LDK NË KOALICION ME PAN-IN E INKRIMINUAR, BËHET PJESË E KRIMIT

0
244

LETËR DREJTUAR:
KRYESISË TË LDK-së;
KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM;
KUVENDIT TË LDK-së;
GRUPIT TË DEPUTETËVE AKTUALË;
110 KANDIDATËVE PËR DEPUTETË TË ARDHSHËM

IDRIZ ZEQIRAJ

Zyrtarët e LDK-së, që nga kryetari dhe të tjerët, e kanë plot gojën me “strukturat e partisë”! Për të gjitha rastet e vendimmarrjes, falsifikueshëm, u referohen këtyre strukturave, realisht, fiktive në vendimmarrje. Kuadro dinjitozë nga këto struktura, deklarohen, jo vetëm në – Çarshi -, por edhe në debate publike:

“Jemi 10 anëtarë të Kryesisë në një mbledhe. Shtrohet problemi. Bisedojmë për vendimin që duhet marrë, 8 vetë dakordohemi. Agimi (Veliu) dhe Avdullahu (Hoti) kanë mendim ndryshe. Dhe, ata dy vendosin!”

Në debatin televiziv, moderatori pyet, por, edhe ngulmon të di nëse kuadri pajtohet me disa vendime, pothuajse, idioteske të LDK-së? “Unë kam qenë kundër, por, shumica ka vendosur!”

Njëri nga themeluesit e LDK-së, tani, anëtar i Këshillit të Përgjthshëm dhe deputet, Fatmir Rexhepi, në dëbat, ishte më i drejtëpërdrejtë: “Në LDK nuk vendos LDK-ja, anëtarësia, as strukturat e partisë, madje, as Kryesia! Është rrethi i ngushtë i kryetarit, 4-5 veta, që marrin vendime, pa e pyet askënd tjetër!”

359 delegatë të Kuvendit të 9-të Zgjedhor të LDK-së, në sallën e Hotel “Emerald”, plus pak qindra mysafirë. Kandidojnë dy vetë për kryetar të LDK-së: Isa Mustafa dhe Fatmir Sejdiu. Drejtuesi i seancës:

-Hajt ta votojmë një herë Isën, pastaj Fatmirin – ndaras!

Unë, delegat i këtij Kuvendi maskaradë, nga Dega e LDK-së në Gjermani, reagova, zëshëm e çjerrshëm:
-Të dy kandidatët të votohen njëherësh, së bashku, në një listë zgjedhore, madje, me votim të fshehtë demokratik.

Megjitatë, kryesia e punës, klani klasik i kryetarit Isë, ngulmoi në votimin ndaras, veç e veç, me aklamacion, të hapur, me ngritje dore! Ky ishte një rast unik, që nuk ka ndodhur as në komunizëm, as në fashizëm, as te kmerët e kuq të Kamboxhias dhe as nuk ndodhë, sot, në Korenë e Veriut.

Por, ndodhë në LDK-në e Isa Mustafës, me klanin e tij, madje, në të gjtha strukturat, në qendër dhe bazë. Atëherë, çfarë lesh strukturash janë këto, që heshtin si peshqit?! Madje, as nuk provojnë ta stopojnë kryetarin, me klanin e tij, në batakçillëqet dhe pisllëqet që bëjnë, gjithëherë, në emër të strukturave?!! E turpshme, kriminale, ku është katandisur LDK-ja, sot, partia lidere e krenare e Dr. Ibrahim Rugovës, dikur!

Kryeministri Hoti deklaroi publikisht: “Do të kujdesemi që LVV të mos vijë më në pushtet”! E pason zëvendëskryeministri, Dritan Selmanaj: “Përsëritja e koalicionit me Vetëvendosjen nuk është më opsion për LDK-në, nuk është e mirë për Kosovën”!

Përkundrazi, mendoj se vetëm, pushtetarët, partitë e painkriminuara, siç janë LVV dhe LDK-ja, mund ta luftojnë krimin e organizuar, korrupsionin dhe të provojnë ta çkapin shtetin, ashtu siç patën nismuar në qeverisjen e artë, por, jetë-shkurtër, LVV-LDK, me shkarikimin e bordeve kriminale, krijimin e Komisionit të pavarur për Vettingun…

Kryetari Isa Mustafa përgaditë terrenin, për koalicion me partitë e PAN-it, të cilat vazhdojnë të jenë nën akuzë, për krimin vrastar dhe korrupsionin, thënë troç, hajninë zyrtare! Krejt njëjtë, sikur Hashim Thaçi, i cili përgadiste opinionin për ndarjen e Kosovës, nëpërmjet Baton Haxhiut, kur thonte:

1) Veriun t`ia lëmë Serbisë;
2) Gjykata Speciale të zhbëhet;
3) Falja reciproke e krimeve, sepse janë vjetëruar dhe të bëhet pajtimi serbo-shqiptar!”

Partitë politike në fushata premtojnë luftimin e krimit të organizuar, korrupsionin, çkapjen e shtetit, i kapur, deri në ngulfatje, nga partitë e inkriminuara. Atëherë, si ka mundësi të bëhet çkapja e shtetit, të justifikohet sllogani i LDK-së: Shteti – Shtet, duke hyrë në koalicion, pikërisht, me partitë e krimit?! Rrjedhimisht, nëse LDK-ja koalicionohet me partitë e inkriminuara të PAN-it, gjithësesi, bëhet pjesë e krimit, sepse e favorizon krimin, siç ka ndodhur, duke u bërë patericë e PDK-së, për ta mbajtur atë në pushtet, për një dekadë e gjysmë.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se populli, anëtarësia nuk e zgjedhë qeverinë. Atë e zgjedhë partia që ka numrin më të madh të deputetëve. Por, ama, deputetët i voton populli, elektorati i partive politike përkatëse. Dhe, vetëvetiu shtrohet pyetja: A duhet pyetur, përfillur anëtarësia që “prodhon” deputetët, shumësia e të cilëve e sjellin partinë në pushtet? Gjithësesi, po.

