LIBRI “MODA E VARFËRISË” I KONSTANDIN DHAMOS

0
918
Faslli Haliti - Kostandin Dhamo

FASLLI HALITI

NE BOTIMIN E TRETE TE ZGJERUAR

. ESE .

Përmbledhja poetike Moda e Varfërisë e poetit dhe prozatorit Konstandin Dhamo, është koherente si dhe një sfidë ndaj poezisë nebulozë dhe të zhvidhosur, të çakorduar, manieriste, eksentrike, snobiste që duket herë-herë në tregun e lirë të sotëm poetik, por që për fat mbetet stok, pasi me gjithë këmbënguljen e pseudokritikëve dhe recensentëve panegjeristë, ajo shpërfillet nga lexuesi. Në gjoksin poetik të Dhamos nuk ka zënë e nuk zë vend papagalli dhe majmuni, ai sheh me sytë e tij teleskopikë, dëgjon më me hollësi, ecën me hapin e tij, pa marrë asnjë shqisë apo gjymtyrë poetike me qira. Kjo nuk do të thotë që ai është indiferent ndaj formës, figuracionit të ri, teknologjisë së re në perfeksionim, përkundrazi, realist i mprehtë, i thellë, i gjerë gjithë kolor, ai nuk është dhënë e nuk jepet si një adoleshent pas arteficeve, modave dhe snobizmave që në hapat e para të krijimtarisë së tij poetike e deri tani në pjekurinë e tij të plotë.

Poeti Dhamo, i zhytur i tëri në thellësitë e realitetit sjell prej këtyre thellësive perla temash, ide të rëndësishme të shoqëruara me figura stilistike, detaje, përfytyrime poetike. Poezisë së tij të qartë e të drejtpërdrejtë nuk i mungojnë as tropet e

thjeshta; krahasimi, epiteti, as tropet e ndërlikuara; metafora, metonimia, simboli, ironia dhe sidomos inversioni poetik etj..Përkundrazi. Vetë titulli Moda e varfërisë është një paradoks, sepse paradoksale dhe tejet snobiste ishte dhe moda e varfërisë që filluan të ndiqnin të rinjtë tanë që në ditët e para të viteve nëntëdhjetë. Si kontrapunkt i ardhjes së diktaturës me këngë valle, saze, daulle, gëzim dhe hare fiktive, teatrale, paradoksale, absurde, komike, demokracia erdhi te ne, me modën e varfërisë teatrale, me imitim leckash dhe zhelesh:

Funde dhe pantallona xhins
Të grisura enkas,
Enkas grirë dhe shqyer,
Ndotur dhe arnuar
Po sa s’të shkon ty, moj Shqipëri e mjerë,
Kjo varfëri e imituar…

Poeti duke qenë i dhënë pas së bukurës, nuk e duron dot imitimin si një shfaqe të shterpësisë, të paaftësisë për krijim, fantazi e origjinalitet. Origjinalitetin, poeti, nuk e kërkon si një qëllim në vetvete, por si një përpjekje për identitet, pasurim, prurje të reja, të papara. Këtë kërkon ai në jetë, po këtë kërkon dhe në krijimtarinë poetike. Dhamo është po ai poet i më parshëm, por me shqetësime më të mëdha, ai ka po atë ballë poetik të mençur poetik, por me rrudha më të dendura, më të thella, ka po atë zemër poetike, por më të gjerë, me rrahje më të shpeshta ndaj shqetësimeve, halleve shoqërore,ndaj prapështive si atyre moniste dhe postkomuniste, e mbushur plot ndjenja ende më të bukura globale dhe intime; qielli i frymëzimit të tij është po ai qiell poetik, por me kaltërsi më të kthjella; gjoksi i tij poetik është po ai, por me shkulme më të furishme dhe qëtësi të reja, më i gjerë e më i prirur ndaj së resë, më dimensional.

