AV. XHABIR ZEJNUNI
Të dashur bijtë dhe nipërit e mij: Sali, Edi, Ilir, Gramoz, Lulzim, etj. Dje u bënë 33 vite që jam ndarë fizikisht prej Jush. Por, me shpirt dhe me zemër, kam qenë dhe do jem gjithmonë pranë Jush.
Pas shumë vitesh në heshtje, vendosa që t’ju shkruaj një LETËR të HAPUR nga varrezat e Sharrës nën dritën e një qiriu. Me bëhet zemra mal që Ju veprën time e çuat akoma më përpara. Edhe pse në fillim të viteve 1990, u detyruat që të loznit rolin e “demokratit” me pretekstin e ardhjes së të ashtuquajturës demokraci, Ju i kapërcyet me shumë sukses këto vështirësi. Opozitarëve të vërtetë, jua mbyllët gojën përgjithmonë me metodat tona efikase (…)! Kurse “opozitarëve” me dosje, jua gjetët dermanin më lehtë. Pasi nuk humbët as edhe një dosje dhe i ruani akoma ato si sytë e ballit.
Popullin e latë të varfër, pasi kështu na shërben më mirë ai popull neve. Ligji N. 7501 i tokës, nuk e zgjidhi problemin e tokës, ashtu siç e deshëm ne. Të persekutuarve, as edhe kockat nuk jua dhatë që t’i lëpinin. Bëtë shumë mirë. Nuk patët nevojë të ndërtonit hidrocentrale, fabrika, uzina, kopështe dhe çerdhe, pasi ato i ndërtova unë dhe po funksionojnë për bukuri akoma. Ju i bëtë ndonjë gjyq sa për sy e faqe bllokmnenëve për tejkalim shpenzimesh dhe çdo gjë u mbyll aty. Nuk dënuat fare komunizmin. Dhe shumë mirë bëtë, pasi në rast të kundërt Ju do dënonit edhe veten Tuaj. Popullin e vutë nën kontroll ashtu siç bëra unë gjatë 50 viteve sundim. Zhdukët shumë dokumente kompromentuese të regjimit komunist.
Dhe pa dokumenta, askush nuk të akuzon dot sot. Kot nuk thotë italiani se “Letra këndon” (“Carta canta”). Deklaratën që e tha në TV biri im tjetër Pëllumb Xhufi se “Në Tepelenë ka qenë vetëm një kamp pushimi dhe jo kamp internimi”, ja sugjerova unë atij, pasi e sigurova se tashmë nuk ka asnjë dokument në lidhje me këtë kamp gjoja internimi. Po ashtu, i sugjerova birit tim tjetër Auron Tares që të deklarojë në TV se “Duhen dokumenta të vërteta që gjehen në arkiva për të vërtetuar akuzat dhe jo kërkimet në google”.
Duke qenë se tashmë arkivat janë bosh, askush nuk do ja vërë veshin ca deklaratave të medemek disa ish të persekutuarve se në Kampin e Tepelenës ata na paskan hequr keq dhe se aty paskan vdekur disa fëmijë. Një ndihmë shumë të çmuar, po na japin edhe miqtë tanë të CIA-s. Ashtu siç na e kanë dhënë edhe dikur këtë ndihmë ata. Kemi pasur shumë fat se në partitë kryesore keni futur elementët më besnike të Partisë Mëmë, pa lenë pas vëmendjes as edhe ish spiunët apo ish bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, ku dosjet e tyre ne i ruajmë si një thesar shumë të çmuar. Me pak fjalë, keni punuar shumë mirë dhe i keni ndenjur besnikë Partisë Mëmë.
Problemin më të madh që patëm me ish të persekutuarit, e zgjidhem shumë lehtë. Më problematikëve për ne, ju dhatë nga një pasaportë dhe një biletë me opcion vetëm shkuarje për në Amerikë e tyre aq të dashur. Të tjerët më pak problematikë i mbajtët në Shqipëri, sa për të na shërbyer si “opozitë” ata. Një ndihmë shumë të madhe na e ka dhënë dhe po na e jep edhe MEDIA e “pavarur”, e cila nuk ka dallim aspak nga ajo e kaluara (…)! Për këtë arsye, duke qenë se kemi arritur veç fitore gjatë këtyre 75 viteve, kam vetëm një dëshirë për të ma plotësuar.
Sapo erdhi “demokracia”, Ju u detyruat nga presioni i popullit “sovran” që t’i spostonit eshtrat e mija nga varrezat e dëshmorëvë të kombit tek varrezat e Sharrës. Unë ju falendëroj për vizitat që herë pas here më bëni natën tek varri im dhe kuvendoni me mua kockë me kockë. Por, ka ardhur koha që të spostoni edhe njëherë eshtrat e mija dhe t’i vendosni aty ku e meritojnë ato: tek varrezat e dëshmorëve të Kombit. Tek ato varreza, ku është edhe ndokush që nuk ka qitë as edhe një pushkë për vatanin. Duhet shikuar edhe puna e tyre në të ardhmen (…)!
Plotësojeni sa më parë kërkesën time o bijtë dhe nipërit e mij.
Pasi sot jemi ne më të fortë se dikur. Dikur, kishim vetëm PUSHKËN në dorë, Kurse sot, ne kemi PUSHKËN dhe PARATË në duar. Dhe askush nuk do na e marrë pushtetin nga duartë tona, as me gjak dhe as pa gjak.
Rroftë PPSH, e mishëruar në unitetin e çeliktë PS+Pd+LSI.
Lavdi Marksizëm-Leninizmit.
I Juaji Enver Hoxha.
Sharrë me datë 11.04.2018