LETËR E HAPUR PËR SHOKUN FATOS TARIFA!

0
1104

AV. XHABIR ZEJNUNI

I dashur Shoku Fatos.

Rastësisht, lexova sot një intervistë Tuajën në gazetën DITA, ku pas një bisedë që paskeni pasur me babain Tuaj, Shokun Sevo (ish Sekretari i Shokut Enver Hoxha), na rrëfeni dhimbjen shumë të thellë që paska provuar ai kur Shoku Edi Rama me rastin e ceremonisë së varrimit të eshtrave të Mit’hat Frashërit, deklaroi se veteranët duhet “të ulin kokën”(….)! Si rrjedhojë, Shoku Sevo si një komunist i orëve të para dhe i konvertuar në socialist në orët e fundit, ka menduar të reagojë me një “gjest ekstrem”, duke “dorëzuar teserën e PS-së”.

Në bisedën me Ju, në një moment të thellë dhimbjeje dhe dëshpërimi, Shoku Sevo ju ka thënë se “Sot kam vendosur të dorëzoj teserën e Partisë Socialiste. Kjo nuk është më partia e idealeve për të cilat luftuam dhe as përfaqëson më interesat e pjesës më të madhe të brezit tim, që luftuam kundër fashizmit dhe nazizmit dhe çliruam vendin”. Jam shumë dakord me fjalët e Shokut Sevo, për arsyet që vijojnë. PS-ja është për pluralizmin politik, për pronën private, për ekonominë kapitaliste të tregut, për lëvizjen e lirë, për lirinë e fjalës, etj.

Ndërsa Shoku Sevo dhe brezi i tij, kanë luftuar dhe derdhur gjak (dhe jo vetëm gjakun e tyre!), pasi përfaqësonin interesa të tjera, si sistemin me një parti, ekonominë e përqëndruar socialiste, persekutimin e lirisë së fjalës, etj. Për këtë arsye, që PS-ja i tradhëtoi interesat dhe aspiratat e komunistevë të ndershëm si Shoku Sevo që në vitin 1991. Por, Shoku Sevo gaboi shumë rëndë kur u fut në PS-në. Ai duhej të vazhdonte me vetëmohim dhe me heroizëm që të ishte akoma anëtar i Partisë Komuniste të drejtuar nga shokët Hysni Milloshi dhe Muho Asllani.

Dhe Ju si bir i denjë i babait Tuaj (jo vetëm biologjik!), nuk mund të mos reagonit pa shprehur indinjatën Tuaj të thellë në gazetën DITA, për të akuzuar Shokun Edi Rama. Për hir të së vërtetës, pasi lexova intervistën Tuaj dhe më pas LETRËN e HAPUR të Shokut Edi Rama për Ju, mendova që modestisht t’ju shkruaj edhe unë një letër Juve. Kështu, mora mereqepin, bishtagypin dhe disa defterë që t’ju shkruaj. Ju thoni se “Duhej menduar per eshtrat e shqiptarit më të madh të shekullit të 20-të dhe, ndoshta, të vetmit gjeni të kulturës sonë kombëtare Fan Nolit, ndoshta, të vetmit gjeni të kulturës sonë kombëtare, Fan Nolit, të cilat ende prehen në varrezat publike Forrest Hills të Bostonit, përtej Atlantikut”.

Jam shumë dakord kur Ju thoni “NDOSHTA”, pasi mbase ju ka rrëshqitur pa përmendur si padashje HOMERIN tonë shqiptar, At Gjergj Fishtën. Të paktën për Nolin jemi shumë të qetë, duke e ditur se ku prehen eshtrat e tij dhe se herët apo vonë ato eshtra do i sjellë në atdhe Shoku Edi Rama. Ndërsa për Fishtën e madh, dimë se eshtrat e tij u hodhën në lumë nga komunistët. Bën shumë habi fakti që babai i Juaj Shoku Sevo nuk është shprehur asnjëherë. Të paktën ta bënte pas vitit 1990, kur komunistët na sollën “demoNkracinë”.

Pasi e kam shumë të vështirë të besoj se ai nuk di asgjë rreth kësaj historie. Përveç të tjeravë(…)! Edhe Fishta i madh, e meriton të studjohet nëpër shkolla. Apo jo? Fishtës as edhe shtëpia e lindjes nuk po i restaurohet sot, për “mungesë fondesh”. Ndërsa Shokut Ismail Kadare, ju restaurua shtëpia e tij e lindjes në Gjirokastër, pasi në këtë rast fondet u gjetën. Dikush thotë se në ato fonde kontribuan edhe shumë shokë komunistë të orëve të para!

Edhe Noli ka meritat e tija. Edhe në fushën politike madje me revolucionin e qershorit të vitit 1924, ku Qeverinë e tij “jetëshkurtër”, i pari vend që e përshëndeti, bekoi dhe njohu, ishte Bashkimi Sovjetik! Ju thoni se “Edhe Kishën Ortodokse autoqefale shqiptare që Noli e themeloi ia morëm për t’ia dhënë një greku”. A, ju lutem shumë tani, mos thoni NE, pasi unë nuk mora pjesë në këtë “dhuratë”. Ishte Shoku Ramiz Alia, i pari që i hapi rrugën Janullatosit në Shqipëri. Të tjerat, tashmë i dimë të gjithë. Edhe unë jam intelektual, por nuk më ka ofenduar aspak fjalimi i Shokut Edi Rama. Pasi në atë fjalim arrita të kuptoj atë që ai tha, nuk tha, ose që nuk donte që ta thonte(….)!

