Ligji i ri për mërgatën në procedurë e hap rrugën për investime nga jashtë

0
620

Prishtine, 20 korrik 2018

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike e Kosovës do të mbështesë mërgatën me të gjitha mundësitë që ka. Me ligjin e ri që është në procedurë të hartimit dhe miratimit, parashihen lehtësira, sidomos për investitorët nga mërgata dhe jo vetëm. Zëvendësministri Arian Daci, gjatë një takimi që ka pasur me një delegacion të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” nga Suedia, ai u përqendruar tek lehtësirat që janë krijuar për investitorët që nga janari i këtij viti.

Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për mërgatën, por edhe për investitorë të tjerë. “Qeveria e Kosovës dhe ministria e diasporës ka ndërmarrë disa vendime që kanë të bëjnë me lehtësira për investitorët. Çdo ditë ka palë të interesuara, të cilat dëshirojnë të informohen rreth investimeve. Jemi duke u munduar që përvojën e mërgatës sonë, e cila është shkolluar dhe ka punuar jashtë, ta kthejmë në Kosovë, ta kthejmë dijen dhe kapitalin e saj. Kosova ka nevojë për mërgatën tonë, o sot o kurrë”, tha zëvendësministri Daci.

Ndërkaq, anëtarë të SHSHASH “Papa Klemneti XI Albani”, u interesuan për mënyrën e funksionimit të ministrisë së mërgatës dhe përkrahjes konkrete që ajo ofron për subjektet në mërgatë.

Kryetari Hysen Ibrahimi, pasi tregoi punën dhe formatin e shoqatës që drejton, tha se është i nevojshëm një komunikim më i mirë dhe më i rregullt me ministrinë e mërgatës me qëllim të funksionimit dhe prezantimit më të mirë të trashëgimisë dhe vlerave kulturore në mërgatë, por edhe në veprat që botojnë. “Kultura është ambasadori më përfaqësues i një kombi kudo që shkojmë. Duke prezantuar kulturën identifikojmë vetvetën dhe bëjmë dallimin nga të tjerët, me një traditë dhe kulturë të pasur që kemi”, tha z. Ibrahimi në takimin me zëvendësministrin Daci.

Ai theksoi nevojën për një bashkëpunim dhe mbështetje konkrete, në mënyrë që t’i planifikojnë punët dhe t’i shtyjnë ato përpara. “Këtë vit e kemi botuar vëllimin numër 9-të të Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare. Kemi dy ngjarje që do t’i shënojmë këtë vit: 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit në Prizren dhe 550 vjetorin e vdekjës së Skënderbeut në Lezhë. Përmbajtjet e këtyre manifestimeve i shkruajmë, i botojmë, do t’i përkthejmë edhe në gjuhën suedeze, që të shohë populli mik suedez se populli shqiptar paska ngjarje të rëndësishme historike, siç është Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, arsyetoi Hysen Ibrahimi. Ai tha se mërgimtarët kudo që jetojnë, edhe ata në Suedi, frymëzim të punës dhe veprimit i kanë pasur rilindasit dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Mone Juniku, anëtare e kryesisë së SHSHASH tha se shoqata dhe anëtarët e saj punojnë me forca të veta, në përpjekje për të nxjerrë në dritë punën dhe veprimtarinë e mërgimtarëve. “Kjo punë është shumë e vështirë, por fal vullnetit të të gjithëve, ne nuk kursejmë asgjë, po arrijmë t’ia dalim disi”, tha Juniku. Ajo kërkoi nga zëvendësministri përkrahje konkrete të institucioneve të Kosovës për SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, duke thënë se, pavarësisht sa është punuar e botuar deri tani, kjo shoqatë iu ka mbetur borxh shumë mërgimtarëve veprimtarë, sepse deri tani ka qenë e pamundur të përfshihen të gjithë ata që meritojnë, për shkak të mungesës së fondeve.

Ndërkaq, Rrahman Rrahmani, anëtar tjetër i kryesisë së SHSHASH, kërkoi të dijë nëse ministria është në gjendje të ndihmojë projektet e shoqatës, duke theksuar rëndësinë dhe përmbajtjen e librit “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare” në 9 vëllime të tij. Ai tha se ky libër është shpërndarë në 272 Biblioteka në gjithë Suedinë.

Zëvendësministri i drejtësisë Arian Daci, tha se buxheti i ministrisë është vetëm 2 milionë euro, por do të ndihmojë secilin projekt të rëndësishëm të mërgimtarëve shqiptarë, tha ai. Me këtë rast, ai bëri të ditur edhe përgatitjet që janë bërë për shënimin e “Ditëve të Diasporës”, të cilat përfshijnë aktivitete të ndryshme. “Ka me qenë një organizim më i madh këtë herë. Ka me pas aktivitete në gjithë komunat. Ndër aktivitete kanë me qenë kampet verore për fëmijë dhe një shkollë verore për fëmijët që shprehin dëshirë me ndjek ndonjë kurs aty”, tha Daci.

Ai bëri të ditur edhe planin e dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë, më saktë dy ministrive përkatëse, që të hapin Qendra të përbashkëta të kulturës në mërgatë. Qendra të tilla do të investoheshin nga të dy qeveritë me një pjesëmarrje të barabartë. Qëllimi është që të unifikohet mërgata shqiptare ku do që jeton në vende të tjera. Tashmë ka nisur unifikimi i librave dhe literaturës për nxënësit shqiptarë në mërgatë. Ndërsa mësimi plotësues është i nevojshëm të zgjerohet në disa vende, tha Daci. Ai përmendi Zvicrren si shqetësim, ku tha se mësuesit paguhen për mësimin plotësues në gjuhën shqipe, por nxënësit shqiptarë nuk shkojnë në ato mësime. Ndërkohë, u zotua se ministria e diasporës do t’ia plotësojë kushtet mërgatës, sa i përket mësimdhënies apo mësimnxënies.

Sa iu përket hapjes së Qendrave të kulturës në vendet ku jetojnë shqiptarë, zëvendësministri Arian Daci u shpreh skeptik, nëse ato kryejnë misionin për të cilin hapen. Ndërkaq, kryetari i SHSHASH “Papa Klementi XI Albani”, Hysen Ibrahimi tha se duhet pasur kujdes për mënyrën e zgjedhjës së drejtuesve të atyre qendrave. Ai propozoi që bartësit e Qendrave të kulturës në mërgim, të zgjedhen përmes votës së fshehtë nga vetë përfaqësuesit e shoqatave që do të përbënin një Kuvend zgjedhor.

Në fund të takimit, Arian Daci bëri të ditur se në strategjinë e re të ministrisë “2019 – 2024”, do të sigurohet një hapësirë programore 24 orëshe në RTK, e cila do t’i kushtohet vetëm punës dhe veprimtarisë së mërgatës. “Këto janë përpjekje të vogla, në krahasim më atë që meritojnë mërgimtarët tanë”, tha Arian Daci.