LIBËR HOMAZH PËR MBROJTËSIT E ULQINIT

0
1041
Dr. Nail Draga

Dr. Nail Draga

Eqerem Beci, Mehmet Beci dhe lufta për mbrojtjen e Ulqinit, Botoi: ”ADA”, Tiranë 2015

Për opinionin e gjerë është e njohur se çështja e Ulqinit, e cila paraqet ngjarje të veçantë për historinë kombëtare shqiptare në shek.XIX. Eshtë pikërisht e tillë sepse Ulqini u bë çështje e ditës në diplomacinë ndërkombetare, si asnjë qytet tjetër deri në atë kohë. Dhe nuk kishte si të ishte ndryshe sepse dominuan interesat e Fuqive të Mëdha, ku viktimë ishte qyteti i Ulqinit, me rrethinën e tij të ngushtë.

Pra, kemi të bëjmë me kohën e ndryshimeve të mëdha në hartën politike në Siujdhesën Ballkanike, në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit(1878), me pavarësinë e disa shteteve të cilët ishin në kuadër të Perandorisë Osmane. Pra, kemi të bëjmë me një periudhë kohore, ku hapësira etnogjeografike shqiptare filloj të zvoglohej dukshëm, në sajë të vendimeve të padrejta të Fuqive të Mëdha.

Deri me tash në lidhje me këtë çështje janë botuar artikuj e studime nga autor të ndryshëm, kryesisht nga fusha e historisë, por, kohë më parë regjistrit të autorëve të tillë iu shtohet edhe Eqerem Beci, me librin Mehmet Beci dhe lufta për mbrojtjen e Ulqinit, botuar nga SHB”ADA”, Tiranë 2015.

Edhe pse autori për nga përgatitja profesionale është i profilit të inxhinierisë, ai mori guximin të trajtojë një temë të tillë, sepse është trashëgimtari i familjes së Mehmet Becit. Madje ky është brezi i katërt i këtij personaliteti të Ulqinit i cili u veçua si komandant i forcave vullnetare ulqinake në luftën për mbrojtjen e Ulqinit, kundër Malit të Zi, por edhe Perandorisë Osmane(1878-1880). Është pikërisht obligimi moral si dhe ndjenja familjare e origjinës ulqinake e cila ka qenë motiv i veçantë për autorin qe ti qasët një teme të tillë, me plot pasion kombëtar.

Në këtë botim të dhënat trajtohën në kontekstin gjeostrategjik të kohës duke filluar me Krizën lindore e vazhduar me ngjarjët qe pasuan në hapësirën etnogjeografike shqiptare, në sajë të vendimeve të Fuqive të Mëdha, në formimin e hartës së re politike të Ballkanit. Kështu jepen të dhëna në lidhje me luftën e Tivarit(nëntor 1877-janar 1878) si dhe me pushtimin e parë të Ulqinit (18 janar 1878-shkurt 1879), traktatin e Shën Stefanit e Kongresin e Berlinit(1878) etj.

Edhe pse në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit, vise e vendbanime shqiptare iu dhuruan Malit të Zi, ngjarjet qe pasuan me përcaktimin e vijes kufitare Mali i Zi-Perandoria Osmane, përkatësisht Shqipërisë, kjo çështje mori kahje tjetër e cila deri në atë kohë ishte dukuri e panjohur. Pas luftërave të zhvilluara në Plavë/Guci(dhjetor 1879-janar 1880) e më pas në Grudë(prill 1880), ku popullsia shqiptare luftoi për të mos kaluar nën pushtetin e Malit të Zi, dëshmoi në praktikë mobilizim luftarak dhe ndjenjë kombëtare të udhëhqur nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, për mbrojtjen e tërësisë toksore shqiptare.

Por, nga rrethanat e reja të kriuara filloi aktivizimi i diplomacisë së Fuqive të Mëdha duke dalur me propozim për kompensim territorial duke propozuar qe ai kompensim te jetë qyteti i Ulqinit. Nga ky moment rasti i Ulqinit nuk ishte me karakter lokal apo regjional por u bë çështje ndërkombetare për një periudhë gjashtë mujore.

Pikërisht, për periudhën kohore qershor-nëntor 1880, autori na sjell të dhëna me interes, ne lidhje me protestat e shqiptarëve ndaj vendimeve të tilla, mobilizimin e ulqinakëve, ndihmën e shkodranëve dhe luftën në mbrotje të Ulqinit, si dhe dorëzimin e këtij qyteti Malit të Zi nga ana e Perandorisë Osmane në nëntor të vitit 1880.

Qendresa heroike e shqiptarëve në mbrotje të Ulqinit paraqet faqe të ndritur të popullit shqiptar për mbrotjen e trojeve shqiptare. Edhe pse ulqinakët u angazhuan aq sa kishin mundësi duke kriuar formacione vullnetare luftarake të ndihmuar edhe nga shkodranët me ne krye Isuf Sokolin, ishte e pamundur të bëhëj më shumë, sepse rrethanat e kohës ishin të tilla, por megjithate siç thot kënga popullore ”dual mileti me faqe të bardhë”!

