërshetin me një lidhëse të bardhë, e quajtur jetullëz, ndërsa simbol i grave ka qenë keza, një kësulë kadifeje e cila në kokë dukej si kurorë. Poeti kur shtjellon motivin e martesës në poezinë Këngë gazmore, përdor pikërisht fjalën kezë, e cila si fjalë është simbol identifikues arbëresh për vajzën e cila bëhet nuse.

Hera erdhi të martesës, Diell-Zoti na bekon, Edhe dritën çë shtëllon Shkjepë bëhet cohë e kezë.17 Bukuria e saj ravijëzohet sipas tipareve të çdo vajze që zë vend në letërsinë popullore arbëreshe, kjo bukuri bën diellin të dalë, sjell pranverën, është e bardhë si zambaku, e hollë si kumbull, si bora n‟ato male, është faqëmollë, faqebardhë, si yll, lulezë kopshti, buzëmerxhane, trëndafile, e prerë, rend si sorkadhe, ka sy t‟ëmbël, gërshetin e ka të zi, balli i lëshon rreze drite, sytë i shkëlqejnë si hënë, dorën e zverkun i ka si alabastër, madje edhe kur qesh të ngre në qiell. Toponimia e përdorur gjithashtu emërtohet sipas vendeve arbëreshe, heroi lirik e ndesh vashën në Strigar, në Spezanën Albaneze, te gjiri i Shkavunisë, në Piluri, ose përdoren toponime që shërbejnë për të ndërtuar gjendjen emocionale të heroit lirik si ecja në Shën Koll, rrufetë te Serra e Kristes, etj.

Pra, duke pasur parasysh ato që u thanë më lart shihet se Serembe krahas elementeve të theksuara romantike vendos edhe elementet që e identifikojnë poezinë e tij erotike me identitetin arbëresh.

Përmes poezisë së dashurisë shenjëzohet ambienti ku lind kjo dashuri, vajza bukurinë e saj kulminate e shfaq pikërisht të dielën, kur është duke shkuar në kishë, duke paraqitur kështu jo vetëm zakonin e shqiptarëve që ditën e diele ta mbanin si ditën e së kremtes, duke veshur kështu edhe petkat më të bukura e të reja, por duke shenjëzuar edhe identitetin e tyre që lidhej me besimin shpirtëror, kishën e Zotin, elemente të cilat tërthorazi paraqiten si mundësi praktike që ndihmojnë në ruajtjen e identitetit të tyre jashtë tokës shqiptare. Përveç kësaj, kemi edhe gërshetimin me traditën, përmes poezisë erotike shpaloset tradita e vajzave arbëreshe, të cilat të shkuarit në meshën e të dielës e konsiderojnë si obligim të pashkruar.

“Mesha e madhe, ja, po bije
e nga kisha mënt i shtije
Dola: vashëzat po vinin
Qetë e lehtë në kishë hynin”

Nga ana tjetër, përmes ambiguitetit të këtyre vargjeve, e kremtja merr vlera krejtësisht të reja për heroin lirik, kjo e kremte simbolizon gazin dhe euforinë e të riut për dashurinë e lindur.
Kjo shihet edhe në vargjet në vazhdim:

“Po kjo zemër u gëzua
kur një vashëz u afrua,
Kur te sheshi ajo shkonte,
tërë sheshi dritë lëshonte.
I shkëlqenin ata sy
që nuk shihnin asnjeri,
Si një fluturëz e lehtë
vej në kishë e zhdukej vetë”

Shenjtëria që i jep komuniteti arbëresh të dielës si ditë e kremte paralelizohet me shenjtërinë që i jep heroi lirik kësaj dite, për shkak të njohjes së dashurisë, vashës. Përderisa komuniteti e vasha kërkojnë parajsën përmes lutjes në kishë, heroi lirik e gjen atë në fjalët e vashës, në shikimin e saj, etj.

“Kur dëgjoj fjalën e kthyer,
të Parajsës hapen dyer;
Kur më flet e më shikon,
zemrën një shigjet‟ ma shpon.
E kur vjershën ajo shtije
Duket se më vjen të bije!“

Një tjetër shenjë identitare e këtij komuniteti është edhe norma morale, e cila barazohet me martesën. Martesa në vetvete paraqet një kod të miratuar nga kolektiviteti, i vetmi ky që mundëson bashkimin e dy të rinjve në një mënyrë të shëndoshë morale.