Anëtarësia e LDK-së, përjashton partitë e PAN-it në koalicion, sepse ato i ka refuzuar, për të qeverisur populli i Kosovës, me votën e tij demokratike, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019. Atëherë, pse u dashka që klani i Isa Mustafës, t`i kthejë, dhunshëm, në pushtet partitë e refuzuara nga populli, pikërisht, për krimin e madh të kapjes të shtetit?! Kësaj i thonë, “qeveria bënë çka bënë, populli të mos hajë m…!”

Jo gjithmonë mund të zgjedhësh një koalicion ideal. Aq më pak, sot, në Kosovë. Por, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka mëkatin e krimit, të korrupsionit, të kapjes të shtetit, siç i kanë partitë e koalicionuara në PAN. Prandaj, anëtarësia, elektorati, strukturat e LDK-së, kanë qenë dje dhe janë edhe sot, për koalicionin me LVV. Tashmë, është një e fshehtë publike se kundër këtij koalicioni, kanë qenë dhe mbetën klani Mustafa, i shantazuar nga PDK-ja dhe SHIK-u i saj, si dhe lidhjet e pista biznesore të tyre. Atëherë, deri kur do të jetë LDK-ja peng i këtij klani?!

Kësaj pyetje duhet dhënë përgjigje të prerë. Sepse, “kur është mjaft, është mjaft” dhe elektorati i LDK-së, nuk mund të vazhdojë të jetë argat i PAN-it, “i djallit dhe të birit!” Mashtrimi i elektoratit, shpërfillja e strukturave të LDK-së, nga njëra anë, dhe konspiracionet e pista, me partitë e inkriminuara, duhet të marrin fund. Kujdes, abuzimit të votave! Përndryshe, historia do t`ju mallkojë e ndëshkojë, si skllevër të shekullit digjital!

Fushata e sforcuar e LVV, për shumëzimin e votave, ka një arsye të fortë, unike. Sistemi zgjedhor aktual, në Kosovë, nuk favorizon, madje, pothuajse, pamundëson qeverisjen, pushtetin, pa u koalicionuar me ndonjë parti tjetër të madhe. Skena politike aktuale e Kosovës, është e kontaminuar me krimin e organizuar, hajninë zyrtare, kapjen e shtetit. Nëse LVV bënë koalicion me cilëndo parti të PAN-it, bëhet pjesë e krimit. Dhe, dështon në realizimin e premtimit të dhënë elektoratit, popullit të Kosovës dhe shqiptarëve të kudondodhur, për çkapjen e shtetit.

Nga ana tjetër, cilado parti e PAN-it, me hyrjen e saj në koalicion me LVV, duhet ta fillojë luftën kundër vetës, deri në shpalljen e paligjshme të vetëvetës. Sepse, krimi, tashmë, ka ndodhur dhe varret numerike, të ushtarakëve të FARK-ut dhe të Veprimtarëve të LDK-së, anekënd Kosovës, janë dëshmi faktike. Dëshmi të tjera janë grabitja e pasurive, të tundshme dhe të patundshme, të brezave shqiptarë. Gjithashtu, abuzimi prej përtej dy dekadave radhazi, ka sjellur shtetin e Kosovës, në prag të zhbërjes së tij. Kapja e shtetit, madje, në të gjitha hallkat e tij, është e dukshme. Kujtoni përmbylljen kriminale të dy proceseve gjyqësore të “PRONTO” dhe “VETERANËT”, si ilustrim se kapja e shtetit është legjitimuar edhe zyrtarisht!

Pavarësisht, se klani Mustafa, nëpërmjet dy vartësve të tyre, kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, në detyrë, është shprehur se LDK-ja nuk e ka opsion koalicionin me LVV, megjithatë, ajo, duhet të ngulmojë për koalicionin LVV-LDK, e bindur se këtë e duan anëtarësia, elektorati i këtyre dy subjekteve politike dhe shumica absolute e shqiptarëve botërorë.

Energjitë e pashterrshme të rinorëve të LVV dhe urtia e trashëguar rugoviane të LDK-së, do të ishin një koordinim dhe harmonizim ideal, për ta kthyer Kosovën në binarët e zhvillimit dhe të progresit perspektiv. Edhe përgjatë bërjes të opozitarizmit dinjitar, edhe të bashkuar në qeverisjen model, ministrat e dy subjekteve shkëlqyen, ashtu sikurse edhe kuvendarët e tyre në Parlamentin e Kosovës.

Sllogani “KREJT dhe DREJT” i LVV, tingëllon egoist, mujëshor, revanshist. Por, i përligjur, sepse të githë kundër NJËSHIT, LVV-së! Arsyeja: pozitarët duan ta ruajnë statusquon, kundër ndryshimit, për t`i ruajtur interesat, privilegjet, lidhjet biznesore të pista të tyre. LVV, për të përballuar lukuninë e bashkuar politike në koalicion, PAN-LDK, shpallë – Referendum: “Kush donë ndryshimin, çkapjen e shtetit, bashkoni votat me LVV, pavarësisht përkatësisë partiake!” Dhe, kjo thirrje ka joshur qytetarët e Kosovës, sepse domosdoja e ndryshimit nuk ka alternativë. “Daullja bie, për ata që kanë veshë!”