Letrat e disa prej intelektualëve anti-komunistë

0
555
Ernest Koliqi - me miq

(Me kambnguljen patriotike të Ernest Koliqit, Piana Dei Greçi u sh’ndrrue në Piana Degli Albanesi – B. Oroshi).

(Prof Ardian Ndreca)

Shkaqet e vorfnisë se letërshkëmbimeve të njerzve të shquem tek ne janë të ndryshme. Disa, me sa dimë, nuk e kishin aspak zakon me shkëmbye letra, do tjerë, orëpremë, jeta i shkapeti sa andej këtej e arkivat së bashku me letrat e tyne humbën përgjithmonë. Dikujt tjetër kushedi se në cilat dosje arkivash u flejnë letrat e presin ditën e lume me u “zbulue”.

Nji prej ma fatlumve në ketë drejtim, tue pasë parasysh edhe krajatat që kaloi gjatë jetës, asht Mustafa Kruja, gjuhëtar, politikan, përkthyes e shkrimtar skofiar.

Këto vite kanë pa dritën e botimit, falë përkujdesjes së të birit Dr. Bashkimit dhe të nipit, shkrimtarit e publicistit Eugjen Merlika, nji seri veprash origjinale e përkthimesh të këtij personaliteti kruetan, që spikatë në historinë e të Njizetit qindvjetë.

Ky botim përfshin shkëmbimet e tija epistolare në harkun kohor 1945-1958, dhe asht zhvillue ndërmjet tij dhe disa personaliteteve në zâ të kulturës sonë: Át Zef Valentini, Ernest Koliqi, Karl Gurakuqi, Martin Camaj, Namik Ressuli dhe Stavri Skëndo. Kemi pra nji pasqyrë mjaft të plotësueme të kohës së mërgimit të këtyne personaliteteve të kulturës sonë e sidomos të Mustafës, të cilin rrjedha e jetës e çoi deri në Niagara Falls, ku edhe vdiq.

Përposë letrave që ua drejton figurave të masipërme, Mustafa Kruja, kemi edhe letrat që ata vetë i drejtonin atij, ma së shumti tue e trajtue si nji mentor në lamijen e gjuhësisë, historisë, politikës, kulturës, e madje edhe të vetë jetës. Hija e randë që Mustafa Kruja lëshonte mbi bashkëkohësit e vet ndihet e fortë në ketë epistolarë, por vërehet edhe gjurma që kanë lanë tek ai njerëz të veçantë, që pat dashtë e nderue posaçe si Át Gjergj Fishta apo Luigj Gurakuqi.

Në pikëpamjen politike Mustafa Kruja mbas vitit 1948 ndihet afër shpirtnisht me Bllokun Kombëtar, i cili mblidhej rreth Kapidanit të Mirditës, I. Verlacit dhe kishte si ideolog të vetin Ernest Koliqin. Në krahun tjetër gjejmë Legalitetin, Ballistat, misët e Lidhjes II të Prizrenit, Partinë e Bujqve dhe Katundarëve, Partinë Agrare. Vetë Mustafa asht i veçuem prej politiket, e kufizohet tue dhanë ndonji ide sesi Blloku të bashkëpunojë kryesisht me ndjekësat e Mbretit Zog. Nji anmiqsi e madhe ndihet mes ballistave dhe grupimeve të naltpërmenduna. Fillimisht Ali Këlcyra, i cili do të përjashtohet mandej prej Ballit, e ma vonë sidomos Abaz Ermenji, tregojnë urrejtje ma të madhe ndaj bllokistave, sesa kundër vetë regjimit të Enver Hoxhës.

Shkrimet e Ermenjit janë mbresëlanëse për me ndriçue ketë gja, madje ato spjegojnë sesi emigracioni antikomunist mbeti i përçamë, pak për shkak të protagonizmit e pak për ndërhymjen e drejtpërdrejtë të Sigurimit të Shtetit komunist, prej letrave që i drejton Koliqi shihet qartë vështirsia me bashkërendue veprimet mes grupeve e partive, ndihet atmosfera e mosbesimit dhe e ndasive, paqartësia për të ardhmen dhe pesha e sakrificave morale dhe ekonomike, që i duhet me përballue nji grushti të vogël idealistash atdhetarë, që jeta i ka hjedhë e shpërnda pa plang e pa shtëpi.

Pështjellimit të paskaj i shtohet rreziku i shumë sharlatanëve, që nisin me u shfaqë në skenën e emigracionit, ndërkaq prej atdheut vijnë gjithnji e ma shpesh lajme të këqija, e shumica e familjarëve të t’ikunve gjinden në kampe përqendrimit e në burgje. Në letrat e Krujës, Koliqit, Gurakuqit ndihet nji notë pesimizmi: “nuk ka kurrë siguri me gjinden tonë” – i shkruen Mustafa, Koliqit me 18/12/1954. Vuejtjet e atij emigracioni të dytë (i pari kishte qenë në periudhën 1924-1939), randoheshin tashma edhe prej moshës që kishte ba të veten.