Po pse s’e pranon poeti këtë modë të varfërisë në jetë e në art? Ai nuk e pranon sepse ajo është teatrale, është një imitim i verbër i modës që ka praktikuar e praktikon rinia e vendeve me mirëqenie të lartë. Atje kjo modë teatrale as ka cenuar, as s’cenon gjë. Dikur, në vendet kapitaliste, ajo ishte një protestë e butë, kurse sot është thjesht diçka ëmbëlake, indiferente ndaj bezdive etiko-morale. Në vendet ish socialiste, përkundrazi, kjo modë, jo vetëm ndalohej, por edhe dënohej, sepse nxirrte në shesh varfërinë reale të cilën diktatura bënte çmos që ta mbulonte me propaganda rozë:

Moda ishte krim,
Krim dashuria ishte.
Përballë shtetit
Fajtor duhet të ndiheshe !

Ndërsa në jetë poeti duket disi i ashpër, në poezi ai shfaqet i butë, i ndjeshëm edhe kur trajton motive që përmbajnë revoltë, protestë, zemërim, ai bëhet melankolik dhe nervoz, por nervozizmin e tij e mbyt zhgënjimi i tjetërsimit të njerezve dhe rrënimi i mjedisit…

Po ku janë tani ato femra
Që mbajtën të parat minifunde ?
Ata djem që veshën të parët xhinse.
Ku janë?

Unë i kujtoj me mall,
Melankolik bëhem, madje nervoz
Në Rrugën e Durrësit të harruar,
Po ku të pi një kafe, ku ?
Te Flora, tashmë
Shkëmbehet valutë…

Ky poet i ashpër dhe nervoz në dukje, në poezi është i butë e pikëllohet thellë kur sheh një nëpunës që shkon e kthehet nga zyra në këmbë po me atë kostum dhe njerëzit thonë, / Sa i ndershëm, siç do të thoshin, sa i marrë/ që dhe /Fëmijët në shkollë s’i rregulloi dot/, që /Gruaja e tij në dimër,/Pallton e vjetër sërish veshi/, apo kur sheh një ish drejtor të papunë /Tek rri në radhë kokulur me të tjerët/ për të marrë asistencën sociale, / Ndërsa nëpunësja e shtetit / Ul sytë kur i zgjat lekët/. Por pikëllimi i poetit shtohet, sidomos kur sheh që /Ministria e Brendshme i detyron fëmijët/ Në qese tejdukse celofani t’i mbajnë librat, /Dhe t’i kontrollojnë te porta fëmijët/ Për bomba, apo për granata,/ Në vend që të kontrollojnë kriminelët…/ U dhemb fëmijëve për çantat bosh, hedhur në një qoshe,/ Çanta blerë gjithë qejf, me figurat e Tomit e Xherrit/ Mbretit Luan, apo Batman…/. Frymëzimi I poetit është aty ku janë njerëzit në nevojë. Ai radhitet shpirtërisht krahë gjithë atyre që emigrojnë për mbijetesë apo të zhgënjyerve që synojnë El Doradon. Pa dyshim edhe këtu kemi të bëjmë me një paradoks të vërtetë të kohës.

Pikëllimi i poetit kulmon kur vë re kolegun e tij me një plumb në dorë të përhumbur thellë dhe që

Ndihet fajtor, mjekër ka lënë,
………………………………
Cigarja i digjet si fitil dinamiti
Dhe flet pak, psherëtin shumë.
Ndoshta plumbi është nxjerrë nga trupi – lule i një fëmije…

Poezia e Dhamos është, jo vetëm poezi e rrokjes mrekullisht të të përgjithshmes poetike, por ajo është edhe poezi e kapjes mrekullisht të detajit poetik duke e pasuruar kështu të përgjithshmen poetike, pa e cenuar atë aspak.

Por muret e ambasadës s’kapërcehen dot;
Madje, mbi ta shkëlqejnë verbueshëm
Telat me gjemba si të nazistëve,
Apo si të kufijve të diktaturës…

Detaji i mureve të ambasadave me tela këtu nuk është një bravurë apo fioriturë poetike, por thellësish dramatike dhe në funksion të domethënies. Kishim para syve një cortino di ferro gjatë diktaturës, dhe ja na u vu para syve një cortino di vetro. Ndërsa perdja e hekurt s’kalohej, por edhe s’na linte të shihnim përtej kufirit, tani perdja qelqore posdiktaturë na lejon të shohim përtej kufirit, por ne përplasemi në të si mizat në qelq. Zhgënjim i madh.

