Lideri invalid, partia patericë!

0
459
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 14.12.2018

Ideja e këtij shkrimi më lindi gjatë bisedës së Sekretarit të Përgjithshëm të LDK-së në një emision në mediumin publik, të datës 12 dhjetor 2018. Në pyetjen e moderatorit të emisionit në fjalë, rreth liderit të partisë, sekretari Ismet Beqiri u përgjigj, po citoj; “Ne e kemi liderin, ai tani i është kthyer partisë, edhe pse nuk është prezent në zyrat e partisë, ai po e kryen punën rreth 70 %”!

Thënë ndryshe, sipas sekretarit të partisë, z. Ismet Beqiri, lideri i LDK-së ka mungesë të prezencës në vendin e tij të punës dhe mungesë të theksuar të aftësive për të udhëhequr me partinë më të madhe opozitare.

Mirëpo, edhe përkundër mungesës dhe aftësive të kufizuara të liderit, LDK-ja ka vendosur t’i mbajë zgjedhjet e rregullta partiake në afatin e përcaktuar statutor të saj kah fundi i vitit 2019!

Kjo i bie, që për grupet e interesit dhe klanet e rreshtuara pas liderit, më i rëndësishëm për ta është Isa Mustafa se sa partia, përkatësisht më të rëndësishme janë interesat personale të individëve se sa interesi shtetëror!

Ndryshe nuk ka si të interpretohet mbajtja e liderit invalid në krye të partisë.
Në rrethanat e krijuara politike, partisë më të madhe opozitare i duhet një liderë i shëndetshëm, energjik, i guximshëm, aktiv dhe prezent në të gjitha aktivitetet e partisë, për të motivuar dhe rritur akoma më shumë opozitarizmin e LDK-së kundrejt kapësve dhe uzurpatorëve të shtetit.

Mbajtja në krye të partisë e një lideri invalid, përkatësisht e një njeriu me aftësi të kufizuara, përveqse shprehje e mentalitetit të kaluar komunist, është mendësi e primitive e dhunimit të demokracisë së brendshme partiake.

Për më tepër se kaq, mbajtja e mëtutjeshme në krye të partisë, e njeriut që e dëmtoi më shumë se askush tjetër LDK-në, është veprim sa i dëmshëm, po aq shkatërrimëtarë për subjektin më të vjetër të skenës politike kosovare.

Veprimet antidemokratike, sjelljet jo njerëzore ndaj zërave ndryshe dhe instalimi i formave më të vrazhda të diktaturës dhe kërcënimeve ndaj oponentëve brenda partisë, e kanë shëndrruar Isa Mustafën në liderë diktatorial të LDK-së.

Të heshtur në pritje të pushtetit

Mbajtja e Isa Mustafës në krye të LDK-së deri në afatin e rregullt zgjedhor dhe shkuarja eventuale e vendit në zgjedhje të parakohshme nacionale, LDK-së do t’i kushtoj me humbje të radhës, ndërsa qytetarëve me fundosjen e shpresave për ndryshime dhe jetë në vendin e tyre.

Paradoksalisht, përderisa partitë më të vogla, me liderë analfabet dhe handicap politik po qeverisin me vendin, subjekti më i madh opozitar-LDK-ja ka zgjedhur heshtjen, duke e pritur “peshkun” (pushtetin) e gatshëm nga zgjedhjet apo në tavolinën e bisedimeve me uzurpatorët e shtetit, pa e ndërmarrë asnjë veprim të vetëm konkret, gjegjësisht të organizimit të ndonjë proteste kundër pushtetarëve të inkriminuar.

Heshtja vrastare për shtetin e LDK-së, është duke iu shkuar për shtati partive në pushtet, por jo edhe qytetarëve të vendit, të cilët me shpresa të thyera, me lotë ndër sy janë duke e braktisur vendin e tyre të lindjes, shtetin për të cilin pritën gjatë dhe sakrifikuan jashtëzakonisht shumë.

LDK-ja patericë e opozitarizmit kosovarë

Qëllimi i këtij shkrimi nuk janë dështimet dhe gabimet e Isa Mustafës nga ardhja me PUÇ politik në krye të LDK-së, as ndihma dhe mbajtja në pushtet e PDK-së, as zgjedhja e Hashim Thaçit president dhe as shpërdorimet e ‘fondit të 3 %’, por është parandalimi i rënjës së mëtutjeshme të LDK-së.

