IDRIZ ZEQIRAJ
Lëvizja Vetëvendosje, në kërkim të zgjedhjeve, fort e cytur nga sondazhet qejfbërëse, nuk zgjedhë metoda e mjete, për ta fajësuar LDK-në, se “ajo nuk donë koalicion me VV-në. Me këtë “arsyetim”, së fundi, bëri autogol. Plot gojën se “vazhdojmë dialogun, për arritjen e koalicionit”, ndërkohë që e zhbënë edhe atë që ishte bërë, në këtë drejtim! Pa asnjë paralajmërim, ia rrëmben partnerit, në dialog e sipër për koalicion, postin e kryekuvendarit, i cili ishte ndarë për LDK-në, madje qysh në nismë të dialogut: kryeministri VV-së, kryekuvendari LDK-së.
Pamëdyshje, ishte një provokim i rëndë, jo vetëm për LDK-në, por, për shqiptarët, në përgjithësi, të cilët janë stërlodhur me zgjedhje dhe rizgjedhje, në çdo dy vjet, me shpenzime enorme, për të cilat Kosova nuk e ka luksin, për t`i përballuar pa rrjedhoja buxhetore. Ishte një sjellje qumështore, fëminore, por, edhe mujëshore, e paprecedent, paparaprijës. Dhe, prepotenca, mujëshia, shantazhimi, arroganca ndaj partnerit, të pranuar në parim, për ta ndarë pushtetin, për të qeverisur së bashku, ka edhe elemente të bollshme të rrugaçërisë. Dhe, kjo është shumë shqetësuese për një parti të parë, të re në moshë, që presupozon dhe pretendon perspektivën politike e pushtetare.
Rrjedhimisht, për të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe më gjerë, kjo është një goditje e zhgënjim për shpresën e tyre të ushqyer në VV-në. Në daljen të parë të VV-së, pahamendje, ndikoi edhe koalicioni me LDK-në, i proklamuar me bujë dhe i pranuar nga shumica absolute e shqiptarëve. Nga qeverisja e keqe, thellësisht korruptive e “Pronto” mafisë kriminale, të koalicionuar në PAN, më në fund, u shpalos formula e mundësisë të daljes nga katrahura shumëvjeçare, ku e kanë zhytur Kosovën “komandantët”, tashmë, të dyshuar bazikë, për krim të organizuar vrastar dhe hajni zyrtare industriale.
Idhujtë ideologjik të Albin Kurtit, që nga Lenini, Enveri dhe pasuesit e tyre në Kosovë, janë dëshmuar deshtakë në ekonomi dhe politikë. Si të tillë, janë të papranueshëm dhe anakronikë për kohën digjitale. Deklarimet pozitive programore të Kurtit, për stopimin e korrupsionit, përkatësisht, të hajnisë zyrtare dhe sekuestrimin, shtetëzimin e pasurive, të grabitura të brezave shqiptarë. Por, është kundërthënie domëthënëse mosaprovimi, madje, edhe luftimi i Gjykatës Speciale nga Albini, si shpresë e vetme e shqiptarëve, për t`u liruar nga ankthi 20 vjeçarë i krimit unik në Kosovë. Janë shumë qindra veprimtarë politikë, atdhetarë të dëshmuar, ushtarakë luftëbërës, të vrarë nga “komandantët”, me bandat e tyre, të cilët, për ironi, në vend të ndëshkimit, janë shpërblyer me krye-pushtet, sa absolut, aq edhe kriminal.
Personalisht, nuk heq asnjë fjalë, për vlerësimin e dhënë për Lëvizjen Vetëvendosje. Që nga kundërshtia e ndarjes të Mitrovicës; teprimet e Ahtisarit në disa trajtime kushtetuese, në favorizim të pakicës serbe dhe ngulfatjen ligjore të Kosovës; 6 pikëshin e Baki Munit dhe fusnotën, kundërshtinë e “Zajednicës”, të Demarkacionit, përfshi këtu shkrimin “Astri Dehari – kurban i Demarkacionit”; refuzimin e Hashimit president, si e keqja e madhe e Kosovës, të paralajmëruar edhe nga hyjnori Rugovë.