Ja një detaj tjetër monumental për ndërrimin e pushtetit në demokracitë perëndimore no koment:

Ish presidenti
Kodin atomik i dorëzon
Presidentit të ri
Monumentalisht përshëndeten,
Si dy epoka ndahen.

Dhe më poshtë:

Jehojnë brohoritjet, ndrit entuziazmi,

Dhe

Sa i pranishëm shteti, sa i përhershëm,
Sa i sigurt
Sa mizorisht i sigurt!

Detaji këtu përmban habi, por tërthorazi edhe një keqardhje të skajshme për rrotacionin e pushtetit te ne dhe për mungesën e shtetit ligjor e të drejtë.

Intelektualëve që marrin ndihma poeti u rezervon këtë detaj të dhimbshëm poetik:

Ah, sa dhunshëm të poshtëron varfëria !

Dhamo është edhe një peizazhist i tipit të Savrasovit. Peizazhet e tij poetike janë jo vetëm thellësisht shqiptare, por edhe gjithë kolor e freski të realizuar me figurat më adekuate. i dashuruar me token, pemët, ujërat, florën, faunën peneli i tij poetik lëviz si krah dallëndysheje në telajot e strofave duke na dhënë akuarele tejet të freskëta qelqore:

Fusha ndanë zallit, male dhe re,
Fshatra fshehur mjegullash diku…
Shkumbon Shkumbini;
Shelgjet brigjesh
Si shatërvanë derdhen, dridhen flu.

Freskia realizohet këtu nëpërmjet një aliteracini Fanolian.

Por Dhamo përdorë me mjeshtëri dhe inversionin poetik, figure kjo e përdorur nga Majakovski dhe Kadareja ynë. Inversionin e hasin pothuaj në gjithë librin, por veçanërisht atë e hasim në poemën furi ’’Zoti Kallashnikov’’

Prisnim CNN –in, RAIN – in prisnim

Ose

Shqipëria rrezikoi përsëri të copëtohej,
Të zhdukej krejt rrezikoi

Poeti Dhamo jepet më shumë sukses pas lirikës shoqërore, por edhe pas asaj filozofike e erotike. Ndonëse disi të rralla po kur ai trajton lirikën e dashurisë, derdh në të gjithë pasurinë e tij poetike, tretet i tëri në këtë ndjenjë që konkurron dhe vetë blerimin bjeshkor:

Gjer larg e ndjek tek ikën.
Ndodh që kokën kthen.
Humor të mirë në punë
Kam, kur e shoh përherë…

Dhe në dy poezi të tjera:

Tani e heshtur nga pylli
Këputet vjeshta fletë – fletë.
Së shpejti mes degësh të zhveshura
Veç gjethja e hënës do të mbesë…
….

Ato plepat puplorë flu
Ndanë udhës, në pyllin që ndrit
Dashurinë q’e humb, më thonë:
Të kthehet sërish mos prit.

Fill pas poemës ’’Zoti Kallashnikov’’ e cila është krijimi më i frymëzuar i përmbledhjes, ku trajtohen me realizëm, fantazi dhe nerv poetik e civil të gjitha prapështitë e ndodhura gjatë viteve postkomuniste dhe sidomos ato të vitit të çartur ’97. Nervi rritet, kur stigmatizohet imoraliteti politik dhe sidomos kur poeti jep prishjen e kulteve fetare, paradoksin e tjetërsimit të tyre nëpërmjet pyetjesh retorike:

Po kush në botë si ne
Prishi kisha dhe xhami ?
Kush ua ktheu në kulla vrojtimi zjarrfikësish
Minaret dhe kambanoret ?
Kush i ktheu vetë ato në magazine veglash bujqësore;
Në depo pesticidesh, në depo municionesh ?
Kush në botë i bëri qendra të edukimit politik ?
Palestra sportive kush i bëri ?

Dhe vazhdon po me pyetje dërrmuese retorike:

Pse s’ecën ky vend,
Si të tjerët, pse s’ecën ?

ose

Po të ikurve sot
Në çfarë u kthehet balta e mëmëdheut vallë?

Siç kuptohet, nëpërmjet këtyre vargjeve del në pah zhgënjimi i thekshëm i të emigruarve për mbijetesë apo për pasurim të përralltë. Dhe u duk sikur

Një mëngjes shqiptarët nga fajdet,
Si n’ëndërr të pasur u gdhinë.

