Letra e plotë e Ismail Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës në 2 prill 1980

1
1894

Kadaresë i fusin motrën, që të shajë partinë, për ta implikuar e bllokuar… – taktika të njohura të shërbimeve sekrete këto…

Një letër prej 12 faqesh e shkrimtarit Ismail Kadare (mungon faqja 6), i cili i drejtohej Enver Hoxhës në prill të vitit 1980, është publikuar për herë të parë në rrjetet sociale nga Ilir Demalia.

Ajo që zbulohet nëpërmjet letrës është tronditëse. Kadare i rrëfen diktatorit dëshpërimin që provoi kur i mohuan udhëtimin në Francë për konsultat me regjizorin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Nëse shkak për këtë mungesë besimi nga ana e partisë është bërë motra e shkrimtarit, siç ka arritur ta nuhasë vetë shkrimtari, atëherë ai e sqaron njëherë e mirë qëndrimin për të, kur shkruan:

Vitin e kaluar më thirrën në Komitetin e Partisë së Tiranës për të më njoftuar se motra ime flet keq politikisht dhe se është thirrur edhe në hetuesi për këtë gjë. Unë mbajta qëndrim menjëherë kundër saj, duke i thënë sekretarit të Partisë shokut Xh. Gjoni se mire do të bënin që ta trembnin ashtu siç do të bëj dhe unë me të. E thashë këtë me bindje se më revoltoi sjellja e saj dhe nga ana tjetër e njihja motrën time. Fatkeqe në jetë nga pamartesia, maniake depressive dhe me nerva të ç’ekulibruara, prej saj mund të prisja çdo gjë. Fakti që siç më tregoi sekretari Partisë, midis atyre që shaheshin isha dhe unë, vëllai saj, bashkë me librat e mi, tregon esencën e saj. Megjithëatë edhe pse e tillë, unë mbajta qëndrim jashtzakonisht të ashpër me të. Njoftova gjithë fisin për ngjarjen dhe e ndalova qysh prej asaj dite të shkelte në shtëpinë time. Isha i bindur se asnjë lidhje nuk do të kishte kjo ngjarje me jetën time. Para ca kohe, kur bëra një kërkesë për një shërbim jashtë shtetit për një mbledhje materialesh, për një libër që po shkruaj, kërkesë e cila m’u refuzua, pësëri nuk bëra ndonjë lidhje me ngjarjen e mësipërme, sepse edhe më pare më ka qëlluar mosaprovimi i ndonjë rruge apo heqja nga ndonjë delegacion. Ajo që më tronditi me të vërtetë ishte ngjarja e fundit, që ndodhi me kineastët e huaj, që po bëhen gati të xhirojnë filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Letra e plotë e Ismail Kadaresë
drejtuar Enver Hoxhës në 2 prill 1980

Shoku Enver,

Ju kërkoj shumë falje, që po ju shkruaj këtë letër, me të cilën nuk do të doja t’ju shqetësoja kursesi, nëqoftëse nuk do të më detyronin rrethanat dhe një komlikim i krijuar kohët e fundit në jetën time.

Ashtu si shokë të tjerë shkrimtarë kam vite që punoj në frontin e letërsisë, duke u përpjekur me të gjitha forcat të jap sa më shumë vepra që t’i shërbejnë partisë dhe popullit. Në punën time kam mundur të realizoj vepra që janë pritur mirë e i kanë shërbyer kohës, ashtu siç kam kam shkruar e ndonjë herë edhe ndonje krijim, botim i të cilit do të ishte një gjë shumë e keqe për mua dhe do t’i krijonte telashe partisë. Unë jam i ndërgjegjshëm për të gjitha këto, ashtu siç jam i ndërgjegjshëm për mirënjohjen time ndaj popullit e Partisë, sepse e kuptoj thellë, se janë ata që më bënë shkrimtar, e se është jeta e popullit dhe e Partisë, që kanë qenë dhe janë burimi e materje e vetme për veprat e mija.

