LETËR E HAPUR PËR KARAJN DHE PINDERIN!

0
2117

AV. XHABIR ZEJNUNI

Të dashur/a Xheni dhe Kristi.

Rastësisht, mora vesh për reagimin që ka pasur ndaj Jush si përfaqësues/e të lëvizjes LGBT, Zonja Teuta Dobi në cilësinë e drejtoreshës së një institucioni PUBLIK (Shkollë e mesme), e cila ka përjashtuar mundësinë që Ju të jepnit leksione mbi lëvizjen LGBT në atë institucion. Ju të dy/ja si të interesuarit/rat direkt/e, u indinjuat shumë dhe reaguat duke i drejtuar një LETËR të HAPUR Zotit Edi Rama.

Pasi lexova intervistën e Zonjës Teuta Dobi dhe letrën Tuaj të hapur, edhe unë mora mereqepin, bishtagypin dhe dy fletë defteri që t’ju shkruaj një LETËR të HAPUR Juve. Ju thoni se “Ky është një rast flagrant që nuk duhet lënë pa përgjigje” dhe se “Zonja në fjalë jo vetëm që ka shkelur gjithë kodet e etikës të profesionit të nderuar që përfaqëson por mohimi për të trajtuar këdo në mënyrë të barabartë është një veprim i dënueshëm nga ligjet shqiptare”.

Rasti flagrant, ka lidhje me një ngjarje që realizohet menjëherë dhe jo me një ngjarje të supozuar se mund të ndodhë. Ju rezulton Juve që Zonja të ketë trajtuar ndonjë nxënës me prirje LGBT në mënyrë të pabarabartë në raport me nxënësit e tjerë, tek të cilët kjo dukuri nuk ekziston? Nëse po, atëherë jemi para një diskriminimi, i cili duhet të marrë vëmendjen e organeve kompetente.

Ju thoni se “Një gjuhë e tillë jo vetëm që fyen qindra dhe mijëra nxënës të komunitetit LGBT dhe prindërit e tyre, por është treguesi flagrant se bullizmi në Shqipëri, për fat të keq, frymëzohet jo vetëm nga mungesa e programeve edukuese në shkolla, por nga shumë mësues të paditur të cilët përbëjnë një rrezik publik për fëmijët dhe të rinjtë”.

Mos po e ekzagjeroni Ju, kur thoni se me “Një gjuhë e tillë fyen qindra dhe mijëra nxënës të komunitetit LGBT”?!
Në lidhje me fenomenin e BULIZMIT, i cili është “Tërësia e sjelljeve verbale, fizike apo psikologjike në hapësirë dhe në kohë e një apo disa individëve kundër një individi apo një grupi individësh më të dobët”, Ju thoni se ky bulizëm “Frymëzohet jo vetëm nga mungesa e programeve edukuese në shkolla, por nga shumë mësues të paditur të cilët përbëjnë një rrezik publik për fëmijët dhe të rinjtë”. Mos vallë Ju mendoni se mosfutja nëpër shkolla e programeve edukuese në Lidhje me LGBT-të, përbëka një rrezik ekzistencial edhe për LGBT-të? Nëse po, atëherë sot nuk do flitej më për LGBT!

Të konsiderosh shumë mësues që janë kundër si “Të paditur të cilët përbëjnë një rrezik publik për fëmijët dhe të rinjtë”, është shumë ofenduese dhe denigruese për misionin e tyre fisnik. Nëse ka ndodhur që Ju të keni konstatuar “Dhjetëra raste të tjera flagrante kur mësuesit keqtrajtojnë personat e perceptuar si pjesëtarë të komunitetit LGBT”, jam shumë dakord që të denoncohen këto abuzime dhe të dënohen fajtorët.

Ajo çfarë do diskutonit Ju me nxënësit, ka lidhje me privatësinë e disa individëve. Ja vlen të diskutohet, të reklamohet dhe të merret si shembull për t’u admiruar kjo lloj privatësie në një institucion publik? Mund të ndërpritet një shërbim publik për probleme privatësie? Nuk ju mjafton Juve hapësira që po ju japin MEDIAT, apo edhe një manifestim me biçikleta që bëni çdo vit me 14 maj?!

Tashmë, të gjithë e dimë se çfarë pretendon Lëvizja LGBT. Disa nga ato pretendime janë:
1. Legjitimiteti i martesave brenda të njëjtit seks;
2. Njohja kësaj lloj martese të të gjitha efekteve civile dhe barazimin e kësaj martese me martesën tradicionale (me përfitimet përkatëse!);
3. Adoptimin e fëmijës së partnerit/res;
4. Adoptimin e një fëmije jashtë familjes LGBT;
5. Fekondimi i surroguar (nuk po hyj në detaje!);

Nëse dashuria “nuk njeh seks” sipas Jush, ekziston edhe mundësia e një divorci eventual tek LGBT-të (helbete, pasi edhe Ju jeni njerëz që keni gjak, kocka edhe NDJENJA. Pra, mund edhe të divorcoheni). Në raste të tilla divorci, Ju do kërkoni gjykatësin Tuaj “natural” LGBT (…..)!

Të gjitha këto kërkesa (më esencialet natyrisht) në një vend civil (siç është edhe Shqipëria) duhen legjitimuar edhe nga legjislatori. Apo jo? Dhe atë legjislator në vendet demokratike dhe civile, e zgjedh populli sovran. Që do të thotë se unë si popull sovran (ku bëni pjesë edhe Ju natyrisht) duhet të votoj legjislatorin për të deleguar atë, që lëvizjes Tuaj LGBT t’i legjitimojë KERKESAT më lart.

Nëse Ju jeni aq shumë sa pretendoni, atëherë krijoni një Parti, e cila të jetë përçuesja dhe përkrahësja e ideve të Juaja dhe përfaqësohuni pastaj në Parlament.

Pasi kërkesat e Juaja, domosdo duhen paraprirë nga modifikime kushtetuese dhe ligjore për t’u realizuar. Dhe nëse ato modifikime bëhen, atëherë rruga e Juaj do jetë e hapur drejtë një të ardhmeje më të sigurtë. Mos harroni pastaj se kërkesat e Juaja, sjellin edhe një KOSTO SOCIALE, e cila duhet të përballohet nga pjesa dërmuese e popullsisë, e cila nuk është dakord me Ju!

Përveç kostos sociale, nevojitet edhe KONSENSUSI SOCIAL, përsëri nga pjesa dërmuese e popullsisë, e cila nuk është dakord me Ju!

Uroj që të keni në të ardhmen këtë konsensus social. Respekte e përqafime.