Shkruen E. Koliqi: “Jemi nji ndër breznít mâ fatmjera qi njofti historija njerzore. Kurr qëllime mâ bujare dhe forca mendore e morale mâ të kullueta nuk u shkrînë për dobí të nji kombit tue humbë kaq keqas në terr e në heshtje” (3/11/1957), dhe vijon në letrën mbasardhëse: “Fatkeqsit e mëdhajá nuk më kanë përulë: jam ai qi ishem. Mund të kemi gabue, por qëllimi i ushqyem ishte i kulluet. E sa të kemi frymë, nuk due të heshti. Anmiqt (shumicës së cilvet u kemi bâ nderë) na marrshin të keqen. Shum prej tyne janë të tillë qi asht mâ mirë me i pasun anmiq se miq” (15/12/1957). Mbi të gjitha mërgimtarëve politikë u mungon atdheu. Kajherë pamundësia me u kthye në atdhe ua kthen ekzistencën në nji burg të zymtë. Gadi në çdo letër preket vetmia e tyne, prandaj Mustafa, që asht ma i madhi në moshë e ma i veçuemi, s’prânë tue u kërkue bashkëbiseduesve me i shkrue, e prandaj i ngucë pa prâ, hera herës edhe tue i qortue për vonesat në përgjegje.

Për gjuhëtarë si Mustafa Kruja e si Karl Gurakuqi, për albanologë si Valentini, për shkrimtarë si Ernest Koliqi e Martin Camaj largimi prej tokës amë duhet të ishte nji mallkim. Larg atdheut u mungonte landa e parë: u mungonin njerëzit, gjuha e tyne. Ishin larg prej nji genius loci që i kishte rritë e mësue gjana të pathanshme. Koliqi, Camaj, Valentini, Gurakuqi ketë mungesë do të mundoheshin me e plotsue në dy mënyra: tue shkue mes arbëreshëve dhe tue ndejt me të ikun shqiptarë, sidomos prej maleve tona.

Si Mustafa ashtu edhe Ernesti, të cilët ishin marrë me politikë aktive gjatë luftës, shihet se shprehin keqardhje për si shkuene punët gjatë luftës, ndihet diku-diku edhe dëshira për me kuptue ma thellë se ku kanë gabue, por secili asht i bindun se n’ato çasa historike s’ka pasë as mundësi dhe as dije për me veprue ma mirë. Tue e pa Shqipninë të nënshtrueme e për ma tepër nën thundrën e “Harushës së veriut”, siç e quejnë ata Bashkimin Sovjetik, ndiejnë se kanë pasë të drejtë që e kanë luftue komunizmin, ndryshe prej ndonji force tjetër politike, që u pat mundue me flirtue pa sukses me Frontin komunist.

Në nji letër Karl Gurakuqi i shkruen Mustafa Krujës:
Ti u mundove, ti u përpoqe, ti u rropate, ti u shkrîne, edhe me rrezik të jetës, për t’i gatue Shqipnís rrugën e mirëqënjes e të përparimit, por dolën disa bastardha qi deshën e duen edhe sot, pa fije turpi, me shkatrrue shka ti me shokët e tú t’idealit me aq flijime ndërtuet.”

Mue m’intereson atdheu i im” – i shkruen Mustafa, Gurakuqit në nji letër të 15 korrikut 1953, Karl Gurakuqit. Kjo asht nji deklaratë dashunie “al’la Mustafë”, pa fjalë të mëdhaja e përbetime, por me vepra të zâshme, i gatshëm me pranue për hatër të veprimit të tij politik shortin që e dënoi me nda për së gjallit prej familjes së vet. Siç dihet, në fund të jetës së vet Mustafa mbërrijti me emigrue në Shtetet e Bashkueme të Amerikës së bashku me të motrën Angjelën. Atje zbuloi nji botë të re, krejt të panjohtun, nji “Eden” siç e quen ai në nji letër. Edhe pse tue qenë në moshë të shtyme, ai iu fut me vrull mësimin të anglishtes, e në nji letër të 9 tetorit 1956 i shkruen Gurakuqit:

Sido qoftë, për bisedime gjuhsore kujtoj se kam me të lânë të qetë këndej e mbrapa. N’Amerikë s’merren bota me dokrra e duhet pra edhe un t’u përshtatem zakoneve të vęndit”, e vijon: “Un tash nji herë due me nxânë me kënduem e kuptuem mirë anglishten. Mbrapa, në mos paça kurrfarë pune tjetër me bâmë mâ mbas 70 vjetsh, tash po merrem prap me tërfulet e vjetra, qi s’i don kurrkush!”.

Nji figurë plot hir shpirtnor e virtyte, që del dendun në këto letra, asht edhe ajo e së motrës, Haxhires, ma vonë e pagëzueme Angjela. Nji grue punëtore e palodhun, e përvujtë, inteligjente dhe e dashtun, e ambël dhe e gatshme me përballue çdo sakrificë, për me sigurue nji jetë të denjë. Pranë saj del edhe nji Mustafë i panjohun ma parë, nji babë i dhembshun që merret edhe me punët e shtëpisë, tue e ndihmue vajzën që punonte me orë të tana për me fitue bukën.