Për shkak se, është pak më tepër se irrituese për qytetarët e Kosovës, të shohin partinë shtetndërtuese (LDK-në) si patericë të partive të vogla dhe liderëve uzurpator të shtetit të Kosovës.

Po ndodh pikërisht kështu për faktin se LDK-së i mungon lideri që e meriton, e si pasojë e kësaj i mungojnë edhe nismat dhe iniciativat e shëndosha për realizimin e kthesës së madhe politike në vend.

Si pasojë e këtij vakumi politik, jo vetëm se po fuqizohet pushteti i inkriminuar, dita-ditës po zbehet edhe opozitarizmi i LDK-së në Kuvendin e Kosovës.

LDK-ja, dikur prijëse e të gjitha proceseve në Kosovë, sot me liderin invalid, egoist dhe të papërgjegjshëm politikë është shndërruar edhe në patericë të opozitarizmit në Kosovë.

E quajta egoist dhe të papërgjegjshëm liderin e LDK-së, për faktin se vendit i duhet një parti e fortë e qëndres së djathtë, me orientim të qartë europerëndimorë, me liderë të shëndoshë e të pastër, të pa korruptuar dhe pa involvuar në veprime kriminale.

Ndryshe, në rrethana normale, një humbës (serik) i zgjedhjeve siq është Isa Mustafa do duhej të ndiqte shëmbullin e liderit të PD-së në Shqipëri, z. Sali Berisha, i cili lëshoj timonin e partisë si akt moral të humbjes së zgjedhjeve.

Ndërsa Isa Mustafa, si në rrethana normale, ashtu edhe në ato abnormale (shkaku i shëndetit të kufizuar) nuk e ka ndërmend të largohet i gjallë nga kreu i LDK-së!

Vetëm tërheqja e Isa Mustafës nga posti i kryetarit të partisë dhe kërkimfalja ndaj qytetarëve për dëmin që i shkaktoi vendit me lidhjen e kurorës së panatyrshme me PDK-në në vitin 2014 (kur Kosova ishte në pragë të ndryshimit historik), do ta ndihmonte LDK-në rrugëtimin e saj politik, për çka do të krijohej edhe një standard i ri politik në vendin tonë.

Imoraliteti politik i Isa Mustafës

Të qëndruarit dhunshëm në krye të partisë përveqse e tregon fytyrën dhe imoralitetin politik të Isa Mustafës, në kundërshtim me shëndetin e tij dhe vullnetin e elektoratit, lë të hapura mëdyshjet për misionin e tij shkatërrimtarë në LDK!

Pas shkuarjes në amshim të liderit shpirtëror të LDK-së, presidentit historik Ibrahim Rugova, rrahagjoksit e frymës rugoviane, pushtetin e shfrytëzuan vetëm për interesat e tyre personale, asnjëherë nuk u moren me problemet e qytetarëve, e më së paku me zbardhjen e vrasjes së bashkëpartiakëve të tyre.

Fjalëve dhe hipokrizisë politike më nuk ju beson askush, rugovizmi mbrohet me vepra e jo me fjalë!
Në asnjë rrethanë politike, ndryshim pozitiv për vendin nuk do të sjellin ata që ishin dhe janë akoma suporti më i madh i Hashim Thaçit, përkatësisht ata që ngritën duart lartë për votimin e Thaçit president dhe marrëveshjeve fatkeqe për vendin të nënshkruara nga ai.

Pa reformim e thellë dhe përnbajtësorë të LDK-së, jo vetëm që nuk do të ndodh asnjëherë ndryshimi në këtë parti, do të kemi vetëm vazhdimësi, rikonfigurim dhe riciklim të figurave politike të klanit të Isa Mustafës.

Çdo tentim ikje nga realiteti dhe e vërteta e hidhur është shprehje e imoralitetit politik dhe hipokrizi e skajshme e liderit të LDK-së, i cili mund të jetë çkado tjetër por jo asnjëherë liderë shpirtërorë i subjektit më të vjetër në hapësirën politike shqiptare.