LIBËR EDUKATIV PËR FËMIJËT

0
320
Ibrahim Kadriu - Fëmijë të jesh

Ajete Zogaj

Ibrahim Kadriu, “Fëmijë të jesh”, botoi “Faik Konica” – Prishtinë 2020

E botuar në fund vitin që lamë pas, libri më i ri i autorit Ibrahim Kadriu “Fëmijë të jesh” vjen si një dhuratë e bukur dhe befasi e këndshme për lexuesit e vegjël – për fëmijët.

Kjo nuk është dhurata e parë që autori Kadriu u dhuron fëmijëve, ngase janë libra të tij të shumtë, romane e përmbledhje poezish, që vazhdojnë t’i pasurojnë  bibliotekat tona të letërsisë për fëmijë.

Është thënë me të drejtë se nuk është e lehtë të krijosh vepra për fëmijë, ngase duhet ta kuptosh e të depërtosh thellë në botën e tyre…të rikthehesh në botën  e fëmijërisë…Këtë dukuri e vërejmë  edhe në disa nga poezitë e këtij libri të Ibrahim Kadriut, kohë që autori e kthen dhe e ‘shpirtëzon’ përmes vargjeve.

Libri “Fëmijë të jesh” fillon me kapitullin “Me nipa e mbesa”, ku autori shpreh gjithë dashurinë për nipat dhe mbesat e tij, të cilët i ka të këndshëm si mëlmesa; ata ia ndreqin mëngjesin e ditën me përqafimet që i dhurojnë atij si gjysh (autorit).

Ibrahim Kadriu në këtë librin i kushton kujdes mesazhit që del nga teksti, i cili në qenësi është porosi drejtuar lexuesve të vegjël. Pra, qartësohet qëllimi edukative i poezive i cili njësohet në mënyrë artistike në vargjet e vjershave. Me një fjalë, ‘gjuha e komunikimit’ të poezisë së tij me lexuesit, në këtë rast me fëmijët, ka funksion të caktuar, është i dobishëm, i qartë dhe si i tillë ndikon pozitivisht te fëmija.

Motive  mallëngjyese

Në disa nga vargjet e poetit  shprehet malli dhe dashuria për nipat dhe mbesat, të cilët nuk i ka afër, ndërsa me ata komunikon nëpërmjet telefonit, skajpit dhe rrjeteve sociale. Madje, edhe ditëlindjet e tyre i përcjell në mënyrë virtuale, siç mund të vërehet në këto vargje:

Për mbesën Elisë të rrëfej
Është larg – në Gjermani,
Kur kam mall n’skajp e gjej,
E buzëqeshur përherë rri.

Zgjas  duart për përqafim
Dua fort – ta shtrëngoj…
E  tëra mbetet veç n’shikim,
Mundem vetëm ta ëndërroj. (f. 9).

Vargje përkushtuese autori i thur mbesës, Jonës, dhe nipit, Norikut; madje festën e ditëlindjes së Norikut, i cili jeton në Gjermani,  gjyshja e gjyshi e përcjellin në ekran, dhe, natyrisht, mungesa e tyre shkakton mallëngjim tek ata:

Gjysh e gjyshe festën e tij
E përcjellin drejt n’ekran,
Noriku është në Gjermani,
Për nipin e tyre mall kanë. (f. 12).

Koha e fëmijërisë është kohë e artë, të cilën mbase e rikujton secili prej  nesh. Është pena e autorit Kadriu, që këtë kohë e bën objekt vështrimi artistike në vargjet e tij:

Fëmijë të jesh
Botën e ke
Gëzon çdo peshqesh
Pa  brenga  je.
…………………

Krejt çfarë do
Është kënaqësia,
Ohohooooo…
Gëzuar fëmijëria. (f. 18)

Në disa poezi të këtij libri me vlerë për të vegjlit, autori në mënyrë  figurative  përshkruan rolin e vitaminave për shëndetin e njeriut. Madje, këshillat e tij të dhëna përmes vargut, i ngjasojnë këshillave të mjekut për  kujdesin  që  duhet  treguar në përdorimin e vitaminave.

Pra, edhe në këto vargje, gjejmë elementin edukativ dhe këshillëdhënës  për kujdesin ndaj shëndetit.

Të vegjlit, duke lexuar poezitë e kapitullit “Dhemb shpina për vitamina”, jo vetëm që do të mësojnë më shumë për rëndësinë e vitaminave për organizimin  e njeriut, por edhe në cilat ushqime gjenden ato.

Duke iu referuar rëndësisë së vitaminave, autori përmes vargjeve, veçon  Vitaminën A, B6, B9, C, D, B12, E si dhe atë  K.

Përveç rëndësisë së vitaminave, autori Ibrahim Kadriu nuk lë anash t’i veçojë edhe ushqimet e dobishme për organizimin e njeriut, si: hudhrën, qepën, karotën, kamomilin  etj.

Do theksuar se përmes vargjeve, autori ka vënë në shënjestër edhe disa dukuri të shëmtuara, të cilat janë të pranishme në realitetin tonë. Edhe pse nuk i përkasin botës së fëmijës, ato në mënyrë ose në një tjetër janë pjesë e realitetit të përditshëm dhe shprehen dhe në jetën e tyre.

Kështu ngjet me poezinë e cila portretizon deputetin dembel ose dukuria kur veteran bëhet edhe një fëmijë (!):

Veç njëherë kishte folur, pa marre:
I thotë kolegut: mbylle atë dritare. (f. 83)

Nga vargjet del se këta deputetë dembelë duhet ndëshkuar:

Në zgjedhjet e tjera kur t’arrijmë,
Emrat e rrugaçëve do t’i fshijmë. (f. 85).

Diçka e ngjashme shprehet edhe për fëmijën veteran lufte:

Çka kam ndi’
Çka kam ndi’
Veteran lufte-
Është bërë një fëmijë.’ (f.63).

Në ndonjë nga vjershat poeti i porosit të vegjlit ta ruajnë të pastër gjuhën shqipe:

Gjuhën e nënës
E  vrasin për çdo ditë,
Kur me fjalë të huaja –
I dalin në pritë. (f. 89)

Struktura e vargut

Përmbledhja poetike “Fëmijë të jesh” e Ibrahim Kadriut s’ka një strukturë ‘ të prerë’ të vargut; përdor gjashtë, shtatë, tetërrokëshin; në disa poezi përdor rimën e alternuar (ABBA) si në “Mace me mustaqe”:

Një mace me mustaqe,
Që është në shtëpi;
Taman si rrugaqe
Nuk dëgjon njeri… (f.15)

Në disa vargje të tjera përdor rimën AABB:

Për besë,
E kam një mbesë,
Ka dy dhëmbët e parë
Si inxhi, si ar. (f. 13).

 Ajo që e bën shumë tërheqëse dhe me vlerë këtë libër, janë ilustrimet e bukura të bëra nga Uran Bahtjari; ato i japin tekstit të poezive gjallëri dhe njëkohësisht i bëjnë më tërheqëse për lexuesin.

Përmbledhja “Fëmijë të jesh”  i Ibrahim Kadriut është një libër i këndshëm për lexuesit e vegjël për vargjet e bukura dhe për vlerën e tij edukative.

Duhet përmendur dhe përgatitjen teknike të realizuar me shumë përkushtim nga Sh. B. “Faik Konica”.

Prishtinë, 30 janar 2021

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet & shkrimtar