Rasti i Ulqinit është i papresedan në diplomacinë ndërkombëtare sepse ky këmbim territori nuk kishte të bënte fare me vendimet e Kongresit të Berlinit, por pas tij në sajë të interesave të Fuqive të Mëdha, duke bërë presion ndaj Perandorisë Osmane, duke e detyruar ate të marrë masa të tilla luftarake kundër shqiptarëve.

Mobilizimi i shqiptarëve për të kundërshtuar edhe me armë vendimet e padrejta të Fuqive të Mëdha, dëshmoi qartë se nuk është marrë parasysh parimi etnik për territoret përkatëse, por interesat gjeopolitike të diplomacisë ndërkombëtare, duke dëshmuar se popujt e vegjël janë viktima të përhershme, qe shqiptarët e përjetuan në shek. XIX dhe më pas.

Si pasojë e këtij vendimi të pakënaqur me pushtetin e ri, përafërsisht rreth 3000 banorë, apo me tepër se 1/3 e popullsisë emigruan nga Ulqini duke u vendosur kryesisht në Shkodër e Durrës. Ndonëse të vendosur në mjedisn e ri ata nuk e harruan vendlindjen e tyre të dashur Ulqinin. Një nder ta ishte edhe Mehmet Beci, i cili edhe në Shkodër ishte aktiv, duke marrë pjesë në jetën shoqërore e politike, sepse kishte njohuri dhe lidhje me parinë e këtij qyteti.

Por, ai mallin për Ulqinin e kishte të pashuar, që dëshmohet më të dhënën se në Shkodër banonte me qera, sepse mendonte se do të kthehej në shtëpinë e tij në Ulqin. Jo vetëm kaq, por dëshmitarët e kohës kanë cekur se ai “opingat i mbante të varuara në mur” për tu kthyer sa më parë, në Ulqinin e tij të dashur, deri sa vdiq në vitin 1907.

Botimin e këtij libri e vlerësojmë kontribut me vlerë për familjen Beci, e në veçanti për personalitetin kryesor të saj Mehmet Becin(1830-1907), që është nder figurat me të njohura shoqërore e politike të Ulqinit në kohën e tij. Ai ishte trim, guximtar e bujar, e në veçanti i vendosur për të mbrojtur trojet shqiptare me armë kundër aneksimit, duke u bërë komandant i forcave vullnetare ulqinake(1878-1880). Përmes kësaj figure, prezantohen edhe ngjarjët tjera që kanë të bëjnë me çëshjtjen e Ulqinit, në kohën e Lidhjës Shqiptare të Prizrenit, e sidomos ate të angazhimit të diplomacisë ndërkombëtare.

Për përgatitjen e këtij libri autori ka konsultuar një literaturë selektive e cila ka të bëj enkas për çështjen e Ulqinit, në shek. XIX, përkatësisht në vitët vendimtare 1878-1880, kur Fuqitë e Mëdha e detyruan Perandorinë Osmane që ketë qytet t ia dorëzojë Malit të Zi. Po ashtu në këtë botim na prezantohen edhe fotografi të ndryshme, por risi paraqet prezantimi i skicës gjenealogjike te familjes Beci, duke dëshmuar në mënyrë praktike, lidhshmirën familjare me personalitetin e Mehmet Becit për disa breza.

Trajtimi i temave të tilla, është i nevojshëm sepse duke njohur të kaluarën tonë historike vlerësojmë të tashmën dhe planifikojmë të ardhmen. Këtë botim e vlerësoj si një homazh për të gjithë ata qe luftuan dhe u angazhuan me të gjitha format për mbrojtjen e Ulqinit, për të gjithë ulqinakët, shkodranët dhe të tjerët që nuk kursyen asgjë në shërbim të popullit dhe atdheut.

Ndonëse ka kaluar një kohë e gjatë në rrethana të reja shoqërore edhe në vendlindjën e tij në Ulqin, vlerësohet dhe nderohet figura e Mehmet Becit. Pikërisht duke pasur parasysh meritat e tia Këshilli për dhënien e propozimeve për emërtimet e rrugëve, shesheve dhe institucioneve i propozoi Kuvendit të Komunës së Ulqinit qe një rrugë të mbaj emrin e Mehmet Becit, që u miriatua në mbledhjen e Kuvendit të Ulqinit të mbajtur me datën 24.7.2015. Është pikërisht rruga në Mëhallë të Re aty ku ka qenë shtëpia e familjes së tij. Nderi i së cilit në vend të vet, ku edhe ne po veprojmë sikurse bota e qytetëruar, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët!

Andaj, duhet përgëzuar autorin për angazhimin dhe gadishmërinë për trajtimin e një teme të tillë për ngjarjet dhe këtë personalitet të rëndësishëm të kohës, ku pa hezitim e them së do të mirëpritet nga opinioni i gjerë.

(Fjala e mbajtur më rastin e përurimit të librit në Ulqin më 22.4.2016)