E përgatiti Prof. Zymer Mehani
Librat na japin dituri. Librat na inspirojnë. Librat na dhurojnë guxim. Librat na mësojnë që të jemi të kujdesëshëm ndaj të tjerëve. Duke lexuar libra, ne besojmë, ne mësojmë nga përvojat, dituria, dhe ngjarjet dramatike të jetës së shumë njerëzve.
Libri gjithnjë ka pasur dhe ka një rëndësi të madhe. Ata kanë ruajtur dhe ruajnë në mes kopertinave të tyre pasurinë më të rëndësishme, më të çmueshme dhe më të shtrenjtë të një populli. Në mes të kopertinave të një libri ka të shkruara gjëra shumë të rëndësishme dhe shumë me vlera të karaktereve të ndryshme letrare, kulturore, shkencore, historike etj.
Sa i jepet sot një rëndësi e veçantë botimit të librit, leximit të tij, paisjes së bibliotekave me libra, është shumë brengosëse. Sa kemi biblioteka të hapura nëpër qytete, sa është fondi i tyre dhe sa furnizohen ato me botime të reja? Shtrohet pyetja: Sa kemi të hapura biblioteka nëpër fshatrat tona dhe nëpër shkollat tona? Edhe këtu duhet ndalur dhe menduar shumë e shumë për të dhënë një vlerësim të duhur.
Ajo që është më karakteristike dhe për t’u brengosur, është funksionimi ose mosfunsionimi, pajisja-mospajisja, furnizimi-mosfurnizimi i bibliotekave shkollore nëpër shkollat fillore, të mesme të ulëta edhe ato të larta, sidomos atyre nëpër fshatra, pa i lënë anash edhe ata nëpër qytete.
Në disa shkolla të fshatrave kanë ekzistuar dhe ekzistojnë disa bibliteka me një numër shumë simbolik, për të mos thënë aspak. Sa është i përshtatshëm lokali ku janë të vendosura ato, dihet shumë mirë. Sidoqoftë, aty ku ekzistojnë, edhe pse nuk i plotësojnë sa duhet kërkesat e lexuesve (nxënësve), prapëseprapë dikush mund të lexojë ndonjë libër, edhe pse për fat të keq në ditët e sotme kemi shumë pak lexues që nga nxënësit, studentët, arsimtarët dhe intelektualët në përgjithësi.
Ajo që na brengosë është fakti se në shumë shkolla nuk ekzistojnë fare biblioteka dhe as që kanë ekzistuar ndonjëherë. Nëse do të kishim kërkuar përgjigjen e drejtorëve, pedagogëve, arsimtarëve dhe…,të disa shkollave, pse nuk ekzistojnë bibliotekat shkollore, do të na largojnë për të arsyetuar vetveten: do të thonë se pushteti i kishte fajet, nuk kemi pasur lokal e shumë arsye tjera që fare nuk pijnë ujë.
E dimë se pushtetin që e kemi pasur nuk është interesuar për të na hapur, për të na rregulluar, pajisur, për të na furnizuar me biblioteka shkollore nëpër shkollat tona, si kanë bërë nëpër shkollat ku mësimi zhvillohej në gjuhën e tyre. Jo që do të na hapnin biblioteka dhe ato do t’ i furnizonin me libra shqip, kur dihet mirëfilli se ata shkollave në gjuhën shqipe ua vënin drynat për të mos i hapur kurrë. Por, kemi edhe shumë raste kur e penguam dhe sot po e pengojmë edhe vetë vetveten.
E dimë se pushtetet që i patëm gjithmonë e kishin halë në sy shkollën shqipe dhe librin shqip dhe mundoheshin me metodat më të ndryshme ta dëmtonin çdo gjë që është shqiptare. Kemi shumë e shumë raste në kohëra të ndryshme. Shumë vepra letrare, shkencore, historike e tjera nga pushteti u nxorrën nga bibliotekat, shumë libra, vetëm pse ishin në gjuhën shqipe dhe pse ishin shkruar nga krijues shqiptarë. Edhe sot e kësaj dite nuk dihet fati i tyre se ku përfunduan. U burgosën së bashku me atorët e tyre, u dogjën pa mbajtur llogari dhe përgjegjësi. E plagosën rëndë një kulturë dhe art të lashtë.
