Shkruan Prof. Zymer Mehani
Kultura gjuhësore e letërsisë artistike ndikon në evoluimin e gjuhës në tërësi. Ngulitja e normës, standardizimi do të thotë në një kuptim ngadalësim i zhvillimit të vetvetishëm gjuhësor.
Letërsia dhe gjuha e gjallë e folur e kompensojnë këtë shmangie nga ecuria spontane. Letërsia luan rol të veçantë për marrëdhëniet e gjuhës së normuar me format e tjera, sidomos jostandarde, të trajtës së shkruar me trajtën e folur. Nëpërmjet letërsisë artistike jo vetëm zgjerohen mundësitë shprehëse të shqipes, por edhe përtërihen ato, shtjellohen më tej ose edhe krijohet diçka e re. Një vepër letrare është edhe një qëndrim ndaj gjuhës për kohën e vet, të parë me syrin e artistit të fjalës. Letërsia shfrytëzon të gjitha mundësitë e organizimit të gjuhës në stile. Mund të thuhet se gjuha e letërsisë është një shndërrim specifik i gjuhës së përditshme në gjuhën e artit letrar. Në letërsi gjen shfaqje më të qartë e më të qenësishme natyra kombëtare e gjuhës. Krahas funksioneve të tjera, letërsia ka edhe funksionin e ruajtjes e të zhvillimit të kulturës gjuhësore të kombit. Arsyeja e kapërcimit të konvencioneve gjuhësore në letërsi është motivimi artistik.
Kohëve të fundit në qarqet shkencore, intelektuale, në mjetet e informimit publik si dhe në jetën tonë të përditshme shqipja standarde është bërë tema më e nxehtë dhe më e shpeshtë dhe shtrohen shumë pyetje, si: A duhet ruajtur baza dialektore e kësaj shqipe standarde? A ka nevojë të rishqyrtohen e të përmirësohen ndonjë nga rregullat e drejtshkrimit, apo se ai është i paprekshëm dhe i papërmirësueshëm? A mund të zvogëlohet denduria e përdorimit të -së?. Në përgjithësi, argumentet e kundërargumentet për ose kundër përditësimit e përmirësimit të standardit lidhen në marrëdhëniet e dy dialekteve të shqipes me gjuhën standarde, pra gegërishte – toskërishte – shqipe standarde. Në ngritjen, standardizimin, lëvrimin, përsosjen dhe modernizimin e standardit rol shumë të rëndësishëm ka gjuha e letërsisë: gjuha e letërsisë ndikon shumë në ruajtjen dhe ngritjen e identitetit kombëtar, bashkë me ngritjen e kulturës gjuhësore.
Rezultatet dhe diskutimi Gjuha është një oqean i pafund me pasuri e mundësi të pashtershme, mirëpo aftësia dhe mënyra e shfrytëzimit të kësaj pasurie te njerëzit është e shumëllojshme. Gjuha është materiali që përdor artisti letrar, ashtu siç janë ngjyrat për piktorin, glina, mermeri për skulptorin, materiali ndërtimor për arkitektin. Në çdo vepër letrare shkrimtari bën zgjedhje të ligjërimit nga pafundshmëria e gjuhës. Mund të thuhet se gjuha e letërsisë është një shndërrim specifik i gjuhës së përditshme në gjuhën e artit letrar. Gjuha e letërsisë artistike mbështetet në aftësinë që të shprehet në mënyrë të figurshme – tërthorazi, në aftësinë e të shprehurit me emocion, në aftësinë e gjuhës për shprehje imagjinative, të bukur; në aftësinë për të sajuar rimën, harmoni e tingëllim të këndshëm, muzikor. Se si do të shërbehet shkrimtari me këto mundësi të pashtershme të gjuhës, në radhë të parë varet nga shkalla e njohjes dhe e zotërimit të saj. Po ashtu, stilin e një ligjërimi letrar të cilitdo shkrimtar e përcakton edhe formimi arsimor e letrar i tij, bindjet, temperamenti, karakteri, përvoja dhe pikëpamjet e tij për botën dhe jetën.