Saktësisht, na ishte një kohë zezonë, kur Vetëvendosje luftonte e vetme në mbrojtje të Republikës. Dhe, në saje të kësaj mbrojtjeje të pa kompromis të Kosovës, Vetëvendosje arriti kulmorën, për të qenë e parë, por, jo edhe fituese absolute, për të manifestuar mujëshi, shantazh, arrogancë, që karakterizon anarkistët e hiç finikët. Sjelljet aktuale të VV-së, janë një zhgënjim i madh, që, gjithësesi, votuesit entuziastë i ka shokuar dhe vënë në dilemën e natyrshme, për besimin e dhënë lehtësisht! Sepse ballafaqohen me aktivistët elokuentë, me citatet vjershuese të Albinit, fjalët e mëdha e premtuese, por, nga ana tjetër, me veprime rrënuese, si në rastin provokues e përçmues të partnerit për koalicion, të vlerësuar nga shumica si ideal.
LDK-ja si parti shtetformuese, kësaj radhe veproi maturisht e mençurisht, kur votoi të propozuarin nga VV-ja, për kryekuvendar Glauk Konjufcën, duke dëshmuar se është kundër bllokimit të institucioneve. Le të krijohet edhe qeveria, qoftë edhe pa LDK-në. Por, natyshëm, krijimi i një qeverie të pakicës, aq më parë nga anarkistët mujëshorë shantazhues, nuk do të ishte e shëndetshme për demokracinë në Kosovë. Andaj, vota e LDK-së kërkon mbulesë, arsyeshmëri dhe ajo nuk mund të dhurohet “blanko”. Dhe, kjo do të ishte në vazhdën e përgjegjësisë tradicionale që ka pasur LDK-ja e kryezotit të LDK-së, Dr. Ibrahim Rugova, qysh në themelimin e saj, tri dekada më parë. Kosova nuk ka kohë për eksperimente, qoftë edhe me VV-në rishtore!
Megjithatë, siç potencon edhe nënkryetarja Vjosë Osmani, tashmë, e kthyer, meritueshëm, në simbol të LDK-së, “ja vlen të bisedohet edhe 500 herë me VV-në, unë nuk dua asnjë post, vetëm të përmbushët premtimi, që i kemi dhënë elektoratit, popullit, për ta krijuar qeverinë, për ta udhëhequr Kosovën, për mandatin që VV-së dhe LDK-së ia besuan shumica e popullit të Kosovës, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019”. Dhe, në të gjithë thirrjen e saj, të sinqertë e fisnike, është fort e besueshme dhe përkushtuese, për tejkalimin e sjelljes skandaloze të Vetëvendosjes, në raport me partnerin perspektiv, për krijimin e qeverisë, LDK-në.
Shqiptarët besojnë shumë se LDK-ja do ta kapërdijë, dinjitetshëm e përgjegjshëm, edhe këtë provokim e përçmim të vrazhdët, hiç meritorë të Vetëvendosjes, duke mos ngulmuar as në pretendimin e presidentit dhe as të ndonjë pengese të ngjashme. Elektorati, populli, shqiptarët, lëshimet në fjalë, në këto rrethana supërspecifike për Kosovën, assesi nuk do t´i marrin si dobësi, nënshtrim të LDK-së ndaj VV-së, gjithësesi, me sjellje eskaluese të papërgjegjshme, alogjike, e bajate. Përkundrazi, do t`i vlerësojnë si përgjegjësi institucionale, për ta justifikuar e plotësuar vullnetin e elektoratit, vullnetin e popullit, të shqiptarëve të kudondodhur. Rrjedhimisht, për ta prosperuar, përparuar dhe konsoliduar shtetin e Kosovës, të cilin, aq shumë e kanë venë në luhajë pushtetarët kriminelë e profiterë, të zhantazhuar rrast nga drejtësia dhe Serbia, për krimin e organizuar vrastar dhe korupsionin masiv, ndër vite e dekada.