Ashtu si çdo krijues, unë kam patur në punën time dhe jetën time gëzimet që jep puna krijuese, por kam patur gjithashtu edhe preokupimet e telashet që sjellë ajo. Disa here e për disa vepra këto telashe kanë qenë të rënda, por unë kam bërë përpjekje me veten time për t’i kapërcyer ato, duke patur besim gjithmonë se koha do t’i sqarojë gjërat e do t’i zhdukë keqkuptimet. Duke njohur mungesat e veprës sime, duke u përpjekur me të gjitha mundësite t’i ndreqë e t’i ribotoj librat, jam përpjekur të përfitoj nga kritikat e drejta e dashamirëse.

Por nga ana tjetër nuk do t’isha i sinqertë po të mos thoja se krahas kritikave konstruktive kam pranuar ndonjëherë dhe të kundërtën e tyre, një këmbëngulje të ashpër ndaj disa veprave. Njerëz të ndryshëm janë përpjekur të tregojnë se këto vepra janë të dëmshme dhe kur koha ka treguar të kundërtën, ato kanë vazhduar në këmbënguljen e tyre, duke kaluar nga akuzat kundër veprës në akuza kundër autorit, në mënyrë që në rrugë të ndryshme të arrinin të njëjtin rezultat.

Kjo lidhje dyshimesh mbi autorin, përpjekjet për të bërë një ndarje midis veprës dhe shkrimtarit, dizinformimimet e ndryshme, ndonjë prej të cilave e kam mësuar rastësisht, më kan shkaktuar disa here dëshpërim në shpirt. Shpesh herë kam bërë pyetjen: kujt i shërben ky pasion për destruksion të veprave letrare, për hedhje baltë kundër tyre, apo krijuesve të tyre. Në fund të fundit këto dëshmi artistike janë dëshmi e kohës dhe këto dëshmitarë n’emër të ç’kohe e ç’të ardhme kritikojnë t’i prishin ato, apo të vemë pikpyetje të gjithfarllojshme përpara tyre apo në emër të tyre.

Ju lutem të më falni, shoku Enver, që u zgjata për këtë gjë. Jam kritikuar disa here me të drejtë, kam treguar se kam reflektuar mbi kritikat me ripunimin, që u kam bërë librave të botuar, por më janë bërë disa here edhe kritika të rënda dhe të padrejta. Nuk besoj se ndonjë shkrimtar tjetër në Shqipëri është krahasuar me renegatin Gjillas, apo me tradhtarin Solzhenicin, siç jam krahasuar unë, dhe kjo jo në ndonjë bisedë të çfardoshme, por në një mbledhje partie.

Natyrisht unë se kam pranuar një kritikë të tillë, por as kam bërë ndonjë zhurmë për t’i vënë gjërat në vend. Kam patur përherë bindje dhe besim se koha korrigjon vetvetiu teprimet, se partia është e rreptë por e drejtë, se ajo s’mund të jetë kurrë e dashur me qëndrime të tilla dhe nuk kam qenë zhgënjyer aspak, sepse Partia ashtu siç më ka kritikuar me rreptësi, me një dashuri po aq të madhe, më ka dhënë prap dorën. Kjo më ka bërë që t’i jap të drejtë vetes, që nuk kam bërë alarme të panevojshme dhe të parakohëshme.

Përpara se të shkruaj këtë letër shoku Enver, u mendova gjatë nëse duhet, apo jo, t’ju shkruaj. Duke u përpjekur të vë në një raport të drejtë hallet personale të një njeriut me problemet e mëdha të vendit, ideja se mos po Ju drejtohem për diçka, që nuk e përligj vetveten, më ka munduar mjaft. Dhe vetëm bindja se halli për të cilin po ju shkruaj nuk është një hall i parakohëshëm dhe se bën një komplikim serioz në jetën time, më shtyu që t’a bëj hapin.