Prandaj për dikë thuhet se është më i qartë dhe më i lehtë në të rrëfyer, e për dikë themi se është më i rëndë, më konfuz; për dikë se është me temperament të butë, me emocione të qeta në të shprehur, e për dikë tjetër themi se është më i rrëmbyer, më dinamik, më eksploziv. Fjalët e gjuhës së përgjithshme në komunikimin joletrar zakonisht përdoren me kuptimin e vet themelor a kryesor, por në artin letrar ato zgjerohen me kuptime të tjera leksikore, marrin domethënie të re që e nxisin dhe e emocionojnë lexuesin. Zotërimi i fjalës, i fshehtësisë dhe i mundësisë së çdo fjale për të shprehur kuptime të ndryshme figurative, përveç kuptimit të tyre të parmë, është parakusht i domosdoshëm për shkrimtarin. Fjala duhet ta emocionojë lexuesin, duke i sjellë përfytyrime të ndryshme. Shkrimtari duhet të jetë mjeshtër i fjalës dhe ta shfrytëzojë atë si gurrë të pashtershme për shumëkuptimësi.
Pra, varësisht nga konteksti ku shkrimtari do ta vendosë fjalën, ajo duhet të ofrojë kuptime të ndryshme, porosi të ndryshme, vlera të ndryshme. Gjuha në letërsinë artistike jo vetëm mishëron një përmbajtje, jo vetëm kumton një informacion letrar, por edhe synon të ketë ndikim estetik, të ngjallë ndjenjën e së bukurës. Prej këtej rrjedhin një varg karakteristikash, që e dallojnë ligjërimin artistik deri në atë shkallë, sa është pohuar që këtu kemi të bëjmë me një gjuhë tjetër. Para së gjithash, kjo do të thotë se shkrimtari, së bashku me idealin e vet artistik, ka edhe idealin gjuhësor. Letërsia është arti i fjalës në kuptimin e një pune mjeshtërore me visarin gjuhësor. Artisti i fjalës krijon e derdh objekte estetike gjuhësore. Letërsia na jep modelet e gjuhës më të lëvruar, modelet më të bukura të ligjërimit, ajo përbën shfaqjen estetike të shqipes. Zbulimi i fuqive shprehëse të shqipes përbën një nga ndihmesat e shkrimtarëve tanë për kulturën shqiptare.
Veprat letrare nuk shkruhen që të ndikojnë drejtpërdrejt mbi të folurit e njerëzve. Ato shkruhen për t’u përkapur (perceptuar) si një tërësi të një bote letrare dhe jo si modele për t’i ndjekur në jetën e përditshme. Ndikimi është i tërthortë. Duke qenë krijime artistike me lëndë gjuhësore, ato i japin lexuesit një pasuri të brendshme, i ngulitin modele eprore, që i shërbejnë si kuota krahasimi për nivelin e vet. Në këtë kuptim, letërsia është edhe një shkollë e gjuhës, një nga mjetet kryesore për edukimin me kulturë të lartë të shprehjes dhe të shijes estetike, sidomos për t’i dhënë brezit të ri qysh herët format më të çmueshme të përvojës gjuhësore që ka grumbulluar tradita shqiptare. Edhe në artin letrar, fjalitë që radhiten njëra pas tjetrës kanë kuptimet e zakonshme të shqipes (për ta perceptuar lexuesi përmbajtjen letrare), por ato kanë edhe domethënien letrare artistike. Teksti letrar ka të paktën dy rrafshe kuptimore, ndërsa disa herë edhe më shumë. Këtu fshihet mundësia e disa interpretimeve të një vepre, e disa mënyrave të ndryshme të të kuptuarit të saj nga njerëz të ndryshëm (sipas përvojës e kulturës së tyre) dhe nga epoka të ndryshme.
Ligjërimi i letrarëve është të folur i emocionuar me përpunim artistik. Autori kurdoherë përpiqet që nëpërmjet organizimit stilistik të japë një përshtypje, një atmosferë, një ndjenjë dhe të arrijë një efekt. Nuk është kurrfarë rastisje që ne, gjatë leximit të një vepre letrare, duke ndjekur fatin e një personazhi, dëshpërohemi, pikëllohemi, revoltohemi deri në atë masë sa jemi në gjendje të ndërmarrim veprime konkrete, pa e kursyer fare veten. Shembuj të këtillë që e emocionojnë lexuesin ka në secilën letërsi kombëtare. Bie fjala, letërsia jonë e Rilindjes Kombëtare, dukshëm dhe me sukses është inkuadruar në rrjedhat demokratike për mobilizimin e masave të gjera popullore drejt çlirimit dhe pavarësisë kombë- tare. Kjo forcë mobilizuese shpesh ka qenë shumë më efikase sesa shkrimet, thirrjet dhe apelet e drejtpërdrejta politike dhe luftarake drejtuar popullit. Në letërsi gjen shfaqje më të qartë e më të qenësishme natyra kombëtare e gjuhës. Krahas funksioneve të tjera, letërsia ka edhe funksionin e ruajtjes e të zhvillimit të kulturës gjuhësore të kombit. Shkrimtari rritet e ushqehet me gjeninë e gjuhës amtare dhe është vegël e saj për ta mbajtur atë me gjallëri të pashuar, për ta përtërirë e për ta çuar më tej. Kultura gjuhësore e letërsisë artistike ndikon në evoluimin e gjuhës në tërësi.
