LAMTUMIRË, MIKU IM, AGIM GASHI

0
877

Rapsodi i zëshëm Agim Gashi me vajzën Azalea

IDRIZ ZEQIRAJ

Një jetë e begatë: mësues, poet, publicist, krijues këngësh e rapsodishë; instrumentist, këngëtar popullor; satirik i thuktë, komentar, polemist aktiv; pajtues i suksesshëm i gjaqeve, fjalë të shoqëruara me lot; veprimtar i çështjes kombëtare, i burgosur politik, me turtura deri në ngrënie të kasetave, me këngët e tij, për heronjtë e lirisë.

Lajmi se krijuesi Agim Gashi u shua, shokoi në atë përmasë dhimbjeje, që përjetohet për njerëzit e letrave. Djali i Lipjanit, i Kosovës dhe i Shqiptarisë, nuk frymon më. Por, vepra e begatë shkrimore mbetet, si dëshmi e një jete aktive, madje, edhe atëherë kur ishte në përballje, për ta sfiduar vdekjen.

Me Agim Gashin punonim në revistën “Shqipëria Etnike”, me botues Kadri (Os)Manin, përkatësisht, kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës. Baca Kadri ishte kërkues i madh në punë dhe nuk ishte lehtë të ecje me hapin e tij. I pakënaqur, na tërhoqi vërejtjen publikisht. Agimit i thashë, ta përshpëjtojmë ritmin, sepse unë që kam ndarë jo vetëm dhomën, por edhe krevatin, me bacën Kadri, kur shërbenim mësues në të njëjtën shkollë, në vitet ’60-a, e njoh rreptësinë e tij dhe na bënë “përrallë me tupan!”

Fati i mirë, për të shpëtuar me fytyrë, në “lojë” hyri edhe djali i Tropojës dhe i Kosovës, Zeqir Lushaj, mjeshtër i letrave, me përvojë drejtuese në media, organizator i shkëlqyer, me parësi bindëse, në raport me ne. Por, baca Kadri ishte fisnik. Zinte miq të rinj dhe nuk i harronte të vjetrit. Për suksesin krijues publicistik të Kadri (Os)Manit, rrjedhimisht, edhe të Agim Gashit, në dekadën e fundit, meritën e ka edhe moderatori, menagjuesi i faqës të Internetit “Zemra Shqiptare”, Gëzim Marku, në kuadrin e së cilës botohej revista “Shqipëria Etnike”.

Kur miku ynë i përbashkët, atdhetari i madh, i burgosuri politik shumëvjeçarë, Kadri (Os)Mani, kaloi në amëshim, rapsodi Agim Gashi, i kushtoi këngën-hymn, e cila zënë vendin meritor në krijimtarinë e artë të tij. Kjo këngë kushtrim, vazhdon ta hijeshojë, ndër vite, faqen e parë te “Zemra Shqiptare.net”, deri tani, në nderim të Kadri (Os)Manit, e tani e tutje, edhe të Agim Gashit.

“Kurbeti i zi”, siç këndonte e vajtonte Agim Gashi, nuk e qetësoi shpirtin e trazuar të poetit, këngëtarit popullor. Nineli, djali i tij 17 vjeçar, i vrarë nga plolicia serbe, do të ishte loti dhe vaji i përjetshëm i Agim Gashit. “Por, Zoti e deshti që një vit më vonë, kur ti ke dhënë shpirt, të rilindet shpirti yt në Azalenë”, – shkruante Agimi në letrën “Birit tim, Ninel Gashit!”

Sëmundja, gjithnjë e më agresive, po e bënte gjithnjë e më nervoz krijuesin Agim Gashin. Për rrjedhojë, pasoi ndarja bashkëshortore. Vajza në adoleshencë, Azalea, zgjodhi të jetojë me babin Agim. Por, ai ndjehej keq pse sëmundja e pengonte, për ta shoqëruar vajzën, në kohë të lirë, jashtë shtëpisë.