Ka një vit që disa ngjarje të njëpasnjëshme e kanë shtrembëruar këtë komplikim. Ai nuk është i shkëputur nga ato që parashkrova në fillim të kësaj letre. Vitin e kaluar më thirrën në Komitetin e Partisë së Tiranës për të më njoftuar se motra ime flet keq politikisht dhe se është thirrur edhe në hetuesi për këtë gjë. Unë mbajta qëndrim menjëherë kundër saj, duke i thënë sekretarit të Partisë shokut Xh. Gjoni, se mire do të bënin që ta trembnin ashtu siç do të bëj dhe unë me të.

E thashë këtë me bindje, se më revoltoi sjellja e saj dhe nga ana tjetër e njihja motrën time. Fatkeqe në jetë nga pamartesia, maniake depressive dhe me nerva të ç’ekulibruara, prej saj mund të prisja çdo gjë. Fakti që siç më tregoi sekretari Partisë, midis atyre që shaheshin isha dhe unë, vëllai saj, bashkë me librat e mi, tregon esencën e saj.

Megjithëatë edhe pse e tillë, unë mbajta qëndrim jashtëzakonisht të ashpër me të. Njoftova gjithë fisin për ngjarjen dhe e ndalova qysh prej asaj dite të shkelte në shtëpinë time. Isha i bindur se asnjë lidhje nuk do të kishte kjo ngjarje me jetën time.

Para ca kohe, kur bëra një kërkesë për një shërbim jashtë shtetit për një mbledhje materialesh për një libër që po shkruaj, kërkesë e cila mu refuzua, pësëri nuk bëra ndonjë lidhje me ngjarjen e mësipërme, sepse edhe më parë më ka qëlluar mosaprovimi i ndonjë rruge apo heqja nga ndonjë delegacion. Ajo që më tronditi me të vërtetë ishte ngjarja e fundit që ndodhi me kineastët e huaj, që po bëhen gati të xhirojnë filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Do të më falni që ta shpjegoj dhe këtë.

Kineastët francezë në muajin shkurt sollën skenarin me vete, skenarin e filmit të shkruar prej tyre, për t’a diskutuar me autorin, në bazë të marrëveshjes. Ky diskutim ishte në favorin tonë, sepse na jepte të gjitha mundësitë që të influenconim që filmi të bëhej sa më i favorshëm për luftën e popullit tone dhe për vendin tonë sot. Për mua janë të paharruara sugjerimet për këtë film, që rasti i mire e solli t’i dëgjoja drejtë për drejtë prej Jush tetë vjet më parë dhe të cilat kanë shërbyer si kriter bazë për punën tonë me kineastët e huaj.

Skenari i paraqituer prej tyre, krahas meritave të padiskutueshme, kishte edhe mungesa të ndjeshme, të cilat ne do të përpiqeshim t’i plotësonim. Për të pasur mundësi që skenari të studiohej me kujdes nga autori, sëbashku me një grup pune, u kërkua prej të huajve shtyrja e diskutimit për disa javë. Ata e pranuan këtë gjë dhe u larguan në pritje të diskutimit të ardhshëm.

Gjatë kësaj kohe skenari u studiua, u bënë gati vërejtjet dhe sugjerimet, disa here në variante të ndryshme të cilat do t’u shpjegoheshin kineastëve prej autorit një për një, me skenarin dhe romanin përpara për ta bërë sa më të kuptueshëm e pranueshëm. Ishte fjala sidomos për xhirimet që lidheshin për paraqitjen sa më të mire të luftës nacional-çlirimtare dhe të pozitës së Shqipërisë së sotme në botë, dy nga motivet më të rëndësishme e delikate të këtij filmi, i cili mund t’ishte mjaft aktual për situatat e tanishme.

Kur gjithçka u bë gati, për habinë time të plotë u vendos që diskutimi të mos bëhej gojërisht, por vërejtjet dhe sugjerimet të dërgoheshin me një letër. Duke qenë se marrja vesh me korespondencë për një gjë kaq delikate, e sidomos kur ishte fjala për krijues që përfaqsojnë dy arte të ndryshme, është pothuajse e pamundur, nuk mund ta spjegoja ndryshe, heqjen dorë nga diskutimi që ishte një gjë aq e favorshme për ne, veçse si diçka që kishte lidhje me vetë autorin.

