Lëkura e një qyteti

0
1340
Tef Palushi nga Ferid Kola

Vladimir Myrtezai, Liberale.al

Për shkaqe subjektive e shumë të afërta, që në njëfarë mënyre kanë të bëjnë edhe me nostalgjinë dhe të qenët dëshmitar i kohës, ditë më parë më tërhoqi vëmendjen një postim në rrjetet sociale ku shfaqej një statujëz e Ferid Kolës, artist i ndjeshmërive të kulluara historike dhe qytetare.

Ferit Kola është protagonist në gjallje i të dyja periudhave: asaj e ashtuquajtura para dhe pas viteve 1990. Ndoshta një prej përpjekjeve të tij më domethënëse është se ai diti si të ndërtonte një marrëdhënie kalimtare të përshtatur artistike mes dy periudhave, apo dy botëve, pavarësisht se në pamje të parë na duken përjashtuese ndaj njëra-tjetrës.

Me një kopsht të shumëllojshëm kulturash (qoftë dhe për shkak të larmisë së besimeve dhe kulteve), Shkodra të mirëpret përmes humorit të gjallë dhe pastaj nis e të paraqet (si udhëtim kundër) shtresa historike dhe kulturore që vijnë duke të përfshirë gjithnjë e më shumë. Më pas akoma fillon dhe ndihesh si në faj, pasi të kujtohen figura të caktuara të dijes dhe vetëmohimit, një varg i gjatë gjuhëtarësh, autoritetesh të religjionit, shtetarë civilë, poetë, piktorë/skulptorë, aktorësh dhe figurash të tjera të rrethuara me mjegull, tamam si mjegulla e liqenit që pran në këmbët e qytetit. Dhe sa më shumë thellohesh aq më shumë të krijohet një hendek i madh frenues për të shkruar një fjalë që duhet lexuar nga ky qytet. Personalitete me kontribute reale të prekshme që detyrimisht të lënë pak hapësirë për t’i ndarë me një logjikë selektive e dalluese në një artikull apo shkrim të radhës.

Ka gjithnjë një arsye për të hapur një faqe me qytetari, për të mbjellë kujtesë për ata që janë dhe ata që do të vijnë, pikërisht që të dinë se nga vijnë e ku shkojnë. Si një lartësi e bërë me dhe për mbijetesë, në situata nga më absurdet me të cilat është shënjuar qartë ky qytet.

Çfarë do të ishte një qytet nëse nuk do të kishte aftësinë për të ruajtur fenomene dhe vlera të tilla kulturore? Më e pakta që mund të thuhet do të ishte i mangët në frymëmarrje.

Sot kemi zhvillime të reja, në koherencë reale e në kompeticione suksesi po aq. A që ndokush, si me përtesë, mund të anashkalojë gjithë sa thamë me mendjelehtësinë e paepur për të bërë art me A të madhe, apo mund të paragjykojë mbi bazë mediumi, duke përmendur mëkatin tonë të madh krahasuar me “botën”: vonesën. Do të ishte një gabim i madh, gjithsesi, që në emër të së ardhmes (new) të shkelim apo të harrojmë (më keq akoma) shtresat nga të cilat kemi dalë, supet e heshtura të kontributorëve e gjigantëve.

Një qytet apo një komunitet mund të ruajë fizionominë e tij me vlerë pikërisht në sajë të këtyre barrierave (edhe kundër) që vijnë si sulme të vendqëndrimit, apo si një vëmendje absolute në kohë.

Ky “argument” shtrihet në një tjetër regjistër, që ia vlen të diskutohet, nën hijen e qetë të një aure gjithëpërfshirëse, që ofron edhe mundësinë e bekuar për t’u tejkaluar, qoftë si mendësi, qoftë si sfidë krijuese.

