“LIDHJA.” QË PO I RRËMON THEMELET E LDK-së?!

0
2349
Lidhja

Shkruan: Dr. Shaqir SHALA

Reformat, përkatësisht tjetërsimi veç paska filluar. Të paktën kështu u duk në pankartat që u shpalosën në ditën e hapjes së fushatës zgjedhore më 21.09.2017. Këto slogane mbuluan sfondin zbukurues që janë slogane vetëm L-idhje pa atë D-emokratike dhe të K-osovës, pra kishte ikje komplet Logoja origjinale e LDK-së. Kjo logo, këto tri shkronja (LDK), në vetvete e bartin tërë mundin, sakrificën e një populli, vlerën intelektuale dhe simbolizojnë edhe gjakun e derdhur të dhjetëra intelektualëve që ranë për liri dhe pavarësi. Kjo logo, bartë filozofinë Rugoviane që nga fillimi e deri më sot.

Nuk donë koment më shumë se sa në hapje të fushatës zgjedhore të mos jetë pjesëmarrëse Familja Rugova, e kjo mungesë u pa edhe të nesërmen në FG të LDK-së. Ky anashkalim tregon vetë shëmtinë e kësaj tendence. Tashmë hapur po fillon ofensiva e këtij klani për degradimin e figurës dhe personalitetit të Presidentit dr. Ibrahim Rugova, kundër filozofisë Rugoviane, qoftë si ide apo si filozofi e aprovuar pa hezitim dhe pa asnjë ekuivokë nga anëtarësia e LDK-së në Kosovë, prandaj “Lidhja.”, pretendon që këtë filozofi kombëtare dhe shtet-formuese ta dërgojnë në arkivat e historisë. Ky klan që është në krye të LDK-së, po e degradon dita ditës LDK-në dhe Kosovën.

Promovimi i sloganit “Lidhja.”, është tendencë, një test i Isa Mustafës, i cili bashkë me strukturat aktuale udhëheqëse të LDK-së, në mënyrë perfide po provokon reagimin e elektoratit. Një test në Fushatën Zgjedhore, është një referendum popullor, i cili teston masën nëse do të pranojë fillimisht si “Slogan” e më pas pse jo ta vëjë kauzë të klanit për ta shkatërruar LDK-në.

“Kjo “Lidhje.” qoftë edhe vetëm slogan për këtë fushatë, është pa ndonjë domethënie për elektoratin e LDK-së. Ngjyra blu nuk është e hapët që do të kishte ngjashmërinë me ngjyrën Blu – Evropiane, por e mbyllta e saj ndjell furtuna dhe uragane shkatërruese. Pastaj Logoja LDK është minimizuar dhe aty ku iu ka dhënë rasti është fshirë nga pankartat që lë për të dyshuar për një qëllim të papranueshëm për shoqërinë tonë demokratike.

Tani me të drejtë shtrohet pyetja se për çfarë “Lidhje” është fjala: Lidhje familjare, Lidhje Komuniste, Lidhje Feriale apo Lidhje Klanore brenda LDK-së. Testi i prezantuar në hapje të fushatës, dua të besojë se ishte vetëm një lapsus sesa një mosdije politike, por nëse pas këtij Slogani fshehët një qellim tjetër, i misionarëve që nuk ia duan të mirën LDK-së dhe Kosovës, atëherë shtrohet pyetja: Nga kush dhe pse u bë ky slogan “LIDHJE”, i cili gjithkund prezantohet si Logo e Partisë?!

Nëse ata që e kanë promovuar këtë slogan, nuk e sqarojnë sa ma shpejt se çka qëndron pas kësaj skenografie të zymtë, atëherë pasojat do të reflektohen në rezultatin zgjedhor, pasi anëtarësia tradicionale e LDK-së ndjehet e lënduar dhe e tradhtuar nga lidershipi i ri, kurse pankartat dhe slogani “LIDHJE” duket si ide aspak e qëlluar pasi kështu si është prezantuar nuk ka shije, sidomos nuk i shërben qëllimit festiv, të hapjes solemne të fushatës zgjedhore pa pjesëmarrjen e Familjes Rugova, qoftë ajo pjesëmarrje kurtuazie, Kryesia e LDK-së do të përballet me reagime të ashpra nga elektorati dhe simpatizuesit e LDK-së anë e mbanë Kosovës, Diasporës dhe më gjerë. E ky reagim i fuqishëm padyshim do të reflektojë drejtpërdrejt edhe në rezultatin zgjedhor.

Një gjë është dashur ta dij Isa Mustafa, se prekja në Logon LDK-së, është prekje në themelet e shtetësisë së Kosovës, në vlerat sublime të filozofisë Rugoviane, është prekje në vetë qenien e çdo anëtari të devotshëm të LDK-së, dhe madje është prekje në nderin, në besën dhe moralit që bartin këta anëtarë të LDK-së kudo që janë.

Mos pjesëmarrja e Familjes Rugova e cila duket se qëllimisht është anashkaluar, nuk kapërdihet aq lehtë nga anëtarësia e LDK-së, aq më tepër kur në Tubimin Promovues, mungonin portretet e Rugovës, mungonin Flamujt e Dardanisë, dhe për fat të keq askund nuk është përmendur emri i tij, bënë për të kuptuar se veprimi është i qëllimshëm dhe ka prapavijë të caktuar.

Tashmë klani i Isa Mustafës, haptas po shpërfaqë arrogancën dhe urrejtjen ndaj LDK-së, prandaj degradimi i Filozofisë së Presidentit Rugova dhe Rugovizmit si ide filozofike, u aprovuar atë ditë, pa ndonjë reagim nga të pranishmit. Por në tubimet vijuese nuk e di sa do ta pranojë anëtarësia e LDK-së dhe elektorati i saj. Ky grup i vogël të cilit i prinë Isa Mustafa, mendon këtë filozofi kombëtare dhe shtetëformuese ta degjenerojnë për interesa klanore duke e degraduar dita – ditës LDK-në.

Slogani “LIDHJA.”, është një test provues që e lansoi Isa Mustafa me strukturat aktuale udhëheqëse të LDK-së, të cilët në mënyrën ma perfide e testuan reagimin e elektoratit të LDK-së. Një test provues në një situatë të amullt, nuk i shërben qëllimit të mirë e as Fushatës Zgjedhore, aq më tepër pa pranin e Familjes Rugova, pa Logon e dukshme “LDK”, e bënë dyshimin kodër që nuk kalohet kollaj!

Vërtetë shtrohet pyetja se çfarë LIDHJE promovoi Isa Mustafa?! Por, një gjë duhet ta din ai dhe klani i tij, se prekja mbi Logon LDK, ose tendenca për ta zëvendësuar atë me “LIDHJE.”, është e papranueshme dhe me pasoja, pasi janë prekur vlerat sublime të një filozofie dhe është përdhosur mundi dhe sakrifica 28 – Vjeçare e një Populli të tërë!

CH – Sollothurn, 23 shtator 2017