Meqenëse kineastët francezë porsa kishin ardhur për punën e të shkruarit në Shqipëri, dhe tani duhet të shkonte autori ai që shtyu afatin, atje, për fillimin e punës, ishte e qartë se praktikisht hiqej dorë nga mundësitë, që na jepeshin për përmirsimin e skenarit, zëvëndësohej diskutimi i gjallë me një dërgim formal vërejtjesh, me një fjalë, pas tetë vjetë përpjekjesh, në momentin deçiziv abandonohej skenari, vetëm e vetëm se nuk ishte e detyrueshme që autori ta çonte ketë shërbim jashtë shtetit. Me këtë gjëndje të disfavorshme krejtsisht ka mbetur puna e filmit.

Nuk e fsheh se kjo gjë më shkaktoi një tronditje të thellë. Nuk e mendoja kurrë se do të vinte një ditë që unë mund të hyja në numurin e atyre njerëzve, për të cilët mungon besimi për t’i çuar jashtë. Besimi që unë e ndjeja se Partia kishte treguar ndaj meje në momentet e mia më të vështira, ka qenë një nga gëzimet më të mëdha të jetës sime. Disa here njerëz të ndryshëm në mënyra të tërthorta kanë bërë të nënkuptoj se ishte një iluzion ky besim që unë kujtoj se kihej ndaj meje, se e vërteta qe ndryshe dhe se ishin të tërë ata që gëzonin këtë besim.

Unë për asnjë çast nuk e kam pranuar një gjë të tillë, dhe ishte hera e parë këto ditë, që u dëshpërova se ndoshta diçka kishte ndryshuar, se këmbëngulja e destruktorëve në lidhje me motrën time dhe dezinformimet e ndryshme, diçka kishin arritur më në fund. Ajo që për mua ishte një nga gjërat më të shtrenjta, që më jepte krahë të punoja e të kapërceja vështirësitë, që më jepte të drejtën brenda vetes ndërgjegjes sime, që të ndjej veten shkrimtar të natyrshëm të socializmit dhe jo këngëtar të jashtëm tij, lusite nujur, me sa duhej të prekej. Desha dhe dëshiroj akoma të mos i besoj kësaj, por fakti ishte tepër i pashpjegueshëm.

U përpoqa shoku Enver, të tregoj në një mënyrë te drejtë për drejtë, atë që ndoshta mund të duket e thjeshtë, por që ka shkaktuar një nga trazimet e mia më të mëdha. Ju lutem edhe njëherë të më falni për këtë letër, që është tepër e gjatë për kohën tuaj të çmuar. Si komunist dhe si shkrimtar, Ju drejtohem Juve, sekretarit të Parë të Partisë dhe udhëheqësit të vendit, me mirënjohjen e madhe për atë ç’ka keni bërë për vendin dhe për mua personalisht, në momente të rëndësishme të jetës dhe krijimtarisë sime, për të gjetur dhe njëherë ndihmën tuaj aq të nevojshme.

Jeta dhe vepra ime kan qenë e do të jenë të lidhura pazgjidhshmërisht me kohën tonë, me popullin e Partinë, ky angazhim e kjo lidhje do të jenë përherë të plota e pa rezerva.

Arsyeja që Ju shkrova këtë letër nuk është vetëm zgjidhja e problemit të filmit, që do ta dëshiroja si autor e në radhë të parë si qytetar, por mundësia për të fituar klimën e mirë të penës, mundësinë për angazhimin tim të plotë, krejt jetës sime e forcave të mia me punën letrare

Jam duke punuar me intesitet për pjesën e trete të një triologjie (mesi së cilës është Dimri i madh) për rrugën epike 35 vjeçare të Partisë sonë dhe dëshiroj të jap të gjitha energjitë dhe mundësitë e mia për kryerjen me sukses të kësaj vepre, me punën krijuese në përgjithësi, qëllimi i vetëm i pandryshueshëm i jetës sime.

Duke ju kërkuar dhe njëherë falje për shqetsimin,

Me respekt të thellë
Ismail Kadare
Tiranë 2 prill 1980

Komentet janë mbyllur.