Ngulitja e normës, standardizimi do të thotë në një kuptim ngadalësim i zhvillimit të vetvetishëm gjuhësor. Letërsia dhe gjuha e gjallë e folur e kompensojnë këtë shmangie nga ecuria spontane. Letërsia luan rol të veçantë për marrëdhëniet e gjuhës së normuar me format e tjera, sidomos jostandarde, të trajtës së shkruar me trajtën e folur. Nëpërmjet letërsisë artistike jo vetëm zgjerohen mundësitë shprehëse të shqipes, por edhe përtërihen ato, shtjellohen më tej ose edhe krijohet diçka e re. Një vepër letrare është edhe një qëndrim ndaj gjuhës për kohën e vet, të parë me syrin e artistit të fjalës. Letërsia shfrytëzon të gjitha mundësitë e organizimit të gjuhës në stile. Siç dihet, gjuha standarde e normuar përcaktohet nga kodifikimi, d.m.th., duke përzgjedhur midis variacionit bëhet e njësuar; ndërsa teksti letrar është heterogjen nga ana gjuhësore.
Në faqet letrare, të gjitha përdorimet gjuhësore kanë rrugë të hapur, deri edhe shtrembërimet individuale. Në letërsi shfrytëzohen të gjitha mundësitë shprehëse të shqipes, qoftë edhe ato që dalin jashtë normës letrare, si: ligjërimet historike, krahinore, vetjake, shoqërore, kulturore. Gjuha e letërsisë artistike është shumë më e gjerë sesa gjuha standarde. Fjalët në letërsinë artistike mund të zhvishen nga kuptimi themelor dhe të risemantizohen përmes motivimit tekstor. Shkrimtari ka liri të madhe në përdorimin e gjuhës: ai ka nevojë për një elasticitet dhe zgjerim gjuhësor, për fond të madh fjalësh e zgjerime kuptimore të tyre, për ndërtime të shumta gjuhësore, për një sintaksë shumë fleksibile, pra për një kod shumë më të hapët sesa korniza e gjuhës standarde. Arsyeja e kapërcimit të konvencioneve gjuhësore në letërsi është motivimi artistik.
Shkelja e normave të shqipes standarde në letërsinë artistike pa motivim artistik sjell të meta stilistike, duke e bërë të papëlqyeshme gjuhën për lexuesin. Motivimi artistik u lejon shkrimtarëve ta kapërcejnë rrethin normativ. P.sh. një vepër mund të shkruhet edhe në gjuhën e pesë shekujve më parë, ose edhe në një dialekt me synime të veçanta, ashtu siç ka shkrimtarë që shkruajnë në dy gjuhë njëherësh (arbëreshët e Italisë, p.sh. botojnë poezi në dy gjuhë paralelisht shqip – italisht). Në rastin e fundit kemi të bëjmë me marrëdhëniet e letrarit me auditorin (lexuesit) dhe jo me gjuhën standarde shqipe.
Megjithëkëtë, krahas lirisë së madhe gjuhësore të shkrimtarëve, laramania në gjuhën e letërsisë artistike është e nevojshme që të ketë një forcë bashkuese, që të mos lejojë të lindë ndonjë efekt i padëshirueshëm shpërbërës gjuhësor e kombëtar. Vepra letrare është edhe krijim artistik edhe krijim gjuhësor, një eksplorim i mundësive të shqipes. Kjo prirje krijuese gjuhësore e shkrimtarëve nuk lidhet vetëm me krijimin e fjalëve të reja, sepse shumica e tyre janë neologjizma stilistikë, por edhe me të gjitha fushat e tjera të gjuhës.