Por

Nga fajdet një mëngjes përsëri
Si n’ëndërr të varfër u gdhinë

Dhe

Ku do t’i gjenin tani paratë,
Punë, ku do të gjenin tani ?
Ç’na bëre moj qeveri?

Pas kësaj poeme furtune, vendoset një tufë fine haikesh si një varg brilantesh splendid në gjoksin e librit. këto nuk durojnë komente, ato e venitin çdo koment më dritësinë e tyre. Haiket e Dhamos shijohen, jo duke i komentuar e analizuar, por duke i lexuar e rilexuar.

Duke mos ndjekur modat si adoleshent, apo si ç’bëjnë të patalentuarit,duke përthithur arritjet e artit botëror, duke përpirë çdo formë të re të vërtetë krijuese si poet me talent të konsoliduar, ai është dhe do të mbetet poet i tri dimensioneve kohore: i së djeshmes, i së sotmes dhe i së nesërmes. Poezia vitale ka vetin të rritet, të hedhë shtat vazhdimisht, kurse poezia dekorative, artificiale, si lulet prej letre s’e kanë këtë veti shtathedhëse. Duke qenë poet koherent edhe stili i tij është koherent. Ai ruan tiparet qenësore të stilit të tij që nga fillimi i krijimtarisë 45-vjeçare, duke e përsosur atë pa i cenuar atij asnjë tipar.

Ndërsa përmbajtja është e të gjithëve, stili i tij është vetëm i tij. Stili është vetë poeti. Edhe pse në dukje e ashpër, sita poetike e Dhamos sit imët, zëri i tij poetik timbron hollë, sidomos në poezitë lirike dhe peizazhet me dritë të blertë. Poeti Dhamo afishon edhe kulturë edhe stil në poezitë e tij. Poezitë e tij e kanë në sinkron mendim dhe ndjenjën. Ai e ruan mrekullisht masën në përdorimin e figuracionit dhe ndjenjës. Sepse siç thotë Hugoi, ndjenja e tepërt është si vaji i që e shuan zjarrin. Poezitë e Dhamos kanë një prush të butë si prushi i drurit të mollës, qershisë, blirit.

Ai ka kultin e fjalës. E kërkon atë kudo, e gjen në jetë, në të folurën e përditshme, në krijimet orale, e përthith dhe e fut në poezi, krijon neologjizma, jo për ta bërë të errët poezinë, por për ta bërë më të pasur dhe të qartë. Veç kultit të fjalës, poeti Dhamo ka të zhvilluar dhe kultin e qartësisë si një sfidë ndaj paqartësive të poezive belbane. Atij s’i pëlqen të këndojë si bretkosat nën akull…

Në vëllim, faqet e fundit i përkasin Haiku – t, kësaj perle të gjinisë poetike japoneze, të lëvruar tashmë edhe në letërsinë shqipe. Madje tek lexon Haiku –n e autorëve tanë, shprehesh: ah, haiku mun të kishte lindur fare mirë edhe këtu, në Shqipëri; kaq shpejt u trasnplantua ai në shpirtin poetik shqiptar, dhe herë – herë trevargëshi i tij, regëtin përmes ca metaforave dhe hiperbolave që të kujtojnë folklorin tonë.
Por, ja dy haiku të Konstandinit:

Piruetat e lulediellit
Homazh
Van Gogut…

….

Krrokat korbi, bilbili këndon ;
Dizonancë zemërake,
Por mua më pëlqen…

Konstandin Dhamo që ka punuar gjithë jetën në Televizion, në institucionin e informacionit pra, dhe të publicitetit, zor se ka lënë koleg të letrave pa e ndihmuar të promovohet n’ekran, teksa veten e tij ndërkohë, s’e ka promovuar kurrë; ai thjesht i boton librat e tij dhe s’merret me publikimin e tyre. Një gjë e mirë pluskon vetvetiu, argumenton ai, por për mua e ka gabim ditë e natë, tashmë që s’merret vesh se ç’bëhet.
Sidoqoftë, libri i tij i ribotuar “Moda e Varfërisë” është vërtet shumë i mirë !