LIRIA EKONOMIKE ËSHTË ÇELSI I NJË SHOQËRIE TË BEGATË

0
804

Nga Frank Shkreli

Instituti i Lirisë Ekonomike pranë Fondacionit Heritage në Washington, botoi këtë muaj Indeksin e Lirisë Ekonomike në Botë të vitit 2017 për 180-shtete, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Është ky një indeks vjetor që matë nivelin e lirisë ekonomike në të gjitha vendet e botës. Indeksi bazohet në parimin, pak a shumë të ngjashëm me atë të Adam Smith-it, ekonomistit dhe filozofit skocez të shekullit të 17-tët — të përmbledhur në veprën e tij klasike Pasuria e Kombeve, “Se institucionet kryesore, të cilat mbrojnë lirinë e individit për të ndjekur dhe për të realizuar interesat e veta ekonomike, rrjedhimisht dhe njëkohësisht sigurojnë begati më të mëdha edhe për mbarë shoqërinë.”

Raporti i “Fondacionit Heritage” mbi lirinë ekonomike në botë për vitin 2017, nënvijon pikërisht këtë fakt se vendet ku tregtarët dhe sipërmarrësit janë të lirë që me krijimtarinë dhe aftësitë e tyre t’u ofrojnë njerëzve prodhimet dhe shërbimet të cilat ata i duan dhe për të cilat kanë nevojë, shënojnë një rritje shumë më të mirë ekonomike në krahasim me vendet të cilat janë tepër autoritare, kufizuese ose shkelëse të lirisë ekonomike dhe lirive bazë të njeriut, në përgjithësi. Raporti vjetor sjellë shumë shembuj, ku vendet me lirinë më të madhe ekonomike kanë shënuar edhe suksese të mëdha dhe dinamike në sigurimin e begatisë — si për individët ashtu edhe për shoqëritë e ndryshme të cilat gëzojnë lirinë ekonomike dhe liritë e tjera bazë të njeriut. Ndër 10 vendet me më shumë liri ekonomike, sipas raportit të “Fondacionit Heritage”, për vitin 2017 janë Hong Kongu, Singapori, Zelanda e Re, Zvicra, Australia, Estonia, Kanadaja, Emiratet e Bashkuara Arabe, Irlanda dhe Kili.

Shqipëria radhitet në vendin e 65-të, ndërsa Kosova në vendin e 46-të të listës për lirinë ekonomike, ku përfshihen180 vende të botës, të renditura në indeksin e lirisë ekonomike të “Fondacionit Heritage”, për këtë vit. Në profilin e raportit mbi Shqipërinë vihet në dukje se Shqipëria është kandidate për antarësim në Bashkimin Evropian, është anëtare e NATO-s dhe kontribuese në misionin e udhëhequr nga NATO-ja në Afganistan dhe shënon se, një marrveshje për Partneritet Strategjik me Shtetet e Bashkuara, ka për qëllim rritjen e bashkpunimit, përfshirë përmirësimin në fushën e sistemit të drejtësisë dhe atë gjyqësor. Në raport thuhet gjtihashtu, se tranzicioni drejtë një sistemi ekonomik më të lirë është mundësuar 10-vitet e fundit nga një ristrukturim i dukshëm në vend, ndërkohë që Shqipëria po ecën në rrugën e një rimkëmbjeje graduale ekonomike, përballë disa kushteve sfiduese të jashtme dhe të mbrendshme.

Por, megjithkëtë, autorët e raportit theksojnë se Shqipëria ka nevojë për “Më shumë reforma ekonomike nëqoftse dëshiron të sigurojë rritjen e lirisë ekonomike, ashtuqë të realizojë një zhvillim ekonomik më të fortë e më të qendrueshëm.” Thuhet mëtej se, “Në Shqipëri sistemi ligjor mbetet i paefektshëm dhe viktimë e ndërhyrjeve politike, ndërkohë që korrupsioni është tepër i përhapur në të gjithë sektorët e shoqërisë.” Në profilin mbi Shqipërinë, karakterizohet projektimi i legjislacionit mbi pronat si një ndërmarrje copa-copa dhe aspak i bashkrenduar mirë dhe shton se ndonëse gjykatat, sipas kushtetutës janë të pavarura, ato mbeten subjekt presionesh politike dhe frikësimesh. Në Indeksin e Lirisë Ekonomike në botë mbi Shqipërinë, përmendet, ndër të tjera, edhe ligji i vitit 2015 i cili ndalon të dënuarit për krime që të mbajnë detyra të larta në sektorin publik shtetëror e qeveritar, por thuhet se megjithëkëtë ligj, “Administrata publike vazhdon të jetë e paefektshme, e paaftë dhe e prekur nga një korrupcion i gjithëanshëm.”