Përdorimi i këtij motivi në poezi pasqyron jo vetëm dëshirën për bashkim, por edhe seriozitetin e gatishmërinë që ka heroi lirik për të respektuar normat që karakterizojnë shoqërinë në ambientin ku jeton e si rrjedhojë siguron mbrojtjen e këtyre normave, por edhe mbrojtjen e vetë vashës ndaj një ekspozimi dashuror të një tjetër lloji. Shfrimet erotike në vargjet e Serembes nuk mungojnë, por këto realizohen në të vetmen mënyrë e cila nuk mund ta lëndojë vajzën dhe reputacionin e saj në shoqërinë dhe ambientin tradicional, ku dy të rinjtë jetojnë, pra përmes ëndrrës.

Përmes një romantike të thellë e dëshire të paepur, paraqitet njëkohësisht sensualiteti i zjarrtë mes të dyve, kredhja e vashës në afshet dashurore dhe gëzimi i djalit për pushtimin e zemrës së asaj që do.

“E kur gjumi pra më zë
unë në paqë s‟mund të flë:
Me ata sy n‟ëndërr më rri,
që të fshehur kan‟ magji.
Se m‟do fort ajo më thotë
edhe nxjerr dy pika lotë:
E tek veshi më rrëfen
se sa mall për mua ndjen.
Asaj dorëzën ja ngas,
buz‟ më buzë asaj i flas.
Edhe mezin ja shtrëngonj:
Duke e puthur und gëzonj.
Pra si nj‟ëndërr vete e shkon,
po në zëmër më qëndron.
Kush e di a më dëgjove,
mallin tim a e kuptove?”

Ndërtohet një paradoks i mrekullueshëm, i cili në skajshmëritë e tij mbart nga njëra anë frikën e heroit lirik për dëmtimin moral të së dashurës dhe si rrjedhojë reagimin e tij të heshtur për dashurinë që ndjen në mënyrë që ta mbrojë atë nga reagimi kolektiv dhe nga ana tjetër përsiatjet e tij erotike, të cilat marrin jetë përmes ëndrrave të tij. E megjithatë përgojimet nuk mungojnë.

Këshillat e botës, siç i quan Zefi, paraqesin edhe një anë tjetër të ambientit arbëresh, poeti niset nga realiteti konkret i ambientit që e rrethon e në të cilin është rritur e që e njeh mirë dhe na jep të kuptojmë se sa e brishtë është dashuria, na tregon se sa lehtë çdo gjë mund të kthehet së prapthi, se sa të vështirë e kanë të rinjtë e sidomos vajzat t‟i përkushtohen, qoftë edhe verbalisht, një dashurie, e në një farë mënyrë, ai vet, sikur e justifikon vajzën që nuk i përgjigjet. “Lirika e tij përshkohet nga një dramatizëm i brendshëm që buron nga konflikti i vënë në bazë të saj.

Në krijimet e para konflikti është thjeshtë intim, midis dashurisë së djalit dhe indiferentizmit të vajzës, ndërsa më vonë, konflikti shtrihet në plan shoqëror si konflikt i dashurisë së pastër me thashethemet e ambientit patriarkal”. Zef Serembe ashtu si autorë të tjerë të letërsisë arbëreshe, jo vetëm në poezinë e tij me motive erotike, por në të gjithë krijimtarinë e pati mbështetje dhe frymëzim edhe letërsinë popullore. Ai nga folklori huazoi jo vetëm shumë motive, trajta të ngulura, figuracionin, formën, por, sidomos në vjershat e tij më të hershme, shihet edhe një pikëpamje më shumë kolektive, pra këndvështrim popullor. Më vonë vërehet se autori i pasuron këto forma të poezisë popullore edhe me krijime të mirëfillta origjinale, duke gërshetuar, në këtë mënyrë, traditën popullore me risitë e talentin e padiskutueshëm që jetësuan veprën e këtij poeti.