LIBËR I RI I PROF. SHEFIK OSMANIT, PËR ARSIMIN DHE KULTURËN TONË MBARËKOMBËTARE…

0
1253

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.

Një jetë të tërë ia kushtoi prof. dr. Shefik Osmani (Shkodër, 20 maj 1923-Tiranë, 22 korrik 2012) arsimit tonë kombëtar, pedagogjisë dhe edukimit të brezit tonë të ri, por dhe kulturës e shkencës shqiptare, në përgjjithësi. Në gjallje të tij, panë dritën e botimit disa vepra me vlera teorike e praktike, ndër të cilat do të veçoja “Fjalorin e Pedagogjisë” (Tiranë, 1983) dhe bashkautorësinë me 40 “zëra” në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” etj. Gjithashtu, ishte bashkautor në vepra të njohura dhe unike në fushën e studimeve tona, siç është “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar” (Tiranë, 3003), botim që e drejtoi i ndjeri prof. Bedri Dedja-Akademik. Për meritat e tij, prof.Sh.Osmani u shpall “Laureat i Çmimit të Republikës” e iu dhanë titujt “Mësues i merituar” dhe “Profesor”.

Siç është e njohur, ndarja nga jeta bëri që disa botime të prof. Sh.Osmanit të mbeteshin dorëshkrim. Por ato i ktheu në pasuri të lexuesve tanë, të shkollave e bibliotekave tona, bashkëshortja e tij, e palodhura Urti Osmani-“Mësuese e Popullit”. Megjithëse e moshuar dhe me probleme shndetësore, ajo iu vu punës me ngulm e përkushtim të patreguar për t’i përgatitur dhe botuar disa vepra të tilla. Librin e pare, ia kushtoi pikërisht jetesës së tyre të përbashkët, me titullin domethënës “Përjetë me Shefikun”(Tiranë, korrik 2013).

Ndërsa, në vazhdimësi, duke patur edhe ndihmesën e kolegëve e miqëve të shumtë të prof. Sh.Osmanit, ajo botoi librat: “Vlerësme për prof. dr. Shefik Osmanin” (Tiranë, janar 2014), “Figura të shquara të arsimit dhe të pedagogjisë”(Tiranë, qershor 2014), “Ligjërata dhe shkrime të zgjedhura”(Tiranë, korrik 2014), “Probleme të Ciklit të Ulët në rrjedhën e viteve”(Tiranë, prill 2015) dhe “Kontribut për historinë e filatelisë shqiptare” (Tiranë, qershor 2015).

2.

Kur ndokush mund të mendonte se ishin “shterruar” burimet për të botuar një libër tjetër nga prof.Sh.Osmani, studiuesja e palodhur Urti Osmani na bëri një “suprizë” të bukur. Kështu, këto ditë ajo njoftoi se doli nga shtypi libri i ri me emrin e tij, “Probleme të ciklit të ulët, të arsimit dhe të kulturës”, venë në qarkkullim nga Shtëpia Botuese&Studio grafike&Shtypshkronja “Filara”, Tiranë. Redaktimin dhe hyrjen i ka bërë prof.Emil Lafe.

Në këtë shkrim të shkurtër nuk kemi synim të bëjmë analizën e shkrimeve të paraqitura, në 418 faqe të librit në fjalë dhe të ndara në pesë pjesë. Vetëm duam t’u japim një informacion të përmbledhur për shkrimet, që janë përfshirë në këtë vepër të re të prof. Sh.Osmanit. Kështu, pjesa e parë trajton disa aspekte psikologjike dhe edukative në ciklin e ulët. Më tej, janë pjesët: “Probleme të përmbajtjes së të mësuarit”, “Forma të larmishme të mësimdhënies” dhe “Aspekte të orgnizimit, të drejtimit dhe të edukimit”.

Vëmendjen e lexuesit e tërheqin edhe disa shkrime të përfshira në pjesën “Probleme të arsimit dhe të kulturës”. Të tillë po shënojmë këtu: “Aspekte të edukatës popullore në zonat malore, të sanksionuara në të drejtën zakonore”, “Disa të dhëna rreth zhvillimit të arsimit në Kosovë dhe në trevat shqiptare për rreth”, “Rilindja Kombëtare për formimin e identitetit të shkollës shqiptare”, “Arsimi shqiptar në fazën e parë të organizimit të tij shtetëror, 1914-1920” etj.

…Parë në tërësi, mendojmë që kjo vepër e re e prof. Shefik Osmanit, të cilën e ka përgatitur me shumë kujdes e profesionalizëm bashkshortja e tij, është jo vetëm dëshmi e ndihmesës së shquar, që ai ka dhënë tërë jetën e vetë, në fushën e arsimit, pedagogjisë, shkencës dhe kulturës mbarëkombëtare shqiptare, por dhe se ajo është një pasuri e vyer për brezat e mësuesve, pedagogëve, nxënësve e studentëve dhe prindërve të tyre. Prandaj gjejmë rastin që përsëri të shprehim respektin e mirënjohjen tonë të përbashkët për përkushtimin, vullnetin dhe kujdesin e treguar nga Urti Osmani-“Mësuese e Popullit”, për botimin e këtij libri të ri dhe nga zemra t’i urojmë asaj shëndet të mirë e jetëgjatësi!

Tiranë, 13 mars 2016