Veprat u shpallën nacionaliste së bashku me autorët e tyre duke menduar se do të rrezikonin e rrënonin shtetin. Sot e di gjithë bota se kush ishin nacionalistë, kush kish vënë dorë në kulturën, gjuhën, traditën…, shqiptare, dihet mirëfilli se jo shqiptarët. A thua vallë pushtetarët sllavo-komunistë do të kishin arsyetuar vetveten para opinionit botëror kur pa mëshirë dhe në mënyrë më çnjerëzore do të sulmojnë me rrebesh granatash bibliotekat, ku do t’i rrënonin tërësisht dhe do t’i digjnin ato së bashku me gjithë librat që gjendeshin në raftet e bibliotekave.
Nga tymi e flaka që i kaploi këto biblioteka, asgjë nuk mbeti në to përveç tymit, pluhurit, shkrumit nga librat dhe objektet e djegura. Kush mund të jenë ata që vënë dorën dhe flakë në një culture, siç vepruan të çoruditurit?! Shqiptarët kurrë nuk kanë pasur traditë të vënë dorën ndaj kulturave të huaja, sepse nuk i ka lejuar dhe nuk i lejon ndërgjegja e pastër e tyre kombëtare. Edhe pse, këto akte brutale dhe çnjerëzore shumë rëndë i përjetuan shqiptarët në shpirtin e tyre.
Asnjëherë nuk mund të harrojnë tymin dhe flakën që i përbijnë bibliotekat e tyre dhe librin shqip. Kjo do të mbetet një kujtesë e hidhur, që kurrë nuk do të harrohet në zemrat e tyre. Dhe tani është koha që shqiptarët duhet t’i rikthejnë bibliotekat nëpër shkolla, qytete, fshatra dhe nëpër shtëpitë e tyre dhe t’i pajisin ato me libra. Dhe librat të jenë përsëri në duart e nxënësve, arsimtarëve, intelektualëve dhe mbarë popullit shqiptar të të gjitha shtresave në trojet tona dhe në diasporën shqiptare. T’i japim një rëndësi të veçantë librit, duke u nisur nga ajo se kultura e një populli mund të dëmtohet, por kurrë nuk mund të shuhet, sepse vetë populli është ai që do ta mbajë gjallë dhe do ta kultivojë përderisa të jetë vetë gjallë.
Mbetemi me shpresë se në një të ardhme sa më të shpejtë të angazhohemi nxënës, studentë, arsimtarë, intelektualë të të gjitha profesoneve që të japim një rëndësi dhe kontribut të madh për botimin, ruajtjen dhe leximin e librit, sepse ai ka vlerën e vet shumë të madhe dhe të çmueshme. Ne brezat më të vjetër të angazhohemi për të vënë librin në vendin e merituar që ai e ka. Të krijojmë kushte për të hapur biblioteka, të pajisen ato me libra, t’i lexojmë ato dhe të mbjellim dashurinë tek gjeneratat e reja ndaj librit dhe leximit të tij. Jemi dëshmitarë të kohës së sotme se për çdo ditë po na hapen ca lokale dhe po na mbijnë si këpurdhat pas shiut, lokale të natës, ku gjeneratën e re po na e degjenerojnë.
Individë të caktuar për interese të përfitimeve të tyre personale janë duke u servuar të rinjve gjërat më të këqia që i shkatërrojnë shëndetin e tyre dhe jetën. Nuk do të thoja se nuk duhet të ketë lokale të mirëfillta ku gjenareta e re do të kalojë kohën e lirë të argëtimit të tyre, por ato të jenë lokale të vërteta dhe me kushte që nuk rrezikojnë qenien e re fizikisht dhe shpirtërisht.
Sa i përket bibliotekave dhe librit duke lexuar atë, aq më tepër do të jemi më të pasur me dituri, sepse vetëm me lexim dhe dituri do të ecim përpara.
Ju lutem, shijojeni botën e mrekullueshme të librave që keni para jush! Ne thellësisht dëshirojmë që në ardhmëri të gjendemi në një rrugë të paqes dhe të lumturisë me ju të gjithë!