Ndërkaq, në profilin e raportit mbi Kosovën thuhet se tranzicioni i shtetit më të ri në Evropë, “Drejtë një ekonomie më të hapur dhe të bazuar në forcat e tregut, vazhdon të shkojë përpara me një ritëm në rritje e sipër të lirisë ekonomike”. Raporti thekson se megjith atmosferën sfiduese të zhvillimeve ekonomike në rajon, Kosova megjithse me një ekonomi pa dalje në det — në krahasim me fqinjtë — ka shënuar çdo vit, ç’prej shpalljes së pavarësisë, rritje të lirisë ekonomike. Por, megjithë përparimin e dukshëm në modernizimin e kornizave ligjore dhe hapjes së ekonomisë ndaj tregëtisë botërore, raporti në fjalë shënon se, Kosova përballet, “Me mungesa dhe pengesa të vazhdueshme institucionale dhe strukturore që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe me mos zbatimin e ligjit”. Këto sipas raportit, “Po ngadalsojnë rritjen dhe konkurencën ekonomike në treg, duke kufizuar kështu forcimin e një sektori më të fortë privat”, në atë vend. Ashtu si edhe në rastin e Shqipërisë, raporti thotë se gjykatat, sipas kushtetutës janë të pavarura në Kosovë, por në praktikë nuk janë të tilla dhe influencohen nga politika. Korrupsioni mbetet një problem i madh edhe për Kosovën, thuhet në raporti.

Shtetet e Bashkuara janë në vendin e 17-të indeksit për nga liria ekonomike, pas Estonisë, që duhet përmendur se është një shtet që ishte dikur pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik, por që ka miratuar dhe tani zbaton një politikë që ka për qëllim promovimin e lirisë dhe të rritjes ekonomike në vend. Raporti mbi Shtetet e Bashkuara kritikon atë që cilëson si, ”Agjendën e interesave të veçanta politike të viteve të fundit në Washington”, politikë e cila ka kufizuar shumë lirinë ekonomike për amerikanët e thjeshtë, si individë dhe si sipërmarrës, thekson raporti.

Autorët e Indeksit të Lirisë Ekonomike në botë të “Fondacionit Heritage” mbeten skeptikë nëse Kongresi dhe administrata Trump do të mund të miratojnë politika dhe reforma ekonomike gjatë vitit të parë të administratës së re, ndërkohë që nënvijohet se disa shtete të tjera, megjithë mungesën, historikisht, të lirisë ekonomike dhe lirive bazë, siç janë shtetet – si Gjorgjia dhe Letonia — që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, kanë shënuar përparim dhe suksese të dukshme në fushën ekonomike. Në parathënjen e raportit, autorët Terry Miller dhe Anthony B. Kim thonë se në shumë vende, përparimi në fushën e lirisë ekonomike, pasqyrohet drejtë për drejtë në zhvillimet e sukseshme dhe të dukshme ekonomike të atyre vendeve dhe mund të shihet edhe në një jetë më të mirë e më të begatë për popujt e vet. Por, në parathënje të raportit thuhet se mbi të gjitha, “Shpirti njerëzor është burimi i vërtetë i begatisë ekonomike”.

Indeksi i Lirisë Ekonomike në botë radhitë gjithashtu, vendet të cilat kanë nevojë për një liri më të madhe ekonomike dhe liri të tjera bazë, nëqoftse dëshirojnë zhvillim më të dukshëm ekonomik dhe begati më të madhe për popujt e vet, duke radhitur në këtë kategori, në fund të listës së shteteve të Indeksit të “Fondacionit Heritage”, e që konsiderohen vende pa liri ekonomike, Korenë e Veriut, Venezuelën dhe Kubën.

Nga përvoja e tyre — ndërkohë që për përpilimin e këtij raporti dhe indeksi kanë studiuar ekonomitë dhe lirinë ekonomike në 180-vende të botës — autorët e raportit theksojnë se është e qartë se nuk ekziston një politikë e njëjtë lirie dhe zhvillimi ekonomik njësoj për të gjithë. Ata nënvijojnë se secili vend duhet të gjejë vet rrugën e rritjes dhe të zhvillimit ekonomik, bazuar në kulturën, historinë dhe kushtet historike dhe gjeografike nën të cilat gjëndet vendi. Por, përgjithësisht, autorët e këtij raporti kanë zbuluar se vendet të cilat gëzojnë një liri më të madhe ekonomike, në krahasim me të tjerët, përparojnë më shumë dhe më shpejt, sepse ato shfrytëzojnë njohuritë dhe aftësitë e të gjithë personave në shoqëritë e tyre, pa dallim.

Por në fund të fundit, siç shkruan edhe “Presidenti i Fondacionit Heritage”, Jim Demint në parathënjen e raportit, gjëja që ka më rëndësi se çdo gjë tjetër – është se zgjidhjet e problemeve të mëdha politike dhe ekonomike me të cilat përballen sot vendet e ndryshme dhe bota në përgjithësi – me siguri do të rrjedhin dhe do të realizohen, jo nga qeveritë dhe udhëheqës autoritarë — por nga individë, të cilët sipas Milton e Rose Friedman – janë të lirë të vendosin vet fatin e tyre. Sepse në mungesë të lirive bazë të njeriut, përfshirë lirinë ekonomike, dikush tjetër, si qeveria, shteti ose udhëheqsi autoritar do të vendoste dhe do të ushtronte kontrollin e plotë mbi aktivitetet ekonomike të individit. Një qeveri e mirë dhe një udhëheqje politike legjitime nuk kufizon lirinë ekonomike as liritë e tjera bazë të njeriut, pasi duke mohuar dhe kufizuar ndër të tjera, lirinë ekonomike — siç vihet në dukje në raportin vjetor të “Fondacionit Heritage” — kufizohet dhe pengohet gjithashtu edhe begatia dhe mirëqenja ekonomike për të gjithë. Liria ekonomike është pra çelsi për krijimin e një shoqërie të shëndosh dhe të begatë.