LAVDIA E FETË SADIKUT, FORCË DHE KRENARI PËR BREZAT

0
5174
Vrane Nikaj Mertur

Foto në vitin 2006, në 60 vjetorin e masakrës komuniste në Nikaj – Mërtur

Nga: Besnik PALNIKAJ

Nga Dardania29 shtator 2016

Si i kujtojmë ata që ranë burrërisht dhe trimërisht

Fetë Sadik (Gjoli) Martir i Demokracisë

Kanë kaluar mbi 60 vite nga ajo kohë dhe në brezat e historianëve dhe botuesve ruhet madhështore figura mitike e Fetë Sadikut. Për të janë thënë tregime, është folur nëpër oda dhe në fshehtësi është nderue emri dhe vepra e tij. Ndërsa pas vitit 1990, kanë shpërthyet këngët e qendreses burrërisë dhe trimërisë. Këngët e Fetë Sadikut janë të shumta në qindra vargje, të krijuara dhe të kënduara që nga malesia e madhe dhe gjer ne Rrafshin e Dukagjinit, ku banon një komunitet krenar Palçnorësh, të vendosur aty ndër breza.

E Kështu ka shpërthyer si orteg eposi kushtuar Fetës. Ai lartësohet si një kreshnik, aty në mes të burrave nga krejt zona e Nikaj – Mërturit, si një lis i madh që edhe i vdekur i tmerroi armiqt me sy. Por le të kalojmë pak në ngjarjen tronditëse të kohës, që si shtyllë kishin Shëmhillin e Përgjakur. Për këtë do ti referohem shkrimit historik te shkrimtarit të Bëtoshes Ndue Ukcam Leka, botuar në gazetën “Nikaj – Mërtur“ shtator 2006:

“Nikaj – Mërturi një vargan legjëndar luginash, malesh e lumjesh, ku bëjnë roje të përjetshme Maja e Hekurave, Kakija, Korja e Mërturit dhe kanionet mahnitëse të Drinit. Këtu shpirti i Zotit dhe liria – porosia e apostullit Pal, u rujt në mbi 500 vjet në ndërgjegjen e mbijetesën e këtyre banorëve. Pikërisht këtu u krijua, u këndue dhe përcoll nga brezi në brez visari më i çmuar i kulturës kombëtare, Eposi i Kreshnikëve. Kjo zonë e thellë dhe për 500 vjet e paprekur nga asnjë pushtues, ku gjuha shqipe tingëllon aqë e bukur dhe e pastër, u godit rëndë, u dogj, u përgjak, u masakrue si Jezu Krishti nga bisha komuniste”.

“Reja e zezë e një operaçioni, e një hakmarrje po shfaqej në hapsirat e Nikaj – Mërturit, një operacion-masakër i tipit Stalinist. Vetë Enver Hoxha në një bisedë me një drejtues të rretheve të veriut ka shprehur deshirën për një nderhyrje të ashper në zonën e Nikaj – Mërturit, zonë, sipas tij reaksionare.

Shtëpia në të cilën ka lindur Fetë Sadik (Gjoli) Palç

Dita e operacionit u përgatit dhe u mbajt në fshetësi të plotë. Për këtë u caktue dita e festës së Shen Mhillit, që festohet nga të gjitha familjet katolike të Nikaj – Mërturit dhe Dukagjinit. Në errësiren e natës, korrieret të shoqeruar me ushtarë përhapen lajmin me urdhërat përkatës: Në 14 deri në 80 vjeç, kush është burrë nesër kur të kenë kalue dy sahat ditë duhet të jenë në oborr të postës, në lekbibaj. Të zbritën të gjithë bagëtija nga bjeshkët, si Goleshi, Tthermja, Piku, Bjeshket e Shengjergjit – Rahova etj. Mos të marrë kush rrugë se të gjitha qafat dhe rrugët për Shkoder, Tropojë, Theth apo Pukë janë të bllokuara prej ushtrisë”.