* * *

Ndër të tjera, Shkodra spikat edhe si qyteti krejt e veç i humorit dhe, fatmirësisht ose jo, personazhi ynë Shtjefën Palushi (Tefa) është një simbolikë në këtë drejtim, jo vetëm për qytetin e tij, por edhe përtej, si një “justifikim” çlirues (dje) apo si një këmishë autoriale (sot) për qindra vetë që argëtohen e kurohen njëherësh duke përcjellë “të fortat” apo “bëmat” e tij.

Shtysë për këtë shkrim u bë një statujëz brilante e skulptorit Ferid Kola, thuajse si sfidë për kujtesën dhe pastaj edhe si një “konkurs” se kush ia ka hatrin më shumë Tefës si mundësi, si mundësi për t’i veshur gjërat me buzëqeshje, me humor.

Si për çudi, në vend të një arratie në stepat e fantazisë (gjë që të jep një mundësi gati të skajshme për t’u çartur në arrati çliruese krijimi) lexojmë një statujëz krejt njerëzore, të përmbajtur, me këmbë në tokë, me një karakter të veçuar të Tefës, që për ata të cilët e jetuan kohën e tij do të identifikohej si një lëkurë joshëse ku fshihet kodi i pop-it dhe fabula e çdo “të forte”.

Pra, kemi të bëjmë me një skulpturë me vlerë, që meriton një vend në qytet, ku mishërimi i humorit do të (ri)kuvendonte me një buzagaz të hareshëm që na i heq hallet, e në të njëjtën kohë na kujton rezistencën përmes humorit.

Nuk mund të themi se kjo simbolikë do të jetë emblema e një qyteti, (s’do guxonim) që gjithsesi nuk të lejon kollaj të bësh humor me historinë dhe vlerat që përmban, por le të jetë një pretekst për të mikluar peshën e të vërtetave, si një shenjë për të kujtuar ritet e mbijetesës në kohë të vështira. Kaq mjafton për të qenë në lartësitë e inteligjencës, por edhe në lartësitë e humorit, për të hedhur pak dritë drejt së ardhmes nëpërmjet një rrëfenje tragjikomike, mes personazhit dhe përmbajtjes së idealizuar.

Ndaj dhe është krejt i veçantë ky çast, për të vendosur kështu një theks ndryshe mbi hapësirat e jetuara, për të peshkuar një element çlirues, që përfshin larminë e gjeografisë së shprehive. Për këtë duhet shpirtgjerësi dhe një vështrim i hapur, që na jep mundësinë që të mësohemi me street apo urban art-in, ama me “produkte” reale, që ndillen nga realitete historike, për t’i dhënë në këtë mënyrë qytetit fizionominë e që i takon.

Nëse do të trajtonim skulpturën e vogël, atë që nuk i sfidon apo nuk i mpin kalimtarët, mund të gjejmë mjaft figura që mund të “ringjallen” për t’u çmallur me pasardhësit, qoftë dhe për t’i prerë disi rrugën disa mutacioneve publike, që mbillen natën e mbijnë ditën, e që nuk i thonë asgjë komunitetit.

Dialogu për qytetet e mbarsura me simbolika është një hap dekonstruktues ndaj trashëgimisë gati pesëdhjetëvjeçare që lamë pas, ku e gjithë krijimtaria pagëzohej si e tillë vetëm nga një dorë, “dora ideologjike” e partisë.

Raportet mes mjedisit, historisë dhe predispozitës kulturore duhet të jenë në një akord me atë çfarë ndodh në zemrën e kohës, për të ndërtuar një hapësirë të përbashkët publike që i përfshin të gjithë, si një mundësi që na lejon të këqyremi në pasqyrën e gjerë të historisë, për të gjetur sigurinë dhe shpresën që na kërkon e ardhmja.

Profilit të qytetit nuk duhet t’i rikthehemi për forcë zakoni, për krenari apo nostalgji, por për të siguruar bashkëjetesën mes dialogut të brezave.

Një monument për humorin do t’i hapte rrugë një rishikimi mbarë strukturës pamore të qytetit, natyrisht jo me sforcime akademike dhe lojëra teorike, por thjesht me pak humor, për të rigjetur kështu bonsens-in e munguar. /Gazeta Liberale