AV. XHABIR ZEJNUNI
Giulio Cesare ka thënë dikur këtë frazë të famshme: “E dua tradhëtinë, por urrej tradhëtarin”!
Monika Kryemadhi tha dje (3 mars): “Tradhëtinë të gjithë e përdorim, por tradhëtarin asnjë nuk e do”! Wow!
Këto ditë (dhe netë!) histeria politike dhe rrjeto-socialore në lidhje me “lefteriz(i)min politik”, ka arritur pikat më të larta “përvëluese” në lidhje me problemin e zëvendësimit të parlamentarëve opozitarë të “vetë-djegur” me kandidatët e listës pritëse dhe me mos pranimin e ndonjë parlamentari aktual opozitar për t’u “vetë-djegur”!
Personat më lart, po etiketohen si llumi i shoqërisë dhe i politikës, mosmirënjohës ndaj partisë mëmë, bukëshkalë, të shitur tek satrapi Rama, tradhëtarë, persona pa moral etiko-politik, etj.!
Shtrohet problemi nëse këta persona, epitetet më lart i morën tani, apo i kanë pasur (dhe merituar!) më parë. Nëse këto epitete ata i meritojnë tani, atëherë kjo vjen vetëm nga fakti që ata nuk “dogjën” mandatin aktual, apo do pranojnë mandatin.
Por, nëse këto epitete ata i kanë merituar dhe pasur më parë, atëherë shtrohet një problem akoma më i madh. Ai i hartimit të listave nga kryetari i partisë, pa u këshilluar ai më parë me popullin “sovran”, i cili do kishte tagrin që të bënte seleksionimin REAL të kandidatëve për deputetë, në mënyrë që në listën e kandidatëve për deputetë të futeshin ato personalitete që do e meritonin me të vërtetë këtë privilegj.
Por, ky problem merr edhe nota komike në ndonjë rast. Bëhet fjalë për Lefter Maliqin (ose “tradhëtarin serial”!), i cili ka qenë deputet i PD-së në periudhën 2009-2013. Por, ai më parë ka qenë anëtar i PS-së dhe LSI-së. Pra, kemi të bëjmë me një politikan “laraman”!
Por, me 31 maj 2017, ndodhi “prishja e madhe” mes Lefter Maliqit dhe Lulzim Bashës, për arsyen se Basha e kishte vënë atë në vendin e tretë të listës së Beratit dhe në vend të dytë kishte vënë UFON e Beratit. Ose më saktë “memecin”, të cilit nuk i erdhi goja as edhe në foltoren e Parlamentit!
Lefter Maliqi, duke pasur një nuhatje të thellë politike, e cila mbase lidhej edhe me profesionin e tij në organet e rendit publik(!), e kuptoi se kësaj radhe vendi i tretë në listë, do e linte atë me gishtin në gojë (të tretin!). Prandaj, Lefter Maliqi duke qenë akoma tek lista e Bashës, i kërkoi elektoratit të tij që të votonte për satrapin Rama!
Por, çudija më e madhe erdhi kur Basha nuk e hoqi Lefter Maliqin nga lista! Dhe këtu fillon më pas edhe komedia politike. Rama si një “mirënjohës race” që është, e emëroi Lefter Maliqin në detyrën e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve në janar 2018, edhe pse Lefter Maliqi formalisht ishte akoma i treti në listën pritëse të PD-së!
Dhe tani Lefter Maliqi si ish-kandidati pasues në listën e Partisë Demokratike për qarkun e Beratit, ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit.
Pritet që ai marrë mandatin e deputetit të PD-së! E gëzoftë!
Populli “sovran”, do bënte shumë mirë tani nëse NUK do ngrinte zërin ndaj LEFTERAVE, por ndaj personit që mbushi listën me këta leftera, pa marrë më parë mendimin e tij. Pse jo, edhe të çohej në protesta dhe të bënte çadra e barrikada në fushatën elektorale!
Pasi dihet se lefterat nuk do mungojnë kurrë për fat të keq. Prandaj, që shtrohet si një DETYRIM evitimi dhe minimizimi i lefterave. Jo nga politika, por nga populli vetë.
Por, duhet pohuar edhe një fakt tjetër: “Jo të gjithë kandidatët e listës pritëse të opozitës, janë LEFTERA”. Pasi ky pohim do ishte një ofendim për ata dhe për vetë partinë ku ata bëjnë pjesë.