Letër vendasve të mi

2
1104

Nga Xhemal Ahmeti

Ndër sulmuesit më të mëdhenj dhe më fyes ndaj kritikave të mia drejtuar tentimit turk për t’i ripushtuar (aktualisht vetëm kulturalisht) vendet ku jetojnë sipas tyre „mbetjet osmane (Davotoglu) janë vendasit e mi. Kjo letër nuk iu drejtohet gjithë shqiptarëve të Maqedonisë, që i ka kapluar erotika e flamurit turk, por vetëm atyre me të cilët jam rritë, atyre që jetojnë në Pollog, brenda Tetovës dhe Gostivarit.

Nuk jam nga ata që instrumentalizon biografinë personale, për t’ua çarë kryet masave se duhet të mos më ngucin përjetë, se paskam vuajtur për interesin e kolektivit. Por ju të dashurit e mi prekni edhe aty ku nuk duhet, ngase më kërkoni përgjegjësi pse nuk e shoh nënën time më shpesh. Pse nuk paskam qenë në varrimin e babës tim, e të ngjashme. Ja po ju tregoj pra aversionin tim ndaj flamujve të huaj – edhe pse e njihni se i keni etërit gjallë, që do të mund t’iu tregonin.

*
Kur m’u arrestua mësuesi im i shqipes Zaim Beqiri i Shipkovicës, pasi ai u morr me 30 policë të armatosur me kallashnikovë deri në dhëmbë nga klasa, në kafenenë e babait tim festonin plotë baballarë tuaj, duke lavdëruar sistemin e fortë e titanik të Titës. Ai nuk na mësonte vetëm shqipen por edhe Skënderbeun, Ilirët e kështu. Për herë të dytë ( kësaj radhe nga një autoritet se jam rritur në prehrin e pleqve të katundit, që ma mësonin historinë) nga goja e tij mësova se edhe unë si shqiptar paskam një histori dhe ajo jugosllavja s’qenka e imja. Ishin prindit tuaj mësues e drejtorë që e denonconin për çdo ditë në polici. Ishin hoxhallarët tuaj që ditën e „xhuma“ pastaj dersin ia kushtonin Jugosllavisë së fortë, që e morën atë „kriminel“ më në fund. Veshët e mi dhe të prindërve tu dhe të gjithëve janë dëshmia.

Në moshën 15 vjeçare u burgosa për herë të parë për disa ditë se spostova flamujt jugosllavë dhe portretin e Titos në nevojtoret e shkollave. Pas kësaj „vizitat“ në zyrat e policisë u bënë standard. Gjithmonë e pata një qëndrim: Kushtetuta ma lejon gjuhën, identitetin si gjithë tjerëve dhe pikë. Asnjë shkollë nuk më mbante dhe pas 6 muajsh më detyronte shpërnguljen në shkollë tjetër. Me muaj kam kaluar Biçecit të Kaçanikut, Gjakovës, bodrumeve të ëmbëltoreve të tanëve në Prishtinë e gjetiu, duke ikur sa herë më tregonin se filan udb-ashi ma ka vënë syrin. Dikur, pas demonstratave masive të Tetovës më 6 prill kundër paraleleve të përziera, pro Kosovës Republikë, u dënova me 6 vjet burg si shef i një organizate dhjetanëtarëshe për kundërrevolucion e bllablla, nga të cilët vetëm një a dy i njihja, e tjerët kurrë në jetë nuk i kisha regjistruar.

*
Gjatë dënimit ma izoluat familjen. Pas daljes nga burgu më akuzonit të jem unë shkaktari që ua mbyllën byrektoret, qebaptoret, ëmbëltoret kah i kishit gjithandej Serbisë. Më akuzonit që të jem një ndër ata që ua prisha qetësinë. Më akuzonit që ua prisha virgjinitetin jugosllav, se pas kapjes së grupit të Xhemë Hasës me kompani, isha i pari i atyre dhjetëra fshatrave në Pollog, që u burgosa për politikë. Ma gërditet vendlindjen. Dhe kur më erdhi thirrja për ushtri në Valjevë, më erdhi rasti që të iki, më shumë nga ju se nga ushtria jugosllave, që më kërkonte në një kazermë, që njihej për zhdukjen e shqiptarëve.

*
Koincidencë. Sot shumica ju erdoganistëve dhe wahabistëve më intensivë jeni fëmijë të atyre familjeve të njëjta, që mbronin flamurin jugosllav nga unë. Jeni pikërisht ju ata familje e fëmijë hoxhallarësh e funksionarësh, që si rend për qumësht para shitores rrinin para dyerve të UDB-ës për të spiunuar mësuesit, mua dhe gjithkënd që fliste kundër ekzekutimit të të drejtave identitare të shqiptarëve. Të njëjtët me frizura ndryshe, që nuk kuptojnë se qëndrimi im personal nuk ka të bëjë me flamujt e huaj në vend të tyre, as me gjuhët e tyre, por është rezistencë e përhershme kundër atyre që nuk duan të më lënë mua të flas në gjuhën time dhe ta kem flamurin tim. Turqia e Erdoganit e bën të njëjtën si dikur jugosllavët – në forma tjera. Por qenkeni mësuar të jetoni kështu si vasalë të të huajve, se ashtu ju kanë edukuar etërit tuaj. Ndryshoni!

PS.
Dhe ja pse nuk isha në varrim e babit tim dhe e vizitoj nënën vetëm ilegalisht dhe iki: Maqedonia ende – asnjëherë deri tash – nuk i është përgjigjur kërkesës zyrtare zvicerane të garantojë për sigurinë time. Kur kam qenë herën e fundit në Dobërdoll me një mik timin, mezi hyra e mezi dola. Maqedonia vazhdon të më konsiderojë dhe trajtojë si armik (sidomos pas studimeve të mia këndej për konstruktimin e kombit) për atë arsye unë edhe sot e kësaj dite mbetem në statusin e të strehuarit politik, përkundër të gjithave. Po ju nuk iu intereson kjo, se ndryshe iu flasin baballarët dhe nënat tuaja, që kurrë, asnjëherë nuk mund të bëhen si e imja – nga ajo dola kështu!

2 KOMENTE

  1. Leter e hapur per ty o arapi i turqelizuar, xhemal al ahmeti:

    Nderroje emrin dhe ktheje ne fjuhen SHQIPE.

    U KRY LETRA E HAPUR.

    Shënim: Dardan e ka ndërruar ky, e ka Jon Leka, por e raportuan dhe Faccebook i kërkoi ID e ky ngaqë s’e kishte ndërruar emrin ende në gjendjen civile, FB ia ktheu në gjendjen që ishte… Por shkruan me emrin e ri në shumicën e rasteve! /AÇ

  2. E di qe e ka nderruar, por pse nuk e perfundon kete proces edhe zyrtarisht…

    Edhe une e kam pase emrin magjupishto-harapo-tyrqelisht-shkavellisht.

    Ky duhet te jete shembull per te tjere… pozitiv po mendoj…

    Shënim: Nëse e ke lexuar shkrimin e tij – letrën për vendasit e vet – ai ka probleme me autoritetet në Maqedoni, e ku i dihet, ndoshta i duhen dëshmi nga vendlindja, çertifikatë etj. për ta kryer procedurën. Nëse e ka shtetësinë zvicerane, mund ta bëjë në Zvicër këtë. /AÇ

Komentet janë mbyllur.