Mr. Salih Salihu “Luftërat e shqiptarëve të Llapit për komb dhe shtetformim shqiptar dhe pavarësia e Shqipërisë”, Prishtinë, 2012
Milazim F. KADRIU
“Krahina pellazgo-iliro-shqiptare e Llapit kishte derdhur në çdo periudhë më së shumti gjak, mund dhe djersë për shtetin Sovran dhe të pavarur shqiptar, duke e dëshmuar këtë me fakte dhe argumente të pamohueshme me njerz të penës dhe të pushkës, nga themeluesi i parë i kodifikimit dhe ligjësimit, siç është Justiniani i Bederianës dhe Thuranës, dhe Ligji e Kushtetuta e parë e njohur në mbarë botën si Kodi Justinianit…”
Kështu e fillon librin e tij ish i burgosuri politik dhe ushtari i UÇK-, Mr.Salih Salihu, “Luftërat e shqiptarëve të Llapit për komb dhe shtetformim shqiptar dhe pavarësia e Shqipërisë”
Salihu në librin e tij sjell një varg të dhënash historike për Krahinën e Llapit dhe atdhetarët llapjanë që deri më tani janë përmendur shumë pakë në historinë ose janë përmendur në shkrimet në mënyrë të përgjithësuar në kuadër të historisë së Kosovës, ndërsa tash autori i librit i sjell këto të dhëna të shkruara veçanërisht për Llapin e luftërat e popullit shqiptar të kësaj treve.
Duke shkruar për luftërat dhe luftëtarët trima të Krahinës së Llapit, Salihu në librin e tij sjell të dhëna dhe fakte për Kuvendin e 26 dhjetorit 1909 dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar shqiptar në Kullën e Hys Popovës, pastaj flet për jetën dhe veprimtarinë atdhetare të Hys Rushit Popovës, Haxhi Sadri Mustafë Blaku, Islam Ukë Bulliqi, Shaban Kapuçi i Mihaliqit etj. Duke folur për këta trima udhëheqës ushtarak dhe luftëtarët tjerë, autori flet edhe për luftën e përpjekjet që janë bërë nga llapjanët për të fituar lirinë, bashkimin kombëtar dhe krijimin e shtetit shqiptar. Ndonëse kjo çështje është ende e pazgjidhur autori sjell shumë fakte për angazhimin e llapjanëve tash e mbi një shekull në këtë drejtim.
Andaj autori thotë se Llapi kishte krijuar fizionominë e vetë kombëtare shqiptare, politike dhe strategjike dhe luftë pas lufte, betejë pas beteje llapjanët çdo gjë që e fituan e fituan me gjak e djersë dhe kurrë nuk e hoqën pushkën nga krahu. Prandaj burrëria, besa, atdhetarizmi i llapjanëve ishte në shkallën më të lartë sa që armiqtë kishin fituar përshtypjen se nëse pushtohet Llapi do të jetë lehtë më pjesët tjera. Autori lidhur me këtë në libër sjell edhe një të dhënë që kishte thënë në atë kohë Nikolla Pashiqi i Serbisë “60 për qind të shtetit, policisë dhe ushtrisë m’i hanë shqiptarët e Llapit, e me 40 për qind marshoj deri te Durrësi”.
Autori thotë se çdo sulm që u bëhej tokave shqiptare të parët që përballeshin me armikun ishin llapjanët dhe atë që nga kohët më të lashta, që nga romakët, bizantinët, shkiet, turqit, bullgarët, gjermanët, përsëri shkiet deri te lufta e fundit e shporrjes së sllavëve të jugut nga trojet shqiptare, nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Autori thotë se numri i trimave llapjanë në të gjitha kohët është i madh dhe është e pamundur që të përmenden të gjithë ata që luftuan për mbrojtjen e tokave shqiptare dhe lirinë e pavarësinë e vendit nëpër të gjitha etapat që kaloi Krahinë Vigane dhe Titane, Pellazgo-Iliro- Shqiptare.
Autori në këtë libër përmend edhe Kuvendin e Prokupjes që organizator i sajë ishte Pjetër Bogdani. Po ashtu ai në libër flet edhe për një personalitet të rëndësishëm nga Llapi Jashar Erebara që ishte në lidhje të drejtpërdrejt me Komitetin e Stambolli dhe intelektualët e tjerë shqiptar, pastaj për Hoxhë Kadri Prishtinën që si thotë autori ka prejardhjen nga fshati Bradash i Besianës.
Në libër autori sjell edhe shumë të dhëna për personalitetet e njohura llapjanë si janë : Hys Rushit Popova, Haxhi Sadri Mustafë Blaku, Islam Ukë Bulliqi, Bel Bajqinovci, Mehmet Konjuhi e shumë figura ushtarake e politike të Krahinës së Llapit.
