LIRIKA DASHURIE, MALLI E HEROIZMI

0
2365
Milazim Kadriu

Ferat Selimi “Mall”, botoi Art Klub “Rifat Kukaj”, Drenas – 2016

Milazim F. KADRIU

Ka kohë që nuk dëgjohemi e shpirti im vajton,
Sekretet, që mban zemra, veç hënës ia tregoj…
…………………
Janë vetë e vërteta, se shpirti më ka dallgë,
Sa vite të gjata, sa vite pa të parë…

Janë këto vargje të shkëputura nga përmbledhja me poezi “Mall “ e autorit Ferat Selimi që është libri i tij i parë. Autori Selimi në librin e tij “Mall”, sjell 109 poezi të ndara në katër pjesë: (“Lirika dashurie”, “Mall për vendlindjen”, “Kujtime për njerëzit e dashur” dhe “Heroizmi, që s’vdes kurrë”)

Në pjesën e parë janë 50 poezi të cilat kryesisht i këndojnë dashurisë ku Selimi përdor të gjitha ngjyrat e natyrës dhe të shpirtit të tij. Ai për ti kënduar dashurisë ka shpirt e mall të cilën e shpreh bukur edhe në mënyrë të çiltër në poezitë e tij.

Në pjesën e dytë ku ka 17 poezi autori i këndon vendlindjes ku përmes poezive shpreh mallin për vendlindjen, të afërmit, miqtë, shokët ngase ato i mungojnë atje ku aktualisht jeton, ku tash e shumë vite ndodhet jashtë atdheut si shumë bashkatdhetarë tjerë.

Më të dashurve të tij u ka kushtuar disa poezi që i ka vendos në pjesën e tretë të librit ku janë 16 poezi të tilla. Poezi u kushton pothuajse të gjithë të dashurve të tij. Shkruan për prindërit që asnjëherë nuk mund të harrohen se ata janë prindër. Po ashtu poezi u kushton edhe fëmijëve ku i përmend edhe me emra të cilëve u ka vënë emra të përzgjedhur nga kalendari i jetës. Po ashtu poezi i kushton edhe motrës që iku nga kjo jetë dhe që nuk ishte pranë së paku ti hedh një grusht dhe mbi varr. Poezi shkruan edhe për shokët, miqtë, mësuesin, minatorin që edhe prindi i tij ishte minator.

Heroizmi ka qenë dhe është preokupim i shumë krijuesve ngase vuajtja e gjatë në robëri ka bërë që poetët tu kushtojnë poezi heronjve dhe gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë e atdheut. Kështu ka vepruar edhe poeti Ferat Selimi që në pjesën e katërt të librit na sjell 13 poezi për heroizmin që nuk vdes kurrë. Ai u këndon datave të rëndësishme të historisë kombëtare dhe heronjve të periudhave të ndryshme që ranë në luftë për lirinë e vendit tonë.

Kështu në këto poezi ai i këndon Nëntorit të parë, Nëntorit të dytë, heroizmit të dëshmorëve të periudhave të ndryshme deri tek heroizmi i dëshmorëve të UÇK-së, të cilët dhanë gjënë më të shtrenjtë – jetën e tyre për çlirim nga okupatori shekullor serbosllav.

Marrë në përgjithësi ndonëse është libri i parë i tij, Selimi e ka realizuar mirë ku edhe si thotë redaktori i librit Nase Jani “ Libri “Mall” i Ferat Selimit është shkruar me mall. Në këtë botë,ku dashuria dhe malli po shfrytëzohen, deri në harrim. ky libër merr vlera të veçanta njerëzore, humane, shpirtërore…”

Mbesim me shpresë se së shpejti nga ky autor do të kemi edhe libra tjerë, në poezi apo edhe zhanre tjera të letërsisë shqipe.