LECI I FUTI FLAKËN VETES…

0
389
Head burning

HISTORI TË JETUARA, POR JO TË SHKRUARA

Arben Çokaj

tregim

Se kush i kishte thënë Lecit të shkretë ashtu, nuk u mor vesh kurrë. Por ditën kur doli në komisionin e vlerësimit të refugjatit, pasi komisioni ia refuzoi kërkesën për azil, tregon përkthyesi shqiptar, që ishte në ngjarje mes tij e avokates daneze, Leci nxorri paguren nga xhepi, “unë mendova se po freskohet pak” – më tha përkthyesi më pas, kur ai pasi e hodhi mbi kokë lëngun në pagure, nxorri çakmakun dhe ia futi flakën vetes…

Kishte kujtuar se ishte gjë e lehtë ajo punë, por jo, tani në moment e kuptoi marrinë që kishte bërë, flaka i kishte kapur kokën, e njerëzit që ndodheshin aty të pranishëm, i kapi paniku, se u erdhi papritur, ndërsa Leci bërtiste si gomar “aaauuu – aaauuu” nga dhimjet e forta, të cilat kuptohet se në ato momente janë të pavullnetshme…

Njerëzit përpiqeshin tani të shuanin flakët në kokën e Lecit, por më kot, Leci jo vetëm bërtiste si gomar, por edhe vraponte si i tillë, nga dhimbjet e tmerrshme… Derisa u gjet një mënyrë, dikush e shtyu Lecin dhe ai u rrëzua përtokë, pastaj i hipën sipër dhe me një mbulesë si batanie, i bllokuan ajrin në kokë dhe flakët u shuan…

Kështu që Leci përfundoi në pavionin e traumës në spitalin e Hvidovres, ku bashkë me dy miq të mi, njëri nga Prishtina e tjetri nga Prespa, shkuam ta shikonim si ishte dhe a kishte ndonjë nevojë… Ngaqë Lecin e njihja dhe e dija se lënda e tij, që kishte paraqitur për azil ishte pa përmbajtje, u thashë këtyre dy miqve, shkoni ju, se nëse vij edhe unë, ndoshta ndihet keq ai, se i kam thënë që me këtë lëndë, do e kesh të pamundur të fitosh…

Ndër tjera, Leci në kërkesën për azil e në tregimin e tij, se pse ai mendonte se i rrezikohet jeta në Shqipëri, në atë mënyrën e tij primitive kishte thënë se e kanë larguar nga puna, se kishte marrë pjesë si komisioner në zgjedhje për PS-në, dhe ata të PD-së e kishin larguar nga puna, dhe aty kishte shprehur edhe shqetësimin se donin ta detyronin në Shkodër, që ai ta fuste vajzën në punë si kameriere diku, e kjo ishte e rëndë për Lecin…

Nisur nga pikëpamja e koncepteve në shoqërinë daneze, nuk ka punë të ndershme që është e turpshme, kështu edhe kamariere, prandaj komisiomnerët, kur të lexonin arsyet e Lecit, se pse ai kërkonte azil, do të qeshnin me të, pasi ka vajza plot në Danimarkë, që punojnë si kameriere… Kurse kërkesa për azil duhet të përmbajë fakte të besueshme, që tregojnë se shteti shqiptar ia rrezikonte jetën Lecit, ose mund ta fuste padrejtësisht në burg, e ky nuk mund të mbrohej. Pra, Leci nuk e kishte kapur si duhet parimin e një azilanti politik, se për qëndrime ekonomike nuk jepte kush në Danimarkë në atë kohë.

Ai e kishte menduar mirë se si do të vepronte, në rast refuzimi dhe prandaj kishte vepruar ashtu, e kishte marrë paguren me benzinë me vete e çakmakun. Dhe në atë pikë të hallit, ku e kishte futur veten, Leci nuk ia qante hallin për veten miqve të mi, që shkuan për ta vizituar e pyetur nëse kishte ndonjë hall, por ai e kishte hallin më të madh, mos Sali Berisha donte të vriste Isuf Kalon, që ishte mjek në Kopenhagë për OBSHnë, dhe Lecin e kishte kapë paranoja, se mos kot po e vret Saliu Isufin, si në kohën e komunizmit, kur të likuidonin kot, vetëm për teka politikanësh…

Kështu megjithatë. Leci sakrifikoi dhe ia doli më në fund, të merrte qëndrimin humanitar në Danimarkë dhe më pas e mori edhe familjen e tij me vete atje…