Shkrimtarët ndikojnë me përdorimin e veçantë të mjeteve, me lidhjet e ndërthurjet e fjalëve, me kuptimin e ngjyrimet e reja, me dendurinë e ndryshuar të përdorimit, me sintaksën e shndërruar, me organizime dytësore të elementeve të gjuhës që ngjallin efekte estetike, me vlerësimin e anës tingullore, të ritmit, të lidhjeve të papritura, të shpehshmërisë së figurshme e simbolizuese (ironike) dhe deri të lojës gjuhësore. Natyrisht, krijimtaria letrare niset nga funksioni themelor i mjeteve gjuhësore, por edhe punon për t’u dhënë atyre rol shprehës e artistik. Të gjitha këto arrihen jo me fjalë e forma të veçanta, por më tepër me mënyra tërthore, që mishërohen në organizimin dytësor. Rezultati që arrihet është një ndikim i fuqishëm mbi ndjeshmërinë e lexuesit, mbi përfytyrimin e shijen e tij, duke e bërë ta pranojë vetvetiu se diçka është thënë më bukur, sesa do ta thoshte ai vetë.
Veprat letrare nuk bëjnë çmos që të shkëputen nga përdorimi i ngulitur i gjuhës; por, përkundrazi, pasuria e gjuhës kombëtare mbetet një visar i pashtershëm për të arritur efekte shprehëse artistike, me këtë edhe vetë letërsia shtresohet në vlerat kulturore të shqipes. Konkluzione Në letërsi riprodhohet vetë gjuha. Letërsia jep procesin e komunikimit gjuhësor, tipat e ligjërimit, gjuhën e grupeve shoqërore, profesionale, të moshave të ndryshme, variantet krahinore e letrare. Shkrimtarët mbajnë qëndrim vlerësues ndaj ligjërimit, i çmojnë ose i përçmojnë fjalët e tipat e shprehjes, përkrahin një shije a modë gjuhësore ose e satirizojnë atë. Nga kjo pikëpamje, shkrimtarët janë edhe “gjuhëtarët” më të mirë, regjistrues, pasurues e lëvrues, dobiprurës të shumanshëm. Si përfundim, letërsia shqiptare luan një rol shumë të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar, në qytetërimin e tij krahas popujve të tjerë të Evropës, veçmas në ngritjen e përgjithshme të kulturës gjuhësore të kombit, në pasurimin dhe në përsosjen e shqipes në shkallë të njëjtë me gjuhët më të lëvruara të botës.
BIBLIOGRAFI:
ANTOSH, Antica (1974), Osnove lingvističke stilistike, Zagreb.
BUGARSKI, Ranko (1991), Uvod u opštu lingvistiku, Beograd – Novi Sad.
DEMIRAJ, Shaban (2002), Rreth disa çështjeve thelbësore të shqipes
standarde: Studime filologjike, Tiranë, nr. 3-4: 92-100.
GJINARI, Jorgji – SHKURTAJ, Gjovalin (1997, 2000), Dialektologjia, Tiranë.
HAMITI, Asllan – QAMILI, Ajten (2010), Shtrirja dialektore e fjalës dhe përzgjedhja e formës normative: Shqipja në etapën e sotme:
politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit, Durrës,
15-17 dhjetor; www.albanologjia.com.
HAMITI, Asllan (2005), Fonetika dhe fonologjia e gjuhës standarde shqipe, Shkup.
HYSA, Enver (2002), Probleme të drejtshkrimit të ë-së: Studime filologjike, Tiranë, nr. 3-4: 76-80. DREJTSHKRIMI i gjuhës shqipe (1974), Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë.
KOSTALLARI, A. (kryetar) – LAFE, E. – TOTONI, M. – CIKULI, N. (1973), Gjuha letrare shqipe për të gjithë (elemente të normës së sotme letrare kombëtare), Tiranë.
KOSTALLARI, Androkli (1973): Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj, Tiranë.
LAFE, Emil (2000), Gjuha e medias sot – probleme dhe detyra: Gjuha jonë, Tiranë, nr. 1-2: 9-21.
LLOSHI, Xhevat (1999), Stilistika dhe pragmatika, Tiranë.
MEMUSHAJ, Rami (2003), Fonetika e shqipes standarde, Toena, Tiranë.
SHKURTAJ, Gjovalin (2000), Drejtshkrimi dhe drejtshqiptimi në mediat e sotme të shkruara dhe të folura: Gjuha jonë, Tiranë, nr. 1-2:
31-40. SHKURTAJ, Gjovalin (1999), Sociolinguistika, Tiranë.