LAMTUMIRË URTAR

0
411
Zymber Beshtica

Zymber Beshtica (12 shkurt 1950-25 prill 2020)

Mehmetali Rexhepi

Shkrimi për Zymber Beshticën më erdhi papandehur, ndonëse e dinim gjendjen e tij të rënduar shëndetësore… Cytja e parë nga kumti goditës pasoi shfryrjen time për shuarjen e jetës, përkatësisht shkuarjen në amshim të profesor Zymber Beshticës, kolegut tim të studimeve dhe të veprimtarisë së shenjtë arsimore…

Shumëçka më lidhte me të urtin Zymber Beshtica… Andaj, jo pa pikëllim e me dridhje duarsh po më dalin këto fjalë rikujtimi, nderimi, konsiderate e respekti me rastin e shuarjes të yllit shkëlqyes të Zymber Beshticës.

Çfarë fati doli të jetë pengesë, ngjashëm me pengesat tjera të jetës së Zymberit, pandemia “Covid 19”, për të mos mundur t`i bëhen nderimet e fundit, të merituara, me dashamirë, miq, shokë e ish nxënës edukatorit, kolegut, veteranit të arsimit dhe poetit Zymber Beshtica?! Gjatë kësaj pandemie tinëzare edhe figura të tjera patën fatin e këtillë…

Mund të pohoj se pata një çmallje, por çmallja ishte diçka e përciptë, përherë sipërfaqësore, prore e shkurtë, e avullueshme për njeriun që e do, që e çmon, meqë në shpirtin dhe jetën e tij ka diçka tënden, meqë para javës së fundit kishim shkëmbime të dendura me Zymberin; aq sa na jepej mundësia përmes mjeteve të internetit dhe celularit.

Zymberi ishte në gjendje të fliste, ashtu i shtrirë, për tema të ndryshme… Që të dy kishim parandjenjën e jetës së tij… Zymberi nuk e fshihte fund-jetën e shpejtë për vetveten… Gjithnjë me taktin e mos-lëndimit, i shmangesha ngjyrimeve emocionale… Megjithatë, Ai nuk jepej edhe për rrethanën fatlume të lirisë, të përjetimit të kësaj rrethane shekullore në mënyrën e vet; ndonëse në jetë dhe në sprovat poetike për lirinë, për qeverisjet skandaloze, për korrupsionin, për përfaqësimin diletant e hileqarë të institucioneve të shtet-bërjes së Kosovës, për nivelin joprofesional e të pasinqertë, ishte fare i pakënaqur.

Megjithëse vonë, Zymberi përjetoi rrethanën fatlume të familjes: bijtë Iliri dhe Etriti, si dhe bija me punën e tyre dhe shkollimin sipëror arritën, që t’ia ndryshonin mirëqenien materiale prindërve dhe, t’ia lehtësonin lëngatën…

E veçanta e Zymber Beshticës, që e karakterizoi gjatë gjithë jetës, ishte urtësia dhe kërkimi i arsyes. Zymberi nuk i përkiste tipit të njeriut që nxitohej në mospajtime, qoftë në kundërshtime, kënd-vështrime… Në gjykime kurdoherë ruante ndjeshmërinë e masës. Ishte njeri i butë dhe dashamirë i librit dhe arsimit. Ai kishte ndjeshmëri poetike.

DISA TË DHËDNA PËR JETËSHKRIM

Zymber Beshtica u lind në fshatin Desivojcë të Dardanës (Kamenicë), më 12 shkurt 1950. Gjimnazin e kreu në Dardanë, ndërsa Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe e kreu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në Prishtinë. Filloi të punonte si student. Në vitin 1975, vijoi mësimdhënien në QSHT në Gjilan, deri më 30 gusht 1982, kur e detyruan të largohej nga procesi edukativ-arsimor, si “i pa përshtatshëm ideo-politikisht.” Arsimit iu rikthye pas viteve të nëntëdhjeta, me të gjitha peripecitë e kushtëzimet e shtetit të Serbisë në Kosovë. Veprimtarinë e tij të mësimdhënies e mbaroi në SHM të Mjekësisë “Dr. Asllan Elezi” në Gjilan.

Zymber Beshtica në punën e tij arsimore-edukative ishte i përgatitur, i përgjegjshëm dhe i sinqertë. Në të gjitha mjediset shkollore të shkollave të mesme, Ai përkrahu, këshilloi, udhëhoqi grupet letrare, recituesit, përzgjodhi shkrime nxënësish, tekste për lexim, për interpretime dhe paraqitje të nxënësve për ngjarje kulturore e festa të historisë sonë kombëtare.

POETI ZYMBER BESHTICA

Kapitull më vete i Zymber Beshticës është krijimtaria poetike. Që nga bankat e shkollës fillore Ai u mor me vjershërim. “Kur ka mundur të japë kontributin e vet në moshën energjike e me një vullnet të pakursyer, i mungoi e drejta për fjalën publike. Por, ai ishte i angazhuar në çdo hapësirë për krijimtarinë letrare” (Shefik Shkodra).

Në edicionin botues“Jeta e re”, më 1996 botoi përmbledhjen me poezi “Rrjedha.” Po ashtu, Zymber Beshtica mori pjesë aktive me një varg bashkautorësh në disa publikime librash poetikë. Ky autor vargjet e veta i publikoi edhe si student, në gazeta dhe revista të përkohshme në gjuhën shqipe në Kosovë.

Për një periudhë të gjatë, që nga dalja e vëllimit të parë të tij, poeti kishte pushuar paraqitjen në mediet e shkruara dhe faqet artistike në portale… Ai kishte heshtur… Me rastin e shënimit të përvjetorit të 70-të të ditëlindjes tij, Zymber Beshtica publikoi vëllimin e dytë poetik të titulluar “Ëndërr e gjatë.” Libri doli i edituar nga Shtëpia Botuese “Sogjetime, përkujdesur dhe redaktuar nga Shefik Shkodra dhe autori i këtij shkrimi të përshpirtshëm.

Si duket botimi, përurimi solemn në njërën nga sallat e Bibliotekës Rajonale “Fan S. Noli” në Gjilan, më 12 shkurt të këtij viti, mandej prania e konsiderueshme e dashamirësve të artit letrar dhe, vlerësimi nga Mr. Tahir Arifi, Mehmetali Rexhepi studiues, Xheladin Mjeku, shkrimtar dhe Shefik Shkodra redaktor i botimit, ishte larje e pjesshme e një borxhi shpirtëror për urtarin, për prindin e dashur, për intelektualin dinjitoz, për edukatorin e breznive shkollare, për kolegun, për poetin Zymber Pajazit Beshtica.
Pastë dritë të përhershme kontributi njerëzor i Zymber Beshticës!

Gjilan, 26 prill 2020