Salihu një pjesë të mirë të shkrimit në librin e tij ua kushton Kuvendeve që janë mbajtur në Krahinën e Llapit në organizim të tyre për mbrojtjen dhe çlirimin e tokave shqiptare. Kështu ai duke folur për Kuvendin e 26 dhjetorit të vitit 1909 që u mbajt në Kullën e Hys Popovës thotë se në këtë kuvend u miratua programi i kërkesave për liri dhe krijimin e shtetit shqiptar me këto pika: – Autonomia e Shqipërisë me guvernator shqiptar,- Gjuha shqipe të jetë gjuhë administrative,-Njësit e këtyre viseve të jenë shqiptare,-Fondet të jenë të ndara nga Perandoria Osmane dhe të shfrytëzoheshin për shqiptarët,- Shërbimi ushtarak të bëhet në trojet shqiptare. Pra më 26 dhjetor 1909 në kullën e Hys Popovës shpallet Shteti i Pavarur Shqiptarë, Flamuri kombëtar ngritët në një shtizë 30 metra të gjatë dhe vendoset në kodrën më të lartë e cila kodër nga ajo kohë quhet Kodër-Flamur.
Autori në librin e tij na ofron edhe një mori të dhënash edhe për kuvendet tjera të mbajtura në Krahinën e Llapit siç janë: Kuvendi i Livadhisë, i Repës, Letanit, Pollatës, Mugullës, Mavriqit, Dobratinit, Bradashit, prej nga ishte dhënë kushtrimi për fillimin e kryengritjeve të viteve 1911,1912 etj.
Në librin e Salihut lexuesit i ofrohen shumë të dhëna historike që dëshmojnë për aktivitetet kombëtare të popullsisë shqiptare e në veçanti të Krahinës së Llapit gjatë viteve 1910-1913 pastaj të viteve 1918-1925 të udhëhequr nga “Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”
Pastaj gjejmë të dhëna të kohës kur Kosova ishte e pushtuar nga MSKS deri në kohën kur Kosova po e dhe Krahina e Llapit u pushtua nga Gjermania naziste dhe Italia fashiste. Po ashtu Salihu ofron të dhëna edhe për luftën e Dytë Botërore dhe pas Luftës së Dytë ku në të gjitha periudhat historike pushteti jugosllav (serbosllav) gjithmonë mbajti qëndrim nacionalist dh shtypës ndaj shqiptarëve dhe kjo ka bërë që asnjëherë shqiptarët të mos pajtohen me pushtetin e imponuar të ish Jugosllavisë. Salihu thotë se kjo u dëshmua me rastin e demonstrative të vitit 1981 që ishin një nga momentet më kulmore të luftës për liri e që një kontribut të çmuar e dha Krahina e Llapit mbi të cilën u morën një varg masash represive nga policia dhe ushtria sebosllave ngase për të depërtuar në thellësi të Kosovës ato duhej të kalonin nëpër Krahinën e Llapit dhe për këtë ata e dinin historikisht se ky kalim nuk bëhej shumë lehtë.
Autori më tej në libër flet edhe për ngjarje tjera që janë organizuar në vitet e 80-90 në Llap dhe organizatorët e këtyre ngjarjeve që ishin paraprijëse e luftës së lavdishme të UÇK-së, angazhimin e rinisë llapjane në radhët e UÇK-së dhe deri në çlirimin e vendit ku edhe përmend që Prishtinën e lirojnë njësitet shqiptare të Llapit, ku 80 pjesëtarë të njësisë elite të brigadës 153 në operacionin luftarak të koduar “ Vallëzimi i Shqiponjave“ hynë në Prishtinë përmes luftimeve më 8 qershor 1999 në orën 16.
Ndonëse edhe më parë nga autor tjerë është shkruar për historinë e Llapit autori i këtij libri shkruan pak më ndryshe sjell shumë të dhëna që nuk kanë qenë të njohura për lexuesin.Ai hap rrugën që edhe të tjerët të shkruajnë edhe më gjerë për historinë e begatë të Krahinës së Llapit dhe llapjanëve dhe kontributin e tyre që nga kohët më të lashta pellazgo-ilire e deri në ditët e sotme, deri në luftën e lavdishme të UÇK-së deri në çlirimin e vendit, pavarësinë e Kosovës dhe angazhimin drejtë bashkimit të trojeve shqiptare pra në Shqipërinë natyrale.
Libri i Salihut është edhe një argument më shumë në mesin e argumenteve që i kundërvihen historiografisë së rreme serbe që ia prezantojnë opinionit ndërkombëtar me shumë shpifje dhe rrena e manipulime lidhur me shqiptarët. Libri është i pasuruar edhe me shumë fotografi që autori i ka sjell nga terreni duke dokumentuar gjithë ato ngjarje dhe vende për të cilat flet se ku janë mbajtur kuvendet e shqiptarëve për organizim të mbrojtjes dhe çlirimit të trojeve shqiptare në të gjitha periudhat nga okupatorët e ndryshëm të vendit tonë.
Siç shihet autori gjatë shkrimit të këtij libri ka konsultuar burime të shumta arkivore, libra të autorëve tjerë, revista dhe gazeta të ndryshme.