Në lidhje me luftën në atë kohë, kam një TEZË timen shumë modeste. Komunistët u treguan shumë të aftë dhe inteligjentë që të demonizonin në popull një “rrezik real”, të cilin ata e kërkonin tek nazi-fashistët. Ndërsa intelektualët, të cilët shumica kishin studiuar në perëndim, u përpoqën që të demonizonin një “rrezik imagjinar”, të cilin ata e shikonin tek komunizmi dhe përçuesit e tij në Shqipëri. Pasi ata kishin arritur ta njihnin shumë më mirë komunizmin në atë kohë! Për hir të së vërtetës, komunistët ja arritën të ishin më bindës me popullin e feudalizuar. Ndërsa intelektualët përëndimorë, jo. Pasojat, i dimë tashmë të gjithë. Kjo tezë modeste, meriton që të zhvillohet më në detaje, por për “mungesë letre” nuk po zgjatem këtu(….)!!!

Por, po ja lejoj vetes sime që t’ju bëj një pyetje Juve: “Nëse NUK do kishte dalur në skenën politike nazi-fazhizmi, çfarë “NGJYRE” mendoni Ju se do kishte sot Europa dhe pjesa më e madhe e botës”?!

Nuk e fsheh dot se u gëzova shumë kur Ju na dhatë sihariqin e madh, se “Më vonë, po atë ditë, im atë më telefonoi për të më thënë se shokët e tij dhe vëllai im më i madh, edhe ai socialist, e kishin bindur që të mos vepronte në atë mënyrë, pra të mos e dorëzonte teserën e Partisë Socialiste. “Jam shumë i zhgënyer”, më tha, “por unë do vdes socialist”. Besoj se mbledhja urgjente e shokëve veteranë në këtë rast, është bërë në ndonjë klub me nga një kafë përpara dhe jo në ndonjë qilar me lagështirë!

Edhe unë jam shumë i lumtur se Shoku Sevo hoqi dorë nga dorëzimi i teserës së tij të PS-së. Pasi në rast të kundërt, pra të dorëzimit të kësaj tesere, ky aksion mund të kishte shkaktuar një “reaksion zinxhir”, duke bërë që me mijëra komunistë dhe veteranë të ndershëm të dorëzonin teserat e tyre të PS-së. Kjo, do kishte qenë një humbje shumë e madhe jo vetëm për PS-në, por edhe për Shokun Edi Rama, i cili do e kishte pasur shumë të vështirë që të zëvendësonte me gjak të RI këtë hemoragji partiake, por edhe kombëtare.

Ne fakt, Shoku Sevo luftoi për të zëvendësuar një pushtim 5 vjeçar me një pushtim tjetër 50 vjeçar. Dhe ja arriti me shumë sukses. Duke parë që ky pushtim po vazhdon akoma edhe sot, por në mënyra të “moderuara”. Ju thoni se “Vitet e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare (….) patën si epilog të tyre përmbysjen e sistemit të socializmit shtetëror, që i kishte premtuar këto të mira, por që nuk i realizoi, dhe për krijimin e të cilit im atë dhe një pjesë e mirë e brezit të tij milituan e kontribuan me ndershmëri dhe idealizëm”. Kontribut me ndershmëri dhe idealizëm quani Ju atë të krijimit të një sistemi gjakatar nga Shoku Sevo dhe shokët e tij, nga i cili u masakrua një popull i tërë?

Ju vazhdoni më tej se “Shumë realitete të padëshiruara të sistemit socialist por, veçanërisht, përmbysja e atij sistemi në fillimin e viteve 1990, që për tim atë, ashtu si dhe për shumë të tjerë të brezit të tij, duhet të ketë qenë shumë e dhimbshme, madje tragjike, duhet ta kenë deziluzionuar e ta kenë vrarë moralisht e shpirtërisht atë”.

Pra, Shokun Sevo e “paskan deziluzionuar dhe e kanë vrarë moralisht e shpirtërisht” jo vetëm “shumë realitete të padëshiruara të sistemit socialist”, por veçanërisht “përmbysja e atij sistemi në fillimin e viteve 1990”! Edhe unë nuk kam asnjë dyshim që Shokun Sevo e ka deziluzionuar shumë “përmbysja e atij sistemi në fillimin e viteve 1990”. Por, duke qenë se ai ka qenë dëshmitar DIREKT (okular dhe aurikular!) i “shumë realiteteve të padëshiruara të sistemit socialist”, pasi ai ka qenë edhe sekretar i Shokut Enver Hoxha, do ju isha shumë mirënjohës (dhe jo vetëm unë) nëse Ju do i këshilloni Shokut Sevo që të na shkruajë kujtimet e tija, për të cilat kam idenë se do duheshin disa vëllime mbi këto “shumë realitete të padëshiruara të sistemit socialist”. Por, nëse shton edhe ndonjë realitet kriminal (nëse ka pasur!), nuk besoj se Shoku Sevo do ketë pasoja. Pasi askush nuk do e pushkatojë atë. Rreziku më i madh, do jetë mbase përjashtimi nga PS-ja.

Në një moment, Ju na tmerroni kur thoni se “Të ligështuar tim atë e kam parë vetëm atë ditë, kur veteranëve të Luftës, kryetari Partisë Socialiste u tha të “ulnin kokën” e ta pranonin Mit’hat Frashërin në mesin e tyre si një atdhetar të madh, pa çka se ai drejtoi një organizatë kolaboracioniste”. Mos pash Allahun! Pse? A nuk është ligështuar fare Shoku Sevo kur ndërroi jetë Shoku Enver Hoxha me 11 prill 1984?! Apo atë ditë të kobshme, ligështimi ishte më i vogël në raport me ligështimin që i dha këto ditë atij Shoku Edi Rama? Pyetja e fundit: “Kur do bëjë komunizmi një MEA CULPA të vërtetë”?

Përshëndetje revolucionare.