“LARGPAMËSI” POLITIKE!

0
510

AV. XHABIR ZEJNUNI

Kur u takuan kokë më kokë me 17 maj 2017, Rama me mikun e tij Bashën, e vetmja gjë që nuk u negociua mes tyre, ishte qeverisja e alternuar 8 vjeçare. Por, mes problemeve të tjera që u trajtuan aty, njëri ishte edhe më i rëndësishmi. Ose TEPSIA. Në të dy qeverisjet e fundit (të PD-së dhe PS-së) u bë problem shumë i madh bashkëpunimi (prej hallit!) me LSI-në (Lozanjarja Servile Imorale), e cila kishte ngrënë pjesën më të mirë të tepsisë, duke vënë kështu në vështirësi shumë të madhe PD-në dhe PS-në!

Duhej medoemos eliminimi i këtij rreziku “kulinar”! Në lidhje me këtë problem, Ramës i erdhi një “ide gjeniale”, të cilën ja sugjeroi mikut të tij Bashës. Pas votimeve të 25 qershorit, Basha nuk do kundërshtonte rezultatin e zgjedhjeve. Pas më shumë se një viti, Basha do fillonte sulmin ndaj Ramës me sebepin se Rama kishte blerë zgjedhjet me paratë e drogës, etj. Në sulm, do bashkohej edhe LSI-ja. Gjendja do bëhej aq kritike, sa Basha do propozonte “djegjen” e mandateve duke bindur edhe LSI-në. Dhe ashtu ndodhi.

Kjo “djegje” mandatesh, do sillte si rrjedhojë daljen (dhe eleminimin!) nga skena të LSI-së, duke bërë që tepsinë ta kishte të gjithën për vete ajo parti politike që do sundonte për 8 vite me radhë. Po ashtu, Rama i kishte premtuar Bashës se nuk do e sakrifikonte atë në altarin e demokracisë! Por, Basha filloi ta kuptojë më pas se LSI-ja mund ta tërhiqte edhe atë në gropën në të cilën ai e hodhi vetë, për arsye që nuk varen tashmë prej tij! Madje as Rama nuk po mund ta ndihmojë dot Bashën! Problemi që lindi, ishte ai që lidhet me hyrjen në Parlament të kandidatëve (rebelë!) të listës pritëse. Pritet që së shpejti Parlamenti të arrijë kuorumin e 140 deputetëve!

Por, PD-ja u ndodh papritur para problemit Rudina Hajdari, e cila nuk pranoi “djegjen” e mandatit të saj. Çfarë ndodhi me të vërtetë, pak kush mund ta dijë. Por, me supozime mund t’i afrohet pak a shumë të vërtetës.

Kur Rudina Hajdari hodhi me 8 dhjetor idenë e lënies së mandatit për “hatër të studenteve”, ajo dërgoi një “mesazh të koduar” dikund, por edhe dëshmoi se mund të mos i bindej PD-së. Pra, ajo tregoi se ka ADN-në “rebele” të të atit! Ky lloj “rebelimi” spontan, nuk u pëlqye dhe nuk u miratua nga PD-ja. Madje ky rebelim edhe u përqesh atë kohë!
Por, kur PD-ja “dogji” mandatet, ajo në fillim u tregua e “dyzuar” në vendimin e saj në lidhje me “djegjen” e mandatit të saj!

Pse?
Edhe ky “dyzim” e ka logjikën e tij.
Për hir të së vërtetës, Rudina Hajdari nevojitet sot më shumë se disa fosile të tjera në Parlament, jo vetëm për arsyen se ajo është e bija e Azemit, por edhe sepse ajo u rekomandua në PD nga SHBA.

Dorëzimi apo jo i mandatit, e vuri atë para DY opcioneve:
1. Mos dorëzim të mandatit dhe si shpërblim garancinë e shpëtimit të nënës së saj gjyqtare nga vettingu në të dyja shkallët e gjykimit;
2. Dorëzimin e mandatit dhe si rrjedhoje shkarkimin e nënës së saj nga vettingu edhe për arsye nga më banalet, ashtu siç ka ndodhur edhe me kolegët e saj.

Cilat do ishin pasojat?
Në rastin e parë, ajo do “humbiste” fytyrën, por do mbante mandatin dhe do shpëtontë nënën e saj nga vettingu. Pra, do “humbiste” një dhe do fitonte dy.
Në rastin e dytë, ajo do humbiste mandatin dhe do “ruante” fytyrën, por mund t’i skualifikohej nëna nga vettingu. Pra, ajo do “fitonte” një dhe do humbiste dy.
Duke qenë se sot fytyra në politikë nuk vlen asgjë, në të dyja rastet “humbja” dhe “fitimi” i kësaj fytyre, barazohen me zero!

Por, edhe nëse Rudina Hajdari do “digjte” mandatin e saj, është më se e sigurtë se në listën e ardhshme nuk do ishte më emri i saj. Për arsye “sigurie”!

Tashmë dihet se Rudina Hajdari është e preferuara e Amerikës, pasi ajo është një politikane me orientim amerikan në kundërshtim me shumicën e politikanëve shqiptare që janë antiamerikanë. Kur asaj i erdhi me “FERMAN” nga Amerika siguria e vazhdimit në detyrën e gjyqtares të nënës së saj, ajo menjëherë deklaroi në Zërin e Amerikës se do vazhdonte të qëndronte në Parlament. Menjëherë PD-ja me anë të një “FATWE” (që kishte kohë që e kishte përgatitur!) e përjashtoi Rudina Hajdarin nga radhët e saj (ashtu si dikur të jatin!). Dikush në forumet më të larta të PD-së, e krahasoi Rudina Hajdarin edhe me “Kalin e Tro(po)jës” të futur nga amerikanët në PD (….)!

Sidoqoftë, për par condicio familiare, u vendos që Kiri vëllai i Rudinës, të pozicionohet në PD në mbështetje të “djegjes” së mandateve! Pra, kundër motrës së tij! Fantastike. Kot nuk thuhet pastaj: “Opozitarë, por vëllezër e motra”!

Urohet që si Rudina Hajdari të jenë edhe deputetët e rinj, të cilët hynë (dhe do hyjnë) në Parlament, në mënyrë që të krijohet me të vërtetë një opozitë e re. Por, jo opozitë e rinovuar!

Po me Ramën çfarë do bëhet më vonë?
Fare e thjeshtë.
Kur një fshesë pastron shumë pisllëk, edhe vetë fshesa ndotet.
Si rrjedhojë, edhe fshesa ndërrohet!