Në këtë gjendje të rënduar nervore e shpirtërore, për ta ngushëlluar, sado pak, i dërgova një letër intime, por, Agimi e publikoi në media, me qëllim që hallët e tij t’i ndajë edhe me miqtë e tij të tjerë. Veç tjerash, e përgëzova për transplantimin e suksesshëm të njërit nga organet vitale, siç është melçia. Por, qëllimi bazë ishte ky fragment, nga letra në fjalë:

” I shumëdashuri Agim Gashi,
…. Një porosi vëllazërore: Vajzën mbaje pranë, sepse ajo duhet të jetë një stoli në banesën Tënde. Ju kuptoj, sëmundja dhe vetmia ndikojnë, fatalisht, në gjendjen Tënde shpirtërore dhe shpërthimet në mëllefosje edhe mund të mos kontrollohen, në masën e duhur. Megjithatë, llogarisni në moshën e vajzës dhe arsyetoni në përmasën e viteve. Ju lutem më ndjeni dhe më mirëkuptoni për tepërinë në moralizime, por, unë flas si vëllai – vëllait, meqë ju dua pa shibla e lajka.

Teksti, ilustrimi me fotografi dhe këndimi – i këngës, kushtuar mikut tonë zemrak – Kadri (Os)Manit, padyshim, është një monument i skalitur mjeshtërisht, për këtë burrë Kosove dhe Shqiptarie. Ju lumtë, i shumëdashuri Agim Gashi dhe të paçim në vite dhe dekada!
Falë me shëndet – Juaji vëlla – Idriz Zeqiraj
Mynih, më 2 prill 2013

Dhe, vërtet, të gjitha u tejkaluan, mrekullisht mirë. Dashuria tokësore, hyjnore e prindërore e Agim Gashit, ishte dhe mbeti vajza e tij bukuroshe dhe e zgjuar Azalea. Ajo bindi edhe nënën e motrën, të kthehen pranë babait, Agim Gashit, për t’ia lehtësuar vuajtjet, sepse “ai ka nevojë për njerëz dhe dashuri njerëzore”, – siç shprehet Azalea në një postim elektronik.

Shteti, mjekësia gjermane, bëri shumë për Agim Gashin tonë. Në kohë rekorde, siguroi melçinë gratis, falas, e cila i mundësoi të jetojë edhe disa vite. Dhe, Agimi bëri falenderimin publik, në mediet gjermane, madje, nga spitali, duke dëshmuar se mirënjohja shqiptare është e dlirë, e sinqertë, deri në pakufi; klasike e tradicionale. Por, një sëmundje tjetër, e familjes kanceroze, e goditi dhe, me gjithë dëshirën për jetë, në luftë e sipër me sëmundjen, e humbi betejën. Dhe, zemra e Agim Gashit pushoi së rrahuri përgjithmonë!

Kryetari i Komunës të Lipjanit, Imri Ahmeti me stafin e tij

Kuvendi komunal i Lipjanit organizoi një mbledhje komemorative, nën patronatin e kryetarit të Komunës, Imri Ahmeti, i cili vlerësoi lart figurën e krijuesit, rapsodit dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Agim Gashit. Në mes tjerash, ai tha se “familja Gashi, e mbi të gjitha Lipjani e Kosova, ka humbur një njeri të kompletuar, një personalitet të spikatur, një atdhetar që rrezatoi me pendë e sharki dhe një intelektual të mirëfillt. Agimi do t’i mungojë skenës së të menduarit lirshëm, sepse ai pikëtoi guximshëm, me shkrime e komente, fenomenet me të cilat po ndeshej shoqëria jonë”.

Për jetën dhe veprën e Agim Gashit, foli nënkryetari i Komunës, Sefer Tasholli.

Në vijim, u lexua poezia e shkruar nga poeti Mentor Thaçi, kushtuar kolegut të tij Agim Gashit, të dy anëtarë të “Shoqatës të Krijuesëve Artistikë në Gjermani”.

Në emër të familjes Gashi, të pranishmit i falenderoi për pjesëmarrje, në mbledhjen nderuese për Agim Gashin, nipi i Agimit, Debatik Gashi.

Pamje nga mbledhja komemorative në Lipjan

Përcjellja lamtumirëse, ceremonia e varrimit të krijuesit artistik dhe veprimtarit kombëtar, Agim Gashit, ishte dëshmi se, vërtet, ai ishte djalë Lipjani, por, vepra e tij madhore e fisnike, e bëri burrë Kosove. Miq e dashamirë, njerëz që vlerësojnë kontributet kombëtare, kishin ardhur nga Dardana e Istogu, nga Gjilani e Prizreni, nga Mitrovica e Peja, nga Drenica, Dukagjini e Llapi…., për t’u lamtimirë me Agim Gashin, mendja dhe zemra e të cilit veproi dhe rrahu për Kosovën dhe Shqiptarinë.

Lamturmirë, miku im i dashur, Agim Gashi! Shpirti Yt i dlirë, u prehtë në Parajsë!