Kështu nisen Historianët e njohur Zef Doda dhe Dod Progni në librin e tyre “Nikaj – Mërturi” shkruajnë: “ Me 29 shtator 1946 komunistet mblodhen gjithë burrat e krahinës së Nikaj – Mërturit, te kodra e Beke Selimit, në Lekbibaj. Të rrethuar me forca të shumta ushtarake, që mbanin në duar pushkë, automatikë dhe mitroloza, mbi burra u bë një presion psikologjik i rëndë. Kishin apo nuk kishin armë, atyre u kërkohej dorezimi i tyre. Në këtë tubim në mënyrë çnjerzore vepruan Majori dhe Togeri i operaçionit. Fetë Sadik Gjolin nga Plaçi dhe Ukë Çunin nga Tetaj i pushkatuan përpara syve të gjith pjesmarrësve. Disa të tjerë i dërguan pas një kodre, dhe pasi i terrorizuan me breshëri automatiku, i nisen për në burgun e Koder-Shëngjergjit.

Urrejtjen e tij ndaj komunizmit Fetë Sadiku e pagoi në mënyrën më tragjike, por edhe më madhështore. Ai ishte heroi që luajti në një skenë reale, ku pati mbi 2000 spektatorë të gjithë me kapuçë të bardhë si bora, që e duartrokitën dhe e vajtuan në heshtje. Këto janë ngjarje të mëdha që vijnë nga eposit e Kreshikëve e që do të trondisnin fort edhe zemrën e krijuesit tonë të madh, të letrave shqipe Ismail Kadare. Vëllai i Fetës Adem Sadiku dhe djemtë, Marashi e Nikolla u burgosën. Ademi vuajti 4 vjet burg dhe gjithë familja e Sadik Gjergjit iu nënshtrue një persekutimi të ashper 44 vjeçar.

Fetë Sadiku kishte lindur në vitin 1875. Ishte djali i madh i Sadik Gjergjit, Heroit të vitit 1910 dhe të kryengritjes së vitit 1912, për të cilin flet me respekt kronika e kohës duke e cilësuar si shtëpi e parë e bajrakut të Mërturit. Në vitin 1926 Fetë Sadiku me të vëllanë Ademin, largohen për në Plavë, për ti shpetuar ndjekjes nga forcat e Zogut, por në këtë kohë i digjet shtëpia dhe 25 anëtarë të familjes së madhe internohen në Berat. Gjatë luftes së dytë botërore Fetë Sadiku ka luftuar për liri në rradhët e forcave të Ballit Kombetar, ku ishte me gradën e kapetanit. Ai ka bashkëpunuar me figura të njohura të kohës si Mujë Hoxhen e Gashit, me shtëpinë e Gjon Marka Gjonit të Mriditës, Me Kole Bib Mirakën, Patër Bernardin Fishten, e përherë me bajraktarin e Mërturit, Tunxh Miftari dhe djalin e tij Mark Tunxhi. Ai luajti një rrol të jashtëzakonshem si kryetar i Komisjonit të Pajtimit të gjaqeve për Nikaj – Mërturin.

Çmimin e Nënë Terezes nga Komisioni i Pajtimit të gjaqeve Mbarë Kombëtar

Kontributi i burrave të shtëpisë së Fetë Sadik Gjergjit të Palçit ka qënë i pandërprerë në të gjitha kohërat. Pas viteve 90 një rrol të madh kanë luajtur edhe nipat e Fetë Sadikut, Martin Marash Feta e Gjon Marash Feta, ku Gjoni si anetar i Komisjonit të Pajtimit gjaqeve Mbarë Kombetare ka kontribuar në pajtimin e disa gjaqeve deri në Kosovë me Ibrahim Rugoven dhe për këto kontribute Gjoni është nderuar me Çmimin e Nënë Terezes nga Komisjoni i Pajtimit të gjaqeve Mbarë Kombetare. Menjëherë pas vdekjes së Gjonit me 14 gusht 2004, përseri me voten e Nikaj – Mërturit u zgjodh nipi i Fetë Sadikut, Gjin Nikoll Feta, anëtar i Komisjonit të Pajtimit të gjaqeve Mbarë Kombetare dhe sekretar për degen Tiranë i cili vazhdon të kontribojë në këtë misjonb human.

I rikthehemi historisë, ngjarjes së tmerrshme të 29 shtatorit 1946. Ai u nis nga shtëpia e tij, i sigurtë që nuk do të kthehej më i gjallë. Por siç thonë, burri i palëkundur i Mërturit preferoi vdekjen para maleve dhe largimit nga Shqipëria. Ai shkoi në Lekbibaj, në krye të burrave të Palçit, ku me të ishte edhe i vëllai, kreshniku tjeter i Sadik Gjergjit, Adem Sadiku dhe dy djemtë ë tij të rinj, Marash Feta dhe Nikoll Feta.

Memorja në Lekbibaj, Nikaj – Mërtur, kushtuar Fetë Sadikut dhe Ukë Qunit
– si dhe titulli Martir i Demokracisë

Për Ukë Çunin po sjellim disa kujtime nga vëllai i tij, Gjelosh Çun Kola, marrë nga profesor Murat Geçaj, në Nju Jork: “Vëllai im ka lindur në Tetaj në vitin 1925. Ishte gjashtë vjet më i ri se une dhe merrej me bujqësi. Gjatë luftes së vitit 1944-46-të ai bashkëpunoi me Mark Tunxhin dhe për këtë u akuzue se bashkëpunon me diversantet. E arrestuan në shtëpi me 28 shtator 1946. Erdhen dhe e moren Ukën një rreshter me dy ushtarë: -Të kerkon komandanti (i operacionit) në posten e Nikajve” – i tha rreshteri. Vëllai im, djalë shum trim edhe pse në moshë të re u përgjigj: – kot e keni që më arrestoni. Në atë kohë nana e merueme, ka bertitë: – Pse ma merrni djalin? K upo ma çoni djalin? Shtëpinë tonë tre katëshe do ta mbulonte tmerri. Aty isha unë, vëllai i madh, nana Dalina, vellai tjetër, Marku dhe tri motrat. Babai na kishte vdekur. Në mëngjesin e 29 shtatorit në mbledhjen e 600 shpive shkova dhe une…”

Si pjesmarrës dhe deshimtarë i ngjarjes së 29 shtatorit 1946 ju sjellim kujtimet e Pal Mirashit të Palçit:

“I bana 80 vjet dhe per 70 vjet, që i mbaj mirë mend dhe i analizoj gjanat, nuk ndegjova as se u vra kush, as se u rreh kush, as se u korit femen, as se met kush të pakten dy muej ose tre e nalt pa i shkue shoqi shoqit mrena. Me thanë të drejten për katunde të tjera fatkeqesisht kanë ndodh ngjarje të papelqyeshme, por në Palç nuk janë përsëritë kurrë. Po ta krahasojmë me një lis të madh me rranjë në këto male, toka e shkembinj, atëherë palçi ka tre degë fisnike, apo tri vllazni Kolpepaj, Geçaj, Papdedaj. Geçaj, te shtëpia ë Fete Sadikut deri nelt, Gjolaj, Palmelaj, Papgeçaj, Malmelaj. Papdedajt shtrihen në lagjen Varosh, të afërmit e vet i kanë në Mëertur të Gurit, por lidhen edhe me ne këtu. Ndërsa Kolpepajt janë Ndreshajt, Koteçi dhe Aprripa në pertedrinë. Tjeter gja për fshatin Palç, që të dihet mirë e të mos harrohet e shtremnohet, vojvodë në Palç a kanë shpija e Fete Sadikut e Sadik Gjergjit.Due te ndaloj te një ngjarje tjeter e dhimshme. Fetë Sadikut i kanë vdeke tre vetë në internim në kohen e Zogut. Këtë nuk e ka thane kush.

Baba i jem e ka kallzue disa herë, bile ja u ka thanë edhe te deleguemve, që vinin mysafir në shpinë tonë, në kohen e komunizmit. Ai ka kallzue se mbas kryengritjes së Dukagjinit në 1926, kur Fetë Sadiku ishte ndër drejtuesit kryesor dhe e denuen me vdekje, ky mori njerzit dhe bagëtitë e u nis për në Guci. Mbi Theth e rrethuen, çau rrethimin dhe iku bashkë me bajraktarin e Shalës, Lush Prelen e Mark Lushin e te tjerë. Bagëtinë ja sekuestruen dhe gjithë njerzit e shpisë, rreth 20 vetë i dërguen në internim në kënetat e Lushnjes. Prej vuajtjeve të mëdha atje vdiqën tre vetë. Baba thoshte se ka vdekë një grue, një djalë dhe një i moshuem. Kur baba kallzonte këto histori, njerëzit e partisë heshtnin ose ndronjëri thoshte: “Mirë ata, paskan vdeke, po Feta?” Ne e kishim shumë të qartë se Fetë Sadiku u pushkatue pa gjyq, padrejtsisht dhe pa kurrfarë arsyeje. Fshati ynë ka qënë më i organizuemi edhe për hyrje e për dalje nga njani-tjetri. Ja fillueshim te djelën e Pashkëve, tu lagja Gjolaj, tu shpia e Fetë Sadikut, dhe i hyjshim kësaj pjese të fshatit derë më derë, mund të baheshim rreth 60 vetë”.

Duke mbledhur fakte, dëshmi të sakta prej atyre personave që kanë qënë pjesmarrës në ngjarjen e 29 shtatorit 1946, sjell për lexuesit një kronologji të plotë të tragjedisë në Nikaj – Mërtur. Pra, urdhërat janë dhënë natën që nga 14 vjeç e lart të gjithë burrat të mblidheshin me 28 shtator, në naten e ShëMhillit në Lekbibaj. Të zbresin gjaja dhe robt nga bjeshkët, kush asht për shteg, apo ndër miq, apo në të pame e kudo të kthehen në shtëpi. Asht kohë operacioni. Diten e parë u mblodhen shumë, por majori e anulloj mbleshjen për ditën e neserme.

Me një cinizem prej xhelati tha: – Kurrkush të mos mungojë nesër. Po qe njeri i sëmurë, silleni me vigj. Më vonë është mësuar se arsyeja për shtyrjen e mbledhjes për datë 29, ka qënë mungesa e disa personave, që ishin planifikuar për tu pushkatuar, apo arrestuar, midis të cilëve kryesori ishte Fetë Sadik Gjoli, burri 73 vjeçar nga Palçi. Të nesermen nuk ka mbetë njeri pa ardhë. Ka ardhë edhe frati i kishës së Nikajve.

Aty në atë fushë, nën atë geshtenjë ai ka veshë petkat e meshës . Ka folur disa fjalë për fenë, për qendresen e Jezu Krishtit dhe në fund tha: – Tash po e ndërpres se keni mbledhje. Koshi bekue të gjithë! Flitet se ky frat ka shkruajtur për këtë ditë të zezë në Nikaj – Mërtur dhe biles asht arrestue edhe ai vetë. Fillimisht kur njerezit po mblidhëshin, vinin nga rrugë të ndryshme, Togeri me dy-tre ushtarë ka zbritë nga kodra e postës së komandës, ku ishte edhe burgu, terhiqnin me litar të lidhur me hekura Ukë Qunin e Tetajve. Në stom të livadhi, pranë rrugës që binte nga ura e Mërturit e kanë pushkatue para njerëzve.

Ashtu ka mbetë gjithë diten, gjysma e trupit nën stom, e gjysma në stom të livadhit, ku bëhej mbledhje. E lanë aty para syve të njerëzve, që ti tmerronin ata. Deshmitaret thonë se ishte djalë i ri dhe shumë i bukur. Një erë e lehtë i lëviztë flokët në atë ballë fisnik, ndërkohë që afer tij ruanin ushtarët më mitrolozë. Aty ishin mbledhur mbi 2000 burra. Kishin ardhur të veshur më rrobat më të mira. Ishin shumë krenarë, me fytyra të ashpra dhe sy, që u qitnin flakë. Ishte hera e parë që në historinë ë këtyre maleve 500 vjeçare, burrat të ishin të pa armatosur dhe të futur si në një vathë, ku anash përgjonin bishat-njerëz, bishat vëllezer shqiptarë me mitroloza, automatikë dhe bomba. Menjeherë pasi frati i bekoj, fjalen e ka marrë Majori: Të gjithë ata që kanë armë me leje, ti qesin aty. Ashtu u bë. Kush asht i lidhun me raksionin, të dalë e të tregojë. Kush ka armë pa leje, ta kallzojë e të ulet në vend. Tortura sot nuk përdorim.

Ka pushkatim ose burg. Ata që kanë armë te fshehura, i kam në këtë listë. Kishte tri fletë të shtypura dhe të lidhura me gjylpërë. Kanë filluar emrat. -Zef bajrami. Ke pushkë? -Jo, nuk kam. -Lidheni. Ke pesë dekika afat para pushkatimit. Atëherë janë çue dy-tre vetë dhe kanë tregue se dikush ka pushkë, dikush bume etj. -Sokol Baçi! -Nuk më thonë Sokol Baçi, po jam Sokol Boçi! -Mirë, mirë se do të heqim krejt prej listave, por kallzo për pushken me 11 fishekë. -Nuk kam tjeter veç asaj që kisha me leje. Sokoli ishte sekretar këshilli në btoshë, prandaj e kishte pushken me leje. -Nuk ke? Pushkatojeni! E lidhen dhe e zbritën nën livadh bashkë me Zef Bajramin dhe u dëgjuen të shtëna automatiku. Të gjithë thanë se u pushkatuen. Kol Qerimi, kushuriri i tij, ka kapë buzen me dhamë prej urrejtjes dhe inatit sa i kanë dalë pikat e gjakut. – Adem Sadiku! Ka katër pushkë.

Pushkatojeni! Skuadren e pushkatimit e komandonte Togeri, i çili thyente arra sikur të ishte në dasem e jo në një kasaphane njerëzore. -Pal Nika! Ke pushkë? -Po -Pse nuk kallzove? Turp të kesh. Togeri e ka lidhë dhe e ka shty me kondak të automatikut. Komandanti ju ka drejtue togerit: – Nuk e kena me i prek me dorë, ose pushkatim, ose burg. Pal Nika një nder drejtuesit kryesor të rezistencës antikomuniste ne vitet 1943, po të mos tregonte pushkën, ishte vendos me u pushkatue në vend, aty mes njerëzve. Pra u´a prishi planin. Gjergj Qerimi ke pushkë? -Po e kam të mshefun. Ku? -Te bira e Sheqerit – Nisu, shko e merre e hajde këtu. E u nis. Kur dolën në Rrasë të Çurrajve, u thotë ushtarëve ta pushkatojnë këtu e të bëjnë çfarë të duan se pushkë nuk ka, e Bir Shiqeri nuka ka.

– Po pse na gënjeve? – E pyeten. – U rrëjta se u tuta se po më pushkatoni në sy të njerëzve e po me ndie kush brimën. Këtu nuk me ndije kush e tash më pushkatoni kur të doni. E u kthyen e nuk i thanë gjë. – Fetë Sadiku! Ke pushkë? – Jo nuk kam. Po të kisha do ta kisha kallzue në fillim e nuk e kisha lanë atë vella me m´u pushkatue. Kujtonte se Ademin, vëllanë që e qitën nën stom me Sokolin e disa të tjerë i kanë pushkatuar, në fakt ata i ngjitën të lidhur përmas kondrës, i derguan në burg e i nisen për në Kodër Shëngjergj.

– Merre dhe këtë e pushkatoje! – Urdhëroi Majori. Fetë Sadikun e lidhen me shokën e vet, me të cilën kishte mbështjellë tirçit, sepse u ishin mbaruar hekurat dhe litarët. Kur ka hecë pak hapa, Fetë Sadikut iu dha me kqyrë mrapa. Ishte burrë i gjatë, i veshur me xhaketë ushtarake dhe tirç. Kur ktheu syte pas, Togeri e ka shty me qytë të automatikut. -Mos se nuk asht per burra kjo! Hamdrej fenë, mue s´më ka prekë kush kurrë me dorë! – Ka fol i rrevoltum burri i shquar i Palçit. -Aty. Mos e ço ma larg! – Ka than Majori. Togeri ka derdhë gjithe karrikatorin në trup 75 vjeçarit, të cilit i dridhej xhaketa nga plumbat. Gjaku ka sterpikë njerëzit që ishin ulur rrotull. Si një lis vigan u shtri në lëndinë, mes dy djemve të tij, Marashti dhe Nikolles e 2000 vëllezerve të Nikaj – Mërturit.

E përsëri me egërsinë e përbindëshave, xhelatët thenin arra dhe përtypeshin. Komandanti vazhdoi ritualin e tij tragjik, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. A ka Zef marku kand këtu të çohet në këmbë?! -Gati jena! E Janë çue në këmbë kater burra si kater luana. Zef Marku ishte në burg e këta ishin vëllezrit ë tij, të vendosur mos me u korit para Nikaj – Mërturit e historisë. Kështu ka vazhduar ajo ditë kjameti. Ata që ranë ishin dhe mbeten antikomunistë të pamposhtur. Fetë Sadiku dhe Ukë Quni ranë si trima para burrave te Nikaj – Mërturit, para këtyre burrave që u zinte urrejtja e thellë kunder komunizmit”.

Me perendimin e diellit mbaroi dita e zezë e operacionit. Ajo la pas tmerre, urrejtje dhe vaje. Ajo ditë vulosi dhe betimin e Nikaj – Mërturit për të mos iu nënshtrue për jetë komunizmit. Njerëzit u detyruan të largohen dhe të lënë aty të pushkatuarit. Ata nuk nuk mund të merreshin, do të varroseshin diku aty. Fetë Sadiku përveç vëllait, Adem Sadik Gjoli, i arrestuan edhe dy djemte e tij Marashin dhe Nikollen. Aty ku u masakrue, aty edhe u varros Fetë Sadiku. Kusheriri i tij Ali Kamberi i dërgoi familjes së tij sahatin dhe kutinë e duhanit, për ti rujt në kujtim të tij. Kujtimi dhe mallet për legjendet e Palçit nga Nikaj – Mërturi dhe krejt Dukagjini bëhen më të ndjeshme kur ato vijnë me ushtimen e bjeshkëve, telat e çiftelisë dhe këngët e popullit. Ndoshta ky burrë 73 vjeçar, i masakruar si Krishti, e meriton më shumë se kush tjeter kujtimin dhe këngën.

Po e vazhdojmë këtë shkrim përkujtimor kushtuar Fetë Sadikut me disa këngë dhe vargje që i janë kushtuar ndër vite:
Po e filloj me këngët që ka shkruajtur Mark Nikë Qafnena, të botuara në vëllimin poetik ”I këndoj Dukagjinit”:

Fete Sadiku i Sadik Gjergjit
N´nand bajrakë burrë i zgjedhun
Qysh me babë e me babgjysh,
T´urtë për fjalë e të fortë për gisht.

Ndërsa Pavlin Lekaj e kendon kështu fetë Sadikun në poemen e tij “Këngë për Fetë Sadikun e Mërturit”:

Çiftelinë po marr me këndue i burrë
Mërturi për me kujtue,
Lavdi pastë ai shtyllë-bajraku
Fetë Sadiku ai kreshnik Palçi.

Rapsodi i njohur nga Nikaj – Mërturi, Ndue Marashi (Sharkia), pas viteve 90-te në ç´do odë malsore, në kuvend apo përkujtim, i ka kënduar me shpirt legjendes së Palçit Fetë Sadiku:

S’mud ta la kët kang pa knue
Për i shpi fisi si na ka nderue
E njoftun n´Bajrak e n´tanë malësi
Der e par n´Palç asht kjo shpi
Shpi bujare me urti burrit
Asht me fis n´Bajrak t´Mërturit.

I thrret majori fetë Sadikut
Po t´pret plumi i automatikut
Je vojvode e dere e parë
Na i kallzo ti ato armë
Ball për ballë plumit t’qelikut
Flet trimnia e Fetë Sadikut.

Njerëzit e Nikaj – Mërturit kudo shkojnë, historinë e marrin me vete. Marrin historinë dhe heronjt e saj. Historia e qëndresës së Fetë Sadikut i ka befasuar edhe brezin e ri. Pal Neçaj edhe pse në Ameriken e largët, Nju Jork 1996, I kushton vargje viganit të Palçit:

Në mes tubimit Fetës iu kanë drejtue,
ku i ke armet, shpejt për me i dorzue”?!
Nuk kemi armë”:
Feta u ka thanë,
Partizanet tuaj na i kanë marrë.
Në deshironi ju me u hakmarrë,
Kurrë ma ngusht nuk na kishit nxanë.
Të gjithë të çarmatosur dhe në rrethim,
Akuza pa bazë, dhunim pa gjykim.
S´e ka kanuni, ligji as shqip-tradita,
Pabesisht të ndëshkohet krejt krahina.
Duart në hekura Fetës ia kryqezojnë,
Pa folur asnjë fjalë, nuk mund ta ndalojnë.
”Të rrahem si kafshë, s´pranoj i gjallë,
Flakët e pushkëve i due ballpërballë”..!!
Fjala e majorit ne gojë sikur mbet,
Sinjalin ogurzi nëntogerit i jep.
Në mesin e popullit pa e larguar,
Fetë Sadikun e kanë pushkatuar.
Veshur bukur me kostum kombetar,
Ra ky trim, si ortek bore në mal.
U shkoq si shkëmbi nga Kakija,
Dridhet toka, skuqet lendina.
”Qeshet” krimineli, xhelat me grada,
Sa pushkatoi Feten, thyen e han arra.
Gjithë ata burra që shikuan atë seri,
Janë mbushur urrejtje dhe i zurri tmerri.
Lavdi pastë kreshin Fetë Sadiku!
S´ju tund mjekra, nuk ju dridh qerpiku,
Sa të jetë jeta dheu dhe guri,
E kujton të gjallë Nikaj – Mërturi.

Vitet pasojnë njëra tjetren dhe vargjet lidhen më fort, duke dëshmuar se kujtimi për Fëtë Sadikun dhe deren e Sadik Gjergjit nuk humbet si pasojë e viteve që kalojnë, por e forcon më shumë brezi i ri. Po shkëpusim disa rreshta nga këngëa që Zef Beka këngëtari i njohur nga Palçi i Mërturit dhe me tekst nga Ndoc Malaj:

Permbi Dri n´kulla prej guri
Faqebardhë Palçi i Mërturit
Kalojnë shekuj e kalojnë vite
Emni yt vjen tuj u rrite.

Nisen burrat si luana
Tuj ba gaz po shkojne me dek
Pisket ora bjeshkëve të rana
Fetë Sadiku i ka dy jetë.

Thotë largomja pushkës tyten
Mos më prek por s´kuqja gryken
Se edhe qielli n´tokë me ra
Fetë Sadiku frikë nuk ka.

Duke u pasuar me një këngë nga këngetaret Bardhok Prebibaj dhe Nikolin Perpali me tekst nga i madhi Marash Mehilli, ”Martiret e Lirisë”:

Fete Sadiku çohu nga vendi
Per vlla te vet çohet Ademi,
Fete Sadiku burre i dheut
Toka e ngriti si Anteun.

Toka e qielli seç u nxi
Vajton zana mbi kaki,
Fete Sadiku e Uke Quni
Krenari Nikaj – Mërturi.

Sot kanë eshtrat në troje të veta
N´fllad lirie sa të jene jeta
Burrat këngën hallall kanë
Se kto bjeshkë trimat si qajnë.


Medalja e akorduar familjes së Fetë Sadik Gjolit, 1995

Legjenden anti-komuniste të Nikaj – Mërturit e kujton dhe e nderon me respeçt të veçante edhe prof. Dr. Sali Berisha. Me dekretin presidençial, 1130, datë 21.06.1995, I akordon zotit Fetë Sadik Gjoli medaljen “Martir I Dekomraçisë”, me motivaçion: “Trim dhe patriot i shquar, që dha jetën për një Shipëri të lirë dhe të bashkuar”

Në fund të shtatorit të vitit 2006, në 60 vjetorin e masakres komuniste në Nikaj – Mërtur, ku u pushkatuan barbarisht dy martirët e demokraçisë, Fetë Sadiku dhe Ukë Quni, u organizue nje tubim madhështor ku moren pjesë qindar banorë të kësaj zone, që nga të moshuarit dhe gjer të nxënësit e shkollave. Me këtë rast në vendin e pushkatimit të të dy burrave Mërturit u përurua një pllakë përkujtimore, ku shkruhej: “Lavdi martirëve Fetë Sadiku dhe Ukë Quni, pushkatuar nga diktatura komuniste me 29 shtator 1946”. Në tubim ishin të ftuar edhe familjaret e dy martirëve, Gjin Nikoll Gjoli, Dedë Martin Gjoli, Nikë Gjon Gjoli, nga Palçi, Ndoc Lulashi nga Tetaj dhe Kolë Dedoshi, që kish ardhë posaçërisht nga Gjakova. Fjalët prekese të Gjinit, nipit të Fetë Sadikut, burrit të Njohur të Rajes, Ndue Sokoli dhe kryetarit të Këshillit të komunës, Fran Zhivani, u pritën me respekt nga njerëzit, që kishin mbushur lendinen, ku ranë të pavdekshmit Fetë Sadiku dhe Ukë Quni.

Gjin Nikoll Feta (Gjoli) – Nipi i Fetë Sadikut

Gjin Gjoli, nipi i Fetë Sadikut, që pas vitit 1990 iu shkëput egërsisë së luftës së klasave, mbaroi fakultetin e drejtësisë dhe akademinë e policisë e sot kryen në Tiranë detyren e specialistit, thonë që gjyshi i tij përmendet me nderim nga të moshuar dhe te rinj në Nikaj – Mërtur, Dukagjin e më gjërë. Të njohur dhe të pavdekshëm Fetë Sadikun e bëri pikërisht ajo qëndresë dhe ai pushkatim para 2000 burrave. Edhe sot e kësaj dite përmendet vendi ku u pushkatue Fetë Sadiku, permendet dita e ShënMhillit 1946, si dita kur komunistet grinë Fetë Sadikun, kur lavdërohet forca e burrit, sot e kësaj dite thuhet gjakftohtësi, trimni si e Fetë Sadikut, që i ka pa plumbat me sy.


Lavdi në shekuj Fetë Sadiku!

Besnik PALNIKAJ

Nga Dardania 28 shtator 2016

Fetë Sadik (Gjoli) Martir i Demokracisë

Sa herë t’vijnë në malësi pranvera, Fetë Sadiku t’u rrit’ë ndera!

Qysh në shekuj n’atë shpat gurit
Burra Pat Palçi i Mërturit,
Thanë i ka gjithmonë byrmë mikut
Kulla e bardhë e Fetë Sadikut,
Fiseve ua ka rrit nderen
Kur malsia ka qit poteren,
Se kanë ra dy fise në pritë
Festa Shenmhllit a’t ditë.

Komunizmi ka qitë fjalë
Kush e ka nis festen me ndale,
Ate nate kush mos me festue
Pa ra armet me i dorzue,
Nis e kan zanat vajtimin
Se në koder të Bekë Selimit,
Fetë Sadikun n’kam asht que
S’ka me mujt për me durue.

Se në shkofte gjaku sikur gurra
Jo, Jo , kjo nuk asht per burra,
Lavdi paq o Fetë Sadiku
S’të friksoj automatiku,
Me Ukë Qunin mbi atë krue
Per kete jet ke me u kujtue.

Ty të kujtojnë brezat te tanë
Matan drinit anembanë,
Se në malësi të a’i lapidarë
Për këtë jetë do të jesh i gjallë,
Sa herë t’vijnë në malësi pranvera
Fetë Sadiku tu rritë ndera!

Pak histori:

Fetë Sadiku kishte lindur në vitin 1875. Ishte djali i madh i Sadik Gjergjit, Heroit të vitit 1910 dhe të kryengritjes së vitit 1912, për të cilin flet me respekt kronika e kohës duke e cilësuar si shtëpi e parë e bajrakut të Mërturit. Në vitin 1926 Fetë Sadiku me të vëllanë Ademin, largohen për në Plavë, për ti shpetuar ndjekjes nga forcat e Zogut, por në këtë kohë i digjet shtëpia dhe 25 anëtarë të familjes së madhe internohen në Berat. Gjatë luftes së dytë botërore Fetë Sadiku ka luftuar për liri në rradhët e forcave të Ballit Kombetar, ku ishte me gradën e kapetanit.

Ai ka bashkëpunuar me figura të njohura të kohës si Mujë Hoxhen e Gashit, me shtëpinë e Gjon Marka Gjonit të Mriditës, Me Kole Bib Mirakën, Patër Bernardin Fishten, e përherë me bajraktarin e Mërturit, Tunxh Miftari dhe djalin e tij Mark Tunxhi. Ai luajti një rrol të jashtëzakonshem si kryetar i Komisjonit të Pajtimit të gjaqeve